IMITONI BESIMIN E TYRE | SARA
Perëndia e quajti «princeshë»
SARA u çua nga puna që po bënte dhe hodhi vështrimin drejt horizontit. Nën drejtimin e saj të mençur, shërbëtorët kishin punë plot dhe ishin të kënaqur. Edhe Sara e papërtuar bënte pjesën e saj. Përfytyroje të menduar, teksa masazhon duart që i dhembin nga puna. Mbase kishte qenë e zhytur në punë, duke arnuar ndonjë pjesë të tendës, shtëpia ku banonin tani. Copa e ashpër e bërë me lesh dhie ishte zbehur nga dielli e shiu ndër vite dhe i kujtonte Sarës sa gjatë kishin jetuar si nomadë. Pasditja fluturoi dhe tani qiellin po e përshkonin rrezet e praruara të diellit. E kishte parë Abrahamina tek largohej në mëngjes dhe tani e priste me padurim me shikimin nga i njëjti drejtim. Teksa silueta e të shoqit shfaqej në një kodër aty pranë, një buzëqeshje i çeli fytyrën e saj të hijshme.
Kishte kaluar një dekadë që kur Abrahami e udhëhoqi familjen e tij të madhe përtej lumit Eufrat për të zbritur në Kanaan. Sara e kishte mbështetur me gatishmëri bashkëshortin në këtë udhëtim të rëndësishëm drejt së panjohurës, sepse e dinte që ai do të kishte rol kyç në qëllimin e Jehovait për të sjellë një pasardhës që kishte miratimin e Tij si edhe një komb. Po si mund të kontribuonte Sara? Ajo nuk bënte dot fëmijë dhe tani ishte 75 vjeçe. Fare mirë mund të ketë menduar: «Si mund të përmbushet premtimi i Jehovait për sa kohë jam unë gruaja e Abrahamit?» Do të ishte më se e kuptueshme nëse është ndier e merakosur a madje e paduruar.
Ndonjëherë edhe ne mund të pyesim veten se kur do të plotësohen premtimet e Zotit. S’është dhe aq e lehtë të tregojmë durim, sidomos nëse po presim përmbushjen e një premtimi që na pëlqen. Çfarë mund të mësojmë nga besimi i kësaj gruaje të jashtëzakonshme?
«JEHOVAI MË KA NDALUAR»
Familja sapo ishte kthyer nga Egjipti. (Zanafilla 13:1-4) Ata i kishin ngritur tendat në zonat malore në lindje të Bethelit, ose Luzit, siç e quanin kananitët. Nga ky terren i ngritur Sara mund të shihte një pjesë të mirë të Tokës së Premtuar. Aty kishte fshatra kananite dhe rrugë që çonin në vende të largëta. E megjithatë, asgjë nuk krahasohej me qytetin nga vinte Sara. Ajo ishte rritur në Ur, një qytet në Mesopotami, 1.900 km larg. Kishte lënë pas shumë të afërm, rehatitë e një qyteti të begatë me dyqane e tregje dhe shtëpinë e rehatshme me çati e mure të sigurta e mbase me sistem hidraulik. Megjithatë, po ta imagjinojmë Sarën që sheh e trishtuar drejt lindjes dhe që i digjet zemra për rehatitë e vendit të saj, atëherë nuk e njohim mirë këtë grua të përkushtuar ndaj Perëndisë.
Vër re se çfarë shkroi nën frymëzim apostulli Pavël rreth 2.000 vjet më vonë. Ai tha për besimin e Sarës dhe të Abrahamit: «Po të kishin vazhduar vërtet të kujtonin vendin nga dolën, do të kishin pasur rast të ktheheshin.» (Hebrenjve 11:8, 11, 15) As Sara, as Abrahami nuk e shihnin me dëshirim të kaluarën. Po t’i kishin lejuar vetes të përqendroheshin në mendime të tilla, fare mirë mund të ishin kthyer në shtëpi. Ama, po të ishin kthyer në Ur, do ta kishin humbur privilegjin e jashtëzakonshëm që po u ofronte Jehovai. Dhe, me siguri do të ishin fshirë nga kujtesa e njerëzimit, në vend që të bëheshin shembuj frymëzues besimi që kanë prekur miliona zemra.
