Çmoje dhuratën e jetës!
«Gjaku i Krishtit . . . do t’i pastrojë ndërgjegjet tona nga veprat e vdekura, që ne t’i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë të gjallë.»—HEBRENJVE 9:14.
1. Cila gjë dëshmon se e çmojmë shumë jetën?
PO TË të kërkonin të përcaktoje vlerën e jetës sate, çfarë çmimi do t’i vije? Patjetër e çmojmë shumë jetën, qoftë tonën, qoftë të të tjerëve. Këtë e dëshmon fakti që shkojmë te mjeku kur jemi të sëmurë ose për të bërë rregullisht kontrolle mjekësore. Dëshirojmë të jetojmë dhe të jemi të shëndetshëm. Madje edhe pjesa më e madhe e atyre që janë të moshuar ose të gjymtuar nuk duan të vdesin, por të jetojnë.
2, 3. (a) Çfarë detyrimi theksohet te Fjalët e urta 23:22? (b) Si përfshihet edhe Perëndia në detyrimin që përmendet te Fjalët e urta 23:22?
2 Vlerësimi që ke për jetën ndikon në marrëdhëniet që ke me të tjerët. Për shembull, Fjala e Perëndisë urdhëron: «Dëgjo atin tënd që të ka pjellë [që të lindi, BR] dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë.» (Fjalët e urta [Proverbat] 23:22) ‘Të dëgjosh’ do të thotë më shumë sesa vetëm të kapësh disa fjalë. Ky proverb ka kuptimin të dëgjosh dhe pastaj t’i bindesh asaj që dëgjove. (Eksodi [Dalja] 15:26; Ligji i përtërirë 7:12; 13:18; 15:5; Jozueu 22:2; Psalmi 81:13) Sipas Fjalës së Perëndisë, për ç’arsye duhet t’i dëgjosh prindërit? Duhet t’i dëgjosh jo vetëm sepse janë më të mëdhenj se ty apo sepse kanë më shumë përvojë. Arsyeja që tregohet aty është, sepse ata ‘të lindën’. Në disa përkthime të Biblës ky varg përkthehet kështu: «Dëgjoje atin tënd që të dha jetë.» Kuptohet pra, që nëse e çmon jetën, ndien një detyrim ndaj burimit të kësaj jete.
3 Sigurisht, nëse je një i krishterë i vërtetë, ti pranon Jehovain si Burimin fillestar të jetës. Prej tij ti ‘ke jetë’, mund ‘të lëvizësh’, mund të shfaqësh ndjenja. Ti ‘ekziston’ dhe mund të mendosh ose të bësh plane për të ardhmen, si edhe për jetën e përhershme. (Veprat 17:28; Psalmi 36:9; Predikuesi [Eklisiastiu] 3:11) Në përputhje me Fjalët e urta 23:22, është një gjë e mirë ‘ta dëgjosh’ Perëndinë duke iu bindur, duke dëshiruar të kuptosh pikëpamjen e tij për jetën dhe duke vepruar sipas kësaj pikëpamjeje, në vend që të parapëlqesh ndonjë pikëpamje tjetër.
Trego respekt për jetën
4. Si u bë respekti për jetën një çështje e rëndësishme në fillim të historisë së njerëzimit?
4 Në fillim të historisë së njerëzimit, Jehovai e bëri të qartë se nuk i lejonte njerëzit që ta përdornin (ose ta keqpërdornin) jetën për çfarëdolloj arsyeje. I tërbuar nga xhelozia Kaini shoi një jetë të pafajshme, atë të vëllait të tij Abel. A mendon se Kaini kishte të drejtë të merrte një vendim të tillë për këtë jetë? Perëndia nuk mendoi kështu. Ai i kërkoi llogari Kainit duke i thënë: «Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka.» (Zanafilla 4:10) Vër re se gjaku i derdhur në tokë i Abelit përfaqësonte jetën e cila kishte marrë fund brutalisht dhe ai gjak vëngonte ose i thërriste Perëndisë që të hakmerrej.—Hebrenjve 12:24.
