Jehovai siguron ngushëllim në të gjitha sprovat tona
«Perëndia i çdo ngushëllimi . . . na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona.»—2 KOR. 1:3, 4.
1, 2. Si na ngushëllon Jehovai në sprova, dhe çfarë sigurie na jep Fjala e tij?
NJË vëlla i ri beqar, që po e quajmë Eduardo, iu hap për shqetësimet e tij Stivenit, një plaku kongregacioni të martuar e më të madh në moshë. Eduardo kishte vrarë mendjen për atë që thuhet te 1 Korintasve 7:28: ‘Ata që martohen do të kenë shtrëngim në mish.’ Ai pyeti: «Çfarë është ky ‘shtrëngim’, dhe si ta përballoj nëse martohem?» Para se t’i përgjigjej pyetjes, Stiveni i kërkoi Eduardos të mendonte për diçka tjetër që shkroi apostulli Pavël, pra për fjalët që Jehovai është «Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona».—2 Kor. 1:3, 4.
2 Jehovai është vërtet një Atë i dashur dhe na ngushëllon, ose na jep zemër, kur hasim vështirësi. Ti vetë mund ta kesh përjetuar në disa raste mbështetjen dhe drejtimin që të ka dhënë Perëndia, shpesh nëpërmjet Fjalës së tij. Mund të jemi të sigurt se ai do më të mirën për ne sot, ashtu si për shërbëtorët e tij në të kaluarën.—Lexo Jereminë 29:11, 12.
3. Cilat pyetje do të marrin përgjigje?
3 Natyrisht, kur i dallojmë shkaqet e shtrëngimeve ose problemeve tona, jemi më të aftë t’u bëjmë ballë. E kjo është e vërtetë edhe për shtrëngimin që lidhet me martesën a me jetën familjare. Atëherë, cilat janë disa realitete të jetës që mund të sjellin ‘shtrëngimin në mish’ që përmendi Pavli? Cilët shembuj nga kohët biblike dhe nga koha jonë mund të na ndihmojnë të gjejmë ngushëllimin që na nevojitet? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na ndihmojnë t’u bëjmë ballë sprovave.
SPROVAT—«SHTRËNGIM NË MISH»
4, 5. Cilat janë disa shkaqe të ‘shtrëngimit në mish’?
4 Ja çfarë tha Perëndia aty nga fillimi i historisë njerëzore: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.» (Zan. 2:24) Këto fjalë Jehovai i tha kur lidhi martesën e parë mes njerëzve. Mirëpo, në kushte të papërsosura, martesa dhe krijimi i një familjeje të re mund t’i tensionojnë marrëdhëniet familjare. (Rom. 3:23) Në përgjithësi, autoritetit të prindërve tani ia zë vendin autoriteti i burrit. Perëndia e autorizon burrin të veprojë si kreu i gruas. (1 Kor. 11:3) Disa të sapomartuarve nuk u duket e lehtë kjo. Sipas Fjalës së Perëndisë, gruaja duhet të pranojë se tani është nën drejtimin e të shoqit, jo të prindërve. Marrëdhëniet me familjarët e njëri-tjetrit mund të tendosen, e kjo mund t’u shkaktojë shtrëngim të sapomartuarve.
5 E pasi gruaja i thotë të shoqit fjalët «do të bëhemi me fëmijë», shpesh shfaqen probleme të reja që shkaktojnë ankth. Zakonisht, gëzimi i çiftit për fëmijën që presin përzihet me njëfarë meraku për problemet shëndetësore që mund të lindin gjatë shtatzënisë a më vonë. Pastaj duhet menduar edhe për koston ekonomike, qoftë të momentit, qoftë afatgjatë. Kur vjen në jetë fëmija, lind nevoja për përshtatje të tjera. Koha dhe vëmendja e nënës së re mund të përqendrohen te përkujdesjet për të voglin. Shpesh ndodh që burri të ndihet i lënë mënjanë, ngaqë gruaja është e zënë me detyrat që ka ndaj fëmijës. Nga ana tjetër, babait të ri i duhet të mbajë mbi supe përgjegjësi të reja. Tani ai ka më tepër detyra, pasi duhet të kujdeset e të sigurojë gjërat e nevojshme edhe për një pjesëtar të ri që i është shtuar familjes.
