Kapitulli 10
Frymërat e liga janë të fuqishme
1. Përse shumë njerëz besojnë se mund të flasin me të vdekurit?
SHPESH, njerëzit thonë se kanë biseduar me të vdekurit. I ndjeri James A. Pike, një peshkop i përmendur i kishës episkopale, ka pohuar se ka folur me birin e tij të vdekur, Xhimin. Sipas Pikes, djali i paska thënë: «Përreth meje kam masa njerëzish dhe duar që më ngrenë lart, si të thuash . . . Isha aq i palumtur ngaqë nuk mund ta bëja të ditur.»
2. (a) Përse askush nuk mund të flasë me të vdekurit? (b) Cilat pyetje dalin?
2 Pasi përvoja të tilla janë shumë të shpeshta, është e dukshme se shumë njerëz kanë folur me dikë nga bota frymore. Por, ata nuk kanë biseduar me të vdekurit. Bibla thotë qartësisht: «Të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Eklisiastiu 9:5) Pra, në qoftë se nuk janë të vdekurit që flasin nga bota frymore, kush flet atëherë? Kush janë ata që e mbajnë veten për njerëz të vdekur?
3. (a) Cilët hiqen si persona të vdekur dhe përse? (b) Kujt i japin informata të shpeshta frymërat e liga?
3 Janë frymërat e liga. Këto frymëra apo demonë janë engjëj, që u bashkuan me Satanain në kryengritjen kundër Perëndisë. Po përse hiqen si njerëz të vdekur? Që të përhapin idenë se të vdekurit jetojnë ende. Frymërat e liga kanë nxitur gjithashtu shumë njerëz të besojnë gënjeshtrën se vdekja është vetëm një kalim në një jetë tjetër. Për ta përhapur këtë gënjeshtër, frymërat e liga i pajisin mediumet frymore, fallxhinjtë dhe magjistarët, me njohuri të veçantë që duket sikur rrjedh nga njerëz që kanë vdekur.
DUKE U SHTIRUR SI SAMUELI I VDEKUR
4. (a) Përse mbreti Saul ka kërkuar ndihmë me dëshpërim? (b) Çfarë thoshte ligji i Perëndisë në lidhje me mediumet frymore dhe fallxhinjtë?
4 Bibla përmban shembullin e një fryme të ligë, që u shtir si një profet i vdekur i Perëndisë, Samueli. Kjo ndodhi në vitin e 40-të të mbretërimit të mbretit Saul. Një ushtri e fuqishme filisteje ishte ngritur kundër ushtrisë izraelite të Saulit që ishte shumë i frikësuar. Sauli e njihte ligjin e Perëndisë: «Mos iu drejtoni mediumeve frymore dhe mos u këshilloni me parashikuesit profesionistë të së ardhmes, në mënyrë që të mos ndyheni përmes tyre.» (Levitiku 19:31) Megjithatë, Sauli me kohë ishte larguar nga Jehovai. Prandaj Samueli, që atëherë ishte ende gjallë, nuk ka dashur ta shohë më Saulin. (1. Samuelit 15:35) Në këtë kohë trazirash, mbreti Saul ishte i dëshpëruar, sepse Jehovai nuk deshi ta dëgjojë thirrjen e tij për ndihmë.
5. (a) Kujt iu drejtua për ndihmë Sauli? (b) Çfarë qe në gjendje të bënte mediumi frymor?
5 Sauli, që mezi priste të mësonte se ç’do të ndodhte shkoi te një medium frymor në En-dor. Ajo qe në gjëndje të prodhonte formën e dikujt që ajo e shihte. Në bazë të përshkrimit të saj, Sauli e identifikoi atë formë si «Samuelin». Mandej, ky person frymor, që hiqej si Samueli, tha: «Përse më keni shqetësuar duke më ngritur lart?» Sauli u përgjigj: «Jam në vështirësi të mëdha, sepse filistenjtë po luftojnë kundër meje.» Personi frymor ia ktheu: «Përse më pyet mua, pra, kur vetë Jehovai është kthyer prej teje dhe tregon se të është bërë armik?» Personi i lig frymor, që u hoq si Samueli, i tha se do të vritej në luftë me filistenjtë.—1. Samuelit 28:3-19, St.