5. (a) Çfarë ndaloi Perëndia në ditët e Noesë? Për kë vlente ai urdhër? (b) Në ç’kuptim ky urdhër ishte një hap i rëndësishëm?
5 Pas Përmbytjes toka u mbush përsëri me njerëz, kësaj here nëpërmjet tetë shpirtrave. Në një deklaratë që vlente për të gjithë njerëzit Perëndia zbuloi më shumë gjëra për mënyrën si e vlerësonte jetën dhe gjakun. Ai tha se njerëzit mund të hanin mishin e kafshëve, por vendosi këtë kufizim: «Çdo gjë që lëviz dhe ka jetë do t’ju shërbejë si ushqim; unë ju jap tërë këto gjëra; ju jap edhe barin e gjelbër; por nuk do ta hani mishin me gjallërinë e tij, domethënë me gjakun e tij.» (Zanafilla 9:3, 4) Disa judenj e interpretojnë këtë sikur njerëzit nuk duhej të hanin mishin ose gjakun e një kafshe që ishte ende gjallë. Por më vonë u bë e qartë se ajo që po ndalonte Perëndia në këtë rast ishte që një person të mos hante gjak për të jetuar. Për më tepër, urdhri që dha Perëndia nëpërmjet Noesë ishte një hap i rëndësishëm përpara në përmbushjen e qëllimit të Tij të lartë në lidhje me gjakun. Ky qëllim do t’u jepte mundësinë njerëzve që të fitonin jetën e përhershme.
6. Si e theksoi Perëndia nëpërmjet Noesë pikëpamjen e Tij për vlerën e jetës?
6 Perëndia tha më tej: «Unë do të kërkoj sigurisht llogari për gjakun e jetëve tuaja dhe këtë do t’ia kërkoj çdo kafshe dhe njeriu. Do t‘i kërkoj llogari për jetën e njeriut dorës së çdo vëllai të njeriut. Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij.» (Zanafilla 9:5, 6) Mund ta kuptosh nga kjo deklaratë drejtuar gjithë familjes njerëzore se për Perëndinë gjaku përfaqëson jetën. Krijuesi i jep jetë çdo individi dhe askush nuk duhet ta marrë atë jetë, e cila përfaqësohet nga gjaku. Në qoftë se ashtu si Kaini, dikush kryen një vrasje, Krijuesi ka të drejtën ‘të kërkojë’ jetën e vrasësit.
7. Pse duhet të na interesojë deklarata e Perëndisë drejtuar Noesë në lidhje me gjakun?
7 Nëpërmjet deklaratës së tij Jehovai po i urdhëronte njerëzit që të mos e keqpërdornin gjakun. A e ke pyetur ndonjëherë veten përse? Cila ishte arsyeja që Perëndia kishte këtë pikëpamje për gjakun? Në fakt përgjigjja ka të bëjë me një nga mësimet më të rëndësishme të Biblës. Ky mësim është thelbi i mesazhit të krishterë, edhe pse shumë fe e shpërfillin atë. Cili është ky mësim dhe si lidhen me të jeta, vendimet dhe veprimet e tua?
Gjaku: Si duhet të përdoret?
8. Çfarë kufizimi vuri Jehovai në Ligj në lidhje me përdorimin e gjakut?
8 Jehovai siguroi më shumë hollësi për jetën dhe gjakun në Ligjin që i dha Izraelit nëpërmjet Moisiut. Duke vepruar kështu, Ai bëri një hap të mëtejshëm për përmbushjen e qëllimit të tij. Ndoshta e di se Ligji kërkonte që t’i ofroheshin blatime Perëndisë si për shembull grurë, vaj dhe verë. (Levitiku 2:1-4; 23:13; Numrat 15:1-5) Gjithashtu, në Ligj përfshiheshin edhe flijimet e kafshëve. Për këto Perëndia tha: «Jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën. Prandaj u kam thënë bijve të Izraelit: ‘asnjëri prej jush nuk ka për të ngrënë gjak’.» Jehovai shtoi që në rast se një njeri, si për shembull, një gjuetar ose një bujk vriste një kafshë për ushqim, ai duhej ta linte gjakun të derdhej plotësisht në tokë dhe pastaj ta mbulonte me dhe. Toka është mbështetësja e këmbëve të Perëndisë dhe duke e derdhur gjakun në të personi pranonte se jeta po i kthehej Jetëdhënësit.—Levitiku 17:11-13; Isaia 66:1.
