Jehovai—Streha jonë
«Ti, o Jehova, ke qenë një strehë e vërtetë për ne nga brezi në brez.»—PSAL. 90:1.
1, 2. Si janë ndier gjithmonë shërbëtorët e Perëndisë në sistemin e sotëm? Në ç’kuptim kanë shtëpi?
A NDIHESH si në shtëpi në botën e sotme? Nëse jo, s’ke faj. Gjatë epokave, të gjithë ata që e kanë dashur vërtet Jehovain janë ndier si të huaj në këtë sistem. Për shembull, ndërsa zhvendoseshin nga njëri kamp në tjetrin në tokën e Kanaanit, adhuruesit besnikë të Perëndisë «shpallën botërisht se ishin të huaj dhe banorë të përkohshëm».—Hebr. 11:13.
2 Po njësoj, dishepujt e mirosur të Krishtit, «qytetaria [e të cilëve] gjendet në qiej», e konsiderojnë veten «të ardhur e banorë të përkohshëm» në sistemin e sotëm. (Filip. 3:20; 1 Pjet. 2:11) Edhe ‘delet e tjera’ të Krishtit «nuk janë pjesë e botës, ashtu si [Jezui nuk ishte] pjesë e botës». (Gjoni 10:16; 17:16) Gjithsesi, populli i Perëndisë nuk është pa «shtëpi». Në fakt, gëzojmë mbrojtjen e shtëpisë më të sigurt dhe më të dashur që mund të imagjinohet, e cila kuptohet me sytë e besimit. Moisiu shkroi: «Ti, o Jehova, ke qenë një strehë e vërtetë për ne nga brezi në brez.»a (Psal. 90:1) Si u bë Jehovai «një strehë e vërtetë» për shërbëtorët e tij besnikë në kohët e lashta? Si është «një strehë e vërtetë» për popullin që mban emrin e tij sot? Si do të bëhet e vetmja strehë e sigurt në të ardhmen?
JEHOVAI, «NJË STREHË E VËRTETË» PËR SHËRBËTORËT E TIJ TË LASHTË
3. Te Psalmi 90:1, cilët janë subjekti, imazhi dhe pika e ngjashmërisë?
3 Ashtu si shumë figura letrare në Bibël, Psalmi 90:1 ka subjektin, imazhin dhe pikën e ngjashmërisë. Subjekti është Jehovai. Imazhi është streha ose vendi i banimit. Jehovai ka shumë të përbashkëta me një vend të tillë. Për shembull, Jehovai i siguron mbrojtje popullit të tij. Kjo përputhet me faktin se ai është vetë personifikimi i dashurisë. (1 Gjon. 4:8) Po ashtu, është Perëndi i paqes, i cili ‘u jep siguri’ besnikëve të tij. (Psal. 4:8) Për shembull, të shqyrtojmë marrëdhënien e tij me patriarkët besnikë, duke filluar me Abrahamin.
4, 5. Si u bë Perëndia «një strehë e vërtetë» për Abrahamin?
4 Mund ta imagjinojmë si u ndie Abrahami, që atëherë quhej Abram, kur Jehovai i tha: «Largohu nga vendi yt, nga farefisi yt . . . dhe shko në vendin që do të të tregoj.» Nëse Abrahami ishte paksa në ankth, pa dyshim iu fashit nga fjalët vijuese të Jehovait: «Unë do të bëj nga ti një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd. . . . Do t’i bekoj ata që të bekojnë dhe do ta mallkoj atë që të mallkon.»—Zan. 12:1-3.
5 Me këto fjalë, Jehovai mori përsipër të bëhej një strehë e sigurt për Abrahamin dhe për pasardhësit e tij. (Zan. 26:1-6) Jehovai e mbajti premtimin. Për shembull, nuk i lejoi faraonin e Egjiptit dhe mbretin e Gerarit, Abimelekun, të preknin Sarën dhe të zhduknin Abrahamin. Po njësoj mbrojti Isakun dhe Rebekën. (Zan. 12:14-20; 20:1-14; 26:6-11) Në Bibël lexojmë: «[Jehovai] nuk lejoi t’ua hante kush hakun, përkundrazi, për shkak të tyre qortoi mbretër, dhe tha: ‘Mos i prekni të mirosurit e mi, e mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi.’»—Psal. 105:14, 15.
6. Çfarë udhëzimesh i dha Isaku Jakobit? Si mund të jetë ndier Jakobi?
