KAPITULLI 3
Ai që bëri gjithçka
UNË di një gjë shumë të bukur. Ke dëshirë ta dëgjosh? . . . Shikoje pak dorën tënde. Mblidhi gishtat. Tani kap diçka me to. Me duar ne mund të bëjmë shumë gjëra dhe mund t’i bëjmë mirë. Kush na i ka bërë duart? . . .
Është po ai që na bëri gojën, hundën dhe sytë. Është Perëndia, që është Ati i Mësuesit të Madh. A nuk jemi të kënaqur që Perëndia na ka bërë sytë? . . . Me sytë mund të shohim shumë gjëra. Mund të shohim lulet, barin e gjelbër dhe qiellin e kaltër. Mund të shohim edhe zogj të vegjël të uritur, si këta në figurë. Është vërtet e mrekullueshme që mund të shohim gjëra të tilla, apo jo? . . .
Por, kush i bëri këto gjëra? A i bëri ndonjë njeri? Jo. Njerëzit mund të ndërtojnë shtëpi, por asnjë njeri nuk mund të bëjë barin që rritet. Njerëzit nuk mund të bëjnë zogj të vegjël, lule ose ndonjë gjë tjetër të gjallë. A e dije këtë? . . .
Të gjitha këto gjëra i ka bërë Perëndia. Ai bëri qiellin dhe tokën. Edhe njerëzit ai i bëri. Krijoi burrin e parë dhe gruan e parë. Këto u mësoi njerëzve Jezui, Mësuesi i madh.—Mateu 19:4-6.
Nga e dinte Jezui se burrin dhe gruan i bëri Perëndia? Mos vallë Jezui e kishte parë Perëndinë kur i krijonte ata? . . . Po. Jezui ishte bashkë me Perëndinë kur Perëndia bëri burrin dhe gruan. Jezui ishte personi i parë fare që bëri Perëndia, ishte engjëll dhe jetonte në qiell me Atin e tij.
Bibla na tregon se Perëndia tha: «Le të bëjmë njeriun.» (Zanafilla 1:26) Me kë po fliste Perëndia? . . . Po fliste me Birin e tij, me atë që më vonë erdhi në tokë dhe u bë Jezui.
A s’është interesante kjo? Mendo pak! Kur e dëgjojmë Jezuin, po mësohemi nga ai që ishte me Perëndinë kur Perëndia bëri tokën dhe të gjitha gjërat e tjera. Jezui mësoi shumë duke punuar me Atin e tij në qiell. Ja përse Jezui është Mësuesi i Madh.
A mendon se Perëndia nuk ishte i lumtur kur ishte vetëm, para se të krijonte Birin e tij? . . . Jo, ai ishte i lumtur. Por atëherë, në qoftë se ishte i lumtur, pse i bëri gjërat e tjera të gjalla? . . . E bëri këtë sepse është Perëndi i dashurisë. Ai donte që edhe të tjerë të jetonin e ta gëzonin jetën. Duhet ta falënderojmë Perëndinë që na ka dhënë jetën.
Çdo gjë që ka bërë Perëndia tregon dashurinë e tij. Perëndia bëri diellin, i cili na jep dritë dhe na mban ngrohtë. Po të mos kishim diellin, çdo gjë në tokë do të ishte e ftohtë dhe aty s’do të kishte fare jetë. A nuk je i kënaqur që Perëndia bëri diellin? . . .
Perëndia bëri edhe që të bjerë shi. Ndoshta nganjëherë nuk të pëlqen shiu, sepse s’del dot jashtë të luash. Por shiu ndihmon lulet që të rriten. Prandaj, kë duhet të falënderojmë kur shohim lule të bukura? . . . Perëndinë. Kë duhet të falënderojmë kur hamë fruta dhe perime të shijshme? . . . Duhet të falënderojmë Perëndinë, sepse dielli dhe shiu që ka bërë ai i rritin gjërat.
