BETLEHEMI
[shtëpi e bukës].
1. Qytet në malësinë e Judës prej nga dukej rruga kryesore që zbriste nga Jerusalemi për në Beer-Shebë. Sot quhet Beit-Lahm (Bet-Lehem) dhe ndodhet rreth 9 km në jug-jugperëndim të Malit të Tempullit. Ngrihet afro 777 m mbi nivelin e detit, pak a shumë në të njëjtën lartësi me Jerusalemin. Ndonëse trualli është shkëmbor, prodhon ullinj, rrush e disa lloje drithërash.—Ru 1:22.
Duket se Betlehemi quhej më parë Efratah. Jakobi e varrosi Rakelën «udhës për në Efratah, domethënë në Betlehem». (Zn 35:19; 48:7) Ndër pasardhësit e hershëm të Judës, birit të Jakobit, përmenden ‘Salma, ati i Betlehemit’ (1Kr 2:51, 54) dhe ‘Huri, ati i Betlehemit dhe i parëlinduri i Efratahës’. (1Kr 4:4) Kjo mund të tregojë se këta burra ishin paraardhës të izraelitëve që u vendosën më pas në Betlehem. (Shih EFRATAHU.) Kur izraelitët hynë në Kanaan, Betlehemi binte në territorin e Judës, ndonëse nuk përmendet në ndonjë nga listat e qyteteve të Judës dhe as ka ndonjë të dhënë që të tregojë se sa i madh a sa i rëndësishëm ishte në atë kohë. Meqë në territorin e Zabulonit ishte një Betlehem tjetër (Js 19:10, 15), qyteti i Judës zakonisht dallohej duke shtuar emrin Efratah ose duke e quajtur «Betlehemi i Judës».—Gjy 17:7-9; 19:1, 2, 18.
Kështu, gjykatësi Ibzan mund të ketë qenë nga Betlehemi i Judës, por ngaqë nuk përmendet Juda ose Efratahu, shumë veta mendojnë se ishte nga Betlehemi i Zabulonit. (Gjy 12:8-10) Elimeleku, gruaja e tij Naomi dhe bijtë e tyre ishin nga Betlehemi, e atje u kthye Naomi tok me moabiten Rutha. (Ru 1:1, 2, 19, 22) Edhe Boazi ishte nga Betlehemi, dhe ngjarjet e tjera të librit të Ruthës që lidhen me paraardhësit e Jezuit (Mt 1:5, 6) zhvillohen në këtë qytet e në arat e tij.—Ru 2:4; 4:11.
Davidi, biri i «Jese betlehemitit», lindi në Betlehem të Judës, ruante dhentë e të atit në ato anë dhe atje e mirosi më pas Samueli si mbret të ardhshëm të Izraelit. (1Sa 16:1, 4, 13, 18; 17:12, 15, 58; 20:6) Kohë më vonë, kur ishte i arratisur, Davidi pati dëshirë të madhe të pinte ca ujë nga sterna e Betlehemit, ku ishte vendosur në atë kohë një pararojë e filistinëve. (2Sa 23:14, 15; 1Kr 11:16, 17) Vlen të përmendet se në anën veriore të qytetit gjenden ende tri puse. Elhanani, një nga luftëtarët e shquar të Davidit, ishte biri i një njeriu nga Betlehemi (2Sa 23:24), e po ashtu edhe nipërit e Davidit—Joabi, Abishai dhe Asaheli. Atje e varrosën Asahelin këmbëshpejtë pasi e vrau Abneri i fuqishëm.—2Sa 2:18-23, 32.
Sado që Betlehemi ndodhej në një pikë kyçe pranë një rruge kryesore, në pozicion të mirë nga ana ushtarake (pasi gjendej në lartësi të madhe e ishte ndërtuar në një vend prej nga kontrollohet një kreshtë gëlqerore) dhe ishte qyteti i tij i lindjes, Davidi nuk e zgjodhi si kryeqytetin e tij. Vetëm gjatë mbretërimit të Rehoboamit, birit të Solomonit, Betlehemi përmendet sërish, kësaj here ndër qytetet që fortifikoi ai mbret. (2Kr 11:5, 6) Afër Betlehemit u ndal për pak kohë, para se të zbriste në Egjipt, mbetja e popullit që u la në Judë pas rënies së Jerusalemit në dorë të Babilonisë. (Jr 41:17) Mes atyre që u kthyen nga mërgimi në Babiloni kishte edhe burra të Betlehemit.—Ezd 2:21; Ne 7:26.
