ARABIA
Gadishulli Arabik ndodhet në skajin jugperëndimor të kontinentit aziatik. Kufizohet nga Gjiri Persik e gjiri i Omanit në lindje, nga Deti Arabik e gjiri i Adenit në jug dhe nga Deti i Kuq në perëndim, kurse në veri e qarkon Gjysmëhëna Pjellore e Mesopotamisë, Sirisë dhe e Izraelit. I rrethuar me ujë nga të tria anët, ngjason gati-gati me një ishull gjigant dhe vendësit zakonisht e quajnë «ishulli i arabëve» (Jazirat al-ʽarab).
Arabia është gadishulli më i madh në botë, me një sipërfaqe rreth 2.600.000 km2, pra sa çereku i sipërfaqes së Evropës. Vija bregdetare perëndimore është afro 2.900 km e gjatë dhe gjerësia maksimale e gadishullit shkon në rreth 1.900 km.
Gadishulli përbëhet nga një rrafshnaltë shkëmbore. Ajo nis nga vargmali që shtrihet paralel me bregun perëndimor dhe zbret drejt Gjirit Persik në lindje. Një kreshtë në jugperëndim të vargmalit arrin lartësinë më se 3.600 m. Në jug të gadishullit shtrihet shkretëtira e madhe Rub-el-Hali, hapësira më e madhe me rërë në botë, e quajtur edhe Treva e Zbrazët. Në veri të pllajës qendrore Nexhd ndodhet shkretëtira më e vogël Nefud, e cila shkon deri te shkretëtira e Sirisë.
Përrenjtë që rrjedhin skajeve të gadishullit dhe në pllajën e lartë qendrore (në Nexhd) janë të paktë dhe shtrati i tyre mbushet vetëm në disa stinë. Jobi, i cili me sa duket jetoi në zonën që sot quhet shkretëtira e Sirisë, përshkroi tharjen e atyre ‘përrenjve dimërorë’.—Jb 6:15-20.
Një pjesë e mirë e rrafshnaltës së paanë është e thatë, por përgjatë vargmalit perëndimor, në pllajën qendrore dhe në jug bien reshje të bollshme që mbajnë në jetë një popullsi të madhe. Në ato zona dhe përqark oazave të mëdha, fellahinët ose bujqit kultivojnë mel, grurë, elb dhe misër; atje rritet edhe një lloj palme e quajtur hurmë Arabie (Da 15:27) dhe fiku. Në ekonominë e Arabisë së lashtë, një pasuri e madhe ishin akaciet, nga merret rrëshira e quajtur gomë arabike, si edhe pemët e bimët e tjera aromatike. Ato kanë vlerë ekonomike edhe sot, por i ka eklipsuar ari i zi, nafta.—Zn 2:12.
Ngaqë uji në përgjithësi është me pakicë, fauna detyrimisht është më e paktë; prapëseprapë, ashtu si në kohët biblike, në ato vise rriten ende dhen, cjep, deve, gomarë të egër, çakej, fajkonj dhe shqiponja. (Ezk 27:21; 2Kr 17:11; Gjy 6:5; Jb 39:5-8, 26, 27; Is 60:7; 34:13) Disa kafshë e shpendë të egër, si luani, demi i egër dhe struci, sot janë zhdukur nga ajo zonë. (Jb 38:39, 40; 39:9-18) Kuajt arabë kanë famë edhe sot e kësaj dite për bukurinë dhe forcën.—Krahaso Jb 39:19-25.
Fiset arabe. Pas Përmbytjes, Arabia u bë dalëngadalë atdheu i shumë familjeve të përmendura në kapitullin e 10-të të Zanafillës. Në degën semitike, nga Joktani lindën krerët e rreth 13 fiseve arabe; kurse tre nga pasardhësit e Aramit, Uzi, Geteri dhe Mashi, duket se u vendosën me banim në veri të Arabisë dhe në shkretëtirën e Sirisë. (Zn 10:23, 26-29) Ismaelitët, që banonin në tenda, u endën nga gadishulli i Sinait, nëpër Arabinë Veriore e shkuan deri në Asiri. (Zn 25:13-18) Midianitët jetonin kryesisht në veriperëndim të Arabisë, tamam në lindje të gjirit të ʽAkabës. (Zn 25:4) Pasardhësit e Esaut u vendosën në rajonin malor të Edomit, në juglindje të Detit të Vdekur. (Zn 36:8, 9, 40-43) Në degën kamitike, disa pasardhës të Kushit, mes të cilëve Havilahu, Sabtahu, Raamahu me bijtë e tij Sheba e Dedani, dhe Sabtekai, me sa duket zunë kryesisht pjesën jugore të Gadishullit Arabik.—Zn 10:7.
