Pyetje nga lexuesit
Perëndia e paralajmëroi Kainin se «mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje», gjë që duket sikur bëhet fjalë për një bishë të egër dhe prenë e saj. (Zanafilla 4:7) Pse do të jetë përdorur kjo gjuhë nëse përpara Përmbytjes kafshët hanin vetëm bimësi?
Në librat e shkruar nga Moisiu, gjejmë një numër vargjesh që pasqyrojnë fakte apo ngjarje historike që mund të duken të çuditshme për periudhën e tyre historike.
Për shembull, shpjegimi i Zanafillës 2:10-14 jep hollësira gjeografike rreth kopshtit të Edenit. Moisiu shkroi se një lumë ishte «ai që rrjedh në lindje të Asirisë». Por toka e Asirisë e mori emrin nga Ashuri, biri i Semit që lindi pas Përmbytjes. (Zanafilla 10:8-11, 22; Ezekieli 27:23; Mikea 5:6) Në mënyrë të dukshme, në shpjegimin e tij të kujdesshëm dhe të frymëzuar, Moisiu në mëyrë të thjeshtë përdori termin «Asiria», për t’iu referuar një rajoni që njihej nga lexuesit e tij.
Shqyrto një shembull tjetër nga kapitujt e mëparshëm të Zanafillës. Pasi Adami dhe Eva mëkatuan dhe u dëbuan nga kopshti, Jehovai nuk i lejoi që të ktheheshin më. Si? Zanafilla 3:24 thotë: «Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës.» Vër re, «një shpatë flakëruese». A e shpiku Perëndia shpatën?
Ne nuk duhet të nxjerrim përfundimin se Krijuesi ynë i dashur ishte i pari që bëri atë që ne e quajmë shpatë. Duke u kthyer nga engjëjt, Adami dhe Eva panë diçka që po flakëronte. Çfarë ishte saktësisht ajo? Në kohën kur Moisiu shkroi librin e Zanafillës, shpatat ishin të njohura mirë dhe përdoreshin në luftë. (Zanafilla 31:26; 34:26; 48:22; Të Dalët 5:21; 17:13) Prandaj, fjalët «një shpatë flakëruese», u lejuan lexuesve të përfytyronin në një shkallë të lartë se çfarë ekzistonte në hyrje të Edenit. Informacionet e njohura në ditët e Moisiut, kontribuan në kuptimin e çështjeve të tilla. Edhe gjuha e përdorur nga Moisiu duhet të ketë qenë e saktë, pasi Jehovai e përfshiu atë në Bibël.—2. Timoteut 3:16.
Ç’mund të themi tani rreth Zanafillës 4:7? Atje Perëndia e paralajmëroi Kainin: «Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh.» Sikurse është shënuar, gjuha duket se na jep idenë e një kafshe të egër, të uritur, të mbledhur gati për t’u vërsulur dhe për të gëlltitur prenë.
Megjithatë, dëshmitë në Bibël tregojnë se Adami dhe Eva kanë qenë në paqe me të gjitha kafshët. Disa nga krijesat mund të kenë qenë plotësisht të qeta përreth njerëzve, bile duke pasur dobi nga kjo afërsi. Të tjerat ishin bisha të egra, kafshë që natyrisht synonin të banonin larg njerëzve. (Zanafilla 1:25, 30; 2:19) Megjithatë, Bibla nuk thotë se ndonjë nga kafshët gjuante kafshë të tjera apo njerëz. Fillimisht, Perëndia caktoi veçanërisht bimësinë si ushqim për njerëzit dhe për kafshët. (Zanafilla 1:29, 30; 7:14-16) Kjo nuk ndryshoi deri pas Përmbytjes, siç tregon Zanafilla 9:2-5.
Cili ishte, pra, paralajmërimi i Perëndisë për Kainin, sikurse lexojmë në Zanafillën 4:7? Sigurisht, ideja e një kafshe të egër të mbledhur dhe gati për t’u hedhur mbi prenë, do të jetë kuptuar lehtësisht në ditët e Moisiut, siç kuptohet edhe nga ne sot. Kështu, Moisiu përsëri mund të ketë përdorur një gjuhë të përshtatshme për lexuesit që e njihnin botën e pas Përmbytjes. Prandaj Kaini, edhe pse nuk kishte parë kurrë një krijesë të tillë, do të kishte mundur ta kapte thelbin e një paralajmërimi që krahasonte dëshirën e tij mëkatare me një kafshë të uritur grabitqare.
Aspektet themelore që duhet të ndikojnë më shumë mbi ne janë këto: dashamirësia e Perëndisë në paralajmërimin e Kainit, vlera e pranimit të këshillës me përulësi, sa lehtësisht mund ta korruptojë xhelozia njeriun dhe sa seriozisht duhet t’i marrim paralajmërimet e tjera hyjnore që Perëndia i jep në Shkrime për ne.—Të Dalët 18:20; Eklisiastiu 12:12; Ezekieli 3:17-21; 1. Korintasve 10:11; Hebrenjve 12:11; Jakovit 1:14, 15; Judës 7, 11.