NOEJA
[heb., Nóah, ka të ngjarë: prehje; ngushëllim].
Biri i Lamekut dhe i dhjeti në radhë nga Adami; pasardhës i Setit; lindi në vitin 2970 p.e.s., 126 vjet pas vdekjes së Adamit. Kur i vuri emrin Noe të birit, Lameku tha: «Ky do të na sjellë ngushëllim për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, ngaqë toka është e mallkuar nga Jehovai.»—Zn 5:28-31.
I patëmetë mes bashkëkohësve të tij. Bota në të cilën jetoi Noeja kishte përfunduar në degjenerim. Gjatë kësaj periudhe, engjëjt që e braktisën vendin e tyre fillestar dhe vendbanimin e tyre të duhur, ishin martuar me gra dhe kishin lindur pasardhës, «burra me famë». Ata nxitën dhunën në tokë (Zn 6:1-4; Jd 6), aq sa «çdo prirje e mendimeve të zemrës së [njeriut] ishte e keqe gjithë kohën» dhe toka «ishte prishur, sepse çdo njeri e kishte prishur udhën e tij në tokë». (Zn 6:5, 11, 12) Mirëpo Noeja nuk lejoi të ndikohej nga gjithë kjo dhe ja si përshkruhet në Fjalën e Perëndisë: «Noeja ishte njeri i drejtë. Ai ishte i patëmetë mes bashkëkohësve të tij. Noeja eci me Perëndinë e vërtetë.» (Zn 6:8, 9) Për të mund të thuhet se ishte «i patëmetë» sepse, ndryshe nga bota e paperëndishme e asaj kohe, ishte plotësisht në lartësinë e asaj që kërkonte Perëndia prej tij.—Krahaso Zn 6:22; shih PËRSOSMËRIA.
Jehovai vendos ta shkatërrojë atë botë. Jehovai vendosi një afat për ekzistencën e asaj bote të paperëndishme, duke thënë: «Fryma ime nuk do të tregohet gjithmonë e duruar me njeriun, sepse ai s’është gjë tjetër veçse mish. Prandaj ditët e tij do të shkojnë deri në njëqind e njëzet vjet.» (Zn 6:3) Ky ishte një dekret gjyqësor i vendosur nga Perëndia. Rreth 20 vjet më vonë, (në vitin 2470 p.e.s.), lindi djali i parë i Noesë, (ka të ngjarë Jafeti), dhe tregimi thotë se dy vjet më pas i lindi një djalë tjetër, Semi. Koha kur lindi Kami nuk tregohet, por këta tre djem ishin të rritur dhe të martuar kur Perëndia i dha Noesë udhëzimet për të ndërtuar një arkë. Pra, ka shumë mundësi që të kishin mbetur vetëm 40 ose 50 vjet derisa të vinte Përmbytja. (Zn 6:13-18) Tani që Jehovai kishte bërë një besëlidhje me Noenë (Zn 6:18), ai iu fut punës, i ndihmuar edhe nga familja e tij; ai u bë ndërtues dhe ‘një predikues i drejtësisë’, që ta paralajmëronte atë brez të lig për shkatërrimin që e priste.—2Pj 2:5.
Perëndia e ruan gjallë nga Përmbytja. Njerëzit nuk e besonin se Perëndia do ta shkatërronte atë botë të ligë. Kurse Noeja kishte një besim aq të fortë, sa u bind plotësisht dhe «veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia. Ai bëri pikërisht ashtu». (Zn 6:22) Për shkak të besimit të tij të patundur te Jehovai, shkrimtari i krishterë i Letrës drejtuar Hebrenjve e përmendi Noenë mes atyre që ishin pjesë e një ‘reje kaq të madhe dëshmitarësh’. Ai shkroi: «Me anë të besimit, Noeja, pasi u paralajmërua hyjnisht për gjëra që ende nuk shiheshin, tregoi frikë Perëndie dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së vet. Nëpërmjet këtij besimi, ai dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë, që është sipas besimit.»—He 11:7; 12:1.
Shtatë ditë para se të fillonin të binin ujërat e përmbytjes, Jehovai e urdhëroi Noenë të mblidhte kafshët në arkë. Ditën e shtatë të asaj jave, «para se të derdheshin ujërat e përmbytjes, Noeja hyri në arkë bashkë me bijtë, me gruan e tij dhe me gratë e bijve të tij. . . . Pas kësaj, Jehovai e mbylli derën prapa Noesë». Po atë ditë, «erdhi përmbytja e i shkatërroi të gjithë».—Zn 7:1-16; Lu 17:27.
Me anë të atyre që hynë në arkë, u sigurua vazhdimësia e jetës njerëzore dhe shtazore. Gjithashtu, mbijetoi adhurimi i vërtetë dhe, nëpërmjet Noesë e familjes së tij, Perëndia ruajti historinë e krijimit, bashkë me një sistem për të llogaritur kohën deri kur u krijua njeriu, si edhe gjuhën origjinale (që më vonë u quajt hebraisht). Gjatë kohës që ishte në arkë, Noeja mbajti shënime të sakta të ngjarjeve të rëndësishme.—Zn 7:11, 12, 24; 8:2-6, 10, 12-14.
Bekimi pas Përmbytjes dhe besëlidhja e ylberit. Pas rreth një viti në arkë, Noeja dhe familja e tij dolën në një tokë plotësisht të pastruar. Arka ishte ndalur në vargmalin Ararat. Për të treguar mirënjohjen për dashamirësinë, mëshirën dhe dorën mbrojtëse të Jehovait, Noeja ndërtoi një altar dhe paraqiti si flijim për Jehovain «disa kafshë të pastra dhe disa krijesa fluturuese të pastra». Jehovait i pëlqeu dhe i tha Noesë se toka nuk do të ishte më e mallkuar dhe nuk do të godiste më gjithçka si kishte bërë. Në tokë nuk do të pushonte kurrë «mbjellja dhe korrja, të ftohtët e të nxehtët, vera e dimri, dita e nata».—Zn 8:18-22.
