IMITONI BESIMIN E TYRE | JOZEFI
«Mos jam gjë Perëndia unë?»
JOZEFI gjendet në kopshtin e tij teksa bie muzgu. Mbase sodit hurmat e Arabisë, pemët e tjera frutore, pellgjet me bimë ujore dhe pallatin e faraonit fiks përtej murit. Imagjino zërat që jehojnë nga shtëpia e tij, pasi i biri, Manaseu, po gudulis vëllaçkon, Efraimin. Jozefi përfytyron ambientin brenda shtëpisë, gruan që qesh teksa fëmijët lozin. Ai buzëqesh. Sa i bekuar ndihet!
Të parëlindurit i kishte vënë emrin Manase, sepse ky emër e ndihmonte ta linte pas të kaluarën. (Zanafilla 41:51) Bekimet e Zotit vitet e fundit s’do mend që ia kishin fashitur dhimbjen e kujtimeve për shtëpinë, për vëllezërit e për të atin. Urrejtja e vëllezërve më të mëdhenj ia kishte ndryshuar jetën. Ata e sulmuan, komplotuan ta vritnin dhe ua shitën si skllav tregtarëve shëtitës. Që nga ajo kohë s’iu ndanë peripecitë. Për afro 12 vjet duroi skllavërinë dhe burgun, për njëfarë kohe në vargonj. Por ja ku ishte tani, i dyti pas faraonit në Egjiptin e fuqishëm.a
Për vite me radhë Jozefi kishte parë ngjarjet të shpaloseshin tamam siç i kishte parathënë Jehovai. Egjipti ishte nga fundi i shtatë viteve të profetizuara plot begati, dhe Jozefi kishte mbikëqyrur grumbullimin e rezervave të drithit. Bashkë me gruan, Asenatën, ishin bërë prindër të dy djemve. Sidoqoftë, shpesh mendja i shkonte te familja e tij qindra kilometra larg, sidomos te vëllai i vogël, Beniamini, dhe te babai i shtrenjtë, Jakobi. Ndoshta vriste mendjen nëse ishin shëndoshë e mirë. Po vëllezërit e tjerë, a ishin ende të dhunshëm? A do të bënte prapë paqe me familjen e të ribashkohej me ta?
Nëse paqja e familjes sate është trazuar ndonjëherë nga xhelozia, tradhtia ose urrejtja, mbase ke diçka të përbashkët me Jozefin. Ç’mund të mësojmë nga besimi i Jozefit teksa kujdesej për familjen?
«SHKONI TE JOZEFI»
Jozefi ishte kaq i zënë, sa ditët fluturonin. Ashtu si kishte parathënë Jehovai me anë të ëndrrës së faraonit, shtatë vitet e bollëkut u pasuan nga një ndryshim drastik. Nuk prodhohej më drithë. Sakaq, vendet fqinje i përfshiu zia e bukës. Ndërsa «në Egjipt kishte bukë në tërë vendin», siç thotë Bibla. (Zanafilla 41:54) Pa dyshim që egjiptianët nxorën dobi nga profecia hyjnore e Jozefit dhe nga shembulli i tij i organizimit të mirë.
Ata mund të jenë ndier borxhlinj ndaj Jozefit dhe e vlerësonin aftësinë e tij si organizues. Gjithsesi, ai donte që merita të mos i shkonte askujt tjetër veç Perëndisë së tij, Jehovait. Nga kjo mësojmë se, nëse i përdorim aftësitë me përulësi në shërbim të Perëndisë, ai mund të na hapë dyert që këto aftësi t’i përdorim përtej asaj që kemi imagjinuar.
Erdhi dita që edhe egjiptianët u prekën nga zia e bukës. Kur iu përgjëruan faraonit për ndihmë, ai u tha thjesht: «Shkoni te Jozefi dhe bëni çfarë t’ju thotë ai.» Kështu, Jozefi filloi të hapte depot e rezervave të drithit që njerëzit të blinin sipas nevojës.—Zanafilla 41:55, 56.
Kurse njerëzit në vendet përreth ishin në pikë të hallit. Në Kanaan, qindra kilometra larg, familja e Jozefit po vuante. Jakobi i moshuar mori vesh se në Egjipt kishte drithë dhe u tha bijve të zbritnin atje e të blinin ushqim.—Zanafilla 42:1, 2.
Jakobi dërgoi dhjetë bij, kurse më të voglin, Beniaminin, jo. I kujtohej mirë koha kur e dërgoi të vetëm birin e tij të dashur, Jozefin, që të gjente vëllezërit. Ishte hera e fundit që e kishte parë djalin. Bijtë e mëdhenj i kthyen të atit rrobën e bukur të Jozefit, të grisur e të gjakosur, të cilën i ati ia kishte dhuruar ngaqë e donte dhe e vlerësonte tej mase. Të moshuarin zemërthyer e bënë të besonte se Jozefin e kishin ngrënë kafshët e egra.—Zanafilla 37:31-35.
‘JOZEFIT IU KUJTUAN MENJËHERË’
Pas një udhëtimi të gjatë, bijtë e Jakobit mbërritën në Egjipt. Kur pyetën se ku blihej drithë, i drejtuan te një zyrtar i lartë që quhej Zafenat-Paneah. (Zanafilla 41:45) A e njohën Jozefin? Fare. Për ta ishte vetëm një sundimtar i lartë egjiptian, të cilit ia kishin nevojën. E nderuan natyrshëm me këtë gjest: «U përkulën thellë para tij me fytyrën përdhe.»—Zanafilla 42:5, 6.
Kurse Jozefi i njohu në sekondë vëllezërit. Madje, kur i pa të përkuleshin para tij, i erdhi ndër mend djalëria. Tregimi thotë se «menjëherë Jozefit iu kujtuan ëndrrat» që Jehovai i kishte dhënë në rini, ëndrra që parathoshin kohën kur vëllezërit do të përkuleshin para tij, pikërisht si tani. (Zanafilla 37:2, 5-9; 42:7, 9) Ç’do të bënte Jozefi? Do t’i përqafonte apo do të merrte hak?
E dinte se nuk duhej të udhëhiqej nga ndjenjat e atypëratyshme, sido që të ndihej. Dukej qartë se këto ngjarje të jashtëzakonshme po i drejtonte Jehovai. Ishte në lojë qëllimi i tij. Ai kishte premtuar se pasardhësit e Jakobit do t’i bënte një komb të fuqishëm. (Zanafilla 35:11, 12) Nëse vëllezërit e Jozefit ishin ende të dhunshëm, egoistë e të paskrupuj, do të vihej në rrezik qëllimi i Perëndisë për t’i bërë pasardhësit e Jakobit një komb të madh. Për më tepër, po të vepronte menjëherë, Jozefi mund të prishte paqen e brishtë që mbase ekzistonte në familjen e tij në Kanaan, madje të vinte në rrezik babanë e Beniaminin. As që e dinte në ishin gjallë. Ai vendosi të mos u jepte të njohur vëllezërve që t’i vinte në provë e të shihte në kishin ndryshuar vërtet. Atëherë mund ta kuptonte qartë si të vepronte sipas drejtimit të Jehovait.
Ka gjasa të mos gjendesh ndonjëherë në atë situatë të pazakontë. Gjithsesi, sot janë të zakonshme konflikti dhe përçarja brenda familjes. Kur hasim vështirësi të tilla, mund të priremi të ndjekim zemrën tonë e të rrëmbehemi nga ndjenjat e papërsosura të çastit. Është shumë më e mençur të imitojmë Jozefin dhe të përpiqemi të dallojmë si do Perëndia që t’i bëjmë gjërat. (Proverbat 14:12) Të mos harrojmë se paqja me Jehovain dhe me Birin e tij është më jetësore se paqja me familjarët, sado e rëndësishme qoftë kjo.—Mateu 10:37.
«DO TË VIHENI NË PROVË»
Jozefi i vuri disa herë në provë vëllezërit e tij, për të zbuluar ç’kishin në zemër. Në fillim u foli ashpër me anë të një përkthyesi, duke i akuzuar si spiunë të huaj. Për t’u mbrojtur, ata i treguan për familjen e tyre, përfshirë hollësinë e rëndësishme se në shtëpi kishin edhe një vëlla të vogël. Jozefi u përpoq ta fshihte kënaqësinë që ndjeu. Të ishte vërtet gjallë vëllai i tij i vogël?! Tani dinte si të vepronte. Ai vazhdoi: «Në këtë mënyrë do të viheni në provë.» Pastaj u tha se duhej ta shihte vëllanë e tyre të vogël, që ta kuptonte se nuk po gënjenin. Më pas i la të ktheheshin në shtëpi për të marrë Beniaminin, me kusht që njërin prej tyre ta mbante peng në Egjipt.—Zanafilla 42:9-20.
Teksa vëllezërit bisedonin për këtë çështje, pa e ditur se Jozefi i kuptonte, dënonin veten për mëkatin e tmerrshëm që kishin bërë 20 vjet më parë. Ata thoshin: «Patjetër jemi fajtorë ndaj vëllait tonë, sepse e pamë vuajtjen e shpirtit të tij, kur na luste të ishim të dhembshur me të, por nuk e dëgjuam. Ja përse na ka rënë ky hall.» Jozefi po e dëgjonte bisedën, ndaj i duhej të mënjanohej që të fshihte lotët. (Zanafilla 42:21-24) Megjithatë e dinte se pendimi i vërtetë përfshin shumë më tepër se vetëm një ndjenjë keqardhjeje për pasojat e një veprimi të lig. Ndaj i vuri sërish në provë.
I dërgoi në shtëpi dhe mbajti në burg Simeonin. Gjithashtu, fshehurazi u futi pará në thasët e ushqimit që çuan në shtëpi. Vëllezërit u kthyen për në shtëpi dhe mezi ia mbushën mendjen Jakobit ta linte Beniaminin të shkonte me ta në Egjipt. Kur arritën në Egjipt, me sinqeritet i treguan kujdestarit të shtëpisë së Jozefit për paratë që kishin gjetur në thasë. Ishin gati të paguanin shumën e plotë për ushqimet. Ishte goxha ofertë, por Jozefit nuk i mjaftonte për të kuptuar natyrën e tyre të vërtetë. Ai u shtroi një banket ku bëri çmos të mblidhte veten që të mos dallohej sa u prek kur pa Beniaminin. Më pas i dërgoi sërish në shtëpi të ngarkuar me ushqim, por këtë herë në çantën e Beniaminit fshehu një kupë argjendi.—Zanafilla 42:26–44:2.
Jozefi vazhdoi me strategjinë e tij. Ai urdhëroi t’i ndiqnin vëllezërit, t’i arrestonin dhe t’i akuzonin se i kishin vjedhur kupën. Kur e gjetën kupën në torbën e Beniaminit, të gjithë i çuan sërish te Jozefi. Tani Jozefi mund të shihte ç’njerëz ishin vëllezërit e tij. Zëdhënësi i tyre u bë Juda. Ai iu përgjërua për mëshirë, madje tha se të 11-të ishin gati të bëheshin skllevër në Egjipt. Jozefi ia ktheu se në Egjipt do të mbanin si skllav vetëm Beniaminin, kurse gjithë të tjerët duhej të niseshin.—Zanafilla 44:2-17.
Juda reagoi me këto fjalë të ndiera: «Vetëm ai ka mbetur nga nëna e tij. Prandaj i ati e do shumë.» Këto fjalë duhet ta kenë prekur thellë Jozefin, sepse ishte djali i madh i gruas së shtrenjtë të Jakobit, Rakelës, e cila kishte vdekur teksa lindte Beniaminin. Edhe Jozefi, ashtu si i ati, duket se e ruante në zemër kujtimin e Rakelës së shtrenjtë. Ndoshta kjo lidhje e veçantë e bënte Beniaminin edhe më të dashur për Jozefin.—Zanafilla 35:18-20; 44:20.