6. Përse ai që foli me Saulin nuk mund të ishte Samueli?
6 Është e dukshme, se ky medium frymor, nuk ka takuar me të vërtetë Samuelin. Ai kishte vdekur dhe kur vdes «njeriu kthehet në tokën e vet: në atë ditë humbin të gjitha mendimet e tij.» (Psalmi 146:4) Nëse mendojmë pak mbi ngjarjen kuptojmë akoma më mirë se zëri nuk ka qenë i Samuelit të vdekur. Samueli ishte profet i Perëndisë, prandaj, ka qenë kundër mediumeve frymore. Dhe siç kemi parë, ai gjatë jetës së vet nuk ka dashur të flasë me Saulin e pabindur. Pra, nëse Samueli do të ishte akoma gjallë, a do t’i lejonte ndonjë mediumi frymor që të rregullonte një takim me Saulin? Mendo pak edhe për këtë: Jehovai ka refuzuar që t’i japë Saulit çdo lloj informate. A do të mundte një medium frymor ta detyronte Jehovain për t’i dhënë Saulit një lajm përmes Samuelit të vdekur? Dhe nëse të gjallët do të mund të bisedonin me të vërtetë me të dashurit e tyre të vdekur, atëherë një Perëndi i dashurisë me siguri nuk do të thoshte se ata që u drejtohen mediumeve frymore «ndyhen».
7. Çfarë paralajmërimi i dha Perëndia popullit të vet, për ta mbrojtur nga frymërat e liga?
7 Është fakt, se frymërat e liga u bëjnë keq njerëzve, prandaj Jehovai i paralajmëron shërbëtorët e vet për t’i mbrojtur. Lexo paralajmërimin vijues drejtuar kombit të Izraelit. Ai do të të japë një ide mbi metodat që përdorin demonët për të mashtruar njerëzit: «Le të mos gjendet tek ti askush, . . . që do të merret me fall, me magji; asnjëri që do të bëjë magji, që i thërret frymërat dhe shpirtrat apo që i drejtohet të vdekurve. Sepse, çdonjëri që bën gjëra të tilla, është i neveritshëm për Jehovain.» (Ligji i përtërirë 18:10-12, St) Ne duhet të dimë se si sot frymërat e liga u bëjnë keq njerëzve dhe si mund të mbrohemi nga ato. Por së pari dëshirojmë të dimë, se kur dhe si këto frymëra u bënë të liga.
ENGJËJT QË U BËNË FRYMËRA TË LIGA
8. (a) Kë tjetër nxiti Satanai që të ngrihej kundër Perëndisë? (b) Ku shkuan ata pasi e lanë punën e tyre në qiell?
8 Duke e mashtruar Evën në kopshtin e Edenit, një farë krijese engjëllore u bë frymë e ligë, Satana Djalli. Pastaj ai provoi të largojë nga Perëndia edhe engjëj të tjerë; dhe me kalimin e kohës pati sukses. Disa nga engjëjt e lanë punën që Perëndia u kishte dhënë në qiell dhe erdhën në Tokë, duke marrë trupa njerëzorë. Dishepulli i krishterë Juda, shkroi mbi ta kur përmendi «engjëjt që nuk i ruajtën vendet e veta fillestare, por i lëshuan vendbanimet e tyre të vërteta.» (Judës 6) Përse erdhën mbi Tokë? Çfarë dëshire të gabuar u vuri në zemër Satanai, për t’i shtyrë që të linin vendet e tyre të mrekullueshme në qiell?
9. (a) Përse engjëjt erdhën në Tokë? (b) Si tregohet në Bibël se ajo që ata bënë, ishte e gabuar?
9 Bibla na e shpjegon këtë, kur thotë: «Bijtë e Perëndisë së vërtetë filluan të shikojnë bijat njerëzore dhe vunë re, se ato ishin të bukura; dhe i morën atëherë për gra, të gjitha ato që zgjodhën.» (Zanafilla 6:2) Po, engjëjt morën trupa njerëzorë dhe erdhën në Tokë për të pasur marrëdhënie seksuale me gratë e bukura. Por për engjëjt ishte e gabuar të kishin marrëdhënie të tilla. Ky ishte një fakt i mosbindjes. Bibla tregon, se ajo që ata bënë, ishte e barabartë me veprimet e prapta homoseksuale të banorëve të Sodomës dhe Gomorrës. (Judës 6, 7) Cili qe rezultati?
10, 11. (a) Çfarë fëmijësh patën engjëjt? (b) Çfarë ndodhi me gjigantët gjatë përmbytjes? (c) Po me engjëjt?
10 Nga lidhjet e engjëjve me ato femra lindën fëmijë. Mirëpo ata ishin të ndryshëm. Rriteshin vazhdimisht, derisa u bënë gjigantë, po, gjigantë të ligj. Bibla i quan ata «njerëz të kohërave të vjetra, të famshëm për nga fuqia.» (St) Ata gjigantë u përpoqën t’i detyronin njerëzit që të bëheshin të ligj, si ata vetë. Si rezultat, Bibla thotë se «shpirtligësia e njeriut në Tokë ishte aq e madhe, saqë çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte në çdo kohë, vetëm e ligë.» (Zanafilla 6:4, 5) Prandaj, Jehovai shkaktoi përmbytjen, në të cilën u mbytën gjigantët, apo «nefilimët», si dhe të gjithë njerëzit e ligj. Por ç’ndodhi me engjëjt e ardhur në Tokë?
