Besimi i Noesë dënon botën
A KENI dëgjuar për Noenë, një njeri me frikë Perëndie, i cili ndërtoi një arkë që i shpëtoi jetën gjatë një përmbytjeje globale? Miliona njerëz e njohin këtë histori, megjithëse është e lashtë. Por, ajo që nuk kuptojnë shumë veta është se jeta e Noesë është domethënëse për të gjithë ne.
Përse duhet të jemi të interesuar për një tregim që është mijëra vjet i lashtë? A ka ngjashmëri ndërmjet gjendjes së Noesë dhe tonës? Nëse po, si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i tij?
Bota e ditëve të Noesë
Sipas kronologjisë biblike, Noeja ka lindur në vitin 2970 p.e.s., pra, 126 vjet pas vdekjes së Adamit. Në ditët e Noesë, toka ishte e mbushur me dhunë dhe shumica e pasardhësve të Adamit zgjodhën të ndiqnin shembullin rebel të paraardhësit të tyre. Kështu, «Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë».—Zanafilla 6:5, 11, 12.
Rebelimi i njerëzve nuk ishte e vetmja arsye për të cilën Jehovai ishte i pakënaqur. Tregimi i Zanafillës shpjegon: «Djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura dhe morën për gra të gjitha ato që i zgjodhën vetë. . . . Kishte gjigantë mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë që jetuan në kohët e lashtësisë, janë njerëzit e famshëm të këtyre kohëve.» (Zanafilla 6:2-4) Krahasimi i këtyre vargjeve me një pohim të bërë nga apostulli Pjetër tregon se «bijtë e Perëndisë» ishin engjëj të pabindur. Gjigantët ose nefilimët ishin pasardhësit hibridë të lidhjeve të paligjshme ndërmjet grave dhe engjëjve të materializuar renegatë.—1 Pjetrit 3:19, 20.
«Nefilimë», që do të thotë «Rrëzues», tregon individë që i bënin të tjerët të rrëzoheshin. Ishin tiranë të dhunshëm dhe mëkati i baballarëve të tyre epshdashës krahasohet me gjërat e neveritshme të Sodomës e të Gomorrës. (Judës 6, 7) Së bashku, ata nxitën një ligësi të patolerueshme në tokë.
«I patëmetë midis bashkëkohësve të tij»
Ligësia ishte kaq mbizotëruese, saqë Perëndia ishte i vendosur ta shkatërronte njerëzimin. Por tregimi i frymëzuar thotë: «Noeu gjeti hir në sytë e Zotit. . . . Noeu ishte një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij, Noeu eci me Perëndinë.» (Zanafilla 6:8, 9) Si ishte e mundur të ‘ecje me Perëndinë’ në një botë të paperëndishme, që meritonte vetëm shkatërrimin?
Pa dyshim, Noeja mësoi shumë nga i ati, Lameku, i cili ishte një njeri me besim dhe një bashkëkohës i Adamit. Kur i dha të birit emrin Noe (që mendohet se ka kuptimin «Pushim» ose «Ngushëllim»), Lameku profetizoi: «Ky do të na ngushëllojë për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, për shkak të tokës që Zoti e ka mallkuar.» Kjo profeci u përmbush kur Perëndia e hoqi mallkimin që i kishte bërë tokës.—Zanafilla 5:29; 8:21.
Të kesh prindër të perëndishëm nuk të siguron se do të kesh një gjendje të mirë frymore, sepse çdo individ duhet të vendosë marrëdhënien e vet me Jehovain. Noeja «eci me Perëndinë» duke ndjekur një drejtim që kishte miratimin hyjnor. Ajo që mësoi për Perëndinë e shtyu Noenë t’i shërbente Atij. Noesë nuk iu lëkund besimi kur mori vesh për qëllimin e Perëndisë që ‘t’i jepte fund çdo mishi me përmbytjen’.—Zanafilla 6:13, 17.
I sigurt se kjo katastrofë e paparë ndonjëherë do të ndodhte, Noeja iu bind urdhrit të Jehovait: «Bëj një arkë prej druri; bëje arkën me dhoma dhe lyeje me bitum nga jashtë e nga brenda.» (Zanafilla 6:14) Plotësimi i hollësive që kishte thënë Perëndia për arkën nuk ishte një punë e vogël. Gjithsesi, ‘Noeu bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar’. Në të vërtetë, ‘veproi ashtu’. (Zanafilla 6:22) Këtë Noeja e bëri me ndihmën e gruas së tij e të djemve, Semit, Kamit, Jafetit, si edhe të grave të tyre. Jehovai e bekoi këtë besim. Sa shembuj të shkëlqyer për familjet sot!