6-8. Pse mund të shkaktojë vuajtje dëshira e paplotësuar për të pasur fëmijë?
6 Disa çifte të martuara përballen me një lloj tjetër shtrëngimi. Ata duan me gjithë shpirt të kenë fëmijë, por s’munden. Kur nuk mbetet dot shtatzënë, gruaja mund të vuajë shumë nga ana emocionale. Vërtet, as martesa, as lindja e fëmijëve nuk garanton një jetë pa shqetësime, ama një dëshirë e paplotësuar për të pasur fëmijë është një lloj ‘shtrëngimi në mish’. (Prov. 13:12) Në kohët biblike, shterpësia shpesh shihej si diçka e turpshme. Rakela, gruaja e Jakobit, shprehu dëshpërim kur pa se e motra lindte fëmijë. (Zan. 30:1, 2) Misionarët që shërbejnë në vende ku është e zakonshme të kesh një familje të madhe shpesh i pyesin pse s’kanë fëmijë. Edhe pasi japin një shpjegim logjik e me takt, reagimi mund të jetë: «Gjynah! Po shiko, di një ilaç që mund t’ju ndihmojë.»
7 Ose të mendojmë pak për rastin e një motre në Angli që donte shumë të kishte një fëmijë, por që nuk po i plotësohej kjo shpresë. Pastaj hyri në periudhën e menopauzës dhe ndihej përtokë, pasi e kuptoi se në këtë sistem nuk do t’i plotësohej dot dëshira. Ajo dhe i shoqi vendosën të adoptonin një fëmijë. Sidoqoftë, ajo tha: «Prapëseprapë, kalova njëfarë procesi hidhërimi sikur isha në zi. E dija se adoptimi s’do të ishte tamam si të lindja fëmijën tim.»
8 Vërtet, Bibla thotë se gruaja e krishterë «ruhet nëpërmjet lindjes së fëmijëve». (1 Tim. 2:15) Ama, kjo s’do të thotë se po të lindë ose të ketë fëmijë, fiton si rezultat jetën e përhershme. Këtu flitet për faktin që kur një grua ka fëmijë për të cilët duhet të kujdeset, përveç punëve të shtëpisë, kjo mund ta ruajë që të mos i bëhet zakon të merret me thashetheme ose të futë hundët në punët e të tjerëve. (1 Tim. 5:13) Por, prapëseprapë, ajo mund të hasë shtrëngime që lidhen me martesën dhe jetën familjare.
9. Pse vdekja e shokut a shoqes së jetës është një sprovë veçanërisht e vështirë?
9 Kur përmenden shtrëngimet që lidhen me martesën, ka një shtrëngim që ndoshta s’të vjen menjëherë ndër mend: vdekja e një njeriu të dashur. Po, një sprovë veçanërisht e vështirë që hasin shumë veta është kur burri ose gruaja e dashur bie në gjumin e vdekjes. Kjo është një sprovë që bashkëshorti që mbetet gjallë mund të mos ketë pritur ta hasë në këtë sistem. Të krishterët kanë besim të patundur te premtimi i Jezuit se do të ndodhë një ringjallje. (Gjoni 5:28, 29) Si ndikon kjo shpresë te bashkëshorti që është gjallë? Bëhet një burim i madh ngushëllimi. Ja, kjo është një mënyrë tjetër se si Ati ynë i dashur i mbështet dhe i ngushëllon nëpërmjet Fjalës së tij ata që heqin sprova. Le të shohim tani se si e kanë ndier disa shërbëtorë të Jehovait ngushëllimin që jep Ai dhe si i ka ndihmuar kjo.
NGUSHËLLIM KUR HASIM SPROVA
10. Si gjeti lehtësim nga dhimbja Hana? (Shih figurën hapëse.)
10 Hana, gruaja e dashur e Elkanahut, hasi një sprovë të veçantë. Ajo vazhdonte të ishte shterpë ndërkohë që gruaja tjetër e Elkanahut, Penina, lindte fëmijë. (Lexo 1 Samuelit 1:4-7.) Hana duronte «vit për vit» talljet e Peninës. Sa shumë e torturonte e i dhimbte kjo! Hana kërkoi lehtësim duke iu hapur Jehovait në lutje për atë problem. Në të vërtetë, ‘ajo iu lut Jehovait për shumë kohë’. A priste që Jehovai t’ia plotësonte kërkesën? Ka shumë të ngjarë të ketë shpresuar për këtë. Sido të ketë qenë, «fytyra e saj nuk dukej më e merakosur». (1 Sam. 1:12, 17, 18) Ajo kishte besim se Jehovai ose do t’i jepte fund shterpësisë së saj, ose do ta plotësonte atë mungesë në ndonjë mënyrë tjetër.
