Kapitulli 38
Lëvdoni Jah për gjykimet e tij!
1. Cilat fjalë «si zëri i fortë i një shumice të madhe në qiell» dëgjoi Gjoni?
BABILONIA E MADHE s’do të jetë më! Ky është një lajm vërtet i gëzuar. S’është çudi pse Gjoni dëgjoi shpërthime gëzimi e lëvdimi në qiell. «Pas këtyre gjërave, dëgjova diçka që ngjante si zëri i fortë i një shumice të madhe në qiell. Ata thoshin: ‘Halelujah!a Shpëtimi, lavdia dhe fuqia i përkasin Perëndisë tonë, sepse gjykimet e tij janë të vërteta e të drejta. Sepse ai ekzekutoi gjykimin mbi prostitutën e madhe, e cila e korruptoi tokën me kurvërimin e saj, dhe mori hak kundër saj për gjakun e skllevërve të tij.’ E sakaq thanë për herë të dytë: ‘Halelujah!b Tymi i saj ngjitet në jetë të jetëve.’»—Zbulesa 19:1-3.
2. (a) Çfarë do të thotë fjala «Halelujah» dhe çfarë tregon fakti që Gjoni e dëgjoi dy herë pikërisht në këtë pjesë të Zbulesës? (b) Kujt duhet t’i shkojë lavdia për shkatërrimin e Babilonisë së Madhe? Shpjego.
2 Vërtet Halelujah! Kjo fjalë do të thotë «lëvdoni Jah», dhe Jah është forma e shkurtuar e emrit të Perëndisë Jehova. Kjo na kujton nxitjen që na ka dhënë psalmisti: «Çdo gjë që merr frymë, le të lëvdojë Jah! Lëvdoni Jah!» (Psalmi 150:6) Pikërisht në këtë pjesë të Zbulesës, Gjoni e dëgjoi dy herë korin e ngazëllyer qiellor të këndonte «Halelujah!», dhe kjo tregon se të vërtetat hyjnore që zbulohen janë koherente. Perëndia i Shkrimeve të Krishtere Greke është po ai i Shkrimeve Hebraike dhe quhet Jehova. Perëndia që shkaktoi rënien e Babilonisë së lashtë, tani do të gjykojë e do të shkatërrojë Babiloninë e Madhe. Atij i takon tërë lavdia për këtë bëmë! Fuqia që do të provokojë rënien e saj i përket atij, dhe jo kombeve që ai do të përdorë për ta shkatërruar. Duhet të pranojmë se shpëtimi vjen vetëm prej tij.—Isaia 12:2; Zbulesa 4:11; 7:10, 12.
3. Pse prostituta e madhe e ka vërtet hak gjykimin?
3 Pse prostituta e madhe e ka hak gjykimin? Sipas ligjit që Jehovai i dha Noesë—e nëpërmjet tij tërë njerëzimit—derdhja e gjakut pa shkak dënohej me vdekje. Këtë e përsëriti edhe në Ligjin që i dha Izraelit. (Zanafilla 9:6; Numrat 35:20, 21) Veç këtyre, nën Ligjin e Moisiut kurorëshkelja fizike dhe frymore ndëshkohej me vdekje. (Levitiku 20:10; Ligji i përtërirë 13:1-5) Babilonia e Madhe ka derdhur gjak për mijëra vjet, e veç kësaj, është një lavire e madhe. Për shembull, rregulli i Kishës Katolike që i ndalon priftërinjtë të martohen, i ka çuar shumë prej tyre në imoralitet të rëndë, dhe sot nuk janë të paktë ata që janë me SIDA. (1 Korintasve 6:9, 10; 1 Timoteut 4:1-3) Sidoqoftë, mëkatet e saj më të mëdha, që «janë grumbulluar e kanë arritur deri në qiell», janë kurvëritë tronditëse frymore që ka kryer, duke mësuar gënjeshtra dhe duke u lidhur me politikanët e korruptuar. (Zbulesa 18:5) Kur më në fund të ndëshkohet, nga shumica qiellore do të ushtojë një Halelujah e dytë.
4. Çfarë simbolizon fakti që tymi i Babilonisë së Madhe ‘do të ngjitet në jetë të jetëve’?