Juda vazhdoi t’i përgjërohej Jozefit të mos e mbante si skllav Beniaminin. Madje ishte gati të bëhej ai skllav në vend të të vëllait. Në fund tha këto fjalë që të këputin shpirtin: «Si të shkoj tek im atë pa djalin me vete? S’e shoh dot gjëmën që do t’i bjerë atit tim.» (Zanafilla 44:18-34) Ja prova se ky burrë kishte ndryshuar! Jo vetëm që ishte penduar, por edhe tregoi mjaft empati, vetëmohim e dhembshuri.
Jozefi nuk duronte dot më. Ishte momenti t’i shprehte gjithë ato ndjenja që i vlonin përbrenda. Nxori jashtë shërbëtorët dhe qau me zë kaq të lartë, sa u dëgjua deri në pallatin e faraonit. Më në fund u tha hapur: «Unë jam Jozefi, vëllai juaj.» I përqafoi vëllezërit që kishin mbetur të shtangur dhe plot dashamirësi i fali për gjithë të zezat që i kishin bërë. (Zanafilla 45:1-15) Kështu pasqyroi natyrën e Jehovait, i cili fal pa kursim. (Psalmi 86:5) Po ne, a jemi të tillë?
«JE ENDE GJALLË!»
Kur faraoni dëgjoi historinë që fshihej pas gjullurdisë në shtëpinë e Jozefit, i tha të sillte në Egjipt të atin e moshuar dhe gjithë familjen e tij. S’kaloi shumë dhe Jozefi më në fund u ribashkua me babanë e dashur. Jakobi shpërtheu në lot dhe tha: «Tani që e pashë fytyrën tënde, le të vdes, sepse je ende gjallë!»—Zanafilla 45:16-28; 46:29, 30.
E vërteta është se Jakobi jetoi edhe 17 vite të tjera në Egjipt. Kishte kohë të mjaftueshme sa të thoshte bekime profetike për 12 bijtë. Kurse Jozefit, birit të 11-të, i dha bekimin e dyfishtë që zakonisht i takonte të parëlindurit. Nga ai do të dilnin dy fise të Izraelit. Ç’të themi për Judën, djalin e katërt, i cili shkëlqeu para vëllezërve kur tregoi një frymë pendese? Mori këtë bekim tejet të madh: nga linja e tij familjare do të vinte Mesia.—Zanafilla, kapitujt 48 e 49.
Kur Jakobi vdiq në moshën 147-vjeçare, vëllezërit e Jozefit kishin frikë se mos vëllai i tyre me pushtet merrte hak. Por, Jozefi i siguroi plot dashuri për të kundërtën. Ai kishte menduar prej kohësh se, meqë Jehovai kishte drejtuar transferimin e familjes në Egjipt, vëllezërit e tij nuk duhej të ndienin më keqardhje për të kaluarën. Më pas tha këto fjalë që të ngelen në mendje: «Mos jam gjë Perëndia unë?» (Zanafilla 15:13; 45:7, 8; 50:15-21) Ai e shihte Jehovain si gjykatësin e përsosur. E kush ishte Jozefi që të ndëshkonte ata që Jehovai i kishte falur?—Hebrenjve 10:30.
A e ke ndonjëherë të vështirë të falësh? Mund të jetë veçanërisht e vështirë kur dikush na ka lënduar qëllimisht. Por, nëse i falim nga zemra ata që pendohen sinqerisht, do të shërojmë shumë plagë, edhe tonën. Kështu do të imitojmë besimin e Jozefit dhe shembullin e Atit të tij të mëshirshëm, Jehovait.
a Shih artikujt «Imitoni besimin e tyre» në revistat Kulla e Rojës të 1 gushtit 2014, 1 nëntorit 2014 dhe 1 shkurtit 2015.