11. Si mund të na sjellin ngushëllim lutjet?
11 Sprovat dhe shtrëngimet do të vazhdojnë për sa kohë të jemi të papërsosur dhe të jetojmë në këtë sistem nën kontrollin e Satanait. (1 Gjon. 5:19) Por, çfarë lehtësimi ndiejmë që Jehovai është «Perëndia i çdo ngushëllimi»! Një mënyrë si të marrim ndihmë për t’u bërë ballë shtrëngimeve ose sprovave tona është nëpërmjet lutjeve. Hana ia zbrazi zemrën Jehovait. Edhe ne, kur kalojmë ndonjë sprovë, nuk duhet të mjaftohemi thjesht duke ia përmendur Jehovait si ndihemi. Duhet t’i përgjërohemi, po, t’i derdhim ndjenjat tona duke u lutur me zjarr nga zemra.—Filip. 4:6, 7.
12. Ç’gjë e ndihmoi vejushën Ana të gjente gëzim?
12 Edhe nëse ndiejmë një boshllëk të madh—qoftë ngaqë është e pamundur të kemi fëmijë, qoftë nga vdekja e një njeriu të dashur—prapë mund të gjejmë ngushëllim. Në kohën e Jezuit, profeteshës Ana i vdiq i shoqi vetëm shtatë vjet pas martesës. Bibla nuk thotë gjë se ajo kishte fëmijë. Por, çfarë vazhdonte të bënte Ana edhe në moshën 84-vjeçare? Luka 2:37 thotë: «Ajo nuk mungonte kurrë në tempull dhe bënte shërbim të shenjtë natë e ditë me agjërime dhe përgjërime.» Po, Ana gjente edhe ngushëllim, edhe gëzim në adhurimin e Jehovait.
13. Jepni një shembull se si mund të na ngushëllojnë miqtë e vërtetë, edhe kur të afërmit nuk e bëjnë këtë.
13 Kur shoqërohemi nga afër me vëllezërit e motrat, gjejmë miq të vërtetë dhe shokë të ngushtë. (Prov. 18:24) Paula sjell ndër mend trishtimin e thellë që ndjeu në moshën 5-vjeçare kur e ëma braktisi të vërtetën. Nuk e pati të lehtë ta përballonte atë sprovë. Por sa u inkurajua kur Ana, një pioniere në kongregacion, u interesua me gjithë zemër që ajo të kishte një miqësi të fortë me Jehovain. Paula shpjegon: «Edhe pse Ana nuk ishte e afërmja ime, meraku i dashur që tregonte ishte ndihmë e madhe për mua. Kjo më ndihmoi që të vazhdoja t’i shërbeja Jehovait.» Paula shërben me besnikëri sot e kësaj dite. Ajo është shumë e lumtur edhe që po shërben sërish krah për krah me mamanë e saj në kongregacion. Edhe Ana është e lumtur, pasi ka qenë si një nënë frymore për Paulën.
14. Çfarë bekimesh mund të shijojnë ata që ngushëllojnë të tjerët?
14 Është interesante që kur merakosemi me dashuri për të tjerët, mund të çlirohemi ne vetë nga disa ndjenja negative. Motrat, të martuara ose jo, e dinë fare mirë çfarë gëzimi të madh ndien kur predikon lajmin e mirë si bashkëpunëtor i Perëndisë. Synimi i tyre është të nderojnë Perëndinë duke bërë vullnetin e tij. Disa madje e shohin pjesëmarrjen në shërbim si një kurë. S’diskutohet se kur interesohemi për të tjerët, qoftë në territor qoftë brenda kongregacionit, të gjithë ne ndihmojmë të krijohen lidhje të ngushta në kongregacion. (Filip. 2:4) Apostulli Pavël na la një shembull të shkëlqyer. Ai përkujdesej për vëllezërit e motrat në kongregacionin e Selanikut si një ‘nënë që mënd’, dhe i ngushëllonte e i nxiste ‘siç bën një atë’.—Lexo 1 Selanikasve 2:7, 11, 12.
