LOTI
Nipi i Terahut dhe djali i Haranit, vëllait të Abrahamit (Abramit); pra, nipi i Abrahamit.—Zn 11:27.
Harani, babai i Lotit, vdiq në Ur të Kaldesë, prandaj Loti iku nga Uri bashkë me Terahun, Abramin dhe Sarajën e shkoi në qytetin e Haranit, ku më vonë vdiq Terahu, gjyshi i tij. (Zn 11:28, 31, 32) Më pas, ai shkoi me Abramin dhe Sarajën në Kanaan, dhe më vonë i shoqëroi kur shkuan dhe u kthyen nga Egjipti. (Zn 12:4, 5; 13:1) Zotërimet e Abramit dhe të Lotit ishin shtuar shumë, ndaj nuk kishte vend për të dy kur u kthyen në Kanaan. Veç kësaj, çobanët filluan të grindeshin mes tyre. (Zn 13:5-7) Abrami nuk donte që gjërat të vazhdonin kështu, prandaj, sugjeroi që të ndaheshin duke e lënë nipin të zgjidhte i pari. Loti zgjodhi një zonë të ujitur mirë, gjithë krahinën në pjesën e poshtme të Jordanit. Ai e zhvendosi kampin në lindje dhe përfundimisht i ngriti tendat afër Sodomës. (Zn 13:8-12) Megjithatë, Loti nuk u bë si sodomitët. Ai u tregua «njeri i drejtë» që «e torturonte shpirtin e tij të drejtë për shkak të veprave të tyre të paligjshme, nga ato që shihte dhe dëgjonte, kur banonte mes tyre ditë për ditë».—2Pj 2:8.
Në kohën kur katër mbretër aleatë pushtuan dhe mundën pesë mbretërit e vendit, ku bënte pjesë edhe mbreti i Sodomës, fitimtarët plaçkitën qytetin dhe e morën Lotin rob. Kur mori vesh ç’i kishte ngjarë Lotit, Abrami mblodhi 318 skllevër, i mundi pushtuesit, rimori gjithë zotërimet dhe shpëtoi Lotin.—Zn 14:1-16.
E vizitojnë engjëj. Më vonë, në kohën kur Sodomën e priste shkatërrimi, Lotin e vizituan dy engjëj, dhe ai u ofroi mikpritjen e tij. Mirëpo, burrat e qytetit rrethuan shtëpinë dhe i kërkuan që t’ua nxirrte vizitorët për qëllime imorale. Loti u përpoq t’i mbronte mysafirët deri aty sa i ofroi turmës dy vajzat e tij të virgjëra. Turma e tërbuar e shtynte fort Lotin, prandaj engjëjt që e vizitonin, e tërhoqën brenda dhe i goditën sodomitët e ligj me verbëri.—Zn 19:1-11.
Shpëton nga Sodoma. Më pas, engjëjt i thanë Lotit se klithma kundër banorëve të Sodomës ishte e fortë para Jehovait dhe se ata ishin dërguar për ta shkatërruar qytetin. Siç e udhëzuan engjëjt, Loti paralajmëroi dhëndurët e ardhshëm që, me sa duket, donin të merrnin për gra vajzat e tij, por ende nuk e kishin bërë. (Krahaso Zn 19:8, 14.) Megjithatë, dhëndurët nuk ia vunë veshin Lotit. (Zn 19:12-14) Kur agoi, dy engjëjt e nxitën Lotin, gruan e tij dhe dy vajzat të niseshin menjëherë, madje i shpejtuan gjërat duke i zënë për dore. Engjëjt e respektuan kërkesën e Lotit dhe e lanë të ikte në qytetin fqinj të Zoarit. Pasi Loti mbërriti atje, Jehovai e shkatërroi Sodomën dhe Gomorrën me zjarr. Megjithatë, gruaja e Lotit (emri i së cilës nuk përmendet në Shkrime) nuk u bind, por, ashtu siç «po e ndiqte nga prapa, nisi të shihte përreth», mbase me keqardhje për gjërat që kishte lënë pas. Për këtë, «u bë një shtyllë kripe».—Zn 19:15-26.
Më vonë, Loti, u largua nga Zoari dhe shkoi të banonte në një shpellë në rajonin malor. Dhëndurët e ardhshëm të Lotit ka shumë mundësi të kishin vdekur në Sodomë, kështu dy vajzat e Lotit s’kishin burrë. Ato bënë që i ati të kishte marrëdhënie seksuale me to në mënyrë të pavetëdijshme, kur ai ishte nën ndikimin e verës. Vepruan në këtë mënyrë që i ati të mos mbetej pa pasardhës. Kështu, secila pati nga një djalë, prej të cilëve erdhën moabitët dhe amonitët.—Zn 19:30-38, shën., NW; Lp 2:9, 19.
Një paralajmërim. Autenticiteti i tregimit biblik për Lotin vërtetohet nga Jezu Krishti. Ai tregoi se «në ditët e Birit të njeriut» ose gjatë pranisë së tij, situata do të ngjante me atë në ditët e Lotit, kur njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin e ndërtonin pa e vrarë shumë mendjen, derisa nga qielli ra zjarr e squfur dhe i shkatërroi të gjithë. Krishti tregoi se kur të vinte kjo kohë, njerëzit s’duhej të ktheheshin te gjërat që kishin lënë pas dhe tregoi pasojat e këqija të një qëndrimi të tillë, duke përmendur një shembull të goditur: «Kujtoni gruan e Lotit.»—Lu 17:26-32.