9. Cili ishte i vetmi përdorim i gjakut që tregohej në Ligj dhe për ç’qëllim?
9 Ai ligj nuk ishte thjesht një rit fetar pa rëndësi për ne. A e vure re përse izraelitët nuk duhej të hanin gjak? Perëndia tha: «Prandaj u kam thënë bijve të Izraelit: ‘asnjëri prej jush nuk ka për të ngrënë gjak’.» Cila ishte arsyeja? «Ju kam urdhëruar ta vini [gjakun] mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj.» A e sheh se kjo na jep kuptueshmëri se përse Perëndia i tha Noesë që njerëzit nuk duhej të hanin gjak? Krijuesi vendosi ta shihte gjakun si diçka me një domethënie të madhe, duke e ruajtur për një përdorim të veçantë që mund të shpëtonte shumë jetë njerëzish. Gjaku do të luante një rol jetësor për mbulimin e mëkateve (shlyerjen). Pra, nën Ligj i vetmi përdorim i gjakut i autorizuar nga Perëndia ishte mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën e izraelitëve të cilët kërkonin faljen e Jehovait.
10. Pse gjaku i kafshëve nuk mund të sillte faljen e plotë të mëkateve? Çfarë u kujtonin izraelitëve flijimet që bëheshin nën Ligj?
10 Ky koncept nuk është i ndryshëm për krishterimin. Duke e pasur fjalën për këtë veçori të ligjit të vendosur nga Perëndia, apostulli i krishterë Pavël shkroi: «Sipas Ligjit, pothuajse të gjitha gjërat janë të pastruara me gjak dhe pa u derdhur gjak nuk bëhet asnjë falje.» (Hebrenjve 9:22) Pavli e bëri të qartë se flijimet e kërkuara nuk i bënin izraelitët njerëz të përsosur e pa mëkat. Ai shkroi: «Me anë të këtyre flijimeve kujtohen mëkatet vit për vit, sepse është e pamundur t’i heqë mëkatet gjaku i demave dhe i cjepve.» (Hebrenjve 10:1-4) Sidoqoftë, këto flijime shërbenin për një qëllim. Ato u kujtonin izraelitëve se ishin mëkatarë dhe kishin nevojë për diçka më tepër për të fituar faljen e plotë të mëkateve. Por, nëse gjaku që përfaqësonte jetën e kafshëve nuk mund të mbulonte plotësisht mëkatet e njerëzve, a mund ta bënte këtë gjë gjaku i dikujt tjetër?
Zgjidhja e Jetëdhënësit
11. Si e dimë se flijimet e gjakut të kafshëve e drejtonin vëmendjen te diçka tjetër?
11 Në të vërtetë Ligji e drejtonte vëmendjen te diçka shumë më e vlefshme për përmbushjen e vullnetit të Perëndisë. Pavli pyeti: «Pse, pra, Ligji?» Ai u përgjigj: «Ai u shtua për të bërë të qarta shkeljet, derisa të mbërrinte fara, së cilës i ishte bërë premtimi; dhe ai u transmetua me anë të engjëjve, nga dora e një ndërmjetësi [Moisiut].» (Galatasve 3:19) Po ashtu Pavli shkroi: «Ligji ka një hije të gjërave të mira që do të vijnë, por jo vetë thelbin e gjërave.»—Hebrenjve 10:1.
12. Si mund ta kuptojmë qëllimin e Perëndisë për gjakun?
12 Për ta përmbledhur, kujto që në ditët e Noesë Perëndia urdhëroi se njerëzit mund të hanin mishin e kafshëve për të jetuar, por nuk mund të hanin gjakun. Më vonë Perëndia tha se «jeta e mishit është në gjak». Pra, ai vendosi ta konsideronte gjakun si diçka që përfaqëson jetën dhe tha: «Ju kam urdhëruar ta vini [gjakun] mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj.» Megjithatë, do të zbulohej edhe një gjë tjetër e mrekullueshme në lidhje me qëllimin e Perëndisë. Ligji kishte një hije të gjërave të mira që do të vinin. Cilat gjëra?