4 Babilonisë së Madhe do t’i vihet zjarri si të jetë një qytet i pushtuar, dhe tymi i saj ‘do të ngjitet në jetë të jetëve’. Kur ushtritë pushtuese i vënë zjarrin një qyteti, prej tij vazhdon të dalë tym për aq kohë sa hiri është i nxehtë. Kush mundohet ta rindërtojë ndërsa ende nxjerr tym, përcëllohet sepse rrënojat vazhdojnë të digjen nën hi. Meqenëse tymi i Babilonisë së Madhe do të ngjitet «në jetë të jetëve» si simbol i gjykimit përfundimtar të saj, askush s’do të mund ta rindërtojë ndonjëherë atë qytet të mbrapshtë. Feja e rreme do të ketë marrë fund njëherë e përgjithmonë. Vërtet Halelujah!—Krahaso Isainë 34:5, 9, 10.
5. (a) Çfarë bënin dhe thoshin 24 pleqtë dhe katër krijesat e gjalla? (b) Pse Halelujah që këndon kori madhështor është shumë më e ëmbël se Halelujah që këndohet nëpër kishat e krishterimit apostat?
5 Në një vegim të mëparshëm, Gjoni pa rreth fronit katër krijesa të gjalla dhe 24 pleqtë, që përfaqësojnë trashëgimtarët e Mbretërisë në pozitat e tyre të lavdishme qiellore. (Zbulesa 4:8-11) Tani i pa përsëri, duke thirrur fort Halelujah për herë të tretë, këtë herë për shkatërrimin e Babilonisë së Madhe. «Njëzet e katër pleqtë dhe katër krijesat e gjalla u përkulën dhe adhuruan Perëndinë që rri ulur në fron, me fjalët: ‘Amin! Halelujah!’»c (Zbulesa 19:4) Ky kor madhështor që këndon Halelujah do t’i shtohet ‘këngës së re’ të lëvdimit për Qengjin. (Zbulesa 5:8, 9) Kjo do të jetë koha kur do të këndohet refreni i fitores madhështore që ia jep tërë lavdinë Zotërisë Sovran Jehova, për fitoren e tij përfundimtare mbi Babiloninë e Madhe, prostitutën famëkeqe. Këto Halelujah buçasin shumë më ëmbël se koret që këndojnë Halelujah nëpër kishat e krishterimit apostat, ku Perëndia Jehova, ose Jah, është çnderuar dhe përbuzur. Këta zëra hipokritë që hedhin sharje mbi emrin e Jehovait do të heshtin përgjithmonë.
6. I kujt ishte ‘zëri’ që u dëgjua, për çfarë i ftoi ata që e dëgjojnë dhe cilët iu përgjigjën kësaj ftese?
6 Në vitin 1918, Jehovai filloi të shpërblente ‘ata që i frikësoheshin emrit të tij, të vegjël e të mëdhenj’. Të parët ishin të krishterët e mirosur që kishin vdekur besnikë, të cilët ai i ringjalli dhe i vuri në radhët qiellore të 24 pleqve. (Zbulesa 11:18) Me ta janë bashkuar edhe të tjerë për të kënduar Halelujah, sepse Gjoni tha: «Pastaj një zë doli nga froni e tha: ‘Lëvdoni Perëndinë tonë, të gjithë ju, skllevërit e tij, që i frikësoheni atij, të vegjël e të mëdhenj!’» (Zbulesa 19:5) Ky «zë» ishte zëri i zëdhënësit të Jehovait, Birit të tij, Jezu Krishtit, që qëndron «afër fronit». (Zbulesa 5:6) «Të gjithë . . . skllevërit e tij» këndojnë, jo vetëm ata që janë në qiell, por edhe ata që janë në tokë, që drejtohen nga të mirosurit e klasës së Gjonit. Sa me gëzim i binden urdhrit: «Lëvdoni Perëndinë!»
