Satana Djalli
Përkufizimi: Krijesa frymore që është kryekundërshtari i Jehovait, Perëndisë së vërtetë, dhe i të gjithë adhuruesve të Tij. Iu vu emri Satana, sepse u bë kundërshtar i Jehovait. Ai quhet edhe Djall, sepse është shpifësi më i madh kundër Perëndisë. Satanai përshkruhet si gjarpri i hershëm, me sa duket, sepse përdori një gjarpër për të mashtruar Evën në Eden. Prandaj fjala «gjarpër» ka marrë edhe kuptimin «mashtrues». Në librin e Zbulesës, Satanai simbolizohet nga një dragua që gllabëron.
Si mund ta dimë nëse kjo krijesë frymore ekziston vërtet?
Bibla është burimi kryesor që provon ekzistencën e tij. Ajo e përmend vazhdimisht me emër (Satana 52 herë, Djall 33 herë). Aty janë hedhur edhe dëshmi të ekzistencës së Satanait nga dikush që e ka parë atë. Kush ishte ai? Jezu Krishti, i cili para se të vinte në tokë, jetoi në qiell, dhe e përmendi disa herë këtë të lig me emër.—Luka 22:31; 10:18; Mat. 25:41.
Ajo që thotë Bibla për Satana Djallin, është e logjikshme. Ligësia që po përjeton njerëzimi, shkon përtej caqeve të shpirtligësisë së njerëzve që e shkaktojnë. Shpjegimi i Biblës për origjinën dhe veprimtarinë e Satanait qartëson pse njerëzimin e ka pllakosur urrejtja, dhuna dhe lufta për mijëra vjet, ndonëse shumica e njerëzve dëshirojnë të jetojnë në paqe. Nga shpjegimi i saj kuptojmë pse gjendja është rënduar aq shumë, sa mbarë njerëzimit tani i kanoset shfarosja.
Po të mos ekzistonte vërtet Djalli, nuk do të sillte ndonjë dobi të madhe, të pranosh ato që thotë Bibla për të. Megjithatë, shpesh, njerëz që më parë janë marrë me okultizëm ose kanë bërë pjesë në grupe që merreshin me spiritizëm, tregojnë se asokohe torturoheshin nga «zëra» që vinin prej burimeve të padukshme, se i kishin «pushtuar» qenie mbinjerëzore, etj. Por ata thonë se u lehtësuan vërtet kur mësuan çfarë thotë Bibla për Satanain dhe demonët e tij, kur zbatuan këshillën e Biblës që të linin praktikat spiritiste dhe kur kërkuan ndihmën e Jehovait në lutje.—Shih faqet 357-362, te tema «Spiritizmi».
Të besosh se Satanai ekziston, nuk do të thotë të pranosh se ai ka brirë, bisht me majë të mprehtë e sfurk dhe se i djeg njerëzit në zjarrin e ferrit. Bibla nuk e përshkruan kështu Satanain. Përkundrazi, ky është fryt i imagjinatës së artistëve të mesjetës, që ishin ndikuar nga paraqitjet e Panit, një perëndie të mitologjisë greke, dhe nga Ferri i poetit italian, Dante Aligerit. Në Bibël nuk mësohet për ferrin e zjarrtë, përkundrazi, ajo e thotë qartë se «të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë».—Ekl. 9:5.
A ka mundësi që Satanai të jetë thjesht e keqja te njerëzit?
Te Jobi 1:6-12 dhe 2:1-7 tregohen bisedat mes Perëndisë Jehova dhe Satanait. Nëse Satanai do të ishte e keqja te një person, në këtë rast e keqja do të ishte te vetë Jehovai. Por kjo është në kundërshtim të plotë me atë që na tregon Bibla për Jehovain, kur thotë: ‘Tek ai [Perëndia] nuk ka padrejtësi’. (Psal. 92:15; Zbul. 4:8) Duhet vërejtur se në tregimin e Jobit, teksti hebraik përdor shprehjen has-Satán (trajtën e shquar të fjalës Satana) për të treguar se i referohet atij që shquhet si kundërshtari më i madh i Perëndisë.—Shih edhe Zakarinë 3:1, 2, shënimin në botimin me referime të BR, anglisht.