Çfarë do të përfshinte ndërtimi i arkës? Jehovai e drejtoi Noenë të ndërtonte një arkë të stërmadhe që nuk fuste ujë brenda, trikatëshe, prej druri, me përmasa rreth 133 metra të gjatë me 22 metra të gjerë dhe 13 metra të lartë. (Zanafilla 6:15, 16) Kjo arkë do të kishte kapacitet të ngjashëm me atë të disa anijeve transportuese të sotme.
Çfarë sipërmarrjeje kolosale! Ka shumë të ngjarë që kjo të nënkuptonte prerjen e mijëra pemëve, transportimin e tyre deri në kantierin e ndërtimit dhe prerjen në dërrasa ose në trarë. Do të thoshte të ndërtonin skela, të bënin gozhdë ose bullona, të blinin bitum për ta lyer arkën që të mos e përshkonte uji, të blinin enë mbajtëse dhe vegla pune, e kështu me radhë. Puna mund të ketë kërkuar të bëheshin marrëveshje me tregtarë dhe të paguheshin të mirat materiale dhe shërbimet e kryera. Me sa duket, kërkohej aftësi në zdrukthtari që t’i puthitje me saktësi dërrasat dhe të ndërtoje një strukturë të fortë e të përshtatshme. Por vetëm mendoni që, ndoshta, ndërtimi zgjati rreth 50 ose 60 vjet!
Më tej, vëmendja e Noesë duhej përqendruar në përgatitjen e ushqimit për vete dhe për kafshët. (Zanafilla 6:21) Do t’i duhej të mblidhte dhe të kontrollonte një numër të madh kafshësh në arkë. Noeja e kreu të gjithë atë që i kishte urdhëruar Perëndia dhe puna u përfundua. (Zanafilla 6:22) Bekimi i Jehovait siguroi suksesin e plotë të kësaj pune.
«Predikues i drejtësisë»
Përveç ndërtimit të arkës, Noeja dha paralajmërime dhe i shërbeu Perëndisë me besnikëri si «predikues i drejtësisë». Por njerëzit «nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë».—2 Pjetrit 2:5; Mateu 24:38, 39.
Duke pasur parasysh gjendjen e degjeneruar frymore e morale të atyre ditëve, është e lehtë të kuptojmë se si familja e Noesë mund të ishte bërë objekt talljeje nga fqinjët jobesimtarë dhe objekt keqtrajtimesh e përqeshjesh. Njerëzit duhet t’i kenë quajtur të çmendur. Megjithatë, Noeja ia doli mbanë me sukses t’i jepte familjes së tij inkurajim dhe mbështetje frymore, sepse kurrë nuk përvetësuan mënyrat e dhunshme, imorale dhe rebele të jetesës së bashkëkohësve të tyre të paperëndishëm. Me fjalët dhe veprimet e tij, të cilat bënë të qartë besimin që kishte, Noeja e dënoi botën e asaj kohe.—Hebrenjve 11:7.
Mbijetuan gjatë përmbytjes
Pak kohë para se të fillonte përmbytja, Perëndia i tha Noesë të hynte në arkën e përfunduar. Kur familja e Noesë dhe kafshët ishin brenda, «Zoti i mbylli brenda», duke lënë jashtë fjalët tallëse. Kur erdhi përmbytja, engjëjt e pabindur me sa duket u çmaterializuan dhe shpëtuan nga shkatërrimi. Por, ç’të themi për të tjerët? E pra, çdo krijesë e gjallë që ndodhej jashtë arkës, në tokën e thatë, duke përfshirë nefilimët, u zhduk. Vetëm Noeja dhe familja e tij mbijetuan.—Zanafilla 7:1-23.
Noeja dhe familja e tij kaluan në arkë një vit hënor dhe dhjetë ditë. Ata ishin të zënë duke u dhënë për të ngrënë e për të pirë kafshëve, duke hequr plehrat dhe duke mbajtur shënim kohën. Zanafilla i daton me saktësi të gjitha fazat e përmbytjes, si ditari i një anijeje, duke pasqyruar vërtetësinë e tregimit.—Zanafilla 7:11, 17, 24; 8:3-14.
Pa dyshim që, kur ishin në arkë, Noeja e përfshinte familjen në biseda frymore dhe në dhënie falënderimesh ndaj Perëndisë. Me sa duket, me anë të Noesë dhe të familjes së tij u ruajt historia e periudhës para përmbytjes. Traditat e besueshme gojore ose dokumentet e shkruara historike që ata zotëronin, do të siguronin një material të mirë për ta shqyrtuar në mënyrë të dobishme gjatë përmbytjes.
Sa të kënaqur duhet të kenë qenë Noeja dhe familja e tij të shkelnin përsëri në tokë të thatë! Si gjë të parë, ndërtoi një altar dhe kreu funksionin e priftit për familjen e tij, duke i ofruar flijime Atij që i kishte shpëtuar.—Zanafilla 8:18-20.