7. Cilët do ta lëvdojnë Jehovain pasi të shkatërrohet Babilonia e Madhe?
7 Mes atyre skllevërve figurojnë edhe anëtarët e shumicës së madhe. Që nga viti 1935, ata vazhdojnë të dalin nga Babilonia e Madhe, dhe përjetojnë përmbushjen e premtimit të Perëndisë: «Jehovai do të bekojë ata që i frikësohen, të mëdhenj e të vegjël qofshin.» (Psalmi 115:13) Kur lavirja Babiloni të shkatërrohet, miliona prej tyre do të bashkohen ‘për të lëvduar Perëndinë tonë’ bashkë me klasën e Gjonit dhe tërë ushtrinë qiellore. Më vonë, ata që do të ringjallen në tokë, njerëz të rëndësishëm ose jo, pa dyshim do të këndojnë Halelujah të tjera kur të mësojnë se Babilonia e Madhe ka marrë fund përgjithmonë. (Zbulesa 20:12, 15) Jehovait i takon tërë lavdia për fitoren e bujshme mbi prostitutën plakë!
8. Çfarë shtyse na jep, para se të shkatërrohet Babilonia e Madhe, kori qiellor që dëgjoi Gjoni?
8 Të gjitha këto na japin një shtysë të fortë që të marrim pjesë në mënyrë sa më të plotë në veprën e Perëndisë për ditët tona. Të gjithë shërbëtorët e Jah le t’i kushtohen me mish e me shpirt shpalljes së gjykimeve të Perëndisë dhe shpresës së mrekullueshme të Mbretërisë, tani, para se Babilonia e Madhe të rrëzohet e të shkatërrohet!—Isaia 61:1-3; 1 Korintasve 15:58.
‘Halelujah: Jehovai mbretëron!’
9. Pse Halelujah e fundit do të jetë aq e fortë dhe kumbuese?
9 Do të kemi edhe arsye të tjera për të gëzuar, siç tha Gjoni: «Dëgjova diçka që ngjante si zëri i një shumice të madhe, si zhurma e ujërave të shumta dhe si gjëmimi i bubullimave të forta. Ata thanë: ‘Halelujah,d sepse Jehovai, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi, ka nisur të mbretërojë!’» (Zbulesa 19:6) Kjo Halelujah e fundit i jep forcë e plotësi shpalljes, duke i dhënë një simetri të përsosur. Bëhet fjalë për një tingull të fuqishëm qiellor, shumë më madhështor se çdo kor njerëzor, më të mrekullueshëm se çdo ujëvarë në tokë dhe më të frikshëm se çdo shtrëngatë me bubullima. Dhjetëra mijë zëra qiellorë do të kremtojnë, sepse «Jehovai, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi, ka nisur të mbretërojë»!
10. Në ç’kuptim mund të thuhet se Jehovai nis të mbretërojë pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe?
10 Mirëpo, pse thuhet se Jehovai ka nisur të mbretërojë? Mijëra vjeçarë kanë kaluar që kur psalmisti tha: «Perëndia është Mbreti im prej shumë kohësh.» (Psalmi 74:12) Madje, edhe në atë kohë mbretërimi i Jehovait ishte i lashtë. Atëherë, si mund të këndojë kori në qiell se «Jehovai . . . ka nisur të mbretërojë»? Sepse pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, Jehovai s’do ta ketë më atë rivale kryeneçe që i pengonte njerëzit t’i bindeshin atij si Sovrani Universal. Feja e rreme nuk do t’i nxitë më qeveritarët që ta kundërshtojnë. Kur Babilonia e lashtë ra si fuqi botërore, Sioni dëgjoi këtë shpallje fitimtare: «Perëndia yt është bërë mbret.» (Isaia 52:7) Pas lindjes së Mbretërisë në vitin 1914, 24 pleqtë shpallën: «Të falënderojmë, o Perëndi Jehova, . . . sepse more pushtetin tënd të madh dhe fillove të mbretërosh.» (Zbulesa 11:17) Pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe do të dëgjohet përsëri thirrja: «Jehovai . . . ka nisur të mbretërojë!» S’do të ketë më asnjë perëndi të sajuar nga njeriu që të sfidojë sovranitetin e Perëndisë së vërtetë, Jehovait!
Martesa e Qengjit është afër!