Sara nuk e mbajti kokën pas, por vazhdoi të shihte përpara. Kështu mbështeti pareshtur të shoqin në këtë jetë nomade duke e ndihmuar të paketonin plaçkat, të lëviznin me kopetë dhe të ngrinin sërish tendat. Ajo duroi edhe sfida e ndryshime të tjera. Jehovai ia përsëriti premtimin Abrahamit, por prapë nuk e përmendi fare Sarën!—Zanafilla 13:14-17; 15:5-7.
Më në fund Sara vendosi se kishte ardhur koha të fliste me Abrahamin për planin e saj. Përfytyro ndjenjat kontradiktore që i lexoheshin në fytyrë teksa i thoshte: «Më dëgjo, të lutem! Jehovai më ka ndaluar të lind fëmijë.» Pastaj i kërkoi bashkëshortit që të bënte fëmijë me shërbëtoren e saj, Agarën. A mund ta imagjinosh sa të vështirë duhet ta ketë pasur Sara t’i bënte të shoqit këtë kërkesë? Sot kjo mund të duket kërkesë e çuditshme. Por në ato kohë s’ishte e pazakontë që një burrë të merrte një grua dytësore, ose një konkubinë, që të kishte një trashëgimtar.b Mos ndoshta Sara mendoi se kështu do të plotësohej qëllimi i Zotit për të sjellë një komb nga pasardhësit e Abrahamit? Sido të ketë qenë, ajo ishte gati të bënte një sakrificë goxha të madhe. Si reagoi Abrahami? Në Bibël lexojmë se ai «e dëgjoi zërin e [Sarës]».—Zanafilla 16:1-3.
Por, a thotë Bibla se Sarën e nxiti Jehovai të propozonte diçka të tillë? Jo. Përkundrazi, propozimi i saj zbulon një këndvështrim tërësisht njerëzor. Ajo mendonte se Zoti ishte përgjegjës për problemet e saj dhe s’i shkonte ndër mend se ai kishte menduar një zgjidhje tjetër. Zgjidhja që mendoi Sara do t’i sillte dhembje dhe telashe. Prapëseprapë, sugjerimi i saj tregoi një mungesë egoizmi që është për t’u admiruar. A nuk është mbresëlënës altruizmi i Sarës, në një botë ku është kaq e zakonshme që njerëzit të vënë dëshirat e tyre në vend të parë? Po të jemi të gatshëm të vëmë qëllimin e Perëndisë para interesave egoiste, do të imitojmë besimin e Sarës.
«QESHE, QESHE»
S’kaloi shumë dhe Agara mbeti shtatzënë me Abrahamin. Mbase e bindur se tani ishte më e rëndësishme se Sara, nisi ta shihte me përbuzje të zonjën. Sa e zhgënjyer duhet të jetë ndier Sara shterpë! Me lejen e Abrahamit dhe me mbështetjen e Perëndisë, Sara e ndëshkoi Agarën, ndonëse nuk dihet se si. Më vonë, Agara lindi një djalë, Ismaelin. (Zanafilla 16:4-9, 16) Kaluan vite dhe tregimi biblik thotë se, kur Jehovai foli sërish, Sara ishte 89 vjeçe ndërsa i shoqi 99 vjeç. Dhe ç’lajm fantastik që morën!
Jehovai ia përsëriti mikut të tij, Abrahamit, premtimin se do ta shumonte farën, ose pasardhësit e tij. Madje i ndryshoi edhe emrin. Deri në këtë moment ai quhej Abram. Por, Jehovai ia ndryshoi emrin dhe e quajti Abraham, që do të thotë «atë i një shumice». Dhe për herë të parë, Jehovai tregoi se ç’rol do të kishte Sara në qëllimin e tij. Ai i ndryshoi emrin nga Sarajë, që mund të ketë pasur kuptimin «grindavece», në Sara, emër që e njohim mirë. Ç’kuptim ka emri Sara? «Princeshë!» Jehovai shpjegoi pse vendosi ta quante kështu këtë grua të dashur kur tha: «Unë do ta bekoj atë, dhe nga ajo do të të jap një djalë. Unë do ta bekoj, dhe nga ajo do të vijnë kombe dhe mbretër popujsh.»—Zanafilla 17:5, 15, 16.