Por tani, mendo sikur dikush të të pyesë: ‘A i bëri Perëndia njerëzit dhe kafshët?’ Si do të përgjigjeshe? . . . Ti fare mirë mund të thuash: «Po, Perëndia i ka bërë.» Mirëpo, po sikur ai ose ajo të mos besojë se i ka bërë vërtet Perëndia njerëzit? Po sikur të thotë se njeriu ka ardhur nga kafshët? Bibla nuk mëson kështu. Ajo thotë se të gjitha gjërat e gjalla i krijoi Perëndia.—Zanafilla 1:26-31.
Por dikush mund të të thotë se nuk beson te Perëndia. Po tani, çfarë do t’i thuash? . . . Pse të mos i tregosh një shtëpi? Pyete atë: «Kush e ka bërë këtë shtëpi?» Të gjithë e dinë se dikush e ka bërë. Sigurisht që shtëpia nuk u bë vetë!—Hebrenjve 3:4.
Pastaj tregoji atij një lule. Pyete: «Kush e ka bërë këtë?» Asnjë njeri nuk e ka bërë. Ashtu si shtëpia nuk bëhet vetë, po ashtu edhe lulja nuk u bë vetë. Dikush e ka bërë, dhe ky është Perëndia.
Thuaji atij ose asaj të ndalet e të dëgjojë një zog që këndon. Pastaj pyete: «Kush i bëri zogjtë dhe kush i mësoi të këndojnë?» Perëndia. Perëndia është ai që bëri qiellin, tokën dhe të gjitha gjërat e gjalla. Ai e jep jetën.
Prapëseprapë, ndonjëri mund të thotë se beson vetëm atë që shikon. Ai mund të thotë: ‘Po s’e pashë një gjë, nuk e besoj.’ Prandaj, disa njerëz thonë se nuk besojnë te Perëndia, ngaqë nuk mund ta shohin.
Është e vërtetë që Perëndinë s’mund ta shohim. Bibla thotë: ‘Asnjë njeri nuk mund ta shohë Perëndinë.’ Asnjë burrë, grua ose fëmijë në tokë nuk mund ta shohë Perëndinë. Prandaj askush s’duhet të përpiqet të bëjë një figurë ose shëmbëlltyrë të Perëndisë. Madje Perëndia vetë na thotë që të mos i bëjmë asnjë shëmbëlltyrë. Pra, atij nuk do t’i pëlqente që ne të kishim gjëra të tilla në shtëpinë tonë.—Dalja 20:4, 5; 33:20; Gjoni 1:18.
Por, në qoftë se nuk e sheh Perëndinë, si e di ti që ai ekziston vërtet? Mendo pak. A e sheh dot erën? . . . Jo. Asnjeri nuk mund ta shohë erën. Por ti mund të shohësh gjërat që bën era. Mund të shohësh gjethet që lëvizin kur era fryn përmes degëve të pemëve. Prandaj, e beson se era ekziston.
Po kështu mund të shohësh edhe gjërat që ka bërë Perëndia. Kur sheh një lule ose një zog, po sheh diçka që e ka bërë Perëndia. Prandaj e beson se ka vërtet një Perëndi.
Dikush mund të të pyesë: ‘Kush e bëri diellin dhe tokën?’ Bibla thotë: «Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Po, të gjitha këto gjëra të mrekullueshme i bëri Perëndia. Çfarë ndien ti kur mendon për këtë? . . .
A nuk është një mrekulli që jemi gjallë? Mund të dëgjojmë këngët e bukura të zogjve, mund të shohim lulet dhe gjërat e tjera që ka bërë Perëndia. Mund të hamë ushqimet që na ka dhënë Perëndia.
Për të gjitha këto gjëra duhet ta falënderojmë Perëndinë. Mbi të gjitha duhet ta falënderojmë që na ka dhënë jetën. Po t’i jemi vërtet mirënjohës Perëndisë, do të bëjmë diçka. Çfarë do të bëjmë? . . . Do ta dëgjojmë Perëndinë dhe do të bëjmë atë që na thotë ai në Bibël. Në këtë mënyrë mund të tregojmë se e duam Atë që bëri gjithçka.
Duhet të tregojmë mirënjohje ndaj Perëndisë për gjithçka që ka bërë. Si ta bëjmë këtë? Lexo çfarë është shkruar te Psalmi 139:14; Gjoni 4:23, 24; 1 Gjonit 5:21 dhe Zbulesa 4:11.