Te Luka 4:1-13 tregohet se Djalli u mundua ta joshte Jezuin që t’i bindej. Tregimi jep propozimet e Djallit dhe përgjigjet e Jezuit. A po tundohej Jezui nga e keqja që ishte brenda tij? Kjo pikëpamje nuk përputhet me përshkrimin e Biblës për Jezuin si të pamëkatë. (Hebr. 7:26; 1 Pjet. 2:22) Megjithëse te Gjoni 6:70 fjala greke diábolos përdoret për të përshkruar cilësinë e keqe që ishte zhvilluar te Judë Iskarioti, te Luka 4:3 shprehja ho diábolos (trajta e shquar e fjalës Djall) përdoret për të treguar një person të caktuar.
Të fajësosh Djallin, a nuk është thjesht një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë për kushtet e këqija që ka shkaktuar vetë njeriu?
Disa njerëz fajësojnë Djallin për ato që bëjnë vetë. Por Bibla tregon se njerëzit mbajnë mbi vete një pjesë të mirë të fajit për të këqijat që vuajnë, qoftë nga duart e të tjerëve, qoftë nga vetë sjellja e tyre. (Ekl. 8:9; Gal. 6:7) Megjithatë, Bibla nuk na e fsheh ekzistencën dhe marifetet e armikut tonë mbinjerëzor, që i shkaktoi kaq dhimbje njerëzimit. Ajo na tregon se si mund të shpëtojmë nga kthetrat e tij.
Nga erdhi Satanai?
Të gjitha veprat e Jehovait janë të përsosura. Ai nuk është përgjegjës për asnjë padrejtësi, prandaj, ai nuk ka krijuar asnjë të lig. (Ligj. 32:4; Psal. 5:4) Personi frymor që u bë Satana, në fillim ishte një bir frymor i përsosur i Perëndisë. Kur tha se Djalli «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën», Jezui tregoi se dikur ai kishte qenë «në të vërtetën». (Gjoni 8:44) Por si të gjitha krijesat me intelekt të Perëndisë, edhe ky bir frymor gëzonte vullnet të lirë. Ai e keqpërdori lirinë e zgjedhjes, lejoi që t’i zhvilloheshin në zemër ndjenja krenarie, filloi të lakmonte adhurimin që i përkiste vetëm Perëndisë dhe shtyu Adamin dhe Evën të dëgjonin atë e të mos i bindeshin Perëndisë. Kështu, me mënyrën se si veproi, e bëri veten Satana, që do të thotë «kundërshtar».—Jak. 1:14, 15; shih edhe faqen 259, te tema «Mëkati».
Pse nuk e shfarosi Perëndia Satanain menjëherë pasi u rebelua?
Satanai ngriti dyshime rreth disa çështjeve të rëndësishme. (1) Drejtësia dhe legjitimiteti i sovranitetit të Jehovait. A po ia mohonte Jehovai njerëzimit lirinë që do t’i sillte më shumë lumturi? A varej vërtet nga bindja ndaj Perëndisë aftësia e njeriut për të drejtuar me sukses çështjet e veta dhe mundësia për të jetuar pa fund? A ishte treguar i pandershëm Jehovai duke u dhënë një ligj, në të cilin thuhej se mosbindja do t’i çonte drejt vdekjes? (Zan. 2:16, 17; 3:3-5) Pra, a kishte vërtet të drejtë Jehovai të sundonte mbi njerëzit? (2) Integriteti i krijesave inteligjente ndaj Jehovait. Rebelimi i Adamit dhe i Evës i hapi rrugë pyetjes: a i bindeshin Jehovait shërbëtorët e tij nga dashuria, apo të gjithë do t’i kthenin krahët Perëndisë dhe do të ndiqnin Satanain? Kësaj çështjeje Satanai i mëshoi më shumë në ditët e Jobit. (Zan. 3:6; Jobi 1:8-11; 2:3-5; shih edhe Lukën 22:31.) Këto çështje nuk mund të zgjidheshin thjesht duke ekzekutuar rebelët.