Besëlidhja e Jehovait për të sjellë një pasardhës nga i cili do të bekoheshin të gjitha kombet, do të përmbushej nëpërmjet djalit të Sarës. Zoti u tha ta quanin djalin Isak, që do të thotë «qeshje». Sapo dëgjoi se Jehovai kishte si qëllim ta bekonte Sarën me një fëmijë, Abrahami «u përkul me fytyrë përdhe dhe nisi të qeshte». (Zanafilla 17:17) U mrekullua dhe ishte tejet i lumtur. (Romakëve 4:19, 20) Ç’të themi për Sarën?
Jo shumë kohë pas kësaj, në tendën e Abrahamit erdhën tre burra të huaj. Ishte piku i vapës, megjithatë ky çift i moshuar nxitoi të mikpriste mysafirët. Abrahami i tha Sarës: «Shpejt! Merr tri sea majë mielli, zër brumin dhe bëj kuleç.» Në atë kohë duhej goxha punë të tregoje mikpritje. Abrahami s’ia la të gjitha punët së shoqes; ai nxitoi të therte një dem të ri dhe përgatiti më shumë ushqim e pije. (Zanafilla 18:1-8) Më vonë u kuptua se ata «burra» ishin engjëjt e Jehovait. Ka të ngjarë që apostulli Pavël të ketë pasur këtë në mendje kur shkroi: «Mos harroni mikpritjen, sepse nëpërmjet saj disa, pa e ditur, pritën engjëj.» (Hebrenjve 13:2) A mund ta imitosh shembullin e shkëlqyer të mikpritjes së Abrahamit dhe të Sarës?
Kur një nga engjëjt i përsëriti Abrahamit premtimin e Zotit se Sara do të lindte një djalë, ajo nuk ishte me ta, por po dëgjonte nga brenda tendës. Mendimi se do të lindte në atë moshë iu duk kaq i çuditshëm, sa s’u përmbajt dot, qeshi me vete dhe tha: «A do të kem vërtet kënaqësi tani që u plaka, dhe që zotëria im është i moshuar?» Engjëlli e korrigjoi Sarën duke e pyetur drejtpërdrejt: «A ka ndonjë gjë të pamundur për Jehovain?» Reagimi i Sarës ishte njerëzor, u frikësua e u përpoq të mbrohej. Ajo tha menjëherë: «Nuk qesha.» Engjëlli ia ktheu: «Qeshe, qeshe.»—Zanafilla 18:9-15.
A tregoi Sara mungesë besimi ngaqë qeshi? Aspak. Bibla thotë: «Me anë të besimit, edhe Sara mori fuqi për të ngjizur një farë, kur e kishte kaluar tashmë moshën, meqë e konsideroi të besueshëm atë që kishte premtuar.» (Hebrenjve 11:11) Sara e njihte Jehovain; e dinte se ai mund të përmbushte çdo premtim. Cili prej nesh s’ka nevojë ta zhvillojë më tepër këtë lloj besimi? Bëjmë mirë ta njohim më shumë Perëndinë e Biblës. Teksa bëjmë kështu, do të kuptojmë se Sara s’e kishte gabim që besonte aq shumë te Zoti. Jehovai është vërtet i besueshëm e plotëson çdo premtim dhe me raste, mënyra si vepron, mund të na bëjë të qeshim nga habia e dyshimi.
«DËGJOJE ZËRIN E SAJ»
Në moshën 90-vjeçare Sara shijoi më në fund momentin që e priste prej kaq shumë kohësh. Ajo i lindi një djalë burrit të saj të dashur, tashmë 100 vjeç. Abrahami e quajti foshnjën Isak, ose «qeshje», tamam siç i kishte thënë Zoti. Mund të përfytyrojmë Sarën të lodhur pas lindjes, ama me një buzëqeshje rrëzëllitëse tek thoshte: «Perëndia më ka bërë të qesh; kushdo që do të dëgjojë për këtë, do të qeshë me mua.» (Zanafilla 21:6) Kjo dhuratë e mrekullueshme nga Jehovai me siguri që ia mbushi me gëzim gjithë ditët e jetës. Megjithatë, bashkë me të erdhën edhe përgjegjësi të mëdha.