11, 12. (a) Me cilat fjalë iu drejtua Jerusalemi i lashtë Babilonisë së lashtë, dhe ç’model ishte për anëtarët e Jerusalemit të Ri dhe Babiloninë e Madhe? (b) Për çfarë do të këndojnë dhe çfarë do të lajmërojnë moritë qiellore pas fitores mbi Babiloninë e Madhe?
11 «O armikja ime!» Kështu iu drejtua Babilonisë idhujtare Jerusalemi, ku gjendej tempulli për adhurimin e Jehovait. (Mikea 7:8) Po njësoj, ‘qyteti i shenjtë, Jerusalemi i Ri’, i përbërë nga 144.000 anëtarët që formojnë nusen, ka pasur çdo arsye ta quante Babiloninë e Madhe armiken e vet. (Zbulesa 21:2) Por, më në fund, prostituta e madhe do ta shohë ç’është mundimi, gjëma dhe rrënimi. Praktikat e saj spiritiste dhe astrologët s’do të mund ta shpëtojnë. (Krahaso Isainë 47:1, 11-13.) Ç’fitore e madhe për adhurimin e vërtetë!
12 Pasi Babilonia e Madhe, prostituta e neveritshme, të zhduket nga faqja e dheut, do të mund ta përqendrojmë vëmendjen te nusja e dëlirë dhe e virgjër e Qengjit! Ndaj moritë qiellore do t’i këndojnë me ngazëllim lavde Jehovait: «Le të gëzojmë e të ngazëllojmë, le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi martesa e Qengjit dhe nusja është gati. Po, asaj i është lejuar të vishet me li të shndritshëm, të pastër e të hollë, sepse liri i hollë përfaqëson veprat e drejta të të shenjtëve.»—Zbulesa 19:7, 8.
13. Ç’përgatitje janë bërë gjatë shekujve për martesën e Qengjit?
13 Jezui ka shumë shekuj që po e përgatit me dashuri këtë martesë qiellore. (Mateu 28:20; 2 Korintasve 11:2) Ai i ka pastruar 144.000 anëtarët e Izraelit frymor ‘që ta paraqitë kongregacionin para vetes në shkëlqimin e tij, pa asnjë njollë ose rrudhë a diçka të tillë, që të ishte i shenjtë dhe i patëmetë’. (Efesianëve 5:25-27) Për të arritur «çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë», çdo të krishteri të mirosur i është dashur të heqë personalitetin e vjetër me praktikat e tij, të veshë personalitetin e ri të krishterë dhe të kryejë vepra të drejta «me gjithë shpirt si për Jehovain».—Filipianëve 3:8, 13, 14; Kolosianëve 3:9, 10, 23.
14. Si është munduar Satanai të ndotë anëtarët e ardhshëm të gruas së Qengjit?
14 Nga festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. e më pas, Satanai ka përdorur si vegël Babiloninë e Madhe për t’u orvatur të ndotë anëtarët e ardhshëm të gruas së Qengjit. Nga fundi i shekullit të parë, ai mbolli farat e fesë babilonase brenda kongregacionit. (1 Korintasve 15:12; 2 Timoteut 2:18; Zbulesa 2:6, 14, 20) Ata që donin të minonin besimin, apostulli Pavël i përshkroi me këto fjalë: «Njerëz të tillë janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, që shndërrohen në apostuj të Krishtit. Dhe s’është për t’u çuditur, sepse vetë Satanai vazhdon të shndërrohet në engjëll drite.» (2 Korintasve 11:13, 14) Në shekujt që vijuan, krishterimi apostat, njësoj si pjesa tjetër e Babilonisë së Madhe, u mbulua me pasuri dhe privilegje, u pispillos «me të purpurt e me të kuqe të ndezur, . . . me ar, me gurë të çmuar e margaritarë». (Zbulesa 17:4) Klerikët dhe papët e tij i ujdisën punët me perandorët e etur për gjak, si Kostandini dhe Karli i Madh. Ai nuk u stolis kurrë me «veprat e drejta të të shenjtëve». Kjo nuse e shtirur ishte vërtet kryevepër e mashtrimeve të mjeshtrit Satana. Më në fund, do të zhduket përgjithmonë!