6 Ndër këta profetë përfshihej nipi i Abrahamit, Jakobi. Kur erdhi koha që biri i tij, Jakobi, të martohej, Isaku i tha: «Mos merr grua nga bijat e Kanaanit. Ngrihu, shko në Padan-Aram, në shtëpinë e Betuelit, atit të nënës sate, dhe atje merr një grua nga bijat e Labanit, vëllait të nënës sate.» (Zan. 28:1, 2) Jakobi iu bind menjëherë Isakut. Ai hoqi dorë nga siguria që gëzonte me familjen e vet, e cila jetonte në Kanaan, dhe udhëtoi qindra kilometra për në rajonin e Haranit, me sa duket i vetëm. (Zan. 28:10) Ndoshta pyeste veten: «Sa do të qëndroj larg? A do të më presë mirë daja dhe a do të më japë një grua me frikë Perëndie?» Nëse Jakobi kishte një ankth të tillë, pa dyshim iu fashit kur mbërriti në Luz, rreth 100 kilometra nga Beer-Sheba. Ç’ndodhi atje?
7. Si e siguroi Perëndia Jakobin nëpërmjet një ëndrre?
7 Në Luz, Jehovai iu shfaq Jakobit në ëndërr dhe i tha: «Unë jam me ty dhe do të të ruaj gjatë gjithë udhës ku po shkon e do të të kthej në këtë vend, sepse nuk do të të lë, derisa të kem bërë vërtet atë që të kam thënë.» (Zan. 28:15) Sa duhet ta kenë siguruar dhe qetësuar Jakobin ato fjalë dashamirëse! A mund ta përfytyrosh atë më pas tek ecte i sigurt, i etur të shihte se si do ta mbante fjalën Perëndia? Nëse je larguar nga shtëpia jote, mbase që të shërbesh në një vend të huaj, ka të ngjarë t’i kuptosh ndjenjat e llojllojshme që provoi Jakobi. Por, pa dyshim ke parë se si është kujdesur Jehovai për ty.
8, 9. Në cilat mënyra u bë Jehovai «një strehë e vërtetë» për Jakobin? Ç’mund të mësojmë nga kjo?
8 Kur Jakobi mbërriti në Haran, daja i tij, Labani, e priti ngrohtë dhe më vonë i dha Lean dhe Rakelën për gra. Por, me kalimin e kohës, Labani u orvat ta shfrytëzonte duke ia ndryshuar pagën dhjetë herë. (Zan. 31:41, 42) Megjithatë, Jakobi i duroi këto padrejtësi, i sigurt se Jehovai do të vazhdonte të kujdesej për të, dhe Ai ashtu bëri. Në fakt, kur Perëndia i tha të kthehej në Kanaan, patriarku zotëronte «kope të mëdha, shërbyese dhe shërbyes, deve e gomarë». (Zan. 30:43) Thellësisht mirënjohës, Jakobi u lut: «Unë jam i padenjë për gjithë dashamirësinë dhe besnikërinë që ti ke treguar ndaj shërbëtorit tënd, sepse e kalova këtë Jordan vetëm me shkopin tim dhe tani jam bërë dy kampe.»—Zan. 32:10.
9 Po, sa e vërtetë ishte lutja e Moisiut që të kridhte në mendime: «Ti, o Jehova, ke qenë një strehë e vërtetë për ne nga brezi në brez.» (Psal. 90:1) Këto fjalë vlejnë njësoj edhe sot, sepse Jehovai «që nuk ndryshon, siç ndryshon hija gjatë rrotullimit», vazhdon të jetë një strehë e ngrohtë dhe e sigurt për besnikët e tij. (Jak. 1:17) Le të shohim se si.
JEHOVAI—‘STREHA JONË E VËRTETË’ SOT
10. Pse s’kemi dyshim se Jehovai vazhdon të jetë një strehë e sigurt për shërbëtorët e tij?
10 Imagjino këtë: ti po dëshmon në një gjykatë kundër një organizate kriminale ndërkombëtare. Bosi i saj është një gënjeshtar dhe vrasës shumë i zgjuar, i fuqishëm dhe i paskrupull. Si do të ndiheshe kur të dilje nga dera e gjykatës në fund të ditës? I sigurt? Vështirë! Në të vërtetë do të kishe arsye të vlefshme për të kërkuar mbrojtje. Kjo skenë ilustron situatën e shërbëtorëve të Jehovait, të cilët dëshmojnë me guxim për Jehovain dhe demaskojnë pa frikë kryearmikun e tij të pashpirt, Satanain. (Lexo Zbulesën 12:17.) Por, a ka arritur Satanai t’ia mbyllë gojën popullit të Jehovait? Jo! Ne vazhdojmë të lulëzojmë frymësisht dhe ky realitet mund të ketë vetëm një shpjegim: Jehovai është ende kalaja jonë, «një strehë e vërtetë» për ne, sidomos gjatë këtyre ditëve të fundit. (Lexo Isainë 54:14, 17.) Mirëpo, Jehovai nuk mund të jetë një strehë e sigurt për ne nëse e lejojmë Satanain të na joshë që të largohemi nga kjo strehë.
