Gjaku: I domosdoshëm për jetën
Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën? Kjo, pa dyshim, është me interes për ju, sepse gjaku është i lidhur me jetën tuaj. Gjaku mbart oksigjenin nëpër trupin tuaj, largon dioksidin e karbonit, ju ndihmon të përshtateni ndaj ndryshimeve të temperaturës dhe të luftoni kundër sëmundjeve.
Lidhja e jetës me gjakun ishte përcaktuar shumë kohë përpara se Uilliam Harvei të bënte paraqitjen skematike të sistemit të qarkullimit të gjakut në vitin 1628. Etika bazë e feve më të mëdha përqendrohet mbi një Jetëdhënës, i cili e ka bërë të njohur pikëpamjen e tij rreth jetës dhe gjakut. Një jurist jude i krishterë tha për të: «Ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë. Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi.»a
Njerëzit që besojnë në këtë Jetëdhënës, janë të bindur se udhëzimet e tij janë për të mirën tonë të përhershme. Një profet hebre e përshkroi atë si «Ai që të mëson t’i sjellësh dobi vetes, Ai që të bën të ndjekësh rrugën në të cilën duhet të ecësh».—BR.
Kjo siguri në Isainë 48:17, është pjesë e Biblës, një libër i respektuar për vlerat etike, të cilat mund të na sjellin dobi të gjithëve ne. Çfarë thotë ajo rreth përdorimit të gjakut nga ana e njeriut? A shpjegon se si mund të shpëtohet jeta me anë të gjakut? Në të vërtetë, Bibla tregon qartë se gjaku është më shumë sesa një lëng biologjik kompleks. Ajo e përmend gjakun më shumë se 400 herë dhe disa prej këtyre referimeve kanë të bëjnë me shpëtimin e jetës.
Në një nga referimet e para, Krijuesi deklaroi: «Çdo gjë që lëviz dhe ka jetë do t’ju shërbejë si ushqim; . . . por nuk do ta hani mishin me gjallërinë e tij, domethënë me gjakun e tij.» Ai shtoi: «Unë do të kërkoj sigurisht llogari për gjakun e jetëve tuaja», e pas kësaj dënoi vrasjen. (Zanafilla 9:3-6) Ai ia tha këtë Noes, një paraardhës i përbashkët që respektohet shumë nga hebrenjtë, myslimanët dhe të krishterët. Në këtë mënyrë, i gjithë njerëzimi ishte lajmëruar se në sytë e Krijuesit, gjaku përfaqëson jetën. Kjo nuk ishte thjesht një normë në lidhje me ushqimin. Në të përfshihej në mënyrë të qartë një parim moral. Gjaku njerëzor ka domethënie të madhe dhe nuk duhet të keqpërdoret. Më vonë, Krijuesi dha hollësi të tjera, prej të cilave mund të kuptojmë me lehtësi çështjet morale që ai tregon se kanë lidhje me gjakun.
Ai iu referua përsëri gjakut, kur i dha Izraelit të lashtë kodin e Ligjit. Ndonëse shumë njerëz e respektojnë mençurinë dhe normat etike që përfshihen në atë kod, pak janë në dijeni të ligjeve të tij të rrepta mbi gjakun. Për shembull: «Në rast se dikush nga shtëpia e Izraelit apo nga të huajt që banojnë midis jush ha çfarëdo lloj gjaku, unë do ta kthej fytyrën time kundër atij që ha gjak dhe do ta shfaros në mes të popullit të tij. Sepse jeta e mishit është në gjak.» (Levitiku 17:10, 11) Perëndia shpjegoi pastaj se çfarë duhet të bënte një gjahtar me një kafshë të ngordhur: «Do të derdhë gjakun e tij dhe do ta mbulojë me dhe. . . . Nuk do të hani gjakun e asnjë mishi, sepse jeta e çdo mishi është gjaku i tij; kushdo që do ta hajë do të shfaroset.»—Levitiku 17:13, 14.
Shkencëtarët tani e dinë se kodi i Ligjit judaik mbështeste shëndetin e mirë. Në të kërkohej, për shembull, që jashtëqitjet të depozitoheshin jashtë kampit dhe të mbuloheshin, si dhe që njerëzit të mos hanin mish që mbartte një rrezikshmëri të lartë sëmundjesh. (Levitiku 11:4-8, 13; 17:15; Ligji i përtërirë 23:12, 13) Ndonëse ligji mbi gjakun përmbante aspekte shëndetësore, në të përfshihej shumë më tepër se kaq. Gjaku kishte një kuptim simbolik. Ai përfaqësonte jetën e dhënë nga Krijuesi. Duke e trajtuar gjakun si të veçantë, njerëzit tregonin se e pranonin që jeta varet nga Perëndia. Po, arsyeja kryesore se përse nuk duhet ta futnin gjakun në trup nuk qe se ai ishte i rrezikshëm për shëndetin, por se ai kishte domethënie të veçantë në sytë e Perëndisë.
