BETHELI
[shtëpi e Perëndisë].
1. Qytet i rëndësishëm i Izraelit, i përmendur në Bibël më shpesh se çdo qytet tjetër, përveç Jerusalemit. E lidhin me rrënojat pranë fshatit të sotëm të Beitinit, rreth 17 km në veri të Jerusalemit. Ndodhej në një kreshtë shkëmbore në skajin jugor të rajonit malor të Efraimit, afro 900 m mbi nivelin e detit. Sot, viset përqark janë thuajse të zhveshura—një rrafshnaltë gurore me bimësi të rrallë. Megjithatë, fakti që atje ka disa burime, tregon se qyteti i lashtë furnizohej me ujë të bollshëm.
Falë pozicionit strategjik, Betheli u bë qytet i rëndësishëm. Gjendej në kurrizin e vargmalit qendror, në rrugën e rëndësishme veri-jug përgjatë vijës ujëndarëse, që shtrihet nga Sikemi drejt jugut për në Bethel, Jerusalem, Betlehem, Hebron e deri në Beer-Shebë. (Krahaso Gjy 21:19.) Një rrugë tjetër e lidhte Bethelin me Jopën në perëndim, buzë detit Mesdhe, dhe me Jerikonë në lindje, afër Jordanit. Kështu, në Bethel kryqëzoheshin disa rrugë, njësoj si në Samari, Jerusalem, Hebron e Beer-Shebë. Veç kësaj, dëshmitë tregojnë se zona mes Jerusalemit dhe Bethelit kishte popullsi të dendur, pasi atje qytetet ishin më ngjitur njëri-tjetrit se në çdo pjesë tjetër të Palestinës.
Gërmimet arkeologjike në Beitin tregojnë se ishte një vend mjaft i lashtë dhe mendohet se vendbanimi i parë atje daton rreth shekullit të 21-të p.e.s. Ka dëshmi edhe për një shkatërrim e zjarr të madh që ka lënë tek-tuk mbeturina dhe hi me trashësi 1,5 m. Kjo mendohet të ketë ndodhur gjatë pushtimit të Kanaanit nga Izraeli.
Kur Abrahami hyri në Kanaan, u ndal në Sikem e pastaj shkoi drejt jugut «në rajonin malor në lindje të Bethelit dhe e ngriti tendën me Bethelin në perëndim dhe me Ain në lindje». (Zn 12:8) Si kaloi njëfarë kohe në Egjipt për shkak të një zie buke që ra në Kanaan, ai u vendos sërish në lindje të Bethelit, tok me të nipin, Lotin. Meqë në të dyja rastet Abrahami e ngriti tendën në lindje të Bethelit, është hedhur ideja se vendfushimi i tij ishte Burj-Beitini, pak më në juglindje të Beitinit, i quajtur «një nga pikat më panoramike të Palestinës». (Encyclopædia Biblica, nga T. K. Shejni, Londër, 1899, vëll. I, kol. 552) Ndoshta nga ajo pikë vrojtimi Abrahami e ftoi Lotin të zgjidhte drejtimin nga do të shkonte pasi të ndaheshin. Atëherë Loti «ngriti sytë dhe pa gjithë krahinën e Jordanit» e vendosi të shkonte në atë rajon. (Zn 13:8-11) Pas kësaj, Jehovai e ftoi Abrahamin ta sodiste vendin nga të gjitha drejtimet, dhe e siguroi se do t’ia jepte si trashëgimi atij dhe farës së tij.—Zn 13:14, 15.
Kur përpiloi Zanafillën, Moisiu e quajti «Bethel» qytetin pranë të cilit ngriti kampin Abrahami, por më tej Bibla tregon se emrin origjinal kananit e kishte «Luz». (Shih LUZI nr. 1.) Jakobi e kaloi natën afër atij qyteti ndërsa udhëtonte nga Beer-Sheba për në Haran. Ai pa në ëndërr një shkallë që arrinte gjer në qiej, dëgjoi konfirmimin e premtimit që i ishte bërë Abrahamit, e pas kësaj ngriti një shtyllë dhe e quajti vendin «Bethel, por më parë emri i atij qyteti ishte Luz». (Zn 28:10-19) Afro 20 vjet më vonë, Perëndia i foli Jakobit në Haran, duke u identifikuar si Ai që i kish folur në Bethel, dhe e udhëzoi të kthehej në Kanaan.—Zn 31:13.
Pasi Dinën e çnderuan në Sikem dhe bijtë e Jakobit u hakmorën kundër sikemitëve, Perëndia e udhëzoi Jakobin të kthehej në Bethel. Me të hequr objektet e fesë së rreme që mbanin familjarët dhe shërbëtorët e tij, Jakobi udhëtoi drejt Bethelit nën mbrojtjen hyjnore. Kur mbërriti, ndërtoi një altar dhe konfirmoi emrin që i kishte vënë më parë atij vendi, duke e quajtur El-Bethel, që do të thotë «Perëndia i Bethelit». Atje vdiq dhe u varros Debora, taja e Rebekës. Po atje, Jehovai ripohoi ndryshimin e emrit të Jakobit në Izrael dhe përsëriti premtimin abrahamik.—Zn 35:1-16.
Shekuj më vonë, kur kombi i Izraelit hyri në Kanaan (1473 p.e.s.), emri Bethel u përdor rishtas për qytetin e quajtur më parë Luz, jo për vendin ku ngritën kampin Abrahami dhe Jakobi. Kur flet për sulmin kundër Ait, Bibla tregon se kananitët e Bethelit u rrekën t’i ndihmonin burrat e atij qyteti fqinj, por më kot. Në mos në atë rast, pak më vonë, mbretin e Bethelit e mundën forcat e Josiut. (Js 7:2; 8:9, 12, 17; 12:9, 16) Pastaj, Betheli përmendet si qytet kufitar mes territoreve të fiseve të Efraimit dhe të Beniaminit. Renditet ndër qytetet që iu caktuan Beniaminit, por Shkrimet tregojnë se qytetin e pushtoi shtëpia e Jozefit (ku bënte pjesë Efraimi). (Js 16:1, 2; 18:13, 21, 22; Gjy 1:22-26) Nga ai moment e tutje, qyteti nuk u quajt më Luz.
Në epokën e gjykatësve, profetesha Debora banonte «midis Ramahut dhe Bethelit në rajonin malor të Efraimit». (Gjy 4:4, 5) Duket se, kur u ndëshkua fisi i Beniaminit për krimin që kryen disa pjesëtarë të tij, arka e besëlidhjes ishte çuar përkohësisht nga Shilohu në Bethel, pasi ky qytet ishte shumë më afër fushës së betejës që po zhvillohej rreth Gibeahut, afro 12 km në jug të Bethelit.—Gjy 20:1, 18, 26-28; 21:2.
Betheli ishte pjesë e qarkut që përshkonte Samueli kur e gjykonte popullin vit për vit në atë qytet, si edhe në Gilgal e Mizpah, dhe ende parapëlqehej si vend adhurimi. (1Sa 7:16; 10:3) Gjithsesi, që nga ajo kohë deri në ndarjen e mbretërisë (997 p.e.s.), Betheli përmendet vetëm në rastin kur mbreti Saul mblodhi atje trupat e tij ndërsa gatitej të luftonte me filistinët.—1Sa 13:2.