11. Ç’mësim mund të nxjerrim nga patriarkët?
11 Le të nxjerrim edhe një mësim tjetër nga patriarkët. Ndonëse jetuan në Kanaan, qëndruan të ndarë nga vendësit, ligësinë dhe imoralitetin e të cilëve i urrenin. (Zan. 27:46) Ata ishin njerëz me parime që nuk kishin nevojë për një listë të gjatë me gjëra që duhej të bënin ose jo. U mjaftonte ajo që dinin për Jehovain dhe për personalitetin e tij. Ngaqë ai ishte streha e tyre, nuk donin të shihnin deri ku mund t’i afroheshin botës. Përkundrazi, qëndronin sa më larg saj. Ç’shembull të shkëlqyer lanë për ne! A përpiqesh t’i imitosh patriarkët besnikë kur zgjedh shoqëritë dhe zbavitjen? Mjerisht, disa pjesëtarë të kongregacionit të krishterë tregojnë se deri diku ndihen rehat në botën e Satanait. Nëse ndihesh sadopak kështu, lutu për këtë. Mos harro, kjo botë është e Satanait dhe pasqyron frymën e tij të ftohtë dhe egoiste.—2 Kor. 4:4; Efes. 2:1, 2.
12. (a) Si kujdeset Jehovai për ata të shtëpisë së tij frymore? (b) Si ndihesh për këto masa?
12 Që t’u rezistojmë intrigave të Satanait, duhet të përfitojmë plotësisht nga masat frymore që merr Jehovai për shtëpinë e tij të besimit, për ata që gjejnë strehë tek ai. Këtu përfshihen mbledhjet e krishtere, adhurimi familjar dhe ‘dhuratat në njerëz’, pra barinjtë e emëruar nga Perëndia që të na japin zemër dhe të na mbështetin teksa luftojmë me sfidat e jetës. (Efes. 4:8-12) Vëlla Xhorxh Gangasi, që ishte anëtar i Trupit Udhëheqës për shumë vjet, shkroi: «Kur jam mes [popullit të Perëndisë] ndihem si në shtëpi me familjen time, në një parajsë frymore.» A ndihesh edhe ti po njëlloj?
13. Ç’mësim të rëndësishëm mund të nxjerrim nga Hebrenjve 11:13?
13 Një cilësi tjetër e patriarkëve që ia vlen ta imitojmë ishte gatishmëria e tyre për të rënë në sy si të ndryshëm nga njerëzit përreth. Siç u theksua në paragrafin 1, ata «shpallën botërisht se ishin të huaj dhe banorë të përkohshëm në vend». (Hebr. 11:13) A je i vendosur të biesh në sy si i ndryshëm? Kuptohet, nuk është gjithnjë e lehtë. Por, me ndihmën e Perëndisë dhe me mbështetjen e të krishterëve të tjerë, mund t’ia dalësh. Mos harro, nuk je vetëm. Të gjithë ata që duan t’i shërbejnë Jehovait, janë të përfshirë në një luftë. (Efes. 6:12) Sidoqoftë, është një luftë që mund ta fitojmë nëse besojmë te Jehovai dhe e bëjmë strehën tonë të sigurt.
14. Cilin ‘qytet’ pritnin shërbëtorët e Jehovait?
14 E rëndësishme është edhe kjo: imito Abrahamin duke i mbajtur sytë te çmimi. (2 Kor. 4:18) Apostulli Pavël shkroi se Abrahami «priste qytetin që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia». (Hebr. 11:10) Ky ‘qytet’ është Mbretëria mesianike. Sigurisht, Abrahami duhej ta priste këtë ‘qytet’, ndërsa ne, në njëfarë kuptimi, s’kemi nevojë. Tashmë ajo po sundon në qiell. Për më tepër, dëshmi gjithnjë e më të shumta tregojnë se së shpejti ajo do të marrë nën kontroll të plotë tokën. A është reale për ty kjo Mbretëri? A ndikon në këndvështrimin tënd për jetën, në pikëpamjen tënde për botën e sotme dhe në përparësitë e tua?—Lexo 2 Pjetrit 3:11, 12.
