Ata ‘bënë pikërisht ashtu’
«Kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij.»—1. GJONIT 5:3.
1. Ç’mund të themi në lidhje me shtrirjen e dashurisë së Perëndisë?
«PERËNDIA ËSHTË DASHURI.» Të gjithë që fillojnë të njohin Perëndinë dhe t’u binden urdhërimeve të tij, fitojnë një çmueshmëri të thellë për madhësinë e asaj dashurie. «Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona.» Ndërsa ushtrojmë besim në sakrificën e çmuar shpërblerëse të Jezuit, ne ‘qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë’. (1. Gjonit 4:8-10, 16) Në këtë mënyrë, mund të gëzojmë pasurinë e bekimeve frymore tani dhe në sistemin e gjërave që po vjen jetën e përhershme.—Gjoni 17:3; 1. Gjonit 2:15, 17.
2. Si kanë nxjerrë dobi shërbëtorët e Perëndisë nga ndjekja e urdhërimeve të tij?
2 Tregimi i Biblës është plot me shembuj të atyre që kanë zbatuar urdhërimet e Perëndisë dhe si rezultat janë bekuar në mënyrë të pasur. Këtu futen dëshmitarët e kohëve para krishterimit, për disa prej të cilëve apostulli Pavël shkroi: «Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për së largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim, duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.» (Hebrenjve 11:13) Më vonë, shërbëtorë të devotshëm të krishterë të Perëndisë, përfituan nga «hiri dhe e vërteta [që] erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit». (Gjoni 1:17) Gjatë këtyre më se 6.000 vjetëve të historisë njerëzore, Jehovai i ka shpërblyer dëshmitarët besnikë që u janë bindur urdhërimeve të tij, të cilat me të vërtetë «nuk janë të rënda».—1. Gjonit 5:2, 3.
Në ditët e Noes
3. Në ç’mënyrë Noeja bëri «pikërisht ashtu»?
3 Tregimi i Biblës thotë: «Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua [tregoi frikë hyjnore, BR] dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij, me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit.» Si «predikues i drejtësisë», Noeja iu bind plotësisht Perëndisë, duke e paralajmëruar botën e dhunshme të para përmbytjes mbi gjykimin hyjnor që do të vinte së shpejti. (Hebrenjve 11:7; 2. Pjetrit 2:5) Në ndërtimin e arkës, ai ndoqi me kujdes projektin që iu dha në mënyrë hyjnore. Pastaj futi brenda kafshët që iu thanë dhe rezervat ushqimore. «Dhe Noeu veproi ashtu, bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar.»—Zanafilla 6:22.
4, 5. (a) Cili ndikim i kobshëm rëndonte mbi njerëzimin në ato ditë? (b) Përse duhet të bëjmë «pikërisht ashtu» në bindje të udhëzimeve hyjnore?
4 Noeja dhe familja e tij duhej të përballonin ndikimin e kobshëm të engjëjve të pabindur. Këta bij të Perëndisë materializoheshin dhe bashkëjetonin me gratë, duke prodhuar një prejardhje hibride mbinjerëzore që e trembte njerëzimin. «Toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë.» Jehovai dërgoi Përmbytjen për të fshirë atë brez të lig. (Zanafilla 6:4, 11-17; 7:1) Qysh prej ditëve të Noes, engjëjt demonikë nuk janë lejuar të materializohen në formë njerëzore. Megjithatë, ‘mbarë bota vazhdon të dergjet nën pushtetin e të ligut’, Satana Djallit. (1. Gjonit 5:19, BR; Zbulesa 12:9) Në mënyrë profetike, Jezui e krahasoi atë brez rebel të ditëve të Noes me brezin e njerëzve që nuk e kanë pranuar atë qysh kur shenja e «pranisë» së tij filloi të bëhej e dukshme në vitin 1914.—Mateu 24:3, 34, 37-39; Luka 17:26, 27.