11 Ata nuk u mbytën. I lanë trupat prej mishi dhe u kthyen në qiell si persona frymorë. Por ata nuk mund të ishin më anëtarë të organizatës së engjëjve të shenjtë të Perëndisë. Në vend të kësaj, «Perëndia nuk e përmbajti dënimin për engjëjt që gabuan, por duke i hedhur në Tartar, i dorëzoi në gropat e errësirës së dendur, në mënyrë që t’i ruajë për gjykim.»—2. Pjetrit 2:4.
12. (a) Çfarë ndodhi me engjëjt e ligj pasi u kthyen në qiell? (b) Përse nuk mund të marrin më trupa njerëzorë? (c) Ç’bëjnë, pra, ata sot?
12 Ata engjëj të ligj nuk u hodhën në një vend të mirëfilltë të quajtur Tartar. Fjala «Tartar» e përkthyer gabimisht në disa Bibla me «ferr», ka të bëjë me gjendjen e përulur apo të rënë të këtyre engjëjve. Ata janë të ndarë nga drita frymore e organizatës së Perëndisë dhe iu ka mbetur vetëm që të presin shkatërrimin e përhershëm. (Jakovit 2:19; Judës 6) Që nga koha e Përmbytjes, Perëndia nuk u ka lejuar më atyre të marrin trupa nga gjaku dhe mishi, që të mos kenë mundësi për t’i kënaqur drejtpërdrejt dëshirat e tyre të panatyrshme seksuale. Por ata mund të ushtrojnë akoma një forcë të rrezikshme mbi burrat dhe gratë. Në fakt, me ndihmën e këtyre demonëve, Satanai «mashtron gjithë Tokën e banuar.» (Zbulesa 12:9) Sot, shtimi i krimeve seksuale, i dhunës dhe i paligjshmërive të tjera, tregon se duhet të ruhemi për të mos u mashtruar prej tyre.
SI I MASHTROJNË NJERËZIT
13. (a) Si i mashtrojnë frymërat e liga njerëzit? (b) Ç’është spiritizmi dhe çfarë thotë Bibla për të?
13 Kemi mësuar tashmë se Satanai, «perëndia i këtij sistemi të gjërave», shërbehet prej qeverive botërore dhe fesë së rreme, për t’i verbuar njerëzit nga të vërtetat biblike. (2. Korintasve 4:4) Një mjet tjetër, me të cilin frymërat e liga mashtrojnë njerëzit është spiritizmi. Çfarë është spiritizmi? Spiritizmi është lidhja me frymërat e liga, qoftë në mënyrë direkte apo përmes mediumeve njerëzore. Përmes spiritizmit një njeri vihet nën ndikimin e demonëve. Bibla na tërheq vërejtjen që të ruhemi nga çdo gjë që është e lidhur me spiritizmin.—Galatasve 5:19-21; Zbulesa 21:8.
14. (a) Ç’është falli? (b) Çfarë thotë Bibla për të?
14 Hedhja e fallit është një formë mjaft e përhapur e spiritizmit. Kjo është një përpjekje që me ndihmën e frymërave të padukshme të kuptohet diçka mbi të ardhmen apo të panjohurën. Vërtetimin e kësaj e gjejmë në fjalët e dishepullit të krishterë Lukës: «Na takoi një shërbëtore e xhindosur nga fryma e fallxhiut. Ajo, duke bërë fall kishte fituar mjaft për zotërinjtë e vet.» Apostulli Pavël e liroi atë vajzë nga fuqia e frymës së ligë dhe pas kësaj ajo nuk mundte më të parashikonte të ardhmen.—Veprat 16:16-19, St.
15. (a) Cilat janë disa nga gjërat e lidhura me spiritizmin? (b) Përse është e rrezikshme të merremi me to?
15 Shumë njerëz interesohen për spiritizmin, sepse është diçka mistike, e panjohur. Ai i magjeps. Kështu fillojnë të lidhen me shtrigat, vuduizmin, magjitë, hipnotizimin, astrologjinë, tabelat e alfabetit apo me gjëra të tjera, që kanë lidhje me spiritizmin. Ata ndoshta lexojnë libra në lidhje me këtë temë, apo shikojnë filma në kinema ose në televizor. Ndoshta marrin pjesë në takimet ku ndonjë medium provon të hyjë në lidhje me botën frymore. Por e gjithë kjo është pa kuptim për atë që dëshiron t’i shërbejë Perëndisë së vërtetë. Madje është edhe e rrezikshme, sepse mund të shkaktojë vështirësi të mëdha. Veç kësaj, Perëndia do t’i gjykojë dhe do t’i largojë nga vetja, të gjithë ata që merren me spiritizëm.—Zbulesa 22:15.
16. Si tregon Bibla se të krishterët janë në luftë kundër frymërave të liga?
16 Edhe nëse ndokush bën të pamundurën për të qëndruar larg nga spiritizmi, mund të pësojë sulme nga frymërat e liga. Kujtohu se Jezu Krishti e dëgjoi zërin e vetë Djallit, që e nxiste për të shkelur ligjin e Perëndisë. (Mateu 4:8, 9) Edhe shërbëtorë të tjerë të Perëndisë, kanë përjetuar sulme të tilla. Apostulli Pavël tha: «Lufta jonë është drejtuar . . . kundër frymërave të liga në vendet qiellore.» Kjo do të thotë, se çdo shërbëtor i Perëndisë duhet «ta veshi armaturën e plotë të Perëndisë, në mënyrë që të rezistojë.»—Efesianëve 6:11-13.
TË DËBOHEN SULMET E FRYMËRAVE TË LIGA
17. Çfarë duhet të bësh nëse dëgjon ndonjë «zë» që të flet nga bota frymore?
17 Çfarë duhet të bësh kur dëgjon se të flet një «zë» nga bota frymore? Apo nëse zëri duket si i ndonjë kushëriri tënd të vdekur, apo paraqitet si frymë e mirë? Çfarë bëri Jezui kur iu drejtua «qeveritari i demonëve»? (Mateu 9:34) Ai tha: «Ik, o djall!» (Mateu 4:10, DSF) Edhe ti mund të veprosh kështu. Përveç kësaj, mund t’i drejtohesh Jehovait për ndihmë. Lutu me zë të lartë duke e përdorur emrin e tij. Mba ndër mend, se ai është më i fuqishëm sesa frymërat e liga. Bëhu i mençur dhe vepro kështu! Mos i dëgjo zërat nga bota frymore! (Proverbat 18:10; Jakovit 4:7) Kjo nuk do të thotë se çdokush që dëgjon «zëra» e mundojnë demonët. Ndonjëherë zëra të tillë mund të vijnë nga ndonjë sëmundje fizike apo mendore.
18. Si na ndihmon shembulli i të krishterëve nga Efesi për t’u liruar nga spiritizmi?
18 Ndoshta edhe ti ndonjëherë ke hedhur fall, ndërsa tani dëshiron të lirohesh nga kjo. Ç’duhet të bësh? Shqyrto shembullin e të krishterëve të parë nga Efesi. Pasi e pranuan «fjalën e Jehovait» që u lajmëroi Pavli, Bibla thotë: «Shumica e tyre që merreshin me fall, i sollën librat dhe i dogjën para syve të të gjithëve.» Dhe ato libra vlenin 50.000 monedha argjendi! (Veprat 19:19, 20, St) Pra, nëse ke gjëra që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me spiritizmin, do të ishte e mençur të veproje njësoj si ata—t’i shkatërrosh, pa marrë parasysh sa të shtrenjta janë.
19. (a) Çfarë nuk dinë shumë njerëz që merren me spiritizëm? (b) Çfarë duhet të bëjmë nëse dëshirojmë të jetojmë përgjithmonë të lumtur mbi Tokë?
19 Pasi sot ka një interes të madh për gjërat e çuditshme dhe misterioze, gjithnjë e më shumë njerëz lëshohen në spiritizëm. Por shumica e tyre nuk e dinë se në atë mënyrë vihen në lidhje me frymërat e liga. Kjo nuk është një lojë naive. Frymërat e liga kanë fuqi për të shkaktuar dhimbje dhe dëme. Ato janë shumë të liga. Para se Krishti t’i shkatërrojë përgjithmonë, ato bëjnë çdo gjë që është në fuqinë e tyre për t’i futur njerëzit nën ndikimin e tyre të lig. (Mateu 8:28, 29) Nëse dëshiron të jetosh përgjithmonë në Tokë, pasi të jetë larguar çdo e ligë, duhet që qysh tani të kesh kujdes nga ndikimi djallëzor, duke qëndruar larg nga çdo lloj spiritizmi.
[Figura në faqen 91]
Me kë ra në kontakt mediumi frymor nga En-dori?
[Figurat në faqet 92, 93]
Bijtë engjëllorë të Perëndisë vunë re bijat njerëzore
[Figura në faqen 94]
Engjëjt e materializuar nuk u mbytën. I lanë trupat e tyre prej mishi dhe u kthyen në qiell
[Figura në faqen 97]
Bibla paralajmëron: «Lirohuni nga çdo lloj spiritizmi.»
[Figura në faqen 98]
Ata që u bënë të krishterë në Efes, i dogjën librat e tyre të spiritizimit—një shembull i shkëlqyer për ne sot.