13. Pse ishte e rëndësishme vdekja e Jezuit?
13 Thelbi i gjërave përqendrohej te vdekja e Jezu Krishtit. Ti e di se Jezuin e torturuan dhe e varën në shtyllë. Ai vdiq si një kriminel. Pavli shkroi: «Ndërsa ne ishim akoma të dobët, Krishti vdiq në kohën e caktuar për njerëz të paperëndishëm. . . . Perëndia na e rekomandon dashurinë e vet në atë që, ndërsa akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Romakëve 5:6, 8) Duke vdekur për ne Krishti siguroi një shpërblesë për të mbuluar mëkatet tona. Kjo shpërblesë është thelbi i mesazhit të krishterë. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16; 1 Korintasve 15:3; 1 Timoteut 2:6) Ç’lidhje ka kjo me gjakun dhe jetën në përgjithësi dhe si përfshihet edhe jeta jote?
14, 15. (a) Në ç’mënyrë te disa përkthime të Biblës, te Efesianëve 1:7 vihet theksi te vdekja e Jezuit? (b) Cili fakt rreth Efesianëve 1:7 mund të lihet pas dore?
14 Disa fe e vënë theksin te vdekja e Jezuit dhe pjesëtarët e tyre thonë gjëra të tilla si «Jezui vdiq për mua». Shqyrto se si përkthehet Efesianëve 1:7 në disa përkthime të Biblës: «Në të dhe nëpërmjet vdekjes së tij kemi çlirimin, domethënë heqjen e fajeve tona.» (The American Bible, nga Frank Shajl Balentajn, 1902) «Nëpërmjet vdekjes së Krishtit jemi çliruar dhe na janë falur mëkatet.» (Today’s English Version, 1966) «Në Krishtin dhe nëpërmjet tij dhe flijimit të jetës së tij jemi çliruar, çlirim që do të thotë falje e mëkateve.» (The New Testament, nga Uilliam Barkli, 1969) «Nëpërmjet vdekjes së Krishtit na janë falur mëkatet dhe jemi çliruar.» (The Translator’s New Testament, 1973) Mund të shohësh se në këto përkthime theksi vihet te vdekja e Jezuit. ‘Por vdekja e Krishtit është vërtet e rëndësishme,—mund të thonë disa.—Atëherë, çfarë mungon në këto përkthime?’
15 Në fakt, nëse ti do të kishe vetëm këto përkthime, mund të lije pas dore një pikë shumë të rëndësishme dhe kjo gjë mund të kufizonte kuptueshmërinë tënde për mesazhin e Biblës. Këto përkthime fshehin faktin se në tekstin origjinal të Efesianëve 1:7 ka një fjalë greke e cila do të thotë «gjak». Për këtë arsye shumë përkthime të tjera të Biblës i afrohen më shumë kuptimit origjinal. I tillë është Përkthimi Bota e Re. Ai e përkthen kështu këtë varg: «Me anë të tij ne kemi çlirimin nëpërmjet shpërblesës me anë të gjakut të tij, po, faljen e shkeljeve tona, sipas pasurisë së dashamirësisë së tij të pamerituar.»
16. Për çfarë duhet të na bëjë të mendojmë shprehja e përkthyer «gjakut të tij»?
16 Shprehja e përkthyer «gjakut të tij» është shumë kuptimplotë dhe duhet të na bëjë të mendojmë për shumë gjëra që lidhen me gjakun. Nuk mjaftonte vdekja e një njeriu, madje as vdekja e njeriut të përsosur Jezu. Ai përmbushi atë që tregohej paraprakisht me anë të Ligjit, sidomos me anë të Ditës së Shlyerjes. Në atë ditë të veçantë flijoheshin kafshë të përcaktuara sipas Ligjit. Pastaj kryeprifti merrte një pjesë të gjakut të tyre në Më të Shenjtën, pra në të ndarën e tabernakullit ose të tempullit, dhe atje e paraqiste përpara Perëndisë, sikur kryeprifti të ishte në praninë e tij.—Eksodi 25:22; Levitiku 16:2-19.