«Ashtu siç ishin ditët e Noesë»
Jezu Krishti tha: «Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut.» (Mateu 24:37) Sot, të krishterët janë në mënyrë të ngjashme predikues të drejtësisë, duke u bërë thirrje njerëzve që të pendohen. (2 Pjetrit 3:5-9) Duke pasur parasysh këtë ngjashmëri, mund të pyesim veten çfarë mendonte Noeja para përmbytjes. A i dukej ndonjëherë sikur predikimi i tij ishte i kotë? A ishte ndonjëherë i lodhur? Bibla nuk e thotë. Na thuhet vetëm që Noeja iu bind Perëndisë.
A e dalloni si është e ngjashme gjendja e Noesë me tonën? Ai iu bind Jehovait me gjithë kundërshtimin dhe vështirësitë. Ja përse Jehovai e gjykoi si një person të drejtë. Familja e Noesë nuk e dinte saktësisht se kur do ta sillte Perëndia përmbytjen, por e dinte se do të vinte. Besimi në fjalën e Perëndisë e mbështeti Noenë gjatë viteve me punë të mundimshme dhe me atë që mund të jetë dukur predikim i pafrytshëm. Në të vërtetë, na thuhet: «Me anë të besimit, Noeja, pasi u paralajmërua hyjnisht për gjëra që ende nuk shiheshin, tregoi frikë Perëndie dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij; dhe nëpërmjet këtij besimi dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është sipas besimit.»—Hebrenjve 11:7.
Si e fitoi Noeja këtë besim? Me sa duket, ai la mënjanë kohë për të medituar rreth çdo gjëje që dinte për Jehovain dhe lejoi që kjo njohuri ta udhëhiqte. Pa dyshim, Noeja fliste me Perëndinë në lutje. Në të vërtetë, u njoh kaq nga afër me Jehovain, saqë «eci me Perëndinë». Si kryefamiljar, Noeja me kënaqësi i kushtoi kohë dhe vëmendje të dashur familjes së tij. Kjo përfshinte kujdesin për interesat frymore të gruas së tij, të tre djemve dhe të nuseve të tyre.
Ashtu si Noeja, sot të krishterët e vërtetë e dinë se Jehovai së shpejti do të sjellë fundin e këtij sistemi të paperëndishëm. Nuk e dimë atë ditë ose orë, por e kuptojmë se imitimi i besimit dhe i bindjes së këtij ‘predikuesi të drejtësisë’ do të sjellë si pasojë «ruajtjen gjallë të shpirtit».—Hebrenjve 10:36-39.
[Kutia në faqen 29]
A ka ndodhur me të vërtetë?
Antropologët kanë mbledhur rreth 270 gojëdhëna të përmbytjes nga pothuajse të gjitha fiset dhe kombet. «Historia e përmbytjes gjendet në gjithë botën,—thotë studiuesi Klaus Uesterman.—Ashtu si tregimi i krijimit, ajo është pjesë e trashëgimisë sonë bazë kulturore. Është vërtet mahnitëse: kudo në tokë gjejmë histori për një përmbytje të madhe të lashtë.» Shpjegimi? Komentuesi Enriko Galbiati thotë: «Prania e vazhdueshme e një historie të përmbytjes në popuj të ndryshëm e shumë të shpërndarë është shenjë e realitetit historik të faktit që qëndron në themel të këtyre traditave.» Gjithsesi, për të krishterët, më e rëndësishme se komentet e studiuesve është dijenia se vetë Jezui foli për Përmbytjen si një ngjarje reale në historinë e njerëzimit.—Luka 17:26, 27.
[Kutia në faqen 30]
Nefilimët në mitologji?
Përrallat për lidhje ndërmjet perëndive dhe njerëzve—si edhe «heronjtë» ose «gjysmëperënditë» që lindën nga këto lidhje—ishin të zakonshme në teologjinë greke, egjiptiane, ugaritike, hurriane dhe mesopotamiane. Perënditë e mitologjisë greke kishin formë njerëzore dhe ishin shumë të bukur. Ata hanin, pinin, flinin, kishin marrëdhënie seksuale, grindeshin, luftonin, joshnin dhe përdhunonin. Ndonëse mendohej se ishin të shenjtë, ata ishin të aftë të mashtronin dhe të bënin krime. Heronjtë si Akili thuhej se kishin prejardhje edhe hyjnore, edhe njerëzore, e u ishte dhënë aftësi mbinjerëzore, por jo pavdekësia. Prandaj, ajo që thotë Zanafilla për nefilimët hedh dritë se cila ka mundësi ose edhe të ngjarë të ketë qenë origjina e këtyre miteve.