Jehovai i bekoi të mbijetuarit e Përmbytjes dhe u dha këtë urdhër: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.» Më pas, ai dha dekrete te reja për mirëqenien e tyre: (1) me dashamirësi i lejoi t’i shtonin listës së ushqimeve mishin e kafshëve; (2) por, meqenëse shpirti është në gjak, gjaku nuk duhej ngrënë; (3) vendosi dënimin me vdekje nëpërmjet atyre që kishin autoritetin e duhur. Këto ligje ishin të detyrueshme për gjithë njerëzimin, si pasardhës të tre djemve të Noesë.—Zn 1:28; 9:1-7; 10:32.
Pasi dha këto dekrete, Jehovai tha: «Ja, unë po bëj një besëlidhje me ju dhe me pasardhësit tuaj, me çdo shpirt të gjallë që është me ju, me shpendët, me kafshët dhe me gjithë krijesat e gjalla të tokës që janë me ju. . . . Ja besëlidhja që po bëj me ju: asnjë mish nuk do të shfaroset më nga ujërat e një përmbytjeje dhe as që do të ndodhë më ndonjë përmbytje për të shkatërruar tokën.» Ylberi është edhe sot e kësaj dite një «shenjë» ose përkujtues i kësaj besëlidhjeje.—Zn 9:8-17; Is 54:9.
Noeja dehet. Noeja jetoi edhe 350 vjet pas Përmbytjes. Tregimi thotë hapur dhe me sinqeritet: «Tani, Noeja filloi të punonte si bujk dhe mbolli një vresht. Ai piu verë dhe u deh, e kështu u zhvesh në mes të tendës së tij.» (Zn 9:20, 21) Kjo s’do të thotë se Noeja e kishte zakon të dehej. Bibla e tregon këtë rast për të shpjeguar në ç’rrethana ndodhi ngjarja që pasoi, e cila pati një ndikim të thellë në historinë e botës. Para Përmbytjes, Noeja nuk ‘pinte’ njësoj si njerëzit e ligj përreth, që pa dyshim arrinin deri aty sa bënin orgji. Këto gjëra mpinin ndjenjat e tyre dhe sigurisht ishte një nga arsyet që ata hodhën poshtë paralajmërimin e Perëndisë, duke mos kushtuar vëmendje «derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë».—Mt 24:38, 39; Lu 17:27.
Gjatë kohës që Noeja po flinte në tendën e tij, Kami, e ndoshta edhe i biri, Kanaani, në njëfarë mënyre u bënë me faj për mungesë respekti ndaj Noesë. Tregimi thotë: «Pasi i doli vera, Noeja u zgjua dhe mori vesh çfarë i kishte bërë djali më i vogël.» Në përgjithësi mendohet se në këtë varg shprehja «djali më i vogël» i referohet Kamit. Megjithatë, në Bibël shprehja nganjëherë i referohet nipit, që në këtë rast ishte Kanaani. Sido që të ketë qenë, Kami, babai i Kanaanit, shkoi t’u thoshte dy vëllezërve të tij, në vend që ta mbulonte Noenë, siç bënë ata. Kur mori vesh ç’kishte ndodhur, Noeja mallkoi Kanaanin dhe bekoi Jehovain, Perëndinë e Semit.—Zn 9:20-27.
Rebelimi i Nimrodit. Noeja ishte patriarku i parë i shoqërisë që u zhvillua pas Përmbytjes. (Zn 10:1-32) Megjithatë, gjatë kohës që ai ishte gjallë, u rishfaq feja e rreme mes ndjekësve të Nimrodit, siç e tregon përpjekja e tyre rebele për të ndërtuar ‘një kullë, maja e së cilës të arrinte deri në qiej’, që të mos shpërndaheshin «në gjithë faqen e tokës». Kjo ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me urdhrin e Perëndisë ‘për të mbushur tokën’, si dhe një rebelim kundër pozitës së Noesë si profet i Perëndisë. Noeja vdiq rreth dy vjet para lindjes së Abrahamit. Kështu, ai qe dëshmitar i gjykimit të Jehovait kundrejt ndërtuesve të Kullës së Babelit dhe i shpërndarjes së tyre në të gjithë faqen e dheut. Noeja dhe Semi nuk kishin marrë pjesë në ndërtimin e kullës, ndaj gjuha e tyre mbeti e njëjta; ata vazhduan të flisnin gjuhën origjinale që i dha Perëndia Adamit.—Zn 9:1, 28, 29; 11:1-9.
Model profetik. Profetët Isaia dhe Ezekiel, si dhe Jezu Krishti me apostujt e tij, Pjetrin e Pavlin, folën të gjithë për Noenë, shërbëtorin e Perëndisë. Jezui dhe Pjetri tregojnë se ditët e Noesë ishin një model profetik ‘i pranisë së Birit të njeriut’ dhe ‘i ditës së gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm’ në të ardhmen. Duke kursyer Noenë dhe familjen e tij kur shkatërroi atë botë të ligë, Jehovai ‘u la njerëzve të paperëndishëm një model të gjërave që do të vijnë’.—2Pj 3:5-7; 2:5, 6; Is 54:9; Ezk 14:14, 20; Mt 24:37-39; He 11:7; 1Pj 3:20, 21.