5 Sot, si në ditët e Noes, Satanai po përpiqet të rrënojë njerëzimin dhe planetin tonë. (Zbulesa 11:15-18) Prandaj është urgjente t’i vëmë veshin urdhrit të frymëzuar: «Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të Djallit.» (Efesianëve 6:11, shënimi [BR]) Kështu, jemi të forcuar duke studiuar Fjalën e Perëndisë dhe duke e zbatuar në jetën tonë. Për më tepër, kemi organizatën e Jehovait, me «skllavin besnik e të matur» të mirosur dhe me pleqtë e dashur, të cilët si barinj të durueshëm kujdesen për rrugën në të cilën duhet të ecim. Kemi për të kryer një vepër botërore predikimi. (Mateu 24:14, 45-47) Si Noeja, i cili me kujdes iu bind udhëzimeve hyjnore, edhe ne gjithmonë le të bëjmë «pikërisht ashtu»!
Moisiu: njeriu më i butë
6, 7. (a) Çfarë zgjedhje shpërblyese bëri Moisiu? (b) Çfarë shembulli të guximshëm na la Moisiu?
6 Le të shqyrtojmë një tjetër burrë me besim: Moisiun. Ai pati mundësi të gëzonte një jetë me kënaqësi, mes luksit të Egjiptit. Por ai ‘parapëlqeu të keqtrajtohej bashkë me popullin e Perëndisë, sesa të gëzonte për njëfarë kohe dëfrimet e mëkatit’. Si shërbëtor i emëruar i Jehovait, ai «i drejtonte sytë nga shpërblimi . . . [dhe] qëndroi i patundur sikur të shihte të padukshmin».—Hebrenjve 11:23-28.
7 Në librin e Numrave 12:3 lexojmë: «Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut.» Përkundrazi, faraoni i Egjiptit veproi si njeriu më krenar. Si u përgjigjën Moisiu dhe Aaroni, kur Jehovai i urdhëroi të shpallnin gjykimin e tij mbi faraonin? Na thuhet: «Moisiu dhe Aaroni vepruan kështu; ata bënë pikërisht ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti.» (Të Dalët 7:4-7) Sa shembull i guximshëm për ne sot, që shpallim gjykimet e Jehovait!
8. Në ç’mënyrë izraelitëve iu kërkua të bënin «pikërisht ashtu» dhe si mund të krahasohet gëzimi që solli kjo me të ardhmen e afërt?
8 A e mbështetën izraelitët Moisiun me besnikëri? Pasi e kishte goditur Egjiptin me nëntë nga dhjetë plagët, Jehovai i dha Izraelit udhëzime të hollësishme mbi kremtimin e Pashkëve. «Dhe populli u përkul dhe adhuroi. Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe vepruan ashtu; ata bënë ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiun dhe Aaronin.» (Të Dalët 12:27, 28) Në mesnatën e asaj dite plot ngjarje, 14 nisan 1513 p.e.s., engjëlli i Perëndisë vazhdoi të vriste të gjithë të parëlindurit e Egjiptit, por kaloi përmbi shtëpitë e izraelitëve. Përse u kursyen të parëlindurit e Izraelit? Sepse kishin gjetur mbrojtje në gjakun e qengjit të Pashkëve, që ishte spërkatur mbi pragjet e dyerve të tyre. Ata bënë pikërisht ashtu si e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun dhe Aaronin. Po, «ata bënë pikërisht ashtu». (Të Dalët 12:50, 51) Pranë Detit të Kuq, Jehovai kreu një mrekulli tjetër për të shpëtuar popullin e tij të bindur, ndërsa shkatërronte faraonin dhe makinën e tij të fuqishme ushtarake. Çfarë hareje patën izraelitët! Po kështu edhe sot, shumë nga ata që u janë bindur urdhërimeve të Jehovait do të gëzojnë, kur me sytë e tyre të jenë dëshmitarë të shfajësimit të tij në Harmagedon.—Të Dalët 15:1, 2; Zbulesa 15:3, 4.
