Kapitulli 8
Beteja për të dalë fitimtarë
SMIRNA
1. (a) Cili ishte kongregacioni tjetër që mori një mesazh nga Jezui i ngritur në lavdinë e tij? (b) Çfarë u kujtoi Jezui të krishterëve të atij kongregacioni, kur e quajti veten «i Pari dhe i Fundit»?
SOT Efesi i lashtë është kthyer në gërmadhë. Kurse qyteti të cilit Jezui i dërgoi mesazhin e dytë është plot gjallëri edhe sot e kësaj dite. Rreth 55 kilometra në veri të rrënojave të Efesit ndodhet qyteti i Izmirit në Turqi, ku sot gjenden katër kongregacione të zellshme të Dëshmitarëve të Jehovait. Në shekullin e parë atje ishte Smirna. Ja çfarë tha Jezui: «Engjëllit të kongregacionit në Smirnë shkruaji: “Kështu thotë ‘i Pari dhe i Fundit’, i cili qe i vdekur dhe u kthye sërish në jetë.”» (Zbulesa 2:8) Me këto fjalë Jezui u kujtoi të krishterëve në Smirnë se ai ishte i pari që mbajti integritetin deri në fund, dhe që Jehovai e ringjalli drejtpërdrejt në jetën e pavdekshme frymore, si edhe i fundit që u ringjall në këtë mënyrë. Të gjithë të krishterët e tjerë të mirosur do të ringjallen nga Jezui. Si i tillë ai është mjaft i kualifikuar t’i këshillojë vëllezërit e tij, që shpresojnë të kenë pavdekësinë në qiell bashkë me të.
2. Pse mund të themi se fjalët e Atij që «qe i vdekur dhe u kthye sërish në jetë» ua ngrohin zemrën të gjithë të krishterëve?
2 Jezui ishte shembull për mënyrën si e përballoi përndjekjen për hir të drejtësisë, dhe për këtë mori shpërblimin e duhur. Besnikëria e tij gjer në vdekje e më pas ringjallja e tij janë baza për shpresën që kanë të gjithë të krishterët. (Veprat 17:31) Jezui «qe i vdekur dhe u kthye sërish në jetë», dhe kjo tregon se çfarëdo që të na duhet të durojmë për të vërtetën, nuk është e kotë. Ringjallja e Jezuit u jep zemër të gjithë të krishterëve, sidomos kur u duhet të vuajnë për hir të besimit. Mos je edhe ti në një situatë të tillë? Atëherë fjalët që i tha më pas Jezui kongregacionit të Smirnës do të të japin kurajë edhe ty.
3. (a) Si i inkurajoi Jezui të krishterët në Smirnë? (b) Pse tha Jezui se të krishterët në Smirnë ishin «të pasur», ndonëse në të vërtetë ishin të varfër?
3 Jezui tha: «E njoh shtrëngimin dhe varfërinë tënde, por ti je i pasur. E njoh edhe blasfeminë e atyre që i thonë vetes judenj, por që s’janë veçse një sinagogë e Satanait.» (Zbulesa 2:9) Ai nuk u bëri asnjë kritikë vëllezërve të tij në Smirnë, por vetëm i lavdëroi me ngrohtësi. Ata kishin kaluar shumë vështirësi për hir të besimit. Ishin të varfër dhe ka të ngjarë për shkak të besnikërisë së tyre. (Hebrenjve 10:34) Megjithëkëtë, gjëja më e rëndësishme për ta ishin gjërat frymore, dhe ashtu si këshilloi Jezui, ata kishin grumbulluar thesare në qiell. (Mateu 6:19, 20) Pra, Kryebariu i shihte si «të pasur».—Krahaso Jakovin 2:5.
4. Nga cilët hasën kundërshtim të madh të krishterët në Smirnë? Si i shihte Jezui ata kundërshtarë?
4 Jezui theksoi në mënyrë të veçantë se të krishterët në Smirnë kishin duruar kundërshtimin e madh të judenjve armiqësorë. Më parë, shumë pasues të kësaj feje e kishin kundërshtuar me vendosmëri përhapjen e krishterimit. (Veprat 13:44, 45; 14:19) Edhe në atë kohë, kur kishin kaluar vetëm pak dekada nga rënia e Jerusalemit, judenjtë në Smirnë po tregonin të njëjtën frymë satanike. S’çuditemi që Jezui i shihte si «sinagogë e Satanait»!a
5. Ç’sprova i prisnin të krishterët në Smirnë?