17. Si e përmbushi Jezui atë që tregohej paraprakisht nëpërmjet Ditës së Shlyerjes?
17 Siç shpjegoi Pavli, Jezui përmbushi atë që tregohej paraprakisht nëpërmjet Ditës së Shlyerjes. Së pari ai përmendi që kryeprifti në Izrael hynte te Më e Shenjta një herë në vit me gjakun që ofrohej «për veten dhe për mëkatet e popullit të kryera nga padija». (Hebrenjve 9:6, 7) Në përputhje me atë model, pasi u ringjall si frymë, Jezui shkoi në qiell. Duke qenë frymë, pra duke mos pasur trup prej mishi e prej gjaku, ai mundi të shkonte «për ne përpara personit të Perëndisë». Çfarë i paraqiti Perëndisë? Jo diçka fizike, por diçka shumë domethënëse. Pavli tha më tej: «Kur Krishti erdhi si kryeprift . . . , ai hyri, jo, jo me gjakun e cjepve dhe të demave të rinj, por me gjakun e vet, një herë e mirë në vendin e shenjtë dhe mori për ne një çlirim të përhershëm. Sepse nëse gjaku i cjepve dhe i demave . . . shenjtëron aq sa pastron mishin, sa më shumë gjaku i Krishtit, që nëpërmjet një fryme të përhershme ia ofroi veten të patëmetë Perëndisë, do t’i pastrojë ndërgjegjet tona nga veprat e vdekura, që ne t’i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë të gjallë?» Po, Jezui i paraqiti Perëndisë vlerën e gjakut të tij.—Hebrenjve 9:11-14, 24, 28; 10:11-14; 1 Pjetrit 3:18.
18. Pse gjërat që thotë Bibla për gjakun duhet të jenë të rëndësishme për të krishterët sot?
18 Kjo e vërtetë hyjnore na ndihmon të kuptojmë të gjitha aspektet e mrekullueshme të asaj që thotë Bibla për gjakun, pra përse e konsideron në një mënyrë të veçantë, si duhet ta konsiderojmë ne dhe pse duhet t’i respektojmë kufizimet që vë Perëndia për përdorimin e gjakut. Kur të lexosh librat e Shkrimeve të Krishtere Greke do të gjesh shumë referime për gjakun e Krishtit. (Shih kutinë.) Kjo tregon qartë se çdo i krishterë duhet të ketë besim «në gjakun e tij [të Jezuit]». (Romakëve 3:25) Mund të fitojmë falje dhe të kemi paqe me Perëndinë vetëm «nëpërmjet gjakut që ai [Jezui] derdhi». (Kolosianëve 1:20) Kjo sigurisht është e vërtetë për ata me të cilët Jezui bëri një besëlidhje të veçantë për të mbretëruar me të në qiell. (Luka 22:20, 28-30; 1 Korintasve 11:25; Hebrenjve 13:20) Por është e vërtetë edhe për ‘shumicën e madhe’ sot, e cila do të mbijetojë në ‘shtrëngimin e madh’ që po vjen dhe do të gëzojë jetë të përhershme në një tokë parajsore. Në kuptimin e figurshëm pjesëtarët e saj ‘i lajnë petkat e tyre të gjata në gjakun e Qengjit’.—Zbulesa 7:9, 14.
19, 20. (a) Pse Perëndia ka vendosur ta kufizojë përdorimin e gjakut? Si duhet të ndihemi për këtë? (b) Për çfarë duhet të jemi të interesuar të dimë?