Siç u tha më lart, Betlehemi nuk shfaqet në listat e qyteteve të Judës kur flitet për territorin e ndarë mes fiseve. Edhe pse përmendet në disa libra të Biblës në lidhje me personazhe të ndryshme, duket se nuk ishte qytet me emër ose me popullsi të madhe; kur Jezui ishte në tokë, ishte një ‘fshat’. (Gjo 7:42) Prandaj, në profecinë e tij mesianike te Mikea 5:2, profeti Mikea mund ta quante Betlehem-Efratahun «më i vogli ndër qytetet e Judës». Gjithsesi, ajo profeci tregoi se Betlehemi i vogël do të kishte nderin e pashoq që të ishte qyteti nga do të vinte Mesia. Populli jude e kuptoi se profecia tregonte që Mesia ose Krishti do të lindte në atë qytet dhe do të vinte prej andej (Gjo 7:40-42), e këtë bindje e shprehën edhe krerët e priftërinjve dhe skribët e tyre.—Mt 2:3-6.
Kështu, ndonëse Maria mbeti shtatzënë në Nazaret të Galilesë, Jezui lindi në Betlehem të Judesë, në përmbushje të profecisë hyjnore. (Lu 1:26-38; 2:4-7) Në rrugët e sotme, ky do të ishte një udhëtim prej rreth 150 km nëpër terren kodrinor.
Në kohën kur lindi Jezui, disa barinj po jetonin në fusha dhe natën ruanin me radhë kopetë. (Lu 2:8) Edhe pse ditën dhentë mund të nxirren për kullotë në çfarëdo stine të vitit, fakti që barinjtë po jetonin fushave dhe kalonin natën atje me kopetë e tyre tregon qartë se në ç’periudhë të vitit lindi Jezui. Në Palestinë, stina e shirave nis nga mesi i tetorit dhe zgjat disa muaj. Në dhjetor, në Betlehem, ashtu si në Jerusalem, netëve shpesh bën ngricë. Prandaj, meqë barinjtë e Betlehemit po e kalonin natën fushave, kjo tregon se stina e shirave ende nuk kish nisur. Veç kësaj, është thuajse e pamundur që Cezar Augusti të donte t’i acaronte më kot judenjtë duke urdhëruar të bëhej një regjistrim në motin dimëror e me shira të dhjetorit, kur udhëtimi është jashtëzakonisht i vështirë.—Lu 2:1-6; krahaso Mt 24:20.
Nuk dihet ku ndodhej stalla e Betlehemit në të cilën lindi Jezui. Njëfarë kohe pas lindjes së Jezuit, kur prindërit e tij nuk jetonin më në një stallë, por në një shtëpi, në Betlehem shkuan disa astrologë nga Lindja që kërkonin «fëmijën». (Mt 2:1-12) Falë ndërhyrjes së Perëndisë, vizita e tyre nuk shkaktoi vdekjen e Jezuit të vogël, mirëpo në qytezën e Betlehemit dhe zonën përqark u vranë me urdhër të mbretit Herod gjithë djemtë e vegjël nga dy vjeç e poshtë. (Mt 2:12, 16) Te Mateu 2:17, 18, shkrimtari i frymëzuar citoi në lidhje me atë ngjarje profecinë e Jeremisë 31:15.—Shih RAKELA.
2. Qytet në territorin e Zabulonit. (Js 19:10, 15) Ka të ngjarë që gjykatësi Ibzan të ishte nga ky Betlehem dhe të jetë varrosur atje, përderisa në tregim nuk përmendet Efratahu ose Juda. (Gjy 12:8-10) Mendohet se vendndodhja e Betlehemit të Zabulonit është Beit-Lahmi (Bet-Lehem-Ha-Geliliti), rreth 11 km në perëndim-veriperëndim të Nazaretit.
[Figura në botimin e shtypur]
Pamje e sotme e Betlehemit, vendlindjes së Jezuit