5 Përballë kësaj urrejtjeje, të krishterët në Smirnë morën zemër nga fjalët e Jezuit: «Mos ki frikë nga ato që do të vuash pas pak kohe. Ja, Djalli do të vazhdojë të futë disa nga ju në burg, që të sprovoheni plotësisht e të keni shtrëngim për dhjetë ditë. Tregohu i besueshëm deri në vdekje, dhe unë do të të jap kurorën e jetës.» (Zbulesa 2:10) Sipas tekstit në greqisht, në këtë varg Jezui përdori tri herë rresht vetën e dytë shumës, për të treguar se fjalët e tij i drejtoheshin tërë kongregacionit. Jezui s’mund të premtonte që sprovat për të krishterët në Smirnë do të merrnin fund së shpejti. Disa prej tyre do të vazhdonin të përndiqeshin e të futeshin në burg. Ata do të kishin shtrëngim për «dhjetë ditë». Numri dhjetë simbolizon tërësi ose plotësi për sa u përket gjërave në tokë. Edhe të krishterët me integritet dhe të pasur frymësisht do të sprovoheshin plotësisht për aq kohë sa ishin me trupa fizikë.
6. (a) Pse s’duhej të kishin frikë të krishterët në Smirnë? (b) Me cilat fjalë e përfundoi Jezui mesazhin e tij për kongregacionin e Smirnës?
6 Megjithatë, të krishterët në Smirnë s’duhej të kishin frikë dhe s’duhej të bënin kompromis. Nëse qëndronin besnikë deri në fund, do të shpërbleheshin me «kurorën e jetës», që për ta nënkuptonte pavdekësinë në qiell. (1 Korintasve 9:25; 2 Timoteut 4:6-8) Apostulli Pavël ishte i bindur se për këtë shpërblim të çmuar ia vlente të sakrifikoje gjithçka, madje edhe jetën këtu në tokë. (Filipianëve 3:8) Me sa duket edhe besnikët në Smirnë mendonin po njësoj. Jezui e përfundoi mesazhin e tij me fjalët: «Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve: atë që del fitimtar, s’do ta prekë kurrsesi vdekja e dytë.» (Zbulesa 2:11) Ata që do të dilnin fitimtarë, do të jetonin përgjithmonë në qiell, ku vdekja s’mund t’i merrte.—1 Korintasve 15:53, 54.
«Shtrëngim për dhjetë ditë»
7, 8. Njësoj si kongregacioni në Smirnë, si ‘u sprovua plotësisht’ kongregacioni i krishterë në vitin 1918?
7 Njësoj si të krishterët në Smirnë, sot klasa e Gjonit dhe shokët e tyre janë sprovuar dhe vazhdojnë ‘të sprovohen plotësisht’. Besnikëria e tyre në sprova është një shenjë e qartë se janë populli i Perëndisë. (Marku 13:9, 10) Pak pasi filloi dita e Zotërisë, grupi i vogël i popullit të Jehovait nga kombësi të ndryshme, u ngushëllua vërtet nga fjalët që u tha Jezui të krishterëve në Smirnë. (Zbulesa 1:10) Që nga viti 1879, ky grup ka nxjerrë thesare frymore nga Fjala e Perëndisë dhe i ka ndarë falas me të tjerët. Por gjatë Luftës së Parë Botërore ata u gjendën para një urrejtjeje dhe kundërshtimi të egër. Kjo ndodhi sepse nga njëra anë nuk lejuan t’i zinin ethet e luftës dhe nga ana tjetër, sepse po nxirrnin në shesh pa frikë fajet e «krishterimit». Përndjekja e nxitur nga disa krerë të «krishterimit» arriti kulmin në vitin 1918 dhe mund të krahasohej me çfarë hoqën të krishterët në Smirnë nga komuniteti i atjeshëm judaik.
8 Vala e përndjekjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës arriti kulmin kur presidenti i ri i Shoqatës Watch Tower, Xhozef Radhërfordi, dhe shtatë bashkëpunëtorë të tij u futën në burg më 22 qershor 1918. Shumica e tyre ishin dënuar me 20 vjet burgim. Nëntë muaj më vonë ata fituan lirinë me kusht, pasi dhanë si garanci një shumë parash. Më 14 maj 1919, gjykata e apelit rrëzoi dënimin e tyre të padrejtë. Në atë gjykim doli se kishte pasur 130 parregullsi. Gjykatës Mantoni, një katolik i paepur dhe kalorës i urdhrit të Shën Gregorit të Madh, i cili në vitin 1918 nuk kishte pranuar garancinë për të liruar këta të krishterë, më vonë, në vitin 1939, u dënua me dy vjet burgim dhe me 10.000 dollarë gjobë lidhur me gjashtë akuza për kërkim dhe pranim ryshfeti.
