Pse Perëndia luftoi kundër kananitëve?
«Duhet t’i shfarosësh medoemos: hititët, amoritët, kananitët, perezitët, hivitët dhe jebusitët, si të urdhëron Jehovai, Perëndia yt.»—LIGJI I PËRTËRIRË 20:17.
«Jini paqësorë me të gjithë.»—ROMAKËVE 12:18.
A JU duken kontradiktore këto vargje biblike? Shumë njerëz e kanë të vështirë të bëjnë lidhjen mes urdhrit të Perëndisë për të shfarosur kananitët dhe këshillës biblike për të qenë paqësorë.a (Isaia 2:4; 2 Korintasve 13:11) Atyre u duken këto udhëzime moralisht të papajtueshme.
Po të flisnit me Perëndinë për këtë çështje, për çfarë do ta pyesnit? Le të shqyrtojmë pesë pyetje që bëhen zakonisht dhe përgjigjet që jep Bibla për to.
1. Pse u dëbuan kananitët? Në njëfarë kuptimi kananitët banonin në një vend që nuk u përkiste. Pse themi kështu? Rreth 400 vjet më parë, Perëndia i kishte premtuar Abrahamit, një njeriu besnik, se pasardhësit e tij do të zotëronin vendin e Kanaanit. (Zanafilla 15:18) Perëndia e mbajti atë premtim kur bëri që kombi i Izraelit, që rridhte nga Abrahami, ta shtinte në dorë atë rajon. Sigurisht, disa mund të kundërshtojnë duke thënë se kananitët tashmë jetonin atje, prandaj ai vend u përkiste me të drejtë atyre. Por kuptohet, si Sovrani i universit, Perëndia ka të drejtën absolute të vendosë se cilët duhet të banojnë në një vend të caktuar.—Veprat 17:26; 1 Korintasve 10:26.
2. Pse nuk i lejoi Perëndia kananitët të banonin bashkë me izraelitët? Në lidhje me kananitët Perëndia i paralajmëroi izraelitët: «Ata nuk duhet të banojnë në vendin tënd, që të mos të bëjnë të mëkatosh kundër meje. Në rast se do t’u shërbesh perëndive të tyre, kjo do të bëhet një lak për ty.» (Dalja 23:33) Profeti Moisi i tha më vonë Izraelit: «Jehovai, Perëndia yt, po i përzë këto kombe para teje nga ligësia e tyre.» (Ligji i përtërirë 9:5) Po sa të liga ishin këto kombe?
Imoraliteti, adhurimi pagan dhe flijimi i fëmijëve ishin mjaft të përhapur në Kanaan. Historiani biblik Henri H. Hallei thotë se arkeologët që gërmonin në atë vend «gjetën shumë qypa që kishin brenda eshtra fëmijësh të cilët i ishin flijuar Baalit [një perëndi i rëndësishëm i kananitëve]». Ai shton: «E gjithë zona doli se ishte një varrezë për foshnjat e sapolindura. . . . Kur adhuronin, kananitët jepeshin pas imoralitetit si një rit fetar, në prani të perëndive të tyre; pastaj vrisnin fëmijët e vet të parëlindur, si kurban për të njëjtat perëndi. Me sa duket, Kanaani ishte bërë një lloj Sodome e Gomorre në shkallë kombëtare. . . . Arkeologët që gërmojnë në rrënojat e qyteteve kananite, çuditen pse Perëndia nuk i shkatërroi edhe më shpejt.»
3. A nuk kishte në atë kohë edhe njerëz të tjerë të ligj mbi tokë? Pse u shfarosën vetëm kananitët? Perëndia ka qenë përzgjedhës kur ka shfarosur mëkatarët, siç e ka treguar në shumë raste. Kur ‘toka u mbush me dhunë’ në ditët e Noesë, Perëndia shkaktoi një përmbytje që i shfarosi të gjithë përveç një familjeje, asaj të Noesë. (Zanafilla 6:11; 2 Pjetrit 2:5) Perëndia shkatërroi qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës kur mëkati i banorëve të këtyre qyteteve u bë «shumë i rëndë». (Zanafilla 18:20; 2 Pjetrit 2:6) Gjithashtu, ai shpalli gjykimin kundër kryeqytetit asirian të Ninevisë, ‘qytetit gjakatar’, edhe pse e kurseu atë qytet kur banorët e tij u penduan dhe e lanë rrugën e keqe. (Naumi 3:1; Jonai 1:1, 2; 3:2, 5-10) Kurse për sa u përket kananitëve, Perëndia i shfarosi që të mbronte Izraelin, kombi nga i cili do të vinte Mesia.—Psalmi 132:11, 12.
4. A nuk binte në kundërshtim me dashurinë e Perëndisë shkatërrimi i kananitëve? Në pamje të parë, shfarosja e kananitëve nga ana e Perëndisë mund të duket sikur nuk pajtohet me dashurinë e tij. (1 Gjonit 4:8) Por, kjo dashuri bëhet fare e qartë nëse e shqyrtojmë më mirë këtë çështje.
Perëndia e dinte shumë kohë më parë se banorët e Kanaanit po ndiqnin një rrugë të gabuar. Megjithatë, në vend që t’i shfaroste sa hap e mbyll sytë, me durim lejoi që të kalonin 400 vjet derisa ‘e mbushën kupën’ me fajet e tyre.—Zanafilla 15:16.