Si qytet kryesor i mbretërisë veriore të Jeroboamit, Betheli, që dikur spikaste si vendi ku ishte shfaqur Perëndia i vërtetë, tani mori nam si qendër e adhurimit të rremë. Në Bethel, skaji jugor i mbretërisë së sapoformuar të Izraelit, dhe në Dan, skaji i saj verior, Jeroboami vendosi viçat e artë për t’ia mbushur mendjen popullit të tij të mos shkonte në tempullin e Jerusalemit. (1Mb12:27-29) Me shenjtëroren dhe altarin e vet, me një festë të sajuar enkas dhe me priftërinj të zgjedhur nga fiset jolevite, Betheli u bë simbol i apostazisë ose braktisjes së pafytyrë të adhurimit të vërtetë. (1Mb 12:31-33) Perëndia Jehova shprehu pa vonesë mosmiratimin nëpërmjet një ‘njeriu të Perëndisë së vërtetë’. Ky u dërgua në Bethel që të shpallte gjykimin kundër altarit të përdorur për kultin e viçit. Çarja e altarit shërbeu si shenjë që vërtetoi se fjalët e profetit do të përmbusheshin se s’bën. Mirëpo, si u largua nga Betheli, ky ‘njeri i Perëndisë së vërtetë’ lejoi që një profet i moshuar nga Betheli t’ia mbushte mendjen të pranonte e të vepronte sipas një mesazhi që gjoja vinte nga një engjëll dhe që binte ndesh me urdhrat e qartë të Perëndisë. Kjo i solli gjëmën. Si e vrau një luan, e varrosën në Bethel, në varrin e profetit të moshuar, që nga gjithë ato ngjarje kuptoi se fjala e Jehovait do të plotësohej patjetër, ndaj kërkoi ta varrosnin në të njëjtin varr kur të vdiste.—1Mb 13:1-32.
Për njëfarë kohe, Abijahu, mbreti i Judës, ia hoqi nga duart mbretërisë veriore Bethelin dhe qytete të tjera. (2Kr 13:19, 20) Por Betheli duket se iu kthye mbretërisë veriore, në mos më herët, në epokën e Baashës, mbretit të Izraelit, meqë ai u përpoq të fortifikonte Ramahun, goxha më në jug të Bethelit. (1Mb 15:17; 2Kr 16:1) Paçka se më vonë mbreti Jehu e çrrënjosi nga Izraeli adhurimin e Baalit, viçat e artë në Dan dhe në Bethel nuk u prekën.—2Mb 10:28, 29.
Ndonëse adhurimi i rremë ishte mjaft i përhapur atje, Shkrimet tregojnë se në kohën e Elijas dhe Eliseut, në Bethel kishte një grup profetësh. Betheli ishte edhe qyteti i djemve që vunë në lojë Eliseun, e si pasojë shumë prej tyre humbën jetën ngaqë Perëndia i dënoi me vdekje.—2Mb 2:1-3, 23, 24.
Në fundin e shekullit të 9-të dhe në mesin e shekullit të 8-të, profetët Amos dhe Hozea shpallën dënimin e Perëndisë për korruptimin fetar me qendër në Bethel. Edhe pse Hozea e përmendi si vend të mirëfilltë Bethelin (që do të thotë «shtëpi e Perëndisë») vetëm kur kujtoi se si Perëndia iu shfaq atje Jakobit besnik (Ho 12:4), me sa duket përdori emrin «Beth-Aven», që do të thotë «shtëpi e dëmit (diçkaje të dëmshme)», për të përshkruar atë qytet dhe ndikimin e praktikave të tij të rreme fetare. (Ho 4:15; 5:8) Ai paralajmëroi se Izraeli idhujtar do të mbante zi për viçin-idhull të Beth-Avenit që i shërbenin priftërinjtë e perëndisë së huaj, se vendet e larta do të shkatërroheshin dhe se altarët e tij do të mbuloheshin me gjemba e gjembaçë. Ndërkohë, njerëzit që i priste mërgimi në Asiri, do t’u thërritnin maleve: «Na mbuloni!» dhe kodrave: «Bini mbi ne!» (Ho 10:5-8; krahaso Lu 23:30; Zb 6:16.) Po ashtu, profeti Amos tregoi se, pavarësisht sa të shumta ishin flijimet e popullit në altarët e Bethelit, pelegrinazhet e tyre atje si besimtarë të përshpirtshëm s’ishin gjë tjetër veçse shkelje, dhe paralajmëroi se kundër tyre do të ndizej e s’do të shuhej zemërimi i zjarrtë i Jehovait. (Am 3:14; 4:4; 5:5, 6) Prifti apostat Amaziah, që vlonte nga inati ngaqë Amosi profetizonte tamam në Bethel, e akuzoi se nxiste kryengritje. Pastaj e urdhëroi të kthehej e të profetizonte në Judë, prej nga kish ardhur, ‘por të mos profetizonte më në Bethel, sepse ishte shenjtërorja e mbretit dhe selia mbretërore’.—Am 7:10-13.