9. Si i trajtoi Hitleri Dëshmitarët e Jehovait në Gjermaninë naziste dhe si e priti kleri këtë gjë?
9 Gjatë regjimit nazist në Gjermani, Hitleri e ndaloi plotësisht veprën e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait. Për vite me radhë, mijëra Dëshmitarë u mbyllën dhe u trajtuan mizorisht nëpër kampe përqendrimi dhe burgje, ku shumë humbën jetën, ndërsa rreth 200 të rinj, që nuk pranuan të viheshin në radhët e ushtrisë së Hitlerit, u ekzekutuan. E gjithë kjo gëzonte përkrahjen e klerit, siç dëshmojnë fjalët e një prifti katolik në një gazetë gjermane. Në një pjesë të shkëputur prej saj thuhej: «Tani ka vetëm një vend në botë ku të ashtuquajturit . . . Studentë të Biblës [Dëshmitarë të Jehovait] janë të ndaluar. Ky vend është Gjermania. . . . Kur erdhi në fuqi Adolf Hitleri, ipeshkvia katolike në Gjermani i bëri të njëjtën kërkesë edhe atij, dhe përgjigjja e Hitlerit ishte: ‘Këta të ashtuquajturit Studentë të zellshëm të Biblës [Dëshmitarët e Jehovait] janë veç ngatërrestarë; . . . për mua janë sharlatanë. Unë nuk lejoj që katolikët e Gjermanisë të fëlliqen nga njëfarë gjykatësi amerikan me emrin Radhërford. Unë i shpërndaj [Dëshmitarët e Jehovait] në Gjermani.’» Prifti ia ktheu: «Bravo!»—The German Way, 29 maj 1938.
10. (a) Si janë përndjekur Dëshmitarët e Jehovait gjatë ditës së Zotërisë? (b) Si kanë përfunduar shpesh betejat ligjore të të krishterëve për lirinë e adhurimit?
10 Gjatë ditës së Zotërisë, Gjarpri dhe fara e tij luftuan pareshtur kundër të krishterëve të mirosur dhe shokëve të tyre. Shumë prej tyre u burgosën dhe u përndoqën mizorisht. (Zbulesa 12:17) Këta armiq vazhdojnë edhe sot ‘të thurin padrejtësi në emër të ligjit’, por populli i Jehovait nuk tundet, përkundrazi këmbëngul: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.» (Psalmi 94:20, Diodati i Ri; Veprat 5:29) Botimi në anglisht i Kullës së Rojës së vitit 1954 thoshte: «Gjatë 40 viteve të fundit, më shumë se shtatëdhjetë vende kanë marrë masa kundër Dëshmitarëve të Jehovait dhe i kanë përndjekur.» Këta të krishterë e kanë mbrojtur lirinë fetare nëpër gjykata, atje ku ka qenë e mundur, dhe në disa vende fitoret e tyre kanë bërë bujë. Vetëm në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara Dëshmitarët e Jehovait kanë fituar 50 gjyqe.
11. Cila profeci e Jezuit për shenjën e pranisë së tij është përmbushur te Dëshmitarët e Jehovait gjatë ditës së Zotërisë?
11 Asnjë grup tjetër nuk i është bindur me kaq përpikëri urdhrit të Jezuit për t’i paguar Cezarit gjërat e Cezarit. (Luka 20:25; Romakëve 13:1, 7) Megjithatë, asnjë grup tjetër nuk ka pasur anëtarë të burgosur në kaq shumë vende dhe në forma kaq të ndryshme qeverisjeje. Kjo ndodh edhe sot në Amerikën e Jugut dhe Qendrore, në Evropë, në Afrikë dhe në Azi. Në profecinë e madhe të Jezuit për shenjën e pranisë së tij ishin edhe këto fjalë: «Atëherë do t’ju dorëzojnë në shtrëngim e do t’ju vrasin, dhe të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» (Mateu 24:3, 9) Ky shkrim është përmbushur te të krishterët Dëshmitarë të Jehovait gjatë ditës së Zotërisë.