NGUSHËLLIM NË FAMILJE
15. Kujt u takon përgjegjësia kryesore për t’u mësuar fëmijëve të vërtetën?
15 Një aspekt që ia vlen t’i kushtojmë vëmendje është ngushëllimi dhe ndihma që u japim familjeve. Nganjëherë lajmëtarët e rinj u kërkojnë lajmëtarëve të pjekur t’i ndihmojnë që t’u mësojnë fëmijëve të tyre të vërtetën, a madje edhe të drejtojnë një studim biblik me fëmijët. Sipas Shkrimeve, përgjegjësia kryesore për t’i mësuar dhe stërvitur fëmijët u takon prindërve. (Prov. 23:22; Efes. 6:1-4) Në disa raste, ndihma e të tjerëve është e nevojshme dhe çmohet shumë. Gjithsesi, kjo nuk i shkarkon prindërit nga përgjegjësia. Është jetësore që prindërit të komunikojnë rregullisht në familje.
16. Ndërsa u jepet ndihmë fëmijëve, çfarë duhet mbajtur në mend?
16 Nëse prindi vendos të studiojë dikush tjetër me fëmijët, ai që jep këtë ndihmë nuk duhet të përpiqet të marrë përsipër rolin e prindërve. Ka ndodhur që një Dëshmitari i është kërkuar të studiojë me fëmijë, prindërit e të cilëve s’kishin interes për të vërtetën. Ai Dëshmitar, ama, duhet të mbajë ndër mend që, edhe pse po i ndihmon fëmijët të forcojnë besimin, nuk ka rolin e prindit. E nëse drejtojmë një studim të tillë, do të ishte e mençur ta bënim këtë ose në shtëpinë e fëmijëve kur janë rrotull prindërit a ndonjë Dëshmitar tjetër i pjekur, ose në një vend publik të përshtatshëm. Kështu askush nuk do të ketë ndonjë bazë që ta keqinterpretojë atë që ndodh gjatë studimit. Dhe, me kohë, shpresojmë që prindërit do të përmbushin përgjegjësinë që u ka ngarkuar Perëndia—të kujdesen për besimin e fëmijëve të tyre.
17. Si mund të bëhen burim ngushëllimi fëmijët?
17 Fëmijët që mësojnë të duan Perëndinë e vërtetë dhe të ndjekin këshillat e tij mund të bëhen burim ngushëllimi ose inkurajimi në familje. Këtë mund ta bëjnë duke treguar respekt për prindërit dhe duke i ndihmuar nga ana praktike a materiale. Gjithashtu mund të japin një ndihmë të çmuar duke e inkurajuar familjen me besnikërinë e tyre ndaj Perëndisë. Para Përmbytjes, Lameku, një pasardhës i Setit, adhuronte Jehovain. Ai kryefamiljar tha për të birin, Noenë: «Ky do të na sjellë ngushëllim për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, ngaqë toka është e mallkuar nga Jehovai.» Ajo profeci u plotësua kur u hoq mallkimi që i kishte bërë Perëndia tokës. (Zan. 5:29; 8:21) Çdo fëmijë që ndjek adhurimin e vërtetë mund të bëhet burim ngushëllimi në familje, duke i ndihmuar të gjithë t’u bëjnë ballë sprovave sot dhe t’i mbijetojnë diçkaje më të madhe se Përmbytja në të ardhmen.
18. Ç’mund të na ndihmojë të qëndrojmë me kurajë në çfarëdo shtrëngimi a sprove të hasim?
18 Lutjet, meditimi për shembujt që përmban Bibla dhe shoqërimi i ngushtë me shërbëtorë të Jehovait po ndihmojnë sot miliona veta të gjejnë ngushëllim në të gjitha sprovat që kalojnë. (Lexo Psalmin 145:18, 19.) Siguria se Jehovai është Burimi i ngushëllimit të pashtershëm, pa dyshim që do të na ndihmojë të qëndrojmë me kurajë në çfarëdo sprove të hasim—tani dhe në të ardhmen.