Në mbishkrimet e lashta asiriane dhe babilonase përmenden fise arabe të ndryshme. Në dokumentet e Shalmaneserit III renditet edhe emri «Gindibuʼ, nga Arabia». Zabibeja dhe Samsia përmenden si mbretëresha arabe në mbishkrimet e Tiglath-Pileserit III. Sargoni II përmend «Samsinë, mbretëreshën e Arabisë, (dhe) Itʼamarën sabeatite». Në mbishkrime të tjera kuneiforme flitet për sabaitët, nabaitët, kidritët, idibailitët, masaitët dhe temaitët.—Krahaso Zn 25:3, 13-15.
Referime biblike. Hadramauti, një nga katër mbretëritë e lashta kryesore të Arabisë Jugore, zakonisht lidhet me Hazarmavetin e Zanafillës 10:26. Vadi-Hadramauti, një luginë e gjatë, paralele me bregun jugor të Arabisë, ishte qendra e mbretërisë me kryeqytet Shabvën. Emra të tjerë biblikë të disa vendeve në Arabi janë: Dedani, Tema, Dumai dhe Buzi.—Is 21:11-14; Jr 25:23, 24.
Abrahami i ra anës Arabisë kur u shpërngul nga Uri i kaldeasve në Kanaan. Më vonë, kur u detyrua të zbriste në Egjipt, mbase kaloi nëpër Arabi duke përshkuar pjesën veriore të gadishullit të Sinait (në vend që të ndiqte rrugën përgjatë Mesdheut), e po ashtu bëri edhe kur u kthye. (Zn 12:10; 13:1) Ngjarjet dramatike të librit të Jobit zhvillohen në vendin e Uzit, në Arabinë Veriore (Jb 1:1), dhe kusarët sabeatitë që grabitën bagëtitë e Jobit, njeriut ‘më të kamur ndër ata që jetonin në Lindje’, ishin një fis arab që ndoshta e kishin prejardhjen nga Joktani. (Jb 1:3, 15; Zn 10:26-28) Edhe tre ‘ngushëlluesit’ e Jobit dhe Elihu vinin me sa duket nga vende arabe. (Jb 2:11; 32:2) Moisiu kaloi 40 vjet në Arabi kur banoi te midianiti Jetro. (Da 2:15–3:1; Ve 7:29, 30) Ngjarja tjetër madhore që ndodhi në Arabi ishte rasti kur u dha besëlidhja e Ligjit në malin Sinai, në jug të gadishullit të Sinait, ku ishte mbledhur kombi i çliruar i Izraelit. (Da 19:1, 2) Në fakt, rreth 15 shekuj më vonë, apostulli Pavël tha se ajo ngjarje ndodhi në ‘Sinai, një mal në Arabi’.—Ga 4:25.
Kur sheh si është sot në përgjithësi Arabia, duket gati e pamundur të përfytyrosh si kanë jetuar 40 vjet në shkretëtirë rreth tre milionë izraelitë. (Da 12:37, 38) Natyrisht, faktori kryesor ishte që Jehovai u siguroi ushqim dhe ujë me anë të mrekullive. (Lp 8:2-4; Nu 20:7, 8) Kushtet ishin të vështira dhe uji i paktë siç e tregojnë qartë Shkrimet (Nu 20:4, 5) por, prapëseprapë, ka arsye për të besuar se në atë kohë, rreth 3.500 vite të shkuara, rezervat ujore të Arabisë ishin disi më të mëdha se sot. Ekzistenca e shumë vadeve ose luginave të thata e të thella, që kanë qenë dikur shtretër lumenjsh, dëshmon se në të kaluarën reshjet ishin aq të bollshme, sa nëpër ta rridhte ujë. Zhdukja e disa lloje kafshësh mund të jetë pjesërisht pasojë e pakësimit të rezervave ujore. Sidoqoftë, në thelb, Arabia e atëhershme ishte njësoj si e sotmja: një vend i thatë ose një stepë.
