Pse duhet ‘të qëndrojmë vigjilentë’?
«Nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.»—MAT. 24:42.
1. Ilustroni pse është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se ç’kohë është dhe ç’po ndodh rreth nesh. (Shih figurën hapëse.)
PESË, katër, tre, dy, një! Teksa ora në ekran numëron sekondat e fundit, e dimë se është koha të zëmë vend dhe të shijojmë intervalin muzikor që çel sesionin e kongresit. Është koha të dëgjojmë qetësisht muzikën e bukur të orkestrës Watchtower dhe, mbi të gjitha, të përgatitim mendjen e zemrën për fjalimet që do të dëgjojmë. Po nëse disa janë të shpërqendruar dhe vijnë vërdallë ose bëjnë muhabet, të pavