Nderoni Krishtin, Mbretin e lavdishëm!
«Me shkëlqimin tënd shko drejt suksesit.»—PSAL. 45:4.
1, 2. Pse na intereson Psalmi 45?
NJË mbret i lavdishëm kalëron në mbrojtje të së vërtetës e të drejtësisë dhe del që të mposhtë armiqtë. Pas fitores së tij të fundit, martohet me një nuse të hirshme. Mbreti përkujtohet dhe lëvdohet brez pas brezi. Në thelb, kjo është tema e Psalmit 45.
2 Mirëpo, Psalmi 45 është më tepër se një histori interesante me një fund të lumtur. Ngjarjet që përmenden aty janë domethënëse për ne. Lidhen me jetën tonë sot, si edhe me të ardhmen. Prandaj, le të jemi tërë sy e veshë teksa shqyrtojmë këtë psalm.
«ZEMRA MË BROF NGA NJË GJË E MIRË»
3, 4. (a) Çfarë është ‘gjëja e mirë’ që na intereson dhe si mund të ndikojë në zemrën tonë? (b) Në ç’kuptim ‘veprat tona kanë të bëjnë me një mbret’, dhe si bëhet gjuha jonë si pena e një kopisti?
3 Lexo Psalmin 45:1. ‘Gjëja e mirë’ që preku zemrën e psalmistit dhe e bëri ‘të brofë’ lidhej me një mbret. Kuptimi origjinal i foljes hebraike të përkthyer «brof» është «vloj», ose «ziej». Kjo e bëri zemrën e psalmistit të gufonte me entuziazëm dhe e bëri gjuhën e tij si ‘penën e një kopisti të zotë’.
4 Po për ne? Lajmi i mirë për Mbretërinë mesianike është një gjë e mirë që na prek zemrën. Ky mesazh për Mbretërinë u bë veçanërisht «i mirë» më 1914. Që atëherë, mesazhi nuk lidhet më me një Mbretëri të së ardhmes, por me një qeveri reale që tani po vepron në qiell. Ky është ‘lajmi i mirë për mbretërinë’ që predikojmë «në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet». (Mat. 24:14) A «brof» zemra jonë nga mesazhi për Mbretërinë? A e predikojmë me zell lajmin e mirë për Mbretërinë? Ashtu si psalmisti, edhe ‘veprat tona kanë të bëjnë me një mbret’—Mbretin tonë Jezu Krisht. Ne e shpallim atë si Mbret të Mbretërisë mesianike të kurorëzuar në qiell. Për më tepër, i ftojmë të gjithë—sundimtarë dhe ata që janë nën sundim—t’i nënshtrohen mbretërimit të tij. (Psal. 2:1, 2, 4-12) Dhe gjuha jonë bëhet si «pena e një kopisti të zotë» në kuptimin që e përdorim gjerësisht në predikim Fjalën e shkruar.
Shpallim me gëzim lajmin e mirë për Mbretin tonë, Jezu Krishtin
‘NGA BUZËT E MBRETIT DERDHEN FJALË PLOT HIR’
5. (a) Në cilat mënyra ishte «i hijshëm» Jezui? (b) Si ‘derdheshin fjalë plot hir nga buzët e Mbretit’, dhe si mund të ndjekim shembullin e Jezuit?
5 Lexo Psalmin 45:2. Shkrimet flasin fare pak për pamjen e Jezuit. Si burrë i përsosur, pa dyshim ishte «i hijshëm». Megjithatë, hijeshia e tij e jashtëzakonshme vinte falë besnikërisë ndaj Jehovait dhe integritetit të papërkulshëm. Për më tepër, Jezui përdori ‘fjalë plot hir’ kur shpalli mesazhin për Mbretërinë. (Luka 4:22; Gjoni 7:46) Po ne, a përpiqemi të ndjekim shembullin e tij në predikim dhe të përdorim fjalë që u prekin zemrën njerëzve?—Kolos. 4:6.
6. Si i dha Perëndia Jezuit një bekim të përhershëm?
6 Ngaqë Jezui iu kushtua Jehovait pa u kursyer, Ai e bekoi gjatë shërbimit në tokë dhe e shpërbleu pas vdekjes flijuese. Apostulli Pavël shkroi: «Kur [Jezui] u gjend në trajtë njeriu, ai e përuli veten dhe u bind madje deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture. Pikërisht për këtë arsye, Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër, në mënyrë që, në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju i atyre në qiell, i atyre mbi tokë e nën tokë, dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit.» (Filip. 2:8-11) Jehovai i dha një bekim të përhershëm Jezuit, duke e ringjallur në jetën e pavdekshme.—Rom. 6:9.
MBRETI ËSHTË BËRË MË I MADH SE «SHOKËT» E TIJ
7. Në cilat mënyra e mirosi Perëndia Jezuin më shumë se «shokët» e tij?
7 Lexo Psalmin 45:6, 7. Jehovai e mirosi Jezuin si Mbret të Mbretërisë mesianike ngaqë ai tregoi dashuri të thellë për drejtësinë dhe urrejtje për çdo gjë që mund të çnderonte të Atin. Jezui u miros ‘me vajin e ngazëllimit më shumë se shokët e tij’, domethënë, mbretërit e Judës nga linja e Davidit. Si? Në radhë të parë, Jezuin e mirosi vetë Jehovai. Për më tepër, Jehovai e mirosi edhe Mbret, edhe Kryeprift. (Psal. 2:2; Hebr. 5:5, 6) Përveç kësaj, Jezui nuk u miros me vaj, por me frymë të shenjtë, dhe mbretërimi i tij nuk është tokësor, por qiellor.
8. Në ç’kuptim ‘Perëndia është froni i Jezuit’, dhe pse mund të jemi të sigurt se mbretërimi i tij është i drejtë?
8 Jehovai e vendosi të Birin si Mbret mesianik në qiell më 1914. ‘Skeptri i mbretërisë së tij është skeptër drejtësie’, kështu që drejtësia dhe paanësia e sundimit të tij janë të garantuara. Autoriteti i tij është i ligjshëm, ngaqë ‘Perëndia është froni i tij’. Domethënë, Jehovai është themeli i Mbretërisë së tij. Për më tepër, froni i Jezuit do të qëndrojë «përjetë, po, përgjithmonë». A nuk je krenar që po i shërben Jehovait, duke iu nënshtruar një Mbreti kaq të fuqishëm të emëruar nga Perëndia?
MBRETI ‘NGJESH SHPATËN’
9, 10. (a) Kur e ngjeshi Krishti shpatën dhe si e përdori menjëherë? (b) Si do ta përdorë akoma Krishti shpatën?
9 Lexo Psalmin 45:3. Jehovai e udhëzon Mbretin e tij ‘të ngjeshë shpatën pas kofshës’, duke e autorizuar Jezuin të luftojë kundër të gjithë atyre që ngrenë krye kundër sovranitetit të Perëndisë dhe të ushtrojë gjykimin e Tij mbi ta. (Psal. 110:2) Ngaqë Krishti është Mbret-Luftëtar i pamposhtur, thirret: «O i fuqishëm!» Ai e ngjeshi shpatën më 1914 dhe mposhti Satanain e demonët, të cilët i flaku nga qielli në afërsi të tokës.—Zbul. 12:7-9.
10 Ky është vetëm fillimi i kalërimit ngadhënjyes të Mbretit. Ai akoma ‘ka për të plotësuar fitoren e tij’. (Zbul. 6:2) Gjykimet e Jehovait ende duhen ekzekutuar ndaj të gjithë elementeve të sistemit të Satanait në tokë, dhe ai bashkë me demonët duhen paralizuar. E para që do të zhduket është Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme. Jehovai ka si qëllim të përdorë sundimtarët politikë për të shkatërruar këtë ‘prostitutë’ të ligë. (Zbul. 17:16, 17) Më pas, Mbreti-Luftëtar do të nisë sulmin kundër sistemit politik të Satanait, duke e asgjësuar. Krishti që quhet edhe ‘engjëlli i humnerës’, do të plotësojë fitoren duke e kyçur në humnerë Satanain dhe demonët e tij. (Zbul. 9:1, 11; 20:1-3) Le të shohim si janë profetizuar këto ngjarje drithëruese në Psalmin 45.
MBRETI KALËRON «NË MBROJTJE TË SË VËRTETËS»
11. Në ç’mënyrë Krishti kalëron «në mbrojtje të së vërtetës»?
11 Lexo Psalmin 45:4. Mbreti-Luftëtar nuk lufton që të pushtojë territore e të shtypë popuj. Ai bën një luftë të drejtë me synime fisnike. Kalëron «në mbrojtje të së vërtetës, të përulësisë e të drejtësisë». E vërteta më e madhe që duhet mbrojtur është ajo e sovranitetit universal të Jehovait. Kur u rebelua kundër Jehovait, Satanai vuri në dyshim të drejtën e Tij për të sunduar. Që atëherë, këtë të vërtetë themelore e kanë hedhur poshtë demonë dhe njerëz. Tani ka ardhur momenti që Mbreti i mirosur i Jehovait të kalërojë për të vërtetuar një herë e mirë se vetëm Jehovai është Sovrani.
12. Në ç’mënyrë kalëron Mbreti ‘në mbrojtje të përulësisë’?
12 Gjithashtu, Mbreti kalëron ‘në mbrojtje të përulësisë’. Si Biri i vetëmlindur i Perëndisë, ai vetë ka lënë një shembull të shkëlqyer përulësie dhe nënshtrimi me besnikëri ndaj sovranitetit të të Atit. (Isa. 50:4, 5; Gjoni 5:19) Të gjithë nënshtetasit besnikë të Mbretit duhet të ndjekin shembullin e tij, duke iu nënshtruar me përulësi sovranitetit të Jehovait në çdo gjë. Vetëm ata që veprojnë kështu do të lejohen të jetojnë në botën e re që ka premtuar Perëndia.—Zak. 14:16, 17.
13. Si hidhet në sulm Krishti ‘në mbrojtje të drejtësisë’?
13 Po ashtu, Krishti hidhet në sulm ‘në mbrojtje të drejtësisë’. Drejtësia që mbron Mbreti është «drejtësia e Perëndisë», normat e Jehovait për atë që është e drejtë dhe e gabuar. (Rom. 3:21; Ligj. 32:4) Isaia profetizoi për Mbretin Jezu Krisht: «Një mbret do të mbretërojë për të siguruar të drejtën.» (Isa. 32:1) Mbretërimi i Jezuit do të sjellë «qiej të rinj e një tokë të re» të premtuar ku «do të banojë drejtësia». (2 Pjet. 3:13) Çdo banori të botës së re do t’i kërkohet të përshtatet me normat e Jehovait.—Isa. 11:1-5.
MBRETI BËN «GJËRA TË FRIKSHME»
14. Si do të bëjë «gjëra të frikshme» dora e djathtë e Krishtit? (Shih figurën hapëse.)
14 Ndërsa kalëron përpara, Mbreti ka një shpatë të ngjeshur pas kofshës. (Psal. 45:3) Por do të vijë momenti kur do të nxjerrë shpatën e do ta vringëllojë me dorën e tij të djathtë. Psalmisti profetizoi: «Dora jote e djathtë do të të mësojë gjëra të frikshme.» (Psal. 45:4) Kur Jezu Krishti të kalërojë që të ekzekutojë gjykimet e Jehovait në Harmagedon, do të bëjë «gjëra të frikshme» kundër armiqve të tij. Se cilat mjete do të përdorë për të shkatërruar sistemin e Satanait, nuk e dimë tamam. Por, ky veprim do t’u kallë lemerinë banorëve të tokës që nuk ia kanë vënë veshin paralajmërimit hyjnor për t’iu nënshtruar sundimit të Mbretit. (Lexo Psalmin 2:11, 12.) Në profecinë e tij për ditët e fundit, Jezui tha se njerëzit ‘do të mpakeshin nga frika dhe nga pritja e gjërave që do të ndodhnin në tokën e banuar, sepse fuqitë e qiejve do të tronditeshin’. Pastaj shtoi: «Atëherë do të shohin Birin e njeriut që do të vijë në një re me fuqi dhe lavdi të madhe.»—Luka 21:26, 27.
15, 16. Cilët do të përbëjnë ‘ushtrinë’ që ndjek Krishtin në betejë?
15 Ja si e njofton libri i Zbulesës ardhjen e Mbretit «me fuqi dhe lavdi të madhe» për të ekzekutuar gjykimin: «Pashë qiellin të hapur dhe ja, një kalë i bardhë. Ai që rrinte mbi kalë, quhet i Besueshëm e i Vërtetë, dhe gjykon e lufton me drejtësi. Gjithashtu, e ndiqnin mbi kuaj të bardhë ushtritë që ishin në qiell. Ato ishin veshur me li të bardhë, të pastër e të hollë. Nga goja e tij del një shpatë e gjatë dhe e mprehtë, që me të ai të godasë kombet. Ai do të sundojë mbi to me një shkop të hekurt. Ai shtyp në shtypësen e rrushit të zemërimit të furishëm të Perëndisë së Plotfuqishëm.»—Zbul. 19:11, 14, 15.
16 Cilët do të jenë bashkëluftëtarët e Krishtit që përbëjnë ‘ushtrinë’ qiellore që e ndjek në betejë? Kur e ngjeshi shpatën për herë të parë që të flakte nga qielli Satanain dhe demonët, Jezui ishte bashkë me «engjëjt e tij». (Zbul. 12:7-9) Duket e logjikshme që në luftën e Harmagedonit, engjëjt e shenjtë të përfshihen në ushtrinë e Krishtit. A do të përfshihen edhe të tjerë? Jezui u bëri këtë premtim vëllezërve të tij të mirosur: «Atij që del fitimtar dhe që ndjek udhën time deri në fund, do t’i jap autoritet mbi kombet, njëlloj si mora unë autoritet nga Ati im. Ai do të sundojë mbi njerëzit me një shkop të hekurt, dhe ata do të bëhen copë-copë posi enë argjile.» (Zbul. 2:26, 27) Kështu, në ushtrinë qiellore të Krishtit do të përfshihen edhe vëllezërit e tij të mirosur që në atë kohë do ta kenë marrë shpërblimin qiellor. Bashkësundimtarët e mirosur do të jenë pranë tij kur të bëjë «gjëra të frikshme» teksa sundon mbi kombet me shkop të hekurt.
MBRETI PLOTËSON FITOREN E TIJ
17. (a) Çfarë përfaqëson kali i bardhë ku ka hipur Krishti? (b) Çfarë përfaqësojnë shpata dhe harku?
17 Lexo Psalmin 45:5. Mbreti ka hipur mbi një kalë të bardhë, që përfaqëson luftën e pastër dhe të drejtë në sytë e Jehovait. (Zbul. 6:2; 19:11) Përveç shpatës, ka edhe një hark. Lexojmë: «Pashë një kalë të bardhë, dhe ai që rrinte mbi të, kishte një hark. Atij iu dha një kurorë, e ai doli fitimtar për të plotësuar fitoren e tij.» Qoftë shpata, qoftë harku përfaqësojnë mjetin që do të përdorë Krishti për të ekzekutuar gjykimin kundër armiqve të tij.
18. Si do të jenë ‘të mprehta shigjetat’ e Krishtit?
18 Me një gjuhë poetike psalmisti profetizoi se ‘shigjetat e mprehta’ të Mbretit do të hynin në zemrat e armiqve të tij dhe do të shkaktonin ‘rënien e popujve’. Në mbarë tokën do të bëhet kërdia. Në profecinë e Jeremisë parathuhet: «Atë ditë të vrarët nga Jehovai do të jenë nga njëri skaj i tokës në tjetrin.» (Jer. 25:33) Një profeci paralele thotë: «Pashë, gjithashtu, një engjëll që qëndronte në diell, i cili thërriti me zë të fortë e u tha gjithë zogjve që fluturojnë në mes të qiellit: ‘Ejani këtu, mblidhuni bashkë për darkën e madhe të Perëndisë, që të hani mishin e mbretërve, mishin e komandantëve ushtarakë, mishin e njerëzve të fortë, mishin e kuajve dhe të atyre që rrinë mbi ta, mishin e të gjithëve, të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj.’»—Zbul. 19:17, 18.
19. Si ‘do të shkojë Krishti drejt suksesit’ dhe të plotësojë fitoren?
19 Pasi të shkatërrojë sistemin e lig të Satanait në tokë, Krishti, ‘me shkëlqimin e tij do të shkojë drejt suksesit’. (Psal. 45:4) Fitorja do të jetë e plotë kur të kyçë në humnerë Satanain dhe demonët gjatë gjithë Mbretërimit Mijëvjeçar. (Zbul. 20:2, 3) Kur Djalli dhe engjëjt e tij të jenë në një gjendje si vdekja, banorët e tokës do të çlirohen nga ndikimi satanik dhe do të mund të vazhdojnë jetën plotësisht të nënshtruar ndaj Mbretit ngadhënjyes e të lavdishëm. Megjithatë, ata do të kenë një arsye tjetër për të ngazëlluar me Mbretin dhe bashkësundimtarët e tij qiellorë, para se të shohin tokën të transformohet hap pas hapi në një parajsë globale. Kjo ngjarje e gëzueshme do të shqyrtohet në artikullin vijues.