Gruaja e Qengjit është gati
15. Si janë vulosur të krishterët e mirosur dhe çfarë kërkohet prej tyre?
15 Tani, pas rreth 2.000 vjetësh, 144.000 anëtarët e klasës së nuses janë gati. Por, kur saktësisht mund të thuhet se ‘nusja e Qengjit do të jetë gati’? Pak nga pak, nga festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. e më pas, besimtarët e mirosur ‘u vulosën me frymën e shenjtë të premtuar’, që një ‘ditë të çliroheshin nëpërmjet shpërblesës’. Apostulli Pavël tha: «[Perëndia] na ka vënë vulën e tij dhe na ka dhënë kaparin e asaj që do të vijë, domethënë frymën, në zemrat tona.» (Efesianëve 1:13; 4:30; 2 Korintasve 1:22) Çdo i krishterë i mirosur është ‘i thirrur dhe i zgjedhur’ dhe e ka treguar veten ‘të besueshëm’.—Zbulesa 17:14.
16. (a) Kur kishte përfunduar vulosja e apostullit Pavël dhe si e dimë? (b) Kur do të jetë plotësisht «gati» nusja e Qengjit?
16 Pas dekada të tëra sprovash, Pavli tha: «Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta. Që tani e tutje, për mua ruhet kurora e drejtësisë, të cilën Zotëria, gjykatësi i drejtë, do të ma japë si shpërblim atë ditë, madje jo vetëm mua, por edhe të gjithë atyre që e kanë dashur shfaqjen e tij.» (2 Timoteut 4:7, 8) Duket se vulosja e apostullit kishte përfunduar, ndonëse nuk e kishte lënë ende trupin dhe e priste vdekja si martir. Po ashtu, do të vijë koha, kur të gjithë anëtarët e 144.000 të mirosurve që vazhdojnë të jenë në tokë, të vulosen individualisht si persona që i përkasin Jehovait. (2 Timoteut 2:19) Kjo do të ndodhë kur gruaja e Qengjit të jetë plotësisht gati—shumica e 144.000 të mirosurve ta ketë marrë shpërblimin qiellor dhe ata që janë ende në tokë të jenë miratuar e vulosur përfundimisht si besnikë.
17. Kur mund të bëhet martesa e Qengjit?
17 Në këtë pikë të kalendarit të Jehovait, kur të përfundojë plotësisht vulosja e 144.000 të mirosurve, engjëjt do të lëshojnë katër erërat e shtrëngimit të madh. (Zbulesa 7:1-3) Së pari, do të ekzekutohet gjykimi mbi prostitutën, Babiloninë e Madhe. Më pas, Krishti fitimtar do të sulet me të shpejtë drejt Harmagedonit për të shkatërruar mbetjen e organizatës së Satanait në tokë dhe në fund për të hedhur në humnerë Satanain dhe demonët e tij. (Zbulesa 19:11–20:3) Nëse ndonjë i mirosur do të jetë ende gjallë në tokë, pa dyshim do ta marrë shpërblimin qiellor pasi Krishti të përfundojë betejën, dhe do të bashkohet me anëtarët e tjerë të klasës së nuses. Pastaj, në kohën e caktuar nga Perëndia, mund të bëhet martesa e Qengjit.
18. Si e vërteton Psalmi 45 rrjedhën e ngjarjeve që lidhen me martesën e Qengjit?
18 Rrjedha e ngjarjeve përshkruhet në tregimin profetik të Psalmit 45. Në fillim, Mbreti i kurorëzuar sulet përpara për të mposhtur armiqtë e tij. (Vargjet 1-7) Pastaj, bëhet martesa, dhe nusja qiellore ndihmohet në tokë nga shpura e saj e virgjër, shumica e madhe. (Vargjet 8-15) Dhe në fund, ky bashkim bëhet i frytshëm, kur tërë njerëzit e ringjallur të arrijnë përsosmërinë nën mbikëqyrjen e ‘princave në mbarë tokën’. (Vargjet 16, 17) Ç’bekime të lavdishme do ta shoqërojnë martesën e Qengjit!
Lum ata që janë ftuar!