Ligji shpallte disa herë me radhë faktin që Krijuesi e ndalonte marrjen e gjakut për të mbështetur jetën. «Nuk do ta hash [gjakun], por do ta derdhësh për tokë ashtu siç bëhet me ujin. Nuk do ta hash me qëllim që të përparosh ti dhe bijtë e tu mbas teje, pse keni bërë një gjë që është e drejtë në sytë e Zotit.»—Ligji i përtërirë 12:23-25; 15:23; Levitiku 7:26, 27; Ezekieli 33:25.b
Në kundërshtim me arsyetimin e disave sot, ligji i Perëndisë mbi gjakun nuk duhej shpërfillur vetëm sepse lindte një urgjencë. Gjatë një krize në kohë lufte, disa ushtarë izraelitë vranë kafshë dhe ‘i hëngrën me gjithë gjakun e tyre.’ Duke pasur parasysh urgjencën, a ishte e lejueshme që ata të mbështetnin jetën me anë të gjakut? Jo. Komandanti i tyre vuri në dukje se mënyra si kishin vepruar ishte gjithsesi një shkelje e rëndë. (1. Samuelit 14:31-35) Prandaj, sado që jeta është e çmuar, Jetëdhënësi ynë nuk ka thënë kurrë që normat e tij mund të shpërfillen në ndonjë rast urgjence.
GJAKU DHE TË KRISHTERËT E VËRTETË
Cila është pikëpamja e krishterë rreth çështjes së shpëtimit të jetës njerëzore me anë të gjakut?
Jezui ishte një njeri me integritet dhe për këtë arsye çmohet kaq shumë. Ai e dinte se Krijuesi kishte thënë që marrja e gjakut ishte e gabuar dhe se ky ligj ishte i detyrueshëm. Prandaj, ka arsye të forta për të menduar se Jezui do ta mbështeste ligjin mbi gjakun, edhe nëse do të ishte nën presion për të vepruar ndryshe. Jezui «nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij». (1. Pjetrit 2:22) Në këtë mënyrë, ai la një model për ithtarët e tij, ku përfshihej një model i respektit për jetën dhe për gjakun. (Më vonë do të shikojmë se si është përfshirë vetë gjaku i Jezuit në këtë çështje jetësore që ka të bëjë me jetën tuaj.)
Vëreni çfarë ndodhi kur, vite pas vdekjes së Jezuit, lindi problemi nëse ata që bëheshin të krishterë duhej t’u përmbaheshin të gjitha ligjeve të Izraelit. Kjo u shqyrtua në një mbledhje të trupit udhëheqës të krishterë, në të cilin përfshiheshin edhe apostujt. Gjysmëvëllai i Jezuit, Jakobi, iu referua shkrimeve që përmbanin urdhrat mbi gjakun, të cilat iu dhanë Noes dhe kombit të Izraelit. A do të ishin të detyrueshme këto për të krishterët?—Veprat 15:1-21.
Vendimi i asaj mbledhjeje iu komunikua të gjitha kongregacioneve: Të krishterët nuk duhet t’i përmbahen kodit që iu dha Moisiut, por është ‘e nevojshme’ që ata të vazhdojnë «të heqin dorë nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura [mishi që nuk i është hequr gjaku] dhe nga kurvëria». (Veprat 15:22-29) Apostujt nuk po parashtronin thjesht një ritual ose urdhëresë në lidhje me ushqimin. Dekreti paraqiste norma themelore etike, të cilave të krishterët e hershëm iu bindën. Rreth një dekadë më vonë, ata pranuan se duhej akoma ‘të ruheshin nga gjërat që u flijohen idhujve, nga gjaku . . . dhe nga kurvëria’.—Veprat 21:25.
E dini që miliona njerëz frekuentojnë kishat. Shumica e tyre ndoshta do të pranonin se etika e krishterë nuk lejon t’u jepet adhurimi idhujve dhe të kryhen vepra të rënda imorale. Megjithatë, ia vlen t’i kushtojmë vëmendje faktit që apostujt e vendosën shmangien e gjakut në të njëjtin nivel të lartë moral me shmangien e këtyre mëkateve. Dekreti i tyre përfundonte: ‘Nëse hiqni dorë me kujdes nga këto gjëra, do t’ju shkojë mbarë. Shëndet të mirë!’—Veprat 15:29, BR.