Kur mëkati i kananitëve arriti në atë pikë sa s’kishte më shpresë që të përmirësoheshin, Jehovai u dha fund atyre njerëzve. Prapëseprapë, ai nuk veproi verbërisht duke i shfarosur të gjithë kananitët. Pse? Sepse nuk ishin të gjithë të pandreqshëm. Atyre që donin të kthenin rrugë, si Rahaba dhe gibeonitët, iu tregua mëshirë.—Josiu 9:3-11, 16-27; Hebrenjve 11:31.
5. Si është e mundur që Perëndia i dashurisë shfarosi njerëz? Kjo pyetje është e kuptueshme, pasi nuk është gjë e bukur të mendosh shkatërrimin e jetës njerëzore. Megjithatë, ishte dashuria që e shtyu Perëndinë të merrte masa kaq drastike kundër të ligjve. Për ta ilustruar: kur një pacient është me gangrenë, doktorët nuk kanë ç’të bëjnë tjetër veçse t’ia presin gjymtyrën e infektuar. Askujt nuk i pëlqen të bëjë një ndërhyrje të tillë, por një doktor i mirë e di se alternativa tjetër, domethënë përhapja e infeksionit, është më e keqe. Ngaqë e do pacientin, ai e kryen këtë detyrë të pakëndshme për të mirën e tij.
Po kështu, Jehovait nuk i pëlqeu të shfaroste kananitët. Ai vetë thotë: «Unë nuk kënaqem me vdekjen e të ligut.» (Ezekieli 33:11) Në të njëjtën kohë ai kishte si qëllim që nga kombi i Izraelit të vinte Mesia, ai që do të hapte rrugën e shpëtimit për të gjithë ata që do të tregonin besim. (Gjoni 3:16) Pra, Perëndia nuk mund të lejonte që Izraeli të infektohej nga praktikat e neveritshme të kananitëve. Kështu urdhëroi që kananitët të shfaroseshin nga ai vend. Me këtë, Perëndia tregoi dashuri të jashtëzakonshme—dashuri që e shtyu të kryente një detyrë të pakëndshme për të mirën e adhuruesve të tij besnikë.
Çfarë vlere ka për ne kjo histori?
A kanë vlerë për ne sot tregimet rreth shkatërrimit të kananitëve? Po, sepse te Romakëve 15:4 thuhet: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» Çfarë mësojmë nga ajo që ndodhi në Kanaan dhe si na jep shpresë?
Mësojmë shumë nga këto tregime. Për shembull, Perëndia tregoi mëshirë duke ua kursyer jetën Rahabës dhe gibeonitëve kur ata shfaqën besim tek ai. Kjo na mëson se kushdo që dëshiron vërtet, mund t’i pëlqejë Perëndisë, pavarësisht nga prejardhja apo nga mëkatet e së kaluarës.—Veprat 17:30.
Tregimet rreth shkatërrimit të kananitëve na mbushin edhe me shpresë. Ato na japin një pamje paraprake të asaj që Perëndia do të bëjë në të ardhmen e afërt. Po ashtu, na sigurojnë se ai nuk do të lejojë që e keqja të mposhtë të mirën. Në vend të kësaj Bibla pohon se Perëndia së shpejti do të shkatërrojë të gjithë të ligjtë, ndërsa ata që e duan do të jetojnë në një botë të re e të drejtë. (2 Pjetrit 2:9; Zbulesa 21:3, 4) Në atë kohë, do të përmbushen këto fjalë ngushëlluese: «Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij, e ai do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën. Ti do të shohësh kur të shfarosen të ligjtë.»—Psalmi 37:34.
[Shënimi]
a Në këtë artikull, termi «kananitë» u referohet të gjitha kombeve që Perëndia e urdhëroi Izraelin t’i dëbonte.
[Kutia në faqen 14]
A i miraton Bibla luftërat njerëzore?
A i justifikon luftërat e sotme njerëzore fakti që Perëndia e urdhëroi Izraelin të shkatërronte kananitët? Jo, për të paktën tri arsye:
▪ Sot nuk ka asnjë komb mbi tokë që ka favorin e veçantë të Perëndisë. Kur nuk e pranuan Jezuin si Mesia, izraelitët nuk e përfaqësonin më Perëndinë në asnjë rol—përfshirë edhe në rolin si ekzekutues të gjykimeve të tij. (Mateu 21:42, 43) Kështu Jehovai tanimë e konsideronte Izraelin njësoj si kombet e tjera. (Levitiku 18:24-28) Që nga ajo kohë, asnjë komb mbi tokë nuk mund të pretendonte se kishte përkrahjen e Perëndisë në luftërat që bënte.
▪ Jehovai nuk u cakton më ndonjë vend ose ndonjë rajon gjeografik specifik adhuruesve të tij. Përkundrazi, shërbëtorët e tij mund të gjenden në ‘të gjitha kombet dhe fiset’ e tokës.—Zbulesa 7:9; Veprat 10:34, 35.
▪ Jezui e tha qartë se dishepujt e tij nuk do të përfshiheshin në luftëra. Kur i paralajmëroi dishepujt për sulmin që do t’i kanosej Jerusalemit, ai u tha të mos qëndronin për të luftuar, por të iknin nga aty, dhe në fakt ashtu bënë. (Mateu 24:15, 16) Në vend që të rrokin armët, të krishterët e vërtetë kanë besim të plotë te Mbretëria e Perëndisë, e cila së shpejti do të zhdukë gjithë ligësinë nga toka.—Danieli 2:44; Gjoni 18:36.
[Figura në faqen 15]
Shembulli i Rahabës tregon se kushdo që dëshiron vërtet, mund t’i pëlqejë Perëndisë