19. Cila është lumturia e katërt nga shtatë që përmenden në librin e Zbulesës dhe cilët do të marrin pjesë në këtë lumturi të veçantë?
19 Më pas, Gjoni foli për lumturinë e katërt nga shtatë që përmenden në librin e Zbulesës: «Ai [engjëlli që i zbuloi Gjonit këto gjëra] më tha: ‘Shkruaj: lum ata që janë ftuar në darkën e martesës së Qengjit!’ Gjithashtu, më tha: ‘Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë.’» (Zbulesa 19:9)e Të ftuarit në «darkën e martesës së Qengjit» janë anëtarët e klasës së nuses. (Krahaso Mateun 22:1-14.) Të gjithë anëtarët e mirosur të klasës së nuses janë të lumtur që janë ftuar. Shumica e të ftuarve tashmë janë në qiell, atje ku do të bëhet darka e martesës. Edhe ata që janë ende në tokë janë të lumtur që e kanë marrë këtë ftesë. Ata e kanë të sigurt vendin në këtë darkë martese. (Gjoni 14:1-3; 1 Pjetrit 1:3-9) Kur të ringjallen në qiell, nusja e plotë dhe e bashkuar do të jetë bashkë me Qengjin në këtë martesë të lumtur sa s’bëhet.
20. (a) Ç’kuptim kanë fjalët «këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë»? (b) Sa e prekën Gjonin fjalët e engjëllit dhe cila ishte përgjigjja e engjëllit?
20 Engjëlli shtoi se «këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë». Termi «e vërteta» në këtë varg përkthehet nga fjala greke alethinós, që do të thotë «autentike» ose «e besueshme». Meqenëse këto fjalë vijnë vërtet nga Jehovai, janë besnike e të besueshme. (Krahaso 1 Gjonit 4:1-3; Zbulesën 21:5; 22:6.) Duke qenë i ftuar në atë gosti martese, Gjoni duhet të ketë brofur nga gëzimi tek i dëgjonte ato fjalë dhe parashijonte bekimet që presin klasën e nuses. Ai u prek aq shumë, sa engjëllit iu desh ta këshillonte, siç tregoi Gjoni: «Atëherë, unë u përkula para këmbëve të tij që ta adhuroja. Por ai më tha: ‘Kujdes! Mos e bëj! Unë s’jam veçse shoku yt i skllavërisë dhe i vëllezërve të tu, të cilët japin dëshmi për Jezuin. Perëndinë adhuro!’»—Zbulesa 19:10a.
21. (a) Çfarë thotë Zbulesa për engjëjt? (b) Si duhet t’i konsiderojnë të krishterët engjëjt?
21 Zbulesa jep nga fillimi në fund një dëshmi të qartë për besnikërinë dhe zellin e engjëjve. Ata bëjnë pjesë në kanalin që është përdorur për të transmetuar të vërtetën e zbuluar. (Zbulesa 1:1) Bashkëpunojnë me njerëzit për predikimin e lajmit të mirë dhe për derdhjen e «plagëve» të Jehovait. (Zbulesa 14:6, 7; 16:1) Luftuan përkrah Jezuit për të dëbuar Satanain dhe engjëjt e tij nga qielli dhe do të luftojnë sërish përkrah tij në Harmagedon. (Zbulesa 12:7; 19:11-14) Veç kësaj, ata mund t’i afrohen vërtet Jehovait. (Mateu 18:10; Zbulesa 15:6) Megjithatë, s’janë veçse skllevër të përulur të Perëndisë. Në adhurimin e pastër s’ka vend për adhurimin e engjëjve e as për adhurimin e Perëndisë me ndërmjetësimin e ndonjë «shenjtori» ose engjëlli. (Kolosianëve 2:18) Të krishterët adhurojnë vetëm Jehovain dhe ia bëjnë kërkesat Atij në emër të Jezuit.—Gjoni 14:12, 13.
Roli i Jezuit në profeci
22. Çfarë i tha engjëlli Gjonit dhe çfarë do të thonë ato fjalë?
