HAVILAHU
[(rajoni i) rërës].
1. Vend ‘i rrethuar’ nga Pishoni, një prej katër degëve të lumit që dilte nga Edeni. Përshkruhet edhe si vend me ar të cilësisë së lartë, rrëshirë bdeli dhe gurë oniksi. (Zn 2:10-12) Meqë lumi Pishon nuk dihet më se ku ndodhej, edhe vendndodhja e Havilahut mbetet e paqartë. (Shih PISHONI.) Sipas disave, përshkrimi i pasurive të tij natyrore është tipik për Arabinë dhe e lidhin Havilahun me një rajon në Arabi. Nisur nga shprehja biblike «gjithë vendin e Havilahut», J. Simonsi shtron hipotezën se termi «Havilah» mbase përfshin krejt Gadishullin Arabik, ndonëse është e vështirë të kuptosh se si mund ta ‘rrethonte’ lumi Pishon një zonë të tillë.—The Geographical and Topographical Texts of the Old Testament, Lajden, 1959, f. 40, 41.
2. Sipas Zanafillës 25:18, ismaelitët «fushonin nga Havilahu pranë Shurit, që ndodhet përballë Egjiptit, deri në Asiri». Kjo do të kërkonte që Havilahu, a të paktën një pjesë e tij, të shtrihej pak a shumë deri në gadishullin e Sinait, ku ka shumë të ngjarë të ndodhej shkretëtira e Shurit. (Shih SHURI.) Shkrimi me sa duket tregon se ismaelitët nomadë u endën nga gadishulli i Sinait nëpër Arabinë Veriore e shkuan gjer në Mesopotami. Po ashtu, kur mbreti Saul i goditi amalekitët «që nga Havilahu e deri në Shur, që gjendet përballë Egjiptit» (1Sa 15:7), shprehja «që nga Havilahu» me sa duket nënkupton një pjesë të Gadishullit Arabik, ndoshta skajin veriperëndimor të tij, që përbënte njërin kufi të territorit ku ishin përqendruar amalekitët, ndërsa shkretëtira e Shurit në gadishullin e Sinait përbënte kufirin tjetër. Një fjalor biblik e thotë me fjalë të tjera këtë varg «që nga shkretëtira brenda Nexhdit në Arabinë Veriore e deri në rajonin në veri të Suezit të sotëm në Egjipt». (The Interpreter’s Dictionary of the Bible, nga Xh. A. Batriku, 1962, vëll. 1, f. 101) Pra, me sa duket, Havilahu përfshinte të paktën pjesën veriperëndimore të Gadishullit Arabik, e mbase edhe një zonë shumë më të madhe.
3. Bir i Kushit, birit të Kamit. (Zn 10:6, 7) Sipas shumë studiuesve, emri Havilah në këtë shkrim përfaqëson edhe një rajon, e ka shumë mundësi të jetë përdorur për zonën ku u vendosën pasardhësit e këtij biri të Kushit. Shumica e pasardhësve të Kushit me sa duket u shpërngulën në Afrikë dhe në Arabi pas shpërndarjes së popullsisë nga Babeli (Zn 11:9), prandaj në përgjithësi mendohet se pasardhësit e Havilahut kushit duhen lidhur me rajonin që quhet Haulan në mbishkrimet e lashta sabeatite. Ai rajon ndodhej në bregun jugperëndimor të Arabisë, në veri të Jemenit të sotëm. Veç kësaj, është hedhur ideja se, në rrjedhën e kohës, disa pjesëtarë të këtij fisi kaluan Detin e Kuq dhe u shpërngulën në atë zonë të Afrikës ku sot ndodhen Xhibuti dhe Somalia, ku ndoshta emri i lashtë është ruajtur tek emri Aualis. (A Dictionary of the Bible, nga Xh. Hejstinsi, 1903, vëll. II, f. 311) Ka po aq të ngjarë që ata të jenë shpërngulur në drejtimin e kundërt, domethënë nga Afrika për në Arabi. Ngushtica Bab-el-Mandeb e Detit të Kuq, që ndan Arabinë nga Xhibuti i Afrikës, është vetëm afro 32 km e gjerë.
4. Bir i Joktanit dhe pasardhës i Semit nëpërmjet Arpakshadit. (Zn 10:22-29) Emrat e disa bijve të tjerë të Joktanit, si Hazarmaveti dhe Ofiri, me sa duket lidhen me rajone të Arabisë Jugore. Kështu, ka shumë të ngjarë që edhe Havilahu semit dhe pasardhësit e tij të jenë vendosur me banim në Arabi, ndonëse jo detyrimisht në jug. Sipas disave, ai jetoi në të njëjtin rajon me Havilahun kushit; por thjesht fakti që kishin të njëjtin emër nuk mund të merret si bazë për të supozuar se, pavarësisht nga ndryshimet etnologjike, përfunduan që të dy në të njëjtën zonë. Dëshmitë që lidhin Havilahun kushit me rajonin e Haulanit në jugperëndim të Arabisë (i përmendur te nr. 3) nuk janë përfundimtare, ndaj ekziston edhe mundësia që Haulani të kishte lidhje me Havilahun semit. Gjithsesi, lidhja e Haulanit me Afrikën, si edhe afërsia me Etiopinë (vendin e Kushit) duket se mbështetin më tepër lidhjen e tij me Havilahun kushit. Në bazë të kësaj, ka të ngjarë që Havilahu me prejardhje nga Semi të kishte zënë një territor më në veri të Arabisë, e mbase prej tij e mori emrin vendi i përmendur te nr. 1.