PJESA 7
Një jetë e kënaqshme: Pse kaq e vështirë për t’u arritur?
PSE shumë njerëz përpiqen shumë, por nuk gjejnë domethënie të vërtetë në jetën e tyre? «Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime. Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.» (Jobi 14:1, 2) Çiftit të parë njerëzor në Parajsë i ndodhi diçka që shkatërroi perspektivën e ndritur të njerëzimit.
2 Që familja njerëzore të jetë vërtet e lumtur, duhet që njerëzit të kenë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë—një marrëdhënie që është e vullnetshme, jo e detyruar. (Ligji i përtërirë 30:15-20; Jozueu [Josiu] 24:15) Jehovai dëshiron t’i bindemi e ta adhurojmë me zemër, të shtyrë nga dashuria. (Ligji i përtërirë 6:5) Prandaj, në kopshtin e Edenit, ai vuri një kufizim i cili i dha njeriut të parë mundësinë për të treguar besnikërinë e tij të sinqertë. «Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit,—i tha Perëndia Adamit,—por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.» (Zanafilla 2:16, 17) Ishte një provë e thjeshtë. Nga të gjitha pemët që ishin në kopsht, Jehovai e ndaloi Adamin të hante vetëm nga fryti i një peme. Ajo pemë simbolizonte të drejtën e Krijuesit të gjithëdijshëm për të vendosur ç’është e mirë dhe ç’është e keqe. Njeriu i parë ia transmetoi këtë urdhër të dhënë nga Perëndia gruas së tij, të cilën Jehovai e kishte krijuar si «një ndihmë» për Adamin. (Zanafilla 2:18) Që të dy ishin të kënaqur me këtë rregullim, d.m.th. të jetonin nën sundimin e Perëndisë, duke iu nënshtruar me çmueshmëri vullnetit të tij dhe duke shprehur, në këtë mënyrë, dashurinë e tyre për Krijuesin dhe Dhënësin e jetës.
3 Pastaj, një ditë, një gjarpër i foli Evës dhe e pyeti: «A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’» Eva u përgjigj se u ishte ndaluar të hanin vetëm frytin e «pemës që është në mes të kopshtit», të pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes, ‘ndryshe do të vdisnin’.—Zanafilla 3:1-3.
4 Kush ishte ky gjarpër? Libri biblik i Zbulesës e identifikon ‘gjarprin e hershëm’ si «ai që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9) A e krijoi Perëndia Satana Djallin? Jo, veprat e Jehovait janë të përsosura dhe të mira. (Ligji i përtërirë 32:4) Kjo krijesë frymore u bë vetë Djall që do të thotë “Shpifës” dhe Satana që do të thotë «Kundërshtar». Ai u ‘tërhoq dhe u josh nga dëshira e vet’, nga dëshira për të zënë vendin e Perëndisë dhe filloi të rebelohet kundër Krijuesit.—Jakovit 1:14.
5 Në vazhdim, Satana Djalli i tha Evës: «Ju s‘keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:4, 5) Satanai bëri që të ngrënët nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes të dukej diçka tërheqëse. Në thelb, arsyetimi i tij ishte ky: ‘Perëndia po ju ndalon diçka të mirë. Mjafton të hani nga pema dhe do të bëheni si Perëndia e do të jeni në gjendje të vendosni vetë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe.’ Sot, Satanai po e përdor ende këtë linjë arsyetimi për t’i bërë shumë njerëz që të mos i shërbejnë Perëndisë. ‘Merru me punët e tua,—thotë ai.—Thjesht, mos e merr parasysh detyrimin që ke ndaj Atij që të dha jetën.’—Zbulesa 4:11.
6 Fryti i pemës u bë papritur diçka shumë e dëshirueshme, diçka e parezistueshme. Eva e mori, hëngri prej tij dhe pastaj i ofroi pak edhe burrit të saj. Ndonëse ishte plotësisht i vetëdijshëm për pasojat, Adami e dëgjoi zërin e gruas së tij dhe e hëngri frytin. Cili qe rezultati? Gruas, Jehovai i dha këtë dënim: «Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty.» Po burrit? «Toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore dhe ti do të hash barin e fushave; do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» Tani Adami dhe Eva u lanë ta kërkonin lumturinë dhe kënaqësinë sipas mënyrës së tyre. A do të kishin sukses përpjekjet e njerëzve për të bërë një jetë të kënaqshme, pa marrë parasysh qëllimin hyjnor? Puna e kënaqshme për kultivimin e Parajsës ngjashëm një kopshti dhe për shtrirjen e saj deri në skajet e tokës u zëvendësua me punën sfilitëse për të mbajtur veten gjallë, duke mos bërë asgjë për lavdinë e Krijuesit të tyre.—Zanafilla 3:6-19.
7 Ditën që hëngri nga pema njohjes të së mirës dhe të së keqes, çifti i parë njerëzor vdiq në sytë e Perëndisë dhe mori teposhtën drejt vdekjes fizike. Çfarë u ndodhi kur më në fund vdiqën? Bibla siguron kuptueshmëri në lidhje me gjendjen e të vdekurve. «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet.» (Predikuesi 9:5; Psalmi 146:4) Nuk ka një «shpirt» që mbijeton pas vdekjes. Dënimi për mëkatin është vdekja, jo mundimi i përhershëm në një ferr të zjarrtë. Gjithashtu, vdekja nuk çon në lumturi të përjetshme në qiell.a
8 Ashtu si në një tavë ëmbëlsirash që ka një të shtypur, mund të bëhen vetëm ëmbëlsira me shenjë ose të shtypura, edhe burri dhe gruaja, tanimë të papërsosur, mund të lindnin vetëm pasardhës të papërsosur. Bibla e shpjegon këtë proces: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Kështu, të gjithë ne kemi lindur në mëkat dhe i jemi nënshtruar kotësisë. Jeta për pasardhësit e Adamit u bë një punë sfilitëse e shkurajuese. Por, a ka një rrugëdalje?
a Hollësi interesante rreth gjendjes së të vdekurve do të gjeni në broshurën Çfarë ndodh me ne kur vdesim?, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.