Në epokën e gjykatësve, nga Arabia vinin me deve hordhi midianitësh, amalekitësh dhe ‘popuj të lindjes’, për të rrënuar tokën e Izraelit. (Gjy 6:1-6) Sulme ose plaçkitje të tilla të befasishme kanë qenë gjithmonë metoda kryesore e luftimit për arabët. (2Kr 22:1) Deveja, që mendohet të jetë zbutur në Arabi, përdorej si mjet transporti të paktën që nga koha e Abrahamit. (Zn 24:1-4, 10, 61, 64) Për udhëtimet e gjata nëpër shkretëtirë, deveja është ku e ku më e përshtatshme se gomari, prandaj zbutja e saj mendohet se ishte një lloj revolucioni ekonomik për Arabinë që ndikoi në zhvillimin e mbretërive të mbiquajtura «mbretëritë e erëzave», në Arabinë Jugore.
Karvanët e deveve që vinin nga viset më pjellore të jugut dredhonin rrugëve të shkretëtirës përbri Detit të Kuq, shkonin nga oaza në oazë dhe nga pusi në pus, gjersa mbërrinin në gadishullin e Sinait. Prej andej mund të merrnin udhën për në Egjipt ose të vazhdonin lart drejt Palestinës a Damaskut. Veç erëzave me vlerë të madhe dhe rrëshirave aromatike, si temjani i bardhë dhe mirra (Is 60:6), mund të transportonin edhe ar e dru algumi nga Ofiri (1Mb 9:28; 10:11), si edhe gurë të çmuar, siç bëri mbretëresha e Shebës kur shkoi për vizitë te mbreti Solomon. (1Mb 10:1-10, 15; 2Kr 9:1-9, 14) Në ujërat e Gjirit Persik gjen me bollëk stridhe perlash. Skajin jugperëndimor të Arabisë e ndan nga Afrika veç një rrip ujor rreth 32 km i gjerë, prandaj ndër mallrat që transportonin ata tregtarë udhëtues mund të kishte edhe produkte nga Etiopia (2Kr 21:16), si fildish dhe abanoz.—Ezk 27:15.
Mbreti babilonas Nabonid, biri i të cilit, Belshazari, sundonte në Babiloni në kohën e rënies së saj (539 p.e.s.), kaloi dhjetë vjet në një oazë ku ishte ngritur qyteti i Taimës (Tema) që ndodhet në veri të pllajës qendrore të Arabisë.—Shih TEMA.
Gjatë shekullit të pestë p.e.s., në Palestinë ndihej goxha ndikimi arab, siç vërehet nga përmendja e ‘Geshemit, arabit,’ te Nehemia 2:19 dhe 6:1-7.
Mbretëria Himjarite, që shtiu në dorë Arabinë Jugore rreth vitit 115 p.e.s., kishte kryeqytet Zafarin (sipas disave, Sefari i Zanafillës 10:30). Kurse në veri, nga shekulli i katërt p.e.s. e tutje, u bënë të fuqishëm nabateasit (ndoshta pasardhës të Nebajotit të Zanafillës 25:13), që kishin kryeqytet Petrën, mes grykave shkëmbore të Edomit. Dalëngadalë, sundimi i tyre u shtri anembanë pjesës jugore të Negebit, pastaj më lart në Moab dhe në viset lindore të Jordanit. Ata sunduan në Damask për disa vjet gjatë shekullit të parë p.e.s., si edhe gjatë shekullit të parë të e.s. Mbreti i tyre Areta IV (rr. 9 p.e.s.–40 të e.s.) përmendet te 2 Korintasve 11:32 në lidhje me arratisjen e Pavlit nga Damasku, për të cilën flitet te Veprat 9:23-25. Herod Antipa u martua me bijën e Aretës IV, por u divorcua prej saj, që të martohej me Herodiadën.—Mr 6:17; shih ARETA.
Pavli tregon se, pasi u kthye në besim, ‘iku në Arabi dhe u kthye sërish në Damask’. (Ga 1:17) Mbase udhëtoi për në shkretëtirën e Sirisë aty pranë, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë shkuar në çfarëdo vendi tjetër të Gadishullit Arabik.
Gjatë shekullit të parë p.e.s., Palmira, që ndodhej në verilindje të Damaskut, nisi të zhvillohej si qendër arabe dhe me kalimin e kohës e la pas Petrën në fushën tregtare. Në vitin 270 të e.s., ushtria e Palmirës nën komandën e mbretëreshës Zenobia kishte zaptuar Egjiptin dhe ishte bërë rivale serioze e Romës, derisa pësoi disfatë në vitin 272 të e.s.
Gjuha. Gjuha e popujve të Arabisë bën pjesë në grupin semitik jugor. Ka pësuar më pak ndryshime se gjuhët e tjera semitike, prandaj ka vlejtur për të kuptuar më mirë shumë shprehje e fjalë në hebraishten e lashtë të Biblës.