BIRËSIMI
Marrje ose pranim si bir a bijë i një fëmije të lindur nga tjetërkush. Fjala greke e përkthyer «birësim» (huiothesía) është një term ligjor teknik, që fjalë për fjalë do të thotë «të vësh si bir».
Ndonëse në Shkrimet Hebraike birësimi nuk trajtohet si procedurë ligjore, ideja bazë përcillet në raste të ndryshme. Përpara lindjes së Ismaelit dhe Isakut, duket që Abrahami e konsideronte skllavin e tij, Eliezerin, të paktën njësoj si një djalë të birësuar dhe si trashëgimtar të mundshëm të shtëpisë së tij. (Zn 15:2-4) Birësimi i skllevërve ka qenë zakon për shumë kohë në Lindjen e Mesme dhe, si të tillë, ata gëzonin të drejtën e trashëgimisë, edhe pse në një masë më të vogël se bijtë natyrorë.
Rakela dhe Lea i konsideronin si të vetët bijtë që Jakobi pati nga shërbyeset, të lindur ‘në gjunjët e tyre’. (Zn 30:3-8, 12, 13, 24) Këta fëmijë morën trashëgimi pjesën që u takonte bashkë me fëmijët që i lindën Jakobit nga gratë e ligjshme. Ata ishin bij të babait e, përderisa skllavet ishin pronë e bashkëshorteve të Jakobit, Rakela dhe Lea kishin të drejtën e pronësisë mbi këta fëmijë.
Më vonë, Moisiun e vogël e birësoi e bija e faraonit. (Da 2:5-10) Sipas ligjit egjiptian, burrat e gratë kishin të drejta të barabarta, prandaj bija e faraonit mund të ushtronte të drejtën e birësimit.
Nga sa duket, birësimi nuk ishte zakon i përhapur në kombin e Izraelit. Pa dyshim që ligji i martesës me kunatin pothuajse e eliminonte arsyen kryesore të birësimit: ruajtjen e emrit të të atit.—Lp 25:5, 6.
Domethënia e krishterë. Në Shkrimet e Krishtere Greke birësimi përmendet disa herë nga apostulli Pavël për të përshkruar statusin e ri të atyre që Perëndia i kishte thirrur e zgjedhur. Meqë kishin lindur si pasardhës të Adamit të papërsosur, ata ishin nën skllavërinë e mëkatit dhe nuk trashëgonin nga lindja të drejtën që të ishin bij të Perëndisë. Falë blerjes me anë të Krishtit Jezu, ata birësohen dhe bëhen bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, Birin e vetëmlindur të Perëndisë. (Ga 4:1-7; Ro 8:14-17) Ata nuk kanë lindur me të drejtën që të jenë bij të tij, por kjo është zgjedhja e Perëndisë dhe vullneti i tij. (Ef 1:5) Pavarësisht se janë pranuar si fëmijë a bij të Perëndisë që kur kanë lindur përmes frymës së tij (1Gjo 3:1; Gjo 1:12, 13), marrja e plotë e privilegjit që të jenë bij frymorë të Perëndisë varet nga besnikëria e tyre deri në fund. (Ro 8:17; Zb 21:7) Prandaj, Pavli thotë për ta se ‘mezi presin birësimin, çlirimin nga trupat e tyre nëpërmjet shpërblesës’.—Ro 8:23.
Dobia e parë që sjell ky birësim është liria nga «një frymë skllavërie, që shkakton . . . frikë»; në vend të kësaj, ndihen të sigurt siç ndihen bijtë. Së dyti, sjell shpresën e trashëgimisë qiellore që e garanton dëshmia e frymës së Perëndisë. Në të njëjtën kohë, birësimi u kujton këtyre bijve frymorë se këtë pozitë nuk e gëzojnë si një të drejtë të trashëguar, por falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë dhe faktit që ai i ka zgjedhur.—Ro 8:15, 16; Ga 4:5-7.
Te Romakëve 9:4, Pavli thotë për izraelitët natyrorë: «[Atyre] u përket birësimi, lavdia dhe besëlidhjet. Atyre u është dhënë Ligji.» Me sa duket, ai po flet këtu për pozitën e veçantë që iu dha Izraelit kur ishte populli me të cilin Perëndia bëri një besëlidhje. Në fakt, herë pas here, Perëndia e ka quajtur Izraelin «biri im». (Da 4:22, 23; Lp 14:1, 2; Is 43:6; Jr 31:9; Ho 1:10; 11:1; krahaso Gjo 8:41.) Sidoqoftë, që të ishin vërtet bij duhej të prisnin derisa Krishti Jezu të siguronte shpërblesën dhe më pas ta pranonin këtë masë hyjnore e të tregonin besim tek ajo.—Gjo 1:12, 13; Ga 4:4, 5; 2Ko 6:16-18.