Kriza familjare një shenjë e kohërave
KRIZA e familjes: shumëkush e sheh këtë si shenjë se rregullat tradicionale të martesës dhe rritjes së fëmijëve kanë dalë mode. Të tjerë e shohin si rrjedhojë të ndryshimeve politike, ekonomike dhe shoqërore. Të tjerë, akoma, e shohin atë si një ndikim anësor të teknologjisë moderne. Në të vërtetë, problemet mbas së cilave kapen familjet sot, tregojnë diçka me më shumë domethënie. Vëre se ç’thotë Bibla në 2. Timoteut 3:1-4:
«Ki parasysh këtë: kur na pret mbarimi i kësaj kohe, do të ketë kohë të vështira. Atëherë njerëzit do të jenë egoistë, të dhënë pas parasë, mburracakë dhe mendjemëdhenj. Do të fyejnë të afërmit, prindërit nuk do t’i dëgjojnë dhe s’do të kenë frikë nga asgjë. Do të jenë mosmirënjohës, të padashur dhe të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, brutalë, do ta urrejnë të mirën, do të jenë të pabesë, mendjemëdhenj dhe arrogantë. Ata nuk do të kërkojnë atë që i pëlqen Perëndisë, por vetëm atë që shton kënaqësinë e tyre.»—Dhiata e re dhe Psalmet.
A nuk çojnë me të vërtetë këto fjalë deri te rrënjët e problemeve të sotme? Sot, kriza e familjes është në mënyrë të qartë rrjedhojë direkte e kushteve që sipas profecive do të karakterizonin ditët e fundit të kësaj bote. Dhe ekzistojnë dëshmi bindëse, se kjo periudhë e turbullt ka filluar në vitin 1914.a Prej atëherë, ndikimi i një krijese frymore mbinjerëzore, e quajtur Satana Djalli, është bërë veçanërisht kërcënues.—Mateu 4:8-10; 1. Gjonit 5:19.
I kufizuar në afërsi të tokës qysh prej 1914-ës, «zemërimi i tij [Satanait] është shumë i madh, sepse e di se nuk i mbetet veçse pak kohë.» (Zbulesa 12:7-12, Dhiata e re dhe Psalmet) Pasi Satanai është armiku i betuar i Perëndisë «të cilit çdo familje në qiell dhe mbi tokë i detyron emrin e vet», a duhet të na habisë fakti se toka është kthyer në një vend të rrezikshëm për familjet? (Efesianëve 3:15, NW) Satanai është i vendosur për të larguar gjithë njerëzimin nga Perëndia. Në ç’mënyrë tjetër më të mirë mund t’ia dalë mbanë, sesa duke sulmuar familjet me probleme?
Duhet diçka më shumë, sesa teoritë e paqëndrueshme të të ashtuquajturve ekspertë, për të mbrojtur familjet nga një sulm i tillë mbinjerëzor. Megjithatë, Bibla thotë mbi Satanain: «Ne i njohim intrigat e tij.» (2. Korintasve 2:11, NW) Njohja e disa prej rrugëve në të cilat ai sulmon është një masë mbrojtjeje.
Para dhe punë
Presioni ekomomik është një nga armët më të fuqishme të sulmit të Satanait. Jetojmë në «kohë të vështira». (2. Timoteut 3:1) Në vendet në zhvillim probleme si papunësia, pagat e ulëta, mungesa e mjeteve më të nevojshme, shkaktojnë vëshirësitë më të mëdha familjare. Megjithatë, edhe në vende relativisht të zhvilluara si Sh.B.A., presionet ekonomike ndihen. Një hetim i bërë në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se paraja është një nga shkaqet kryesore të konflikteve familjare. Libri Secrets of Strong Families (Sekretet e familjeve të forta) shpjegon se edhe «koha, kujdesi [dhe] energjitë» që i përkushtohen plotësimit të nevojave për punë, mund të jenë një «armik i pakapshëm» që gërryen lidhjen martesore.
Rrethanat kanë detyruar një numër mjaft të lartë grash që të hyjnë në botën e punës. Shkrimtari Vance Packard raporton: «Aktualisht në Amerikë të paktën një e katërta e fëmijëve nën moshën tre vjeç e ka të ëmën të zënë në ndonjë lloj pune jashtë shtëpisë.» Kujdesja ndaj nevojave gati të pangopshme të fëmijëve të vegjël dhe njëkohësisht kryerja e një pune mund të jetë diçka pa duk dhe kapitëse, me pasoja negative si për prindërit dhe për fëmijët. Packard shton se sot në Sh.B.A., për shkak të mungesës së masave të mjaftueshme në asistencën ndaj të vegjëlve «miliona fëmijë janë të privuar nga përkujdesjet e nevojshme në vitet e tyre të para.»—Our Endangered Children (Fëmijët tanë në rrezik).