9. Cilat privilegje të sotme simbolizon fakti që izraelitët bënë «pikërisht ashtu» në lidhje me tendën e adhurimit?
9 Kur Jehovai urdhëroi që Izraeli të jepte një kontribut e të ndërtonte një tendë adhurimi në shkretëtirë, me bujari populli dha plotësisht mbështetjen e tij. Pastaj, deri në hollësirat më të vogla, Moisiu dhe bashkëpunëtorët e tij të zellshëm ndoqën planin arkitektural të dhënë nga Jehovai. «Kështu përfundoi tërë puna e tabernakullit dhe e çadrës së mbledhjes. Bijtë e Izraelit vepruan sipas të gjitha urdhrave që Zoti i kishte dhënë Moisiut; ata vepruan në këtë mënyrë.» Në mënyrë të ngjashme, gjatë dedikimit të priftërisë, «Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar». (Të Dalët 39:32; 40:16) Në kohët moderne, ne kemi mundësinë të japin me gjithë zemër mbështetjen tonë ndaj veprës së predikimit dhe ndaj programeve për përhapjen e Mbretërisë. Është, pra, privilegji ynë të bashkohemi për të bërë «pikërisht ashtu».
Josiu: i guximshëm dhe shumë i fortë
10, 11. (a) Çfarë e aftësoi Josiun për të pasur sukses? (b) Si mund të forcohemi për të përballuar sprovat e sotme?
10 Kur Moisiu urdhëroi Josiun për të drejtuar Izraelin në tokën e premtuar, ka mundësi që si Fjalë e frymëzuar dhe e shkruar e Jehovait të kenë qenë vetëm pesë librat e Moisiut, një ose dy psalme dhe libri i Jobit. Moisiu e kishte udhëzuar Josiun të mblidhte popullin kur të mbërrinin në Tokën e Premtuar dhe ‘të lexonte këtë ligj para tërë Izraelit, në veshët e tërë izraelitëve’. (Ligji i përtërirë 31:10-12) Për më tepër, vetë Jehovai e urdhëroi Josiun: «Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.»—Josiu 1:8.
11 Leximi i përditshëm i «librit» të Jehovait do ta pajiste Josiun me aftësi për të përballuar sprovat që e prisnin, ashtu si leximi i përditshëm i Fjalës së Jehovait, Biblës, i forcon Dëshmitarët e Tij modernë për të përballuar sprovat e këtyre «ditëve të fundit» kritike. (2. Timoteut 3:1) Të rrethuar siç jemi nga një botë e dhunshme, le të marrim për zemër edhe këshillën që Perëndia i dha Josiut: «Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh.» (Josiu 1:9) Pasi pushtuan Kanaanin, fiset e Izraelit u shpërblyen në mënyrë të pasur kur u vendosën në trashëgiminë e tyre. «Bijtë e Izraelit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.» (Josiu 14:5) Një shpërblim i ngjashëm na pret të gjithëve ne që sot lexojmë Fjalën e Perëndisë dhe e zbatojmë në jetën tonë, duke bërë me bindje «pikërisht ashtu».
Mbretër: besnikë dhe të pabindur
12. (a) Cili urdhër iu dha mbretërve në Izrael? (b) Çfarë rezultati solli mosbindja e mbretërve?
12 Ç’të themi për mbretërit e Izraelit? Jehovai kishte vënë mbi mbretërit këtë kërkesë: «Kur të ulet mbi fronin e mbretërisë së tij, do të shkruajë për veten e tij në një libër një kopje të këtij ligji, simbas kopjes së priftërinjve levitikë. Do ta mbajë pranë vetes këtë libër dhe do ta lexojë çdo ditë të jetës së tij, që të mësojë të ketë frikë nga Zoti, Perëndia i tij dhe të zbatojë në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji dhe të këtyre statuteve.» (Ligji i përtërirë 17:18, 19) A iu bindën mbretërit e Izraelit këtij urdhri? Në pjesën më të madhe ata dështuan në mënyrë të mjerë, prandaj pësuan edhe mallkimet e parathëna në Ligjin e përtërirë 28:15-68. Së fundi, Izraeli u shpërnda «nga njëri skaj i tokës në tjetrin».
13. Ashtu si edhe Davidi, si mund të përfitojmë nga shfaqja e dashurisë për Fjalën e Jehovait?
13 Megjithatë, Davidi, mbreti i parë njerëzor besnik në Izrael, tregoi devotshmërinë e duhur ndaj Jehovait. Ai provoi se ishte «një luan i ri» në Judë, duke simbolizuar Krishtin Jezu ‘luanin fitimtar të fisit të Judës, rrënjën e Davidit’. (Zanafilla 49:8, 9; Zbulesa 5:5) Ku qëndronte forca e Davidit? Ai kishte një çmueshmëri të thellë për Fjalën e shkruar të Jehovait dhe jetonte sipas saj. Në psalmin 19, «një melodi e Davidit», lexojmë: «Ligji i Zotit është i përsosur.» Pasi ka përmendur dëshmitë, porositë, urdhërimet dhe vendimet gjyqësore të Jehovait, Davidi vazhdon të thotë: «Janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ar i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet. Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ka një shpërblim të madh duke i parë.» (Psalmi 19:7-11) Nëse leximi i përditshëm i Fjalës së Jehovait dhe meditimi mbi të sillnin shpërblim 3.000 vjet më parë, sa më tepër bën kështu edhe sot!—Psalmet 1:1-3; 13:6; 119:72, 97, 111.
14. Si e tregon rruga e Solomonit nevojën se duhet më shumë se njohuria?
14 Megjithatë, nuk mjafton vetëm të fitojmë njohuri. Për shërbëtorët e Perëndisë është po aq e rëndësishme të veprojnë sipas asaj njohurie, ta zbatojnë atë në përputhje me vullnetin hyjnor, po, të bëjnë «pikërisht ashtu». Kjo mund të ilustrohet me rastin e birit të Davidit, Solomonin, të cilin Jehovai e zgjodhi «që të ulet në fronin e mbretërisë të Zotit mbi Izraelin». Solomoni mori caktimin për të ndërtuar tempullin, duke përdorur planet arkitekturale që Davidi kishte marrë «i frymëzuar». (1. Kronikave 28:5, 11-13, BR) Si mund ta kryente Solomoni këtë punë madhështore? Në përgjigje të lutjes së tij, Jehovai i dha Solomonit mençuri dhe njohuri. Me anë të tyre dhe duke iu përmbajtur planeve hyjnore, Solomoni mundi të ndërtonte atë shtëpi të mrekullueshme, e cila u mbush me lavdinë e Jehovait. (2. Kronikave 7:2, 3) Por më vonë Solomoni dështoi. Në cilin aspekt? Në lidhje me mbretin e Izraelit ligji i Jehovait kishte deklaruar: «Nuk duhet të ketë një numër të madh grash, me qëllim që zemra e tij të mos shthuret.» (Ligji i përtërirë 17:17) Por Solomoni «pati si bashkëshorte shtatëqind princesha dhe treqind konkubina . . . dhe bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera». Në vitet e tij të fundit, Solomoni nuk bëri më «pikërisht ashtu».—1. Mbretërve 11:3, 4; Nehemia 13:26.
15. Në ç’mënyrë Josia bëri «pikërisht ashtu»?
15 Kishte pak mbretër të bindur në Judë dhe i fundit prej tyre ishte Josia. Në vitin 648 p.e.s. ai filloi të pastronte idhujtarinë nga vendi e të ripërtërinte tempullin e Jehovait. Pikërisht aty, kryeprifti gjeti «librin e Ligjit të Zotit, që ishte dhënë nëpërmjet Moisiut». Çfarë bëri Josia me këtë rast? «Mbreti u ngjit në shtëpinë e Zotit me të gjithë burrat e Judës, me të gjithë banorët e Jeruzalemit, me priftërinjtë, me levitët dhe me tërë popullin, nga më i vogli gjer te më i madhi dhe lexoi në prani të tyre të gjitha fjalët e librit të besëlidhjes, që ishte gjetur në shtëpinë e Zotit. Pastaj mbreti, duke qëndruar më këmbë mbi podium, bëri një besëlidhje përpara Zotit, duke u zotuar të ndjekë Zotin, të zbatojë urdhërimet e tij, porositë e tij dhe statutet e tij me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të vënë në praktikë fjalët e besëlidhjes së shkruar në atë libër.» (2. Kronikave 34:14, 30, 31) Po, Josia bëri «pikërisht ashtu». Si rrjedhojë e rrugës së tij besnike, ekzekutimi i gjykimit të Jehovait mbi Judën e pabesë u shty deri në ditët e bijve të tij kriminelë.
Duke jetuar sipas Fjalës së Perëndisë
16, 17. (a) Në cilat aspekte duhet të ndjekim hapat e Jezuit? (b) Cilët shërbëtorë të tjerë besnikë të Perëndisë janë shembuj për ne?
16 Nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar mbi tokë, shembulli më i shkëlqyer në meditimin mbi Fjalën e Perëndisë dhe në jetesën sipas saj, është Zotëria Jezu Krisht. Për të Fjala e Perëndisë ishte si ushqimi. (Gjoni 4:34) Ai u tha dëgjuesve të tij: «Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.» (Gjoni 5:19, 30; 7:28; 8:28, 42) Jezui «bëri pikërisht ashtu», duke deklaruar: «Unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.» (Gjoni 6:38) Ne që jemi Dëshmitarë të dedikuar të Jehovait na kërkohet të bëjmë «pikërisht kështu», duke ndjekur hapat e Jezuit.—Luka 9:23; 14:27; 1. Pjetrit 2:21.
17 Kryerja e vullnetit të Perëndisë ishte gjithmonë gjëja më kryesore në mendjen e Jezuit. Ai ishte krejtësisht i afërt me Fjalën e Perëndisë e në këtë mënyrë ishte i aftë të jepte përgjigje nga Shkrimet. (Mateu 4:1-11; 12:24-31) Duke i kushtuar vazhdimisht vëmendje Fjalës së Perëndisë, edhe ne mund të bëhemi «plotësisht kompetentë, tërësisht të pajisur për çdo vepër të mirë». (2. Timoteut 3:16, 17, BR) Le të ndjekim shembullin e shërbëtorëve besnikë të Jehovait në kohët e lashta e të mëvonshme dhe mbi të gjitha atë të Mësuesit tonë, Jezu Krishtit, i cili tha: «Bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar.» (Gjoni 14:31) Le të tregojmë edhe ne dashurinë tonë për Perëndinë, duke vazhduar të bëjmë «pikërisht ashtu».—Marku 12:29-31.
18. Çfarë duhet të na nxisë që ‘të bëhemi bërës të fjalës’ dhe për çfarë do të flasim më tej?
18 Ndërsa meditojmë mbi rrugën e bindur të shërbëtorëve të Perëndisë në kohët biblike, a nuk jemi të inkurajuar të kryejmë një shërbim besnik gjatë ditëve të fundit të sistemit të lig të Satanait? (Romakëve 15:4-6) Në fakt, duhet të ndihemi të nxitur ‘të bëhemi bërës të fjalës’ në kuptimin më të plotë, siç do të tregojë edhe artikulli vijues.—Jakovit 1:22.
A të kujtohet?
◻ Ç’domethënie duhet të ketë për ne «dashuria e Perëndisë»?
◻ Çfarë mësojmë nga shembujt e Noes, Moisiut dhe Josiut?
◻ Deri në ç’masë iu bindën mbretërit e Izraelit «fjalës» së Perëndisë?
◻ Në ç’mënyrë Jezui është Shembulli ynë për të bërë «pikërisht ashtu»?
[Figurat në faqen 15]
Noeja, Moisiu dhe Josiu ‘bënë pikërisht ashtu’