22 Pastaj engjëlli tha: «Sepse qëllimi i profecive është të japin dëshmi për Jezuin.» (Zbulesa 19:10b) Cili është kuptimi i këtyre fjalëve? Se të gjitha profecitë e frymëzuara lidhen me Jezuin dhe rolin e tij në qëllimet e Jehovait. Profecia e parë e Biblës njoftoi ardhjen e një fare. (Zanafilla 3:15) Ajo Farë doli se ishte Jezui. Zbulesat e mëtejshme ndihmuan që mbi këtë premtim bazë të ndërtohej një strukturë madhështore me të vërteta profetike. Apostulli Pjetër i tha Kornelit, një besimtari joizraelit: «Për të [Jezuin] japin dëshmi të gjithë profetët.» (Veprat 10:43) Rreth 20 vjet më vonë, apostulli Pavël tha: «Pavarësisht se sa shumë janë premtimet e Perëndisë, ato janë bërë ‘po’ me anë të tij [Jezuit].» (2 Korintasve 1:20) 43 vjet më vonë akoma, Gjoni na kujtoi: ‘E vërteta u bë realitet nëpërmjet Jezu Krishtit.’—Gjoni 1:17.
23. Pse pozita dhe autoriteti i lartë i Jezuit nuk cenojnë adhurimin që i bëjmë Jehovait?
23 A e cenon kjo në ndonjë mënyrë adhurimin që i bëjmë Jehovait? Jo. Të mos harrojmë se engjëlli këshilloi: «Perëndinë adhuro!» Jezui nuk është munduar kurrë të matet me Jehovain. (Filipianëve 2:6) Vërtet, të gjithë engjëjve u është thënë «t’i bëjnë nderime [Jezuit]» dhe tërë krijimi duhet ta pranojë pozitën e tij të lartë, që «në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju». Ama, kjo është «në lavdi të Perëndisë, Atit» dhe sipas urdhrit të tij. (Hebrenjve 1:6; Filipianëve 2:9-11) Jezuit ia dha autoritetin e tij të lartë Jehovai dhe duke e pranuar atë autoritet, ne i japim lavdi Perëndisë. Nëse nuk pranojmë t’i nënshtrohemi autoritetit të Jezuit, është njësoj sikur të hedhim poshtë vetë Perëndinë Jehova.—Psalmi 2:11, 12.
24. Cilat janë dy ngjarjet e mrekullueshme që presim dhe cilat fjalë duhet të themi njëzëri?
24 Pra, le të themi njëzëri fjalët hyrëse të Psalmit 146 deri 150: «Lëvdoni Jah!» Le të buçasë kori që këndon Halelujah ndërsa pret triumfin e Jehovait mbi perandorinë botërore babilonase të fesë së rreme! U shtoftë gëzimi teksa afrohet martesa e Qengjit!
[Shënimet]
a Shënimi te Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht.
b Shënimi te Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht.
c Shënimi te Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht.
d Shënimi te Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht.
e Shih edhe Zbulesën 1:3; 14:13; 16:15.
[Kutia në faqen 273]
«Letra drejtuar Sodomës dhe Gomorrës»
Ky ishte titulli i një artikulli në një gazetë londineze, që komentonte lidhur me një propozim që ishte paraqitur para Sinodit të Përgjithshëm të Kishës së Anglisë. Propozimi kërkonte përjashtimin e «të krishterëve» homoseksualë nga kisha. Autori i artikullit, Gadfri Barkër, shkruante: «Kryepeshkopi i Kantërbërit dha dje këtë opinion të zymtë: ‘Sikur shën Pali t’i shkruante një letër Kishës së Anglisë, mund të hamendemi me të drejtë se kush e di ç’letër do të ishte.’» Vetë zoti Barkër komentonte: «Përgjigjja është: Letra drejtuar Sodomës dhe Gomorrës.» Pastaj shtonte: «Dr. Ransi [kryepeshkopi] e përfytyron si diçka të ngjashme me kapitullin e parë të Romakëve.»—Daily Telegraph, 12 nëntor 1987.