Perëndia nuk kishte nevojë t’ia provonte asnjërën nga këto vetes. Por, që këto çështje të mos e prishnin më paqen dhe mirëqenien e krijesave të tij në tërë universin, Jehovai ka lënë mjaft kohë që ato të zgjidhen një herë e mirë. Erdhi koha dhe u duk qartë se Adami dhe Eva vdiqën pas mosbindjes së tyre ndaj Perëndisë. (Zan. 5:5) Por nuk ishte në lojë vetëm kaq. Prandaj, Perëndia e lejoi si Satanain, edhe njerëzit, të provonin të gjitha format e qeverisjes që mund të krijonin. Asnjëra prej tyre nuk ka sjellë lumturi të qëndrueshme. Perëndia e la njerëzimin të provonte çdo mënyrë jetese që shpërfillte normat e Tij të drejta. Frytet që korri, flasin vetë. Bibla thotë me të drejtë: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jer. 10:23) Në të njëjtën kohë, Perëndia u dha mundësi shërbëtorëve të tij që të tregonin besnikërinë e tyre ndaj tij duke iu bindur nga dashuria, pavarësisht se u gjendën para tundimeve dhe përndjekjeve të nxitura nga Satanai. Jehovai u bën këtë thirrje shërbëtorëve të tij: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.» (Prov. 27:11) Ata që janë besnikë, nxjerrin dobi të mëdha tani dhe kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë të përsosur. Qëllimi i tyre në jetë është të bëjnë vullnetin e Jehovait, personalitetin dhe udhët e të cilit i duan vërtet.
Sa i fuqishëm është Satanai në botën e sotme?
Jezu Krishti tha për të se ai është «sundimtari i kësaj bote», të cilit njerëzimi në përgjithësi i bindet, duke u vënë veshin nxitjeve të tij për të shpërfillur kërkesat e Perëndisë. (Gjoni 14:30; Efes. 2:2) Përveç kësaj, Bibla e quan «perëndia i kësaj bote», dhe njerëzit që ndjekin botën e tanishme, e nderojnë me praktikat e tyre fetare.—2 Kor. 4:4; 1 Kor. 10:20.
Kur kërkoi të tundonte Jezu Krishtin, Djalli «e çoi lart dhe për një çast i tregoi gjithë mbretëritë e tokës së banuar dhe i tha: ‘Unë do të të jap autoritet mbi të gjitha këto dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë, dhe unë ia jap kujtdo që dua. Prandaj, nëse bën një akt adhurimi përpara meje, do të jetë i gjithi yti.’» (Luka 4:5-7) Zbulesa 13:1, 2 zbulon se Satanai i jep ‘fuqinë, fronin dhe autoritet të madh’ sistemit politik botëror. Danieli 10:13, 20 tregon se Satanai kishte vendosur demonë si princa mbi mbretëritë kryesore të tokës. Efesianëve 6:12 flet për ta si për ‘qeveri, autoritete, sundimtarë botërorë të kësaj errësire, forca të liga frymore në vendet qiellore’.
Pra, s’është çudi që 1 Gjonit 5:19 thotë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» Megjithatë, ai do të ushtrojë fuqi vetëm për një kohë të kufizuar dhe vetëm sepse Jehovai, Perëndia i Plotfuqishëm, e lejon.
Deri kur do t’i lejohet Satanait të mashtrojë njerëzit?
Për të shqyrtuar prova se tani po jetojmë në ditët e fundit të botës së ligë të Satanait, shih faqet 67-70, te tema «Datat», si edhe temën «Ditët e fundit».
Çlirimi i njerëzimit nga ndikimi i lig i Satanait është përshkruar në këtë mënyrë simbolike: «Pashë një engjëll që zbriste nga qielli me çelësin e humnerës dhe me një zinxhir të madh në dorë. Ai e kapi dragoin, gjarprin e hershëm, i cili është Djalli dhe Satanai, dhe e lidhi për një mijë vjet. Pastaj e hodhi në humnerë, e mbylli dhe e vulosi humnerën mbi të, që të mos i mashtronte më kombet, derisa të mbaronin një mijë vjetët. Pas këtyre gjërave, ai do të zgjidhet për pak kohë.» (Zbul. 20:1-3) Ç’do të ndodhë më pas? «Djalli që i mashtronte, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit.» (Zbul. 20:10) Çfarë do të thotë kjo? Përgjigjen e gjejmë te Zbulesa 21:8, ku thuhet: «Kjo do të thotë vdekje e dytë.» Pra, ai do të shfaroset një herë e përgjithmonë!
A do të thotë ‘hedhja në humnerë’ e Satanait se ai do të jetë i detyruar të qëndrojë në një tokë të pabanuar, ku të mos ketë mundësi të tundojë askënd për 1.000 vjet?
Për të mbështetur këtë ide, disa i referohen Zbulesës 20:3 (të cituar në faqen 351). Ata thonë se ‘humnera’ ose ‘pafundja’ (sipas Kristoforidhit), paraqet tokën në një gjendje të shkretë. A është kështu vërtet? Zbulesa 12:7-9, 12 (Dio) tregon se pak kohë para se të hidhet në humnerë, Satanai ‘zbret’ nga qielli në tokë, gjë që rëndon mjerimet e njerëzimit. Prandaj, kur Zbulesa 20:3 (Dio) thotë se Satanai ‘u hodh në humnerë’, kjo sigurisht nuk do të tregojë se ai qëndron atje ku ishte si frymë e padukshme, domethënë, në afërsi të tokës. Në fakt, ai dëbohet që andej, «që të mos i mashtrojë më kombet, deri sa të mbushen një mijë vjet». Vëreni se Zbulesa 20:3 thotë që në fund të një mijë vjetëve, do të zgjidhet e do të lirohet nga humnera Satanai, dhe jo kombet. Kur Satanai të zgjidhet, do të jenë të pranishëm ata që dikur bënin pjesë në këto kombe.
Për të mbështetur këtë bindje, shpesh citohen fragmente si Isaia 24:1-6 dhe Jeremia 4:23-29 (Dio). Në to thuhet: «Ja, Zoti zbras tokën dhe e bën të shkretë. . . . Toka do të zbrazet plotësisht dhe do të plaçkitet plotësisht, sepse Zoti ka thënë këtë fjalë.» «Shikova tokën dhe ja, ajo ishte pa formë dhe boshe. . . . Shikova dhe ja, nuk kishte asnjë njeri. . . . Sepse kështu thotë Zoti: ‘Tërë vendi do të shkretohet, . . . tërë qytetet janë braktisur dhe nuk ka mbetur në to asnjë njeri.’» Ç’domethënie kanë këto profeci? Përmbushja e parë e tyre ndodhi në Jerusalem dhe në vendin e Judës. Për të ekzekutuar gjykimin hyjnor, Jehovai lejoi që vendi të pushtohej nga babilonasit. Në fund vendi mbeti i boshatisur dhe i shkretë. (Shih Jereminë 36:29.) Megjithatë, në atë kohë, Perëndia nuk e shpopulloi të gjithë tokën, dhe as tani nuk do ta bëjë. (Shih faqet 392-395, te tema «Toka», si edhe temën «Qielli».) Megjithatë, ai do të shfarosë plotësisht ekuivalentin e sotëm të Jerusalemit jobesnik, domethënë, të ashtuquajturin krishterim, që përdhos emrin e Perëndisë me sjelljen e tij jo të shenjtë, bashkë me tërë pjesën tjetër të organizatës së dukshme të Satanait.
Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit dhe gjatë kohës kur Satanai të jetë në humnerë, toka nuk do të jetë e shkretë, por do të bëhet parajsë. (Shih «Parajsa».)