19 Është e qartë, pra se gjaku ka një domethënie të veçantë në sytë e Perëndisë. Ai duhet të ketë domethënie të tillë edhe për ne. Krijuesi, i cili interesohet për çdo lloj jete, ka të drejtë të vërë kufizime për atë që bëjnë njerëzit me gjakun. Duke qenë shumë i interesuar edhe për jetën tonë, ai vendosi që gjaku të përdorej vetëm në një mënyrë shumë të rëndësishme. Kjo është e vetmja mënyrë që bën të mundur jetën e përhershme. Ajo ka të bëjë me gjakun e çmuar të Jezuit. Sa mirënjohës jemi që Perëndia Jehova veproi për të mirën tonë duke e përdorur gjakun, pra gjakun e Jezuit, në një mënyrë jetëshpëtuese! Sa mirënjohës duhet t’i jemi Jezuit që derdhi si flijim gjakun e tij për ne! Po, mund të kuptojmë ndjenjat që shprehu apostulli Gjon: «Atij që na do dhe që na ka zgjidhur nga mëkatet tona, me anë të vetë gjakut të tij—dhe na bëri të jemi një mbretëri, priftërinj për Perëndinë dhe Atin e tij—po, atij i qoftë lavdia dhe fuqia përgjithmonë! Amin.»—Zbulesa 1:5, 6.
20 Perëndia dhe Jetëdhënësi ynë plot mençuri, prej kohësh e kishte në mendje këtë rol jetëshpëtues. Prandaj, mund të pyesim: ‘Ç’ndikim duhet të ketë kjo në vendimet dhe në veprimet tona?’ Artikulli vijues do të trajtojë këtë pyetje.
Si do të përgjigjeshe?
• Çfarë mund të mësojmë për pikëpamjen e Perëndisë për gjakun nga tregimet që flasin për Abelin dhe Noenë?
• Çfarë kufizimi vuri Perëndia në Ligj në lidhje me përdorimin e gjakut dhe pse?
• Si e përmbushi Jezui atë që tregohej paraprakisht nëpërmjet Ditës së Shlyerjes?
• Si mund të na shpëtojë jetën gjaku i Jezuit?
[Kutia në faqen 18]
GJAKU I KUJT SHPËTON JETËN?
«Kushtojini vëmendje vetes dhe gjithë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju ka emëruar mbikëqyrës, për të kullotur kongregacionin e Perëndisë, të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet.»—Veprat 20:28.
«Aq më tepër, pra, meqë tani jemi shpallur të drejtë me anë të gjakut të tij, nëpërmjet tij do të shpëtojmë prej zemërimit.»—Romakëve 5:9.
«Nuk kishit asnjë shpresë dhe ishit pa Perëndi në botë. Por tani, në unitet me Krishtin Jezu, ju që dikur ishit larg, jeni afruar me anë të gjakut të Krishtit.»—Efesianëve 2:12, 13.
«Perëndisë iu duk e udhës që gjithë plotësia të banonte në të dhe nëpërmjet tij të pajtonte përsëri me veten të gjitha gjërat e tjera, duke bërë paqe nëpërmjet gjakut që ai derdhi mbi shtyllën e torturës.»—Kolosianëve 1:19, 20.
«Prandaj, o vëllezër, . . . kemi siguri të plotë për udhën e hyrjes në vendin e shenjtë me anë të gjakut të Jezuit.»—Hebrenjve 10:19.
«U çliruat nga mënyra e pafryt e sjelljes që ju lanë paraardhësit me anë të traditës, jo me gjëra të prishshme . . . , por me gjak të çmuar, si ai i një qengji të patëmetë dhe të panjollë, po, të Krishtit.»—1 Pjetrit 1:18, 19.
«Po të ecim në dritë, sikurse ai vetë është në dritë, kemi pjesë me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezuit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.»—1 Gjonit 1:7.
«Ti je i denjë të marrësh rrotullën e të hapësh vulat e saj, sepse ti u there dhe me gjakun tënd bleve për Perëndinë njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb.»—Zbulesa 5:9.
«U hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë . . . Dhe ata e mundën, për shkak të gjakut të Qengjit dhe për shkak të fjalës së dëshmisë së tyre.»—Zbulesa 12:10, 11.
[Figura në faqen 16]
Me anë të Ligjit Perëndia e bëri të qartë se gjaku mund të luante rol të rëndësishëm në faljen e mëkateve
[Figura në faqen 17]
Me anë të gjakut të Jezuit mund të shpëtohen shumë jetë njerëzish