‘STREHA JONË E VËRTETË’ TEKSA AFROHET FUNDI
15. Ç’e ardhme i pret ata që kanë besim te bota e sotme?
15 Teksa bota e Satanait shkon drejt fundit, ‘dhembjet e saj të lindjes’ do të shtohen edhe më shumë. (Mat. 24:7, 8) Me siguri gjërat do të keqësohen gjatë shtrëngimit të madh. Infrastruktura do të shembet dhe njerëzit do të kenë frikë për jetën. (Hab. 3:16, 17) Nga dëshpërimi i thellë, si të thuash, do të kërkojnë strehë «shpellave e shkëmbinjve të maleve». (Zbul. 6:15-17) Por, as shpellat e mirëfillta, as organizatat politike e tregtare të ngjashme me malet nuk do t’i mbrojnë.
16. Si duhet ta shohim kongregacionin e krishterë dhe pse?
16 Mirëpo, populli i Jehovait do të vazhdojë të gëzojë siguri te ‘streha e vërtetë’, Perëndia Jehova. Ashtu si profeti Habakuk, ata ‘do të ngazëllojnë falë Jehovait’. ‘Do të gëzohen falë Perëndisë së shpëtimit të tyre.’ (Hab. 3:18) Në cilat mënyra Jehovai do të bëhet «një strehë e vërtetë» gjatë kësaj kohe të trazuar? Presim ta shohim. Por, mund të jemi të sigurt për këtë: ashtu si izraelitët në kohën e Daljes nga Egjipti, ‘shumica e madhe’ do të mbetet e organizuar, gjithnjë e më vigjilente ndaj drejtimit hyjnor. (Zbul. 7:9; lexo Daljen 13:18.) Ky drejtim do të vijë në mënyrë teokratike, ka shumë mundësi me anë të kongregacionit. Pra, ‘dhomat [mbrojtëse] më të sigurta’, të parathëna nga Isaia 26:20 (lexoje), duket se u referohen mijëra e mijëra kongregacioneve përqark botës. A i çmon mbledhjet e kongregacionit? A vepron menjëherë pasi Jehovai jep drejtim me anë të tij?—Hebr. 13:17.
17. Në ç’kuptim Jehovai është «strehë e vërtetë» edhe për shërbëtorët e tij që kanë vdekur?
17 Edhe ata që mund të vdesin besnikë para se të fillojë shtrëngimi i madh, mbeten të sigurt në dorën e Jehovait, ‘streha e vërtetë’. Në ç’kuptim? Kohë pasi patriarkët besnikë kishin vdekur, Jehovai i tha Moisiut: «Unë jam Perëndia . . . i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.» (Dal. 3:6) Pasi citoi këto fjalë, Jezui shtoi: «Ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse për të, të gjithë ata jetojnë.» (Luka 20:38) Po, për Jehovain shërbëtorët e tij që kanë vdekur besnikë janë si të ishin gjallë; ringjallja e tyre është e sigurt.—Ekl. 7:1.
18. Në botën e re, si do të bëhet Jehovai «strehë e vërtetë» për popullin e tij në një mënyrë të veçantë?
18 Në botën e re që është shumë afër, Jehovai do të bëhet «strehë e vërtetë» për popullin e tij edhe në një kuptim tjetër. Zbulesa 21:3 thotë: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta.» Në fillim, Jehovai do të banojë me nënshtetasit e tij tokësorë i përfaqësuar nga Jezu Krishti. Në fund të një mijë vjetëve, Jezui do t’ia dorëzojë Mbretërinë Atit, pasi të ketë përmbushur plotësisht qëllimin e Perëndisë për tokën. (1 Kor. 15:28) Pas kësaj, njerëzimi i përsosur nuk do të ketë më nevojë për Jezuin si ndërmjetës; Jehovai do të jetë me ta. Ç’perspektivë e mrekullueshme shtrihet para nesh! Ndërkohë le të përpiqemi të imitojmë brezat besnikë të lashtësisë duke e bërë Jehovain ‘strehën tonë të vërtetë’.
a Një version e përkthen kështu Psalmin 90:1: «O Zot, ti ke qenë shtëpia jonë në çdo brez.» (Contemporary English Version)