Pyetje nga lexuesit
Te Zanafilla 6:3 lexojmë: «Fryma ime nuk do të tregohet gjithmonë e duruar me njeriun, sepse ai s’është gjë tjetër veçse mish. Prandaj ditët e tij do të shkojnë deri në njëqind e njëzet vjet.» A po e kufizonte Perëndia jetëgjatësinë e njeriut në 120 vjet? Gjithashtu, a predikoi kaq vjet Noeja për Përmbytjen që do të vinte?
Përgjigjja e të dyja pyetjeve është jo.
Para Përmbytjes, shumë njerëz jetonin me shekuj. Noeja ishte 600 vjeç kur erdhi Përmbytja dhe jetoi gjithsej 950 vjet. (Zan. 7:6; 9:29) Edhe disa që lindën pas Përmbytjes jetuan shumë më gjatë se 120 vjet—Arpakshadi vdiq në moshën 438-vjeçare dhe Shelahu në moshën 433-vjeçare. (Zan. 11:10-15) Megjithatë, në kohën e Moisiut, jetëgjatësia normale ishte më pak se 70 ose 80 vjet. (Psal. 90:10) Kështu, Zanafilla 6:3, nuk përcakton se jetëgjatësia normale ose maksimumi i jetëgjatësisë ishte 120 vjet.
Atëherë, a ishin këto fjalë që Perëndia i tha Noesë një paralajmërim se shkatërrimi do të vinte brenda 120 vjetëve? Jo. Perëndia foli në disa raste me Noenë. Dhjetë vargje më poshtë lexojmë: «Perëndia i tha Noesë: ‘E shoh që çdo mishi i ka ardhur fundi, sepse toka është plot dhunë.’» Në vitet që pasuan, Noeja përfundoi detyrën e jashtëzakonshme të ndërtimit të arkës dhe «Jehovai i tha Noesë: ‘Hyr në arkë ti dhe gjithë ata të shtëpisë sate.’» (Zan. 6:13; 7:1) Veç këtyre, ka edhe raste të tjera kur Jehovai foli me Noenë.—Zan. 8:15; 9:1, 8, 17.
Megjithatë, te Zanafilla 6:3 lexojmë diçka tjetër; aty nuk përmendet Noeja dhe as thuhet se Perëndia iu drejtua atij. Ky varg mund të merret thjesht si shprehje e qëllimit ose e vendosmërisë së Perëndisë. (Krahaso Zanafillën 8:21.) Vlen të përmendim se në tregimin historik që flet për ngjarjet që ndodhën para kohës së Adamit, gjejmë shprehje të tilla, si: «Perëndia vazhdoi të thoshte.» (Zan. 1:6, 9, 14, 20, 24) Duket qartë se Jehovai nuk po fliste me dikë në tokë, sepse njeriu nuk ishte krijuar ende.
Pra, është logjike të mendojmë se Zanafilla 6:3 shpreh vendosmërinë e Perëndisë për t’i dhënë fund sistemit të korruptuar në tokë. Jehovai nxori një dekret për ta bërë këtë brenda 120 vjetëve, megjithëse Noeja s’e dinte akoma këtë gjë. Por pse duhej caktuar një afat? Pse duhej pritur kaq?
Arsyet na i jep apostulli Pjetër: «Perëndia priste me durim në ditët e Noesë, ndërsa ndërtohej arka, në të cilën pak njerëz, domethënë tetë shpirt, shpëtuan nëpërmjet ujit.» (1 Pjet. 3:20) Po, kur Perëndia caktoi si afat 120 vjet, kishte akoma gjëra që duheshin bërë. Rreth 20 vjet më vonë, Noeja dhe gruaja e tij filluan të bëheshin me fëmijë. (Zan. 5:32; 7:6) Tre bijtë e tyre u rritën e u martuan, duke e çuar numrin e anëtarëve të familjes në «tetë shpirt». Më pas, ata duhej të ndërtonin arkën, që nuk ishte një punë që mbaronte shpejt, nëse mbajmë parasysh përmasat e saj të mëdha dhe familjen e vogël të Noesë. Po, 120 vjetët e durimit të Perëndisë lejuan që të përfundoheshin këto gjëra dhe bënë të mundur që të mos zhdukej jeta, pasi tetë njerëz besnikë «shpëtuan nëpërmjet ujit».
Sipas Biblës, kur Jehovai e njoftoi Noenë për Përmbytjen nuk i tregoi se në ç’vit do të ndodhte. Përderisa bijtë e tij tashmë kishin lindur, ishin rritur e ishin martuar, mbase kishte edhe 40 ose 50 vjet kohë derisa të vinte Përmbytja. Atëherë, Jehovai i tha Noesë: «E shoh që çdo mishi i ka ardhur fundi.» Ai shtoi se Noeja duhej të ndërtonte një arkë të stërmadhe dhe të futej në të bashkë me familjen. (Zan. 6:13-18) Në dekadat që mbetën, me jetën e tij Noeja nuk la thjesht një shembull drejtësie. Ai shërbeu si ‘predikues i drejtësisë’ që kishte një mesazh të qartë për të shpallur: Perëndia kishte vendosur të shfaroste të paperëndishmit e asaj kohe. Noeja nuk e dinte që më përpara në ç’vit do të ndodhte kjo, por se do të ndodhte pa diskutim. Dhe ne e dimë se ndodhi.—2 Pjet. 2:5.