12. Si i dha forcë klasa e Gjonit popullit të Perëndisë para përndjekjes?
12 Për t’i dhënë forcë në kohë shtrëngimi, klasa e Gjonit i ka kujtuar vazhdimisht popullit të Perëndisë thelbin e fjalëve që Jezui u drejtoi të krishterëve në Smirnë. Për shembull, kur nisi përndjekja nga nazistët, në vitin 1933 dhe 1934, në Kullën e Rojës u botuan artikuj, si «Mos kini frikë prej tyre», ku trajtohej Mateu 10:26-33, «Furra e shkrirjes» bazuar te Danieli 3:17, 18 dhe «Në gojë të luanëve», ku shkrimi kryesor ishte Danieli 6:22. Në vitet 80, kur ky libër u botua për herë të parë në anglisht dhe Dëshmitarët e Jehovait u përndoqën pa mëshirë në më shumë se 40 vende, Kulla e Rojës i dha forcë popullit të Perëndisë me artikuj si «Nën përndjekje, por të lumtur» dhe «Të krishterët qëndrojnë para përndjekjes».b
13. Njësoj si të krishterët në Smirnë, pse Dëshmitarët e Jehovait nuk i ka frikësuar përndjekja?
13 Vërtet, Dëshmitarët e Jehovait janë të krishterët që po përndiqen fizikisht dhe po kalojnë sprova të tjera për dhjetë ditë simbolike. Njësoj si të krishterët në Smirnë, ata nuk kanë frikë. Askush prej nesh s’ka pse të frikësohet tek sheh se problemet këtu në tokë përkeqësohen. Ne jemi gati të durojmë vuajtje, e madje të pranojmë me gëzim ‘të na plaçkitin zotërimet’. (Hebrenjve 10:32-34) Duke studiuar Fjalën e Perëndisë dhe duke e përvetësuar atë, do të jemi të pajisur të qëndrojmë të fortë në besim. Ji i sigurt se Jehovai mund të na ruajë dhe do të na ruajë që të mbetemi besnikë! «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.»—1 Pjetrit 5:6-11.
[Shënimet]
a Rreth 60 vjet pas vdekjes së Gjonit, pikërisht në Smirnë u dogj i gjallë në moshën 86-vjeçare Polikarpi, vetëm sepse nuk e mohonte besimin te Jezui. Në një vepër që besohet se u shkrua në kohën kur ndodhi kjo ngjarje, thuhet se kur po mblidheshin drutë për zjarrin, «judenjtë e bënë këtë me zell të madh, siç e kanë zakon në të tilla raste», ndonëse ekzekutimi po bëhej në «një ditë të madhe sabati».—Martirizimi i Polikarpit.
b Shih Kullën e Rojës të 1 nëntorit 1933, 1 dhe 15 tetorit 1934, 1 dhe 15 dhjetorit 1934, 1 majit 1983, të gjitha në anglisht.
[Kutia dhe figura në faqen 39]
Për vite me radhë, historianët kanë sjellë dëshmi për integritetin e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani gjatë regjimit nazist. Në një libër të botuar në vitin 1986, historiania Klaudia Kunz thotë: «Pjesa dërrmuese e gjermanëve që nuk kishin bindje naziste i gjeti mënyrat për të mbijetuar në një regjim që e urrente. . . . Në anën tjetër, 20.000 Dëshmitarë të Jehovait, gati pa përjashtim, refuzuan në mënyrë të palëkundur t’i bindeshin në ndonjë mënyrë pushtetit nazist, për shkak të ideve të tyre. . . . Grupi më kompakt që bëri qëndresën më të madhe gjente forcë te feja. Që në fillim Dëshmitarët e Jehovait nuk pranuan të bashkëpunonin në ndonjë mënyrë me shtetin nazist. Edhe pasi Gestapoja shkatërroi selinë e tyre kombëtare në vitin 1933 dhe e ndaloi këtë sekt në vitin 1935, ata nuk pranuan as të thoshin ‘Hail Hitler’. Gati gjysma e Dëshmitarëve të Jehovait, (kryesisht burra), u dërguan nëpër kampe përqendrimi, një mijë prej tyre u ekzekutuan dhe një mijë të tjerë vdiqën nga viti 1933 deri në vitin 1945. . . . Katolikët dhe protestantët iu bindën thirrjes së klerit të tyre për të bashkëpunuar me Hitlerin. Nëse kundërshtonin, nuk po u bindeshin urdhrave të kishës dhe të shtetit.»—Mothers in the Fatherland.