Shpeshherë, vetë vendi i punës minon harmoninë familjare. Shumë veta përfundojnë në marrëdhënie të paligjshme me kolegët e tyre. Disa të tjerë fillojnë të bredhin më kot në kërkim të suksesit dhe sakrifikojnë familjen e tyre për të bërë karrierë. (Krahaso Eklisiastiu 4:4) Një burrë ishte kaq i tërhequr nga puna e tij si përfaqësues tregtar, saqë gruaja e tij u quajt «faktikisht një prind i vetëm.»
Dobësohen lidhjet martesore
Vetë institucioni martesor gjendet i sulmuar. Libri The Intimate Environment (Ambienti intim) thotë: «Më parë një çift mund të rrinte bashkë, me përjashtim kur ndonjëri prej bashkëshortëve kryente diçka të rëndë ndaj martesës: kurorëthyerje, egërsi apo braktisje të plotë. Sot, për pjesën më të madhe të njerëzve qëllimi i martesës është plotësimi personal.» Po, martesa konsiderohet si një ilaç kundër mjerimit, mërzitjes apo vetmisë dhe jo si një impenjim i marrë me një njeri tjetër për gjithë jetën. Sot përqëndrohen mbi atë se çka mund të marrin prej martesës dhe jo mbi çfarë duhet dhënë. (Vëre ndryshimin me Veprat 20:35.) Ky «ndryshim i dukshëm i vlerave mbi të cilat mbështetet martesa» i ka dobësuar në mënyrë të ndjeshme lidhjet martesore. Kur aspiratat e tyre mbeten të paplotësuara, shpesh çiftet u drejtohen divorceve si një zgjidhje e shpejtë.
Për njerëzit që jetojnë në këto «ditë të fundit» Bibla ka thënë në mënyrë profetike se «do ta ruajnë dukjen e jashtme të përshpirtnisë, por kanë për ta mohuar fuqinë e saj.» (2. Timoteut 2:1, 5) Shumë ekspertë pohojnë se rënia e fesë ka luajtur një rol në shkatërrimin e martesës. Në librin e saj The Case Against Divorce (Rasti kundër divorcit), dr. Diane Medved shkruan: «Sipas shumicës së feve, Perëndia ka thënë se martesa duhet të ishte e qëndrueshme. Kur nuk jemi të sigurt mbi Perëndinë ose kur nuk besojmë në Të, atëherë bëjmë atë që na pëlqen.» Si rezultat, kur në një familje lindin probleme çiftet nuk kërkojnë zgjidhje të realizueshme. «Ato shkatërrojnë të gjithë lidhjen.»
Sulm ndaj të rinjve
Fëmijët lëkunden prej presioneve të sotme. Një numër tronditës fëmijësh pësojnë keqtrajtime të dhunshme dhe janë viktima të abuzimeve me fjalë apo seksuale të vetë prindërve të tyre. Për shkak të divorceve, miliona të tjerë privohen nga ndikimi i dashur i të dy prindërve dhe dhembja e divorcit prindëror shpesh i ndjek për gjithë jetën.
Të rinjtë janë të bombarduar prej ndikimesh të fuqishme. Një i ri i mesëm amerikan në moshën 14 vjeçare, është tashmë dëshmitar në 18.000 vrasje dhe forma të tjera të panumërta dhune, marrëdhënie të paligjshme seksuale, sadizëm e kriminalitet vetëm duke parë televizorin. Edhe muzika ushtron një ndikim të fuqishëm mbi të rinjtë dhe përmbajtja e saj është në pjesën më të madhe tmerrësisht sugjestionuese, e papërballueshme seksualisht dhe madje satanike. Në shkollë të rinjtë u ekspozohen teorive të tilla si evolucioni që synojnë të minojnë besimin te Perëndia dhe Bibla. Nën yshtjen e shokëve, shumëkush lëshohet në marrëdhënie paramartesore, alkool apo drogë.
Rrënjët e krizës familjare
Sulmi ndaj familjes, pra, është i dukshëm dhe mund të jetë shkatërrimtar. Çfarë mund ta ndihmojë mbijetesën e familjeve? Këshilltari familjar John Bradshaw sugjeron: «Prej 150 vjetësh rregullat tona mbi rritjen e fëmijëve nuk janë përditësuar seriozisht. . . . Unë besoj se rregullat e vjetra nuk funksionojnë më.» Megjithatë, zgjidhja nuk qëndron në rregulla të reja të nxjerra prej njeriut. Perëndia Jehova është Nismëtari i familjes. Ai e di më mirë se kushdo tjetër, sesa rëndësi ka familja për lumturinë tonë familjare dhe se çfarë duhet për ta bërë familjen të lumtur e të fortë. A duhet, pra, të befasohemi nëse Fjala e tij, Bibla, përmban zgjidhjen e problemit të krizës familjare?
Ky libër i lashtë shpjegon se çfarë shkoi shtrembër në jetën familjare. Çifti i parë njerëzor, Adami dhe Eva, u vendos në një kopsht të mrekullueshëm dhe iu besua detyra e kënaqshme për ta shndërruar tokën në një parajsë globale. Perëndia dekretoi që Adami të ishte kreu i familjes. Eva duhej të bashkëpunonte me të shoqin si «ndihmë» apo «plotësim» i tij. Por Eva u rebelua ndaj këtij rregulli. Uzurpoi pushtetin e të shoqit dhe nuk iu bind të vetmit ndalim që Perëndia u kish dhënë atyre. Atëherë, Adami hoqi dorë prej autoritetit të vet dhe u bashkua në rebelimin e së shoqes.—Zanafilla 1:26–3:6.
Pasojat negative të këtij devijimi prej rregullit të Perëndisë u shfaqën menjëherë. Tashmë të papastër dhe fajtorë, Adami dhe Eva reaguan me turp dhe të zënë në faj. Adami, që më parë e kish përshkruar të shoqen me shprehje të ngrohta poetike, tani iu drejtua asaj me ftohtësi si «gruas që ti më dhe». Ky koment negativ qe vetëm fillimi i mjerimit bashkëshortor. Përpjekjet e kota të Adamit për të rifituar autoritetin e humbur e çuan që të «sundonte» mbi të. Eva, nga ana e saj, do të kishte «dëshërim» ndaj të shoqit, me shumë të ngjarë në mënyrë të tepërt dhe jo të ekuilibruar.—Zanafilla 2:23; 3:7-16.
Dhe s’është për t’u habitur se grindjet martesore mes Adamit dhe Evës, patën një ndikim negativ mbi pasardhësit e tyre. I parëlinduri i tyre, Kaini, u bë një vrasës gjakftohtë. (Zanafilla 4:8) Lameku, pasardhës i Kainit, e thelloi rënien e jetës familjare, duke u bërë poligamisti i parë që njihet. (Zanafilla 4:19) Kështu, Adami dhe Eva nuk u lanë brezave vetëm një trashëgimi mëkati dhe vdekjeje, por edhe një shembull të keq të jetës familjare që karakterizoi jetën familjare qysh prej asaj kohe. Në këto ditë të fundit, mosmarrëveshjet familjare kanë arritur një kulm pa precedent.
Familje që lulëzojnë
Megjithatë, jo të gjitha familjet bien para peshës së presioneve të sotme. Për shembull, një njeri jeton me gruan dhe dy vajzat e tij të vogla në një qendër të vogël në Sh.B.A. Ndonëse shumë fqinj të tyre e ndjejnë problemin e hendekut të brezave mes prindërve dhe fëmijëve, ata nuk e kanë dhe as që duhet të shqetësohen se mos vajzat e tyre mund të provojnë drogën apo të kenë marrëdhënie paramartesore. Çdo të hënë në mbrëmje, ndërsa të rinj të tjerë ngjiten pas televizorit, e gjithë familja e tyre gjendet e ulur rreth tavolinës në dhomën e ngrënies, për të diskutuar rreth Biblës. «Mbrëmja e së hënës është darka jonë speciale për të qenë së bashku e për të folur», shpjegon burri. «Vajzat tona ndihen të lira për të na shfaqur problemet e tyre.»
Gjendet edhe një grua e ve në New York, e cila gëzon një unitet të pazakonshëm familjar me dy vajzat e saja. Sekreti? «Nuk e ndezim televizorin, veçse gjatë fund javës», shpjegon ajo. «Çdo ditë diskutojmë mbi një tekst biblik. Gjithashtu, rezervojmë një mbrëmje për të diskutuar familjarisht mbi Biblën.»
Të dyja këto familje janë Dëshmitarë të Jehovait. Ndjekin këshillat e Biblës për jetën familjare dhe me mjaft rezultat. Por këto nuk janë përjashtime. Ka me qindra mijëra familje si këto që po korrin rezultate të mira, duke ndjekur rregullat që përmbahen në Bibël për jetën familjare.b Cilat janë këto rregulla? Si mund të përfitosh ti dhe familja jote? Për t’iu përgjigjur pyetjes, të ftojmë të shqyrtosh artikujt që fillojnë në faqen vijuese.
[Shënimet]
a Për prova të mëtejshme se ditët e fundit kanë filluar në 1914-n, shiko kapitullin 18 të librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Nëpërmjet një studimi biblik falas në shtëpi, Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë ndihmë personale për të aplikuar parimet biblike në familje. Me ta mund të lidhesh, duke u shkruar botuesve të kësaj reviste.
[Figura në faqen 4]
Në vendet në zhvillim kushtet e pasigurta ekonomike janë burim për probleme të rënda për familjet
[Burimi]
U.S. Navy photo
[Figura në faqen 7]
Duke zbatuar parimet biblike, shumë familje mund t’u rezistojnë presioneve të sotme