EVA
[e gjallë; me sa duket lidhet me foljen në heb., ħajáh, «jetoj»].
Gruaja e parë dhe, nga sa dimë, krijimi i fundit që bëri Perëndia në tokë.
Jehovai, Krijuesi, e dinte se nuk ishte mirë që njeriu të qëndronte vetëm. Megjithatë, para se të krijonte gruan, Perëndia çoi para njeriut kafshë të ndryshme të tokës dhe krijesa fluturuese. Adami u vuri emra, por nuk gjeti mes tyre asnjë ndihmës për vete. Atëherë, Jehovai e vuri në një gjumë të thellë Adamin, hoqi një brinjë nga ija e tij, dhe pasi e mbylli mishin në atë vend, bëri një grua me brinjën që mori nga burri. Pa dyshim, ngaqë iu zbulua drejtpërdrejt nga Perëndia, Krijuesi dhe Ati i tij, se si erdhi në ekzistencë gruaja, Adami e mirëpriti me kënaqësi si bashkëshorten e tij, duke u shprehur siç ndihej thellë brenda vetes: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim.» Duke qenë një plotësim i përkryer për të, Adami e quajti bashkëshorten e tij ʼishsháh (grua, ose fjalë për fjalë, burrë [njeri] femër), «sepse u mor nga burri». (Zn 2:18-23) Menjëherë pas kësaj, Perëndia u dha të dyve bekimin e tij atëror: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» Gjithashtu, ata duhej të mbanin të nënshtruara krijesat shtazore. (Zn 1:28) Duke qenë vepër e duarve të Perëndisë, gruaja ishte krijuar në mënyrë të përsosur për të qenë plotësuese e burrit të saj, Adamit, si edhe për të qenë nënë.
Mashtrimi dhe mosbindja. Një ditë, ndërkohë që i shoqi nuk ishte aty, Eva u gjend afër pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes. Atje, një gjarpër, kafshë e kujdesshme dhe që s’binte në sy, të cilin një krijesë e padukshme e përdori si zëdhënësin e vet, e pyeti me një pafajësi të shtirur: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?» Gruaja u përgjigj siç duhej, si e kishte udhëzuar patjetër burri dhe kreu i saj, që ishte një mish me të. Por, kur gjarpri kundërshtoi Perëndinë dhe i tha asaj se po të shkelte urdhrin hyjnor do të ishte si Perëndia e do të njihte të mirën dhe të keqen, gruaja filloi ta shihte pemën me një sy tjetër. «Fryti i pemës ishte i mirë si ushqim dhe i lakmueshëm për sytë, po, fryti i pemës ishte i dëshirueshëm për t’u parë.» Veç kësaj, gjarpri i kishte thënë se, nëse e hante, do të ishte si Perëndia. (Krahaso 1Gjo 2:16.) Plotësisht e mashtruar nga gjarpri dhe me një dëshirë të fortë për perspektivën që i ofronte ngrënia e frytit të ndaluar, ajo shkeli ligjin e Perëndisë. (1Ti 2:14) Pas kësaj, ajo iu afrua të shoqit dhe u përpoq t’i mbushte mendjen që edhe ai të mos i bindej Perëndisë. Adami ia vuri veshin gruas së tij.—Zn 3:1-6.
Efekti i atypëratyshëm i shkeljes ishte ndjenja e turpit. Prandaj, përdorën gjethe fiku për t’u mbuluar përpara. Me të dëgjuar zërin e Jehovait, Adami dhe gruaja e tij shkuan të fshiheshin mes pemëve të kopshtit. Kur Perëndia e pyeti drejtpërdrejt ç’kishte bërë, gruaja tha se e kishte ngrënë frytin, ngaqë e kishte mashtruar gjarpri. Kur shpalli dënimin kundër saj, Jehovai tregoi se shtatzënia dhe lindja e pasardhësve do të shoqërohej me dhembje më të mëdha; ajo do të digjej nga dëshira për të shoqin dhe ai do të sundonte mbi të.—Zn 3:7-13, 16.
Pas shkeljes së ligjit të Perëndisë, thuhet se Adami e quajti gruan e tij Eva, «sepse ajo do të bëhej nëna e gjithë të gjallëve». (Zn 3:20) Para se t’i dëbonte nga kopshti i Edenit, që të përballeshin me vështirësitë e jetës në një tokë të mallkuar, Jehovai i tregoi Adamit dhe Evës dashamirësinë e tij të pamerituar duke u dhënë të dyve rroba të gjata prej lëkure.—Zn 3:21.
A kishte të drejtë Eva kur tha se e kishte sjellë në jetë Kainin, djalin e saj, «me ndihmën e Jehovait»?
Kur lindi djalin e saj të parë, Kainin, jashtë Parajsës, Eva tha: «Solla në jetë një burrë me ndihmën e Jehovait.» (Zn 4:1) Ky është rasti i parë i dokumentuar kur përdoret emri i Perëndisë, dhe kjo tregon se emri i Jehovait njihej që në fillim të historisë njerëzore. Më vonë, ajo lindi Abelin dhe bij e bija të tjera. Kur Adami ishte 130 vjeç, Eva lindi një djalë që e quajti Set dhe tha: «Perëndia ka caktuar për mua një farë tjetër në vend të Abelit, meqë atë e vrau Kaini.» Ajo nuk e kishte gabim që u shpreh kështu kur lindën Kaini dhe Seti, pasi ishte bërë nënë ngaqë Perëndia i kishte dhënë asaj dhe Adamit fuqitë riprodhuese. Veç kësaj, falë dashamirësisë së tij të pamerituar, Perëndia nuk e ekzekutoi menjëherë kur ajo shkeli urdhrin e Tij. Me lindjen e Setit mbaron tregimi për Evën i dokumentuar te Zanafilla.—Zn 4:25; 5:3, 4.
Person real. Që Eva ka jetuar vërtet dhe nuk është një personazh i trilluar dëshmohet nga vetë Jezu Krishti. Kur farisenjtë e pyetën për divorcin, Jezui e drejtoi vëmendjen te tregimi i Zanafillës që flet për krijimin e mashkullit dhe të femrës. (Mt 19:3-6) Veç kësaj, edhe fjalët e Pavlit drejtuar korintasve shprehin frikën se mos mendja e tyre korruptohet në ndonjë mënyrë, «ashtu si gjarpri joshi Evën me dinakërinë e tij». (2Ko 11:3) Më pas, kur foli për vendin që i takon gruas në kongregacionin e krishterë, Pavli tha që ajo s’duhet të lejohet «të mësojë të tjerët ose të ushtrojë autoritet mbi burrin». Për këtë dha si arsye faktin që Adami u krijua i pari dhe nuk u mashtrua, kurse «gruaja u mashtrua plotësisht dhe ra në shkelje».—1Ti 2:12-14.