Shkrimtari citonte fjalët e Pavlit te Romakëve 1:26-32: «Perëndia i dorëzoi në epshet e zemrave të tyre për papastërti. . . . Burra që kryejnë vepra të turpshme me burra . . . të cilët edhe pse e njohin dekretin e Perëndisë se ata që bëjnë gjëra të tilla e kanë hak të vdesin, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i praktikojnë.» Ai përfundonte: «Shën Pali e kishte hallin vetëm tek ata që zinin vend në bangat e kishës, kurse dr. Ransi e ka hallin tek ata që zënë vend nëpër katedra.»
Pse e kishte këtë hall kryepeshkopi? Kryeartikulli i një gazete tjetër londineze (Daily Mail, 22 tetor 1987) deklaronte me shkronja të mëdha: «Një në tre priftërinj të famullive është homoseksual. . . . Një fushatë për të nxjerrë jashtë homoseksualët ‘do të sillte mbylljen e Kishës së Anglisë’.» Pastaj citohej prifti «i nderuar» sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes së Lezbikeve dhe Gejve të Krishterë që thoshte: «Sikur ky propozim të pranohej, Kisha do të merrte fund, dhe Kryepeshkopi e di mirë këtë. Sipas një përllogaritjeje të përgjithshme, besojmë se 30-40 për qind e klerikëve të Kishës së Anglisë janë gej. Ata janë njerëzit më aktivë që japin ndihmesën e tyre në shërbesat e Kishës.» S’ka asnjë dyshim se numri gjithnjë në rënie i njerëzve që shkojnë në kishë, është pjesërisht pasqyrim i neverisë që ngjall te njerëzit ky shërbim gjithnjë në rritje i homoseksualëve.
Si vendosi sinodi i kishës? Pjesa dërrmuese, 388 anëtarë (95 për qind e klerit), votuan në favor të një propozimi më të butë. Në lidhje me këtë, një gazetë tjetër angleze (The Economist, 14 nëntor 1987) raportonte: «Kisha e Anglisë është kundër praktikave homoseksuale, por jo edhe aq. Sinodi i përgjithshëm, parlamenti i Kishës, duke pasur ndër mend klerikët homoseksualë, vendosi këtë javë se veprimet homoseksuale, ndryshe nga kurvëria dhe tradhtia bashkëshortore, nuk janë mëkate: ato thjesht ‘nuk arrijnë dot në lartësinë e asaj që është ideale’, sipas së cilës ‘marrëdhëniet seksuale përbëjnë një angazhim të plotë, që me të drejtë e ka vendin brenda një lidhjeje të qëndrueshme martesore’.» Duke vënë në kontrast qëndrimin e Kryepeshkopit të Kantërbërit me pohimin e drejtpërdrejtë të apostullit Pavël te Romakëve 1:26, 27, gazeta e sipërpërmendur citonte fjalët e Pavlit të shoqëruara me diçiturën «Shën Pali i kishte idetë e qarta».
Edhe Jezu Krishti i kishte idetë e qarta dhe i shprehu troç. Ai tha se «Ditën e Gjykimit do të jetë më e lehtë për vendin e Sodomës», se për ata fetarë që e kanë përçmuar mesazhin e tij. (Mateu 11:23, 24) Jezui këtu përdori një hiperbolë që të tregonte se ata krerë fetarë që kishin hedhur poshtë Birin e Perëndisë dhe mësimet e tij, ishin më fajtorë se sodomitët. Te vargu 7 i Judës thuhet se ata sodomitë pësuan «ndëshkimin gjyqësor të zjarrit të përhershëm», domethënë, shkatërrimin e përhershëm. (Mateu 25:41, 46) Ç’gjykim të ashpër do të marrin ata që e quajnë veten krerë të krishterë dhe që po i largojnë qorrazi kopetë e tyre të verbra nga normat e larta morale të Mbretërisë së Perëndisë, drejt udhëve toleruese e të shfrenuara të kësaj bote! (Mateu 15:14) Zëri nga qielli lëshon një thirrje urgjente në lidhje me fenë e rreme, Babiloninë e Madhe: «Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj.»—Zbulesa 18:2, 4.
[Figurat në faqen 275]
Qielli do të ushtojë nga katër Halelujat, që do të lavdërojnë Jehovain për fitoren e tij përfundimtare mbi Babiloninë e Madhe