Betheli mbeti shenjtërore idhujtarie deri kur mbretëria veriore ra në duart e Asirisë në vitin 740 p.e.s. Prandaj, mbi një shekull më vonë, Jeremia e përmendi si shembull paralajmërues se do të vinte dita kur do të mbuloheshin me turp ata që kishin besim te perënditë e rreme. (Jr 48:13) Edhe më pas Betheli vazhdoi si qendër fetare, pasi mbreti i Asirisë ktheu në Izrael një nga priftërinjtë e mërguar që t’i mësonte popullit të rrezikuar nga luanët «fenë e Perëndisë së vendit». Ky prift u vendos në Bethel dhe i mësonte «se si t’i frikësoheshin Jehovait». Rezultatet tregojnë qartë se ishte prift i viçit të artë, pasi «ata i frikësoheshin Jehovait, por ndërkohë adhuronin perënditë e veta» e vijuan praktikat e rreme dhe idhujtare të Jeroboamit.—2Mb 17:25, 27-33.
Në përmbushje të profecisë së Hozesë, viçi i artë i Bethelit i ishte çuar mbretit të Asirisë (Ho 10:5, 6), por altari i parë i Jeroboamit ndodhej ende atje në epokën e Josisë, mbretit të Judës. Vitin e 18-të të mbretërimit (642 p.e.s.), ose fill pas tij, Josia e shtriu spastrimin e fesë së rreme deri në Bethel, si edhe në qytetet e Samarisë. Josia shkatërroi vendin e adhurimit idhujtar në Bethel, duke djegur më parë mbi altar eshtrat nga varret aty afër. Kështu e përdhosi duke përmbushur profecinë e shpallur nga ‘njeriu i Perëndisë së vërtetë’ mbi tre shekuj më parë. I vetmi varr që nuk u prek ishte ai i «njeriut të Perëndisë së vërtetë», e si pasojë nuk u trazuan as eshtrat e profetit të moshuar që ishin në po atë varr.—2Mb 22:3; 23:15-18; 1Mb 13:2, 29-32.
Burrat e Bethelit ishin mes izraelitëve që u kthyen nga mërgimi në Babiloni (Ezd 2:1, 28; Ne 7:32), dhe Bethelin e ripopulluan beniaminitët. (Ne 11:31) Në epokën e Makabenjve e fortifikoi gjenerali sirian Bakidi (rr. 160 p.e.s.), e më vonë e pushtoi gjenerali romak Vespasiani kur akoma s’ishte bërë perandor i Romës.
2. Një nga qytetet që Davidi u dërgoi dhurata pas fitores mbi amalekitët. (1Sa 30:18, 26, 27) Fakti që përmendet ndër ‘vendet ku kishte shkelur Davidi me njerëzit e tij’, me sa duket tregon se është vendi i quajtur gjetkë Betul ose Betuel, qytet simeonit në territorin e Judës.—1Sa 30:31; Js 19:1, 4; 1Kr 4:30; shih BETUELI nr. 2.
[Figura në botimin e shtypur]
Rrënoja në vendin ku ndodhej Betheli i lashtë. Në atë qytet, në rrugën që zbriste për në Jerusalem, Jeroboami ngriti një qendër të kultit të viçit