Kur Isaku ishte pesë vjeç, familja bëri një festë ditën që fëmijës iu hoq gjiri. Mirëpo kishte diçka që nuk shkonte. Bibla thotë se Sara «vërejti» një sjellje shqetësuese. Ismaeli, djali 19-vjeçar i Agarës, tallej vazhdimisht me Isakun e vogël. Ai nuk po bënte thjesht shaka. Më vonë apostulli Pavël u frymëzua nga Perëndia ta quante përndjekje sjelljen e Ismaelit. Sara e dalloi se kjo prepotencë ishte një kërcënim serioz për mirëqenien e të birit. E kuptonte se Isaku nuk ishte thjesht djali i saj; ai kishte një rol kyç në qëllimin e Jehovait. Prandaj me guxim i foli hapur Abrahamit dhe i kërkoi t’i largonte Agarën e Ismaelin.—Zanafilla 21:8-10; Galatasve 4:22, 23, 29.
Si reagoi i shoqi? Bibla thotë: «Kjo gjë nuk i pëlqeu Abrahamit.» Ai e donte Ismaelin dhe nuk arrinte të shihte përtej ndjenjave prindërore. Megjithatë, Jehovai e pa qartë çështjen, prandaj ndërhyri. Në Bibël lexojmë: «Atëherë Perëndia i tha: ‘Të mos të duket e papëlqyeshme ajo që po të thotë Sara për djalin dhe për skllaven. Dëgjoje zërin e saj, sepse ajo që do të quhet fara jote, do të vijë nëpërmjet Isakut.’» Jehovai e siguroi Abrahamin se do të kujdesej për Agarën dhe për djalin. Abrahami besnik u bind.—Zanafilla 21:11-14.
Sara ishte grua e përkushtuar dhe besnike, një plotësim i vërtetë për Abrahamin. Ajo nuk i tha të shoqit vetëm gjërat që ai donte të dëgjonte. Kur pikasi një problem që ndikonte te familja dhe tek e ardhmja e tyre, foli hapur me të. Dhe, fakti që ishte e drejtpërdrejtë, nuk duhet ngatërruar me mungesën e respektit. Më vonë, apostulli Pjetër që edhe vetë ishte i martuar, e përmendi si një shembull fantastik të gruas që shfaq respekt të thellë për burrin. (1 Korintasve 9:5; 1 Pjetrit 3:5, 6) Ç’është e vërteta, nëse Sara s’do të kishte folur, s’do ta kishte respektuar Abrahamin, meqë ai dhe gjithë familja mund të kishin pasoja të mëdha. Me dashuri Sara tha çfarë duhej thënë.
Shumë gra e çmojnë shembullin e Sarës. Prej saj mësojnë si t’u flasin bashkëshortëve me sinqeritet e me respekt. Ndonjëherë, disa prej tyre do të dëshironin që Jehovai të ndërhynte si në rastin e Sarës. Prapëseprapë mësojnë nga besimi, dashuria e durimi i saj i jashtëzakonshëm.
Jehovai e quajti Sarën «princeshë», ama ajo s’priste ta trajtonin si princeshë
Edhe pse vetë Jehovai e quajti «princeshë» këtë grua të dashur, ajo s’priste ta trajtonin si princeshë. Ja pse s’është çudi që, kur Sara vdiq në moshën 127-vjeçare, Abrahami nisi «ta vajtonte e ta qante».c (Zanafilla 23:1, 2) E ndjeu thellësisht humbjen e ‘princeshës’ së tij të shtrenjtë. S’ka pikë dyshimi se edhe Perëndia Jehova ndien mall për këtë grua besnike dhe ka ndër mend ta rikthejë në jetë në një tokë parajsore. Sarën dhe të gjithë ata që imitojnë besimin e saj, i pret një e ardhme e ndritur dhe e pafund.—Gjoni 5:28, 29.
a Faktikisht, derisa Perëndia u vuri emra të tjerë, çifti njihej me emrat Abram dhe Sarajë. Por, për hir të thjeshtësisë, në artikull do të përdorim emrat me të cilët njihen më shumë.
b Për njëfarë kohe Jehovai lejoi poligaminë dhe konkubinat, por më vonë autorizoi Jezu Krishtin të rivendoste standardin fillestar të martesës: monogaminë që ishte themeluar në Eden.—Zanafilla 2:24; Mateu 19:3-9.
c Sara është e vetmja grua për të cilën Bibla tregon moshën e vdekjes.