Dekreti apostolik u konsiderua i detyrueshëm për një kohë të gjatë. Eusebius tregon për një të re nga fundi i shekullit të dytë, e cila para se të vdiste nën tortura, theksoi me forcë se për të krishterët «nuk është e lejueshme të hanë as gjakun e kafshëve pa arsye». Ajo nuk po ushtronte «të drejtën për të vdekur». Ajo dëshironte të jetonte, por nuk do të bënte kompromis me parimet e saj. A nuk i respektoni ata njerëz që i vendosin parimet mbi përfitimin personal?
Shkencëtari Xhozef Pristli arriti në përfundimin: «Ndalimi për të ngrënë gjak, që iu dha Noes, duket se është i detyrueshëm për të gjithë pasardhësit e tij . . . Nëse e shpjegojmë ndalimin e bërë nga apostujt duke u nisur nga zakoni i të krishterëve të parë, të cilët vështirë të mendohet se nuk e kanë kuptuar drejt natyrën dhe shtrirjen e tij, nuk mund të mos arrijmë në përfundimin se ai ishte paracaktuar për të qenë absolut dhe i përhershëm; në fakt, për shumë shekuj, asnjë i krishterë nuk hëngri gjak.»
Ç’TË THEMI PËR PËRDORIMIN E GJAKUT SI MJEKIM?
A do t’i përfshinte ndalimi biblik mbi gjakun, përdorimet mjekësore të tij, të tilla si transfuzionet, të cilat sigurisht që nuk njiheshin në ditët e Noes, të Moisiut ose të apostujve?
Ndonëse terapia moderne me gjak nuk ekzistonte në atë kohë, përdorimi mjekësor i gjakut nuk është modern. Për rreth 2.000 vjet, në Egjipt dhe në vende të tjera, «gjaku [njerëzor] konsiderohej si mjekimi më i efektshëm për lebrën». Një mjek bëri të njohur terapinë që i bëhej birit të mbretit Esar-Hadon, kur kombi i Asirisë ishte në ballë të zhvillimit teknologjik: «[Princi] po përmirësohet shumë; mbreti, zotëria im, mund të jetë i lumtur. Duke filluar nga dita e 22-të, do t’i jap (atij) të pijë gjak, do ta pijë (atë) për 3 ditë. Për 3 ditë të tjera do (t’i) jap (gjak) për përdorim të brendshëm.» Esar-Hadoni kishte marrëdhënie me izraelitët. Megjithatë, duke qenë se kishin Ligjin e Perëndisë, izraelitët nuk do ta pinin kurrë gjakun si ilaç.
A përdorej gjaku si ilaç në epokën romake? Natyralisti Plini (një bashkëkohës i apostujve) dhe mjeku i shekullit të dytë Areteus, raportojnë se gjaku njerëzor ishte një kurë për epilepsinë. Tertuliani shkruante më vonë: «Mendoni pak ata që, me etje, gjatë një shfaqjeje në arenë, pinë si të babëzitur gjakun e ngrohtë të kriminelëve të ligj . . . dhe e marrin me vete për të shëruar epilepsinë e tyre.» Ai i vuri ata në kontrast me të krishterët, të cilët «nuk përdorin as gjakun e kafshëve në ushqimet [e tyre] . . . Gjatë sprovave, ju u jepni të krishterëve salsiçe plot me gjak. Jeni të bindur, sigurisht, që [kjo] është e paligjshme për ta». E pra, të krishterët e hershëm më mirë do të rrezikonin vdekjen, sesa të merrnin gjak.
«Gjaku, në formën e tij më të zakonshme, nuk . . . doli nga moda si një përbërës në mjekësi dhe në magji,—tregohet në librin Mishi dhe gjaku (Flesh and Blood). —Në vitin 1483, për shembull, Luigji XI i Francës po vdiste. ‘Çdo ditë, ai sa vinte e bëhej më keq dhe ilaçet, ndonëse ishin të një natyre të çuditshme, nuk i sillnin asnjë dobi; në fakt ai shpresonte me zjarr që të shërohej me gjakun njerëzor, të cilin e merrte nga disa fëmijë dhe e kapërdinte.’»
Ç’të themi për transfuzionin e gjakut? Eksperimentet mbi këtë nisën nga fillimi i shekullit të 16-të. Tomas Bartolin (1616-1680), profesor i anatomisë në Universitetin e Kopenhagës, kundërshtoi: ‘Ata që përzihen në çështjen e përdorimit të gjakut njerëzor si ilaç i brendshëm për sëmundjet, duket që e keqpërdorin atë dhe që mëkatojnë rëndë. Kanibalët dënohen. A nuk na neveriten vallë ata njerëz që e ndyjnë gurmazin e tyre me gjak njerëzor? Është një gjë e ngjashme marrja e gjakut të një tjetri nga një venë e prerë, qoftë nëpërmjet gojës, qoftë me anë të mjeteve të transfuzionit. Autorët e këtij veprimi ndodhen nën tmerrin e ligjit hyjnor, në të cilin ngrënia e gjakut ndalohet.’
Kështu që, në shekujt e kaluar, njerëzit me arsye e kuptuan se ligji biblik zbatohej ndaj marrjes së gjakut nëpërmjet venave, tamam siç zbatohej ndaj marrjes së tij nëpërmjet gojës. Bartolin përfundoi: «Të dyja mënyrat e marrjes [së gjakut] përkojnë në të njëjtin qëllim, që me anë të këtij gjaku një trup i sëmurë të ushqehet ose të mëkëmbet.»
Ky vështrim i përgjithshëm mund t’ju ndihmojë të kuptoni qëndrimin e pandryshueshëm fetar që mbajnë Dëshmitarët e Jehovait. Ata e çmojnë shumë jetën dhe kërkojnë të kenë kujdes të mirë mjekësor. Por janë të vendosur të mos e dhunojnë standardin e Perëndisë, i cili ka qenë konsekuent: Ata që e respektojnë jetën si një dhuratë nga Krijuesi, nuk përpiqen ta mbështetin nëpërmjet marrjes së gjakut.
Prapëseprapë, për vite është pohuar se gjaku shpëton jetë. Mjekët mund të përmendin raste të njerëzve që kanë pasur humbje të menjëhershme gjaku, por që, pasi iu bënë transfuzione, u përmirësuan shpejt. Prandaj mund të pyesni veten: ‘A është me mend një qëndrim i tillë në aspektin mjekësor?’ Në mbështetje të terapisë me gjak, janë dhënë prova mjekësore. Kështu, është me vend që t’i njihni vetë faktet, me qëllim që të bëni një zgjedhje të informuar në lidhje me gjakun.
[Shënimet]
a Pavli, në Veprat 17:25, 28.
b Ndalime të ngjashme u shkruan më vonë në Kuran.
[Kutia në faqen 4]
«Porositë e shkruara këtu në një mënyrë të saktë dhe sistematike [në Veprat 15] janë cilësuar si të domosdoshme, duke treguar në mënyrë të pakundërshtueshme se në mendjet e apostujve ky nuk ishte një rregullim kalimtar, ose një masë e përkohshme.»—Eduard Rojs, Profesor në Universitetin e Strasburgut.
[Kutia dhe figura në faqen 5]
Martin Luteri theksoi rrjedhojat e dekretit apostolik: «Tani, nëse duam të kemi një kishë që vepron në përputhje me këto norma, . . . duhet të mësojmë dhe të këmbëngulim që qysh tani e tutje, asnjë princ, zotëri, qytetar apo fshatar të mos hajë mish pate, lepuri, dreri ose derri të gatuar me gjak . . . Dhe qytetarët e fshatarët duhet të heqin dorë veçanërisht nga salsiçet e kuqe dhe nga salsiçet me gjak.»
[Burimi]
Ksilografia nga Lukas Kranakh
[Kutia në faqen 6]
«Perëndia dhe njerëzit i shikojnë gjërat nga këndvështrime shumë të ndryshme. Ajo që duket e rëndësishme në sytë tanë, shumë shpesh nuk ka asnjë vlerë për mençurinë e pafundme; dhe ajo që ne na duket e papërfillshme, shpesh ka rëndësi shumë të madhe në sytë e Perëndisë. Ka qenë kështu qysh nga fillimi.»—Aleksandër Piri, «An Enquiry Into the Lawfulness of Eating Blood», 1787.
[Figura në faqen 3]
Mjekësia dhe Artisti nga Karl Zigroser/Botimet Dover
[Figura në faqen 4]
Gjatë një mbledhjeje historike trupi udhëheqës i krishterë vërtetoi se ligji i Perëndisë mbi gjakun është ende në fuqi
[Figura në faqen 7]
Pavarësisht nga pasojat, të krishterët e hershëm refuzuan të dhunonin ligjin e Perëndisë mbi gjakun
[Burimi]
Tablo nga Zherom, 1883, me mirësjelljen e Galerisë së arteve Uollters, Baltimorë