Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Zanafillës—I
«ZANAFILLË» do të thotë «origjinë» ose «fillim». Ky emër është i përshtatshëm për librin që tregon se si erdhi në ekzistencë universi, si u përgatit toka për t’u banuar nga njerëzit dhe si ndodhi që njeriu u vendos në tokë. Këtë libër e shkroi Moisiu në shkretëtirën e Sinait, duke e përfunduar ndoshta në vitin 1513 p.e.s.
Libri i Zanafillës na tregon për botën para Përmbytjes, çfarë ndodhi kur filloi epoka pas Përmbytjes dhe ç’marrëdhënie pati Perëndia Jehova me Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe Jozefin. Ky artikull do të shqyrtojë disa pika kryesore nga Zanafilla 1:1 deri në 11:9, kryesisht deri në kohën kur Jehovai filloi të fliste me patriarkun Abraham.
BOTA PARA PËRMBYTJES
Fjalët e para të librit të Zanafillës, «në fillim», na çojnë miliarda vjet më parë. Ngjarjet e gjashtë ‘ditëve’ të krijimit ose ndryshe periudhave kohore me vepra të veçanta krijuese, përshkruhen si do t’i ishin dukur një njeriu po t’i kishte vëzhguar nga toka. Nga fundi i ditës së gjashtë, Perëndia krijon njerëzit. Ndonëse ata e humbin shpejt parajsën për shkak të mosbindjes, Jehovai jep shpresë. Profecia e parë e Biblës flet për një ‘farë’ që do të zhbëjë pasojat e mëkatit dhe do t’i shtypë kokën Satanait.
Për 16 shekujt që pasojnë, Satanai ia del mbanë t’i largojë nga Perëndia të gjithë njerëzit, përveç disa njerëzve besnikë, si: Abeli, Enoku dhe Noeja. Për shembull, Kaini vret vëllanë e vet të drejtë, Abelin. Njerëzit ‘zënë të thërrasin emrin e Jehovait’ (BR), me sa duket në mënyrë blasfemuese. Duke pasqyruar frymën e dhunshme të asaj kohe, Lameku bën një poemë ku përshkruan si vrau një djalë të ri, gjoja për vetëmbrojtje. Kushtet keqësohen pasi disa engjëj të Perëndisë, duke mos u bindur, marrin gra tokësore si bashkëshorte dhe lindin gjigantë të dhunshëm të quajtur nefilimë. Megjithatë, Noeja besnik ndërton arkën, i paralajmëron me guxim të tjerët për Përmbytjen që po vjen dhe shpëton nga shkatërrimi së bashku me familjen e tij.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:16, BR—Si mund të bënte Perëndia dritën në ditën e parë, në qoftë se ndriçuesit u bënë ditën e katërt? Fjala hebraike e përkthyer ‘bëj’ në vargun 16 nuk është e njëjtë me fjalën e përkthyer ‘krijoj’ në kapitullin e parë të Zanafillës vargjet 1, 21 dhe 27. «Qiejt», ku përfshiheshin edhe ndriçuesit, u krijuan shumë më përpara se të fillonte ‘dita e parë’. Por drita e tyre nuk arrinte në sipërfaqe të tokës. Në ditën e parë ‘u bë drita’ në kuptimin që drita e shpërndarë depërtoi në shtresat e reve dhe u bë e dukshme në tokë. Kështu, ndërkohë që toka rrotullohej, filloi të kishte ditë dhe net. (Zanafilla 1:1-3, 5) Burimet e asaj drite ende nuk shiheshin që nga toka. Gjatë ditës së katërt të krijimit ndodhi një ndryshim i dukshëm. Dielli, hëna dhe yjet tani u bënë që «të ndriçonin mbi tokë». (Zanafilla 1:17, BR) ‘Perëndia i bëri’ këta ndriçues në kuptimin që tani mund të shiheshin që nga toka.
3:8—A foli Perëndia Jehova drejtpërdrejt me Adamin? Bibla zbulon se shpeshherë Perëndia u fliste njerëzve nëpërmjet një engjëlli. (Zanafilla 16:7-11; 18:1-3, 22-26; 19:1; Gjykatësve 2:1-4; 6:11-16, 22; 13:15-22) Zëdhënësi kryesor i Perëndisë ishte Biri i tij i vetëmlindur, i quajtur «Fjala». (Gjoni 1:1) Kështu, ka shumë të ngjarë që Perëndia t’i ketë folur Adamit dhe Evës nëpërmjet ‘Fjalës’.—Zanafilla 1:26-28; 2:16; 3:8-13.
3:17—Në cilin kuptim u mallkua toka, e për sa kohë? Mallkimi që iu bë tokës nënkuptonte që pas kësaj do të ishte shumë e vështirë ta kultivoje atë. Pasardhësit e Adamit i ndien kaq shumë pasojat e tokës së mallkuar, plot me gjemba e gjembaçë, saqë Lameku, babai i Noesë, foli për ‘mundin e duarve për shkak të tokës që Zoti e ka mallkuar’. (Zanafilla 5:29) Pas Përmbytjes, Jehovai i bekoi Noenë dhe bijtë e tij, duke ripohuar qëllimin e Tij që ata të mbushnin tokën. (Zanafilla 9:1) Me sa duket, atëherë u hoq mallkimi që Perëndia i kishte bërë tokës.—Zanafilla 13:10.
4:15—Në ç’mënyrë Jehovai «vuri një shenjë mbi Kainin»? Bibla nuk thotë se Kainit i vunë në trup ndonjë shenjë. Ka të ngjarë që shenja të ishte një dekret solemn që njihej e respektohej nga të tjerët dhe që kishte si synim të mos lejonte vrasjen e Kainit për hakmarrje.
4:17—Ku e gjeti Kaini gruan e tij? Adami «pati bij dhe bija». (Zanafilla 5:4) Prandaj Kaini mori për grua njërën nga motrat ose nga mbesat e tij. Më vonë, Ligji që Perëndia u dha izraelitëve nuk e lejonte që vëllai të martohej me motrën e tij.—Levitiku 18:9.
5:24—Si ‘e mori Perëndia Enokun’? Me sa duket Enoku rrezikonte të vritej, por Perëndia nuk e lejoi që të vuante në duart e armiqve. Apostulli Pavël shkroi: «Enoku u hoq që të mos shihte vdekjen.» (Hebrenjve 11:5) Kjo nuk do të thotë se Perëndia e mori në qiell, ku Enoku vazhdoi të jetonte. Jezui ishte i pari që u ngjit në qiell. (Gjoni 3:13; Hebrenjve 6:19, 20) Fakti që Enoku «u hoq që të mos shihte vdekjen» mund të nënkuptojë që Perëndia e vuri në një gjendje vegimi profetik dhe pastaj ia përfundoi jetën ndërsa ishte në këtë gjendje. Në këto rrethana, Enoku nuk vuajti ose nuk ‘pa vdekjen’ nga armiqtë e tij.
6:6, BR—Në cilin kuptim mund të thuhet që Jehovait «i erdhi keq» që kishte bërë njeriun? Këtu fjala hebraike e përkthyer «i erdhi keq» ka të bëjë me ndryshimin e qëndrimit ose të synimit. Jehovai është i përsosur, prandaj nuk është se gaboi që krijoi njeriun. Por ndryshoi qëndrimin mendor për sa i përket brezit të lig që ishte para Përmbytjes. Perëndia e ndryshoi qëndrimin e tij nga Krijues i njerëzve në shkatërrues, sepse ishte i pakënaqur me ligësinë e tyre. Fakti që disa njerëz i shpëtoi tregon se kjo keqardhje e tij ishte vetëm ndaj atyre që ishin bërë të ligj.—2 Pjetrit 2:5, 9.
7:2—Çfarë u përdor si bazë për të bërë dallimin midis kafshëve të pastra e të papastra? Baza për këtë dallim me sa duket kishte të bënte me përdorimin e flijimeve në adhurim e jo me atë që mund e s’mund të hahej. Para Përmbytjes mishi i kafshëve nuk ishte i përfshirë në ushqimin që hanin njerëzit. Termat «i pastër» dhe «i papastër» për ushqimin hynë në përdorim vetëm kur u dha Ligji i Moisiut, si edhe dolën nga përdorimi kur ky Ligj u shfuqizua. (Veprat 10:9-16; Efesianëve 2:15) Nga sa duket, Noeja e dinte se çfarë ishte e përshtatshme për t’u përdorur si flijim në adhurimin e Jehovait. Sapo doli nga arka, ai «ndërtoi një altar për Zotin, mori nga çdo lloj kafshësh dhe zogjsh të pastër dhe ofroi fli mbi altarin».—Zanafilla 8:20.
7:11, BR—Nga erdhi uji që shkaktoi Përmbytjen globale? Gjatë periudhës ose «ditës» së dytë të krijimit, kur u formua «një shtrirje» atmosferike për tokën, kishte ujëra «poshtë shtrirjes» dhe ujëra «mbi shtrirjen». (Zanafilla 1:6, 7, BR) Ujërat «poshtë» ishin ato që tashmë ishin në tokë. Ujërat «sipër» ishin sasi shumë të mëdha avujsh uji që qëndronin në hapësirë lart mbi tokën, duke formuar ‘një thellësi të paanë me ujë’. Këto ujëra ranë mbi tokë në ditët e Noesë.
Mësime për ne:
1:26. Meqenëse janë bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, njerëzit kanë aftësinë të pasqyrojnë cilësitë e tij. Patjetër që duhet të përpiqemi të zhvillojmë cilësi të tilla, si dashuria, mëshira, mirëdashja, mirësia dhe durimi, duke pasqyruar Atë që na krijoi.
2:22-24. Martesa është themeluar nga Perëndia. Lidhja martesore është e përhershme dhe e shenjtë dhe burri është kreu i familjes.
3:1-5, 16-23. Lumturia e secilit prej nesh varet nga pranimi i sovranitetit të Jehovait në jetë.
3:18, 19; 5:5; 6:7; 7:23. Fjala e Jehovait del gjithnjë e vërtetë.
4:3-7. Jehovai ishte i kënaqur me flijimin që i ofroi Abeli sepse ky ishte njeri i drejtë e me besim. (Hebrenjve 11:4) Nga ana tjetër, siç e tregoi me veprimet e tij, Kainit i mungonte besimi. Veprat e tij ishin të liga, të karakterizuara nga xhelozia, urrejtja dhe vrasja. (1 Gjonit 3:12) Për më tepër, ka shumë mundësi që ai të mos i kishte kushtuar shumë vëmendje dhuratës së tij, por ta kishte paraqitur thjesht mekanikisht. Flijimet tona të lëvdimit ndaj Jehovait duhet të jenë gjithnjë me gjithë zemër e të shoqëruara nga një qëndrim i duhur dhe nga sjellja e duhur.
6:22. Ndonëse iu deshën shumë vjet për ta ndërtuar arkën, Noeja bëri pikërisht atë që i kishte urdhëruar Perëndia. Prandaj, Noeja dhe familja e tij mbijetuan gjatë Përmbytjes. Jehovai na flet nëpërmjet Fjalës së tij të shkruar dhe na jep drejtim nëpërmjet organizatës së tij. Është për dobinë tonë të dëgjojmë dhe të bindemi.
7:21-24. Jehovai nuk i shkatërron të drejtët bashkë me të ligjtë.
NJERËZIMI HYN NË NJË EPOKË TË RE
Pasi është zhdukur bota që ishte para Përmbytjes, njerëzimi hyn në një epokë të re. Njerëzve u lejohet të hanë mishin e kafshëve, por u jepet urdhri të përmbahen nga gjaku. Jehovai autorizon dënimin me vdekje për vrasësit dhe themelon besëlidhjen e ylberit, duke premtuar se nuk do të sillte kurrë më një përmbytje tjetër. Tre djemtë e Noesë bëhen paraardhësit e gjithë racës njerëzore, por stërnipi i tij, Nimrodi, bëhet «një gjahtar i fuqishëm kundër Jehovait» (BR). Në vend që të shpërndahen nëpër tokë për ta populluar atë, njerëzit vendosin të ndërtojnë një qytet me emrin Babel dhe një kullë për t’i bërë emër vetes. Qëllimet e tyre prishen kur Jehovai u ngatërron gjuhën dhe i shpërndan në gjithë tokën.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
8:11—Nëse gjatë Përmbytjes u shkatërruan pemët, ku e gjeti pëllumbi gjethen e ullirit? Ka dy mundësi. Meqë pema e ullirit është pemë mjaft e qëndrueshme, mund të ketë mbijetuar nën ujë për disa muaj gjatë Përmbytjes. Kur ujërat e Përmbytjes u tërhoqën, pema e ullirit që kishte qenë e zhytur në ujë do të ishte përsëri në tokë të thatë e do të kishte çelur gjethe. Gjethen e ullirit që i solli Noesë, pëllumbi mund ta kishte marrë edhe nga një filiz mjaft i ri që kishte dalë pasi ishin ulur ujërat e Përmbytjes.
9:20-25—Pse e mallkoi Noeja Kanaanin? Ka shumë të ngjarë që Kanaani të ishte fajtor për ndonjë abuzim ndaj gjyshit të tij, Noesë. Ndonëse babai i Kanaanit, Kami, e pa me sytë e tij këtë, nuk ndërhyri për ta ndalur, por me sa duket shkoi dhe e përhapi çfarë kishte ndodhur. Megjithatë dy djemtë e tjerë të Noesë, Semi dhe Jafeti, vepruan për të mbuluar babanë e tyre. Për këtë u bekuan, kurse Kanaani u mallkua dhe Kami vuajti për shkak të turpit që erdhi mbi pasardhësit e tij.
10:25—Si «u nda» toka në ditët e Pelegut? Pelegu jetoi nga viti 2269 deri më 2030 p.e.s. «Në ditët e tij» Jehovai bëri një ndarje të madhe duke u ngatërruar gjuhën ndërtuesve të Babelit dhe duke i shpërndarë në gjithë tokën. (Zanafilla 11:9) Në këtë mënyrë «toka [ose popullsia e tokës] u nda» në ditët e Pelegut.
Mësime për ne:
9:1; 11:9. Asnjë plan ose përpjekje njerëzore nuk mund të pengojë qëllimin e Jehovait.
10:1-32. Dy dokumentimet e gjenealogjive para dhe pas Përmbytjes, në kapitujt 5 dhe 10, e lidhin të gjithë racën njerëzore me njeriun e parë, Adamin, nëpërmjet tre djemve të Noesë. Asirianët, kaldeasit, hebrenjtë, sirianët dhe disa fise arabe janë pasardhës të Semit. Etiopasit, egjiptianët, kananitët dhe disa fise afrikane e arabe janë pasardhës të Kamit. Indoevropianët janë pasardhës të Jafetit. Të gjithë njerëzit janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe të gjithë lindin të barabartë para Perëndisë. (Veprat 17:26) Kjo e vërtetë duhet të ndikojë në mënyrën se si i shohim dhe si i trajtojmë të tjerët.
Fjala e Perëndisë mund të ushtrojë fuqi
Pjesa e parë e librit të Zanafillës përmban të vetmin tregim të saktë të historisë së hershme të njerëzimit. Në këto faqe fitojmë kuptueshmëri rreth qëllimit për të cilin Perëndia e vendosi njeriun në tokë. Sa inkurajohemi kur vërejmë se asnjë përpjekje njerëzore, si ato të Nimrodit, nuk mund të pengojë përmbushjen e këtij qëllimi!
Ndërsa bëni leximin javor të Biblës duke u përgatitur për Shkollën e Shërbimit Teokratik, shqyrtimi i asaj që thuhet te pjesa «Përgjigjet e pyetjeve biblike» do t’ju ndihmojë të kuptoni disa fragmente të vështira biblike. Komentet që gjeni te pjesa «Mësime për ne» do t’ju tregojnë se si mund të nxirrni dobi nga leximi javor i Biblës. Aty ku është e përshtatshme, mund të sigurojnë edhe një bazë për pjesën e nevojave lokale në Mbledhjen e Shërbimit. Fjala e Jehovait është vërtet e gjallë dhe mund të ushtrojë fuqi në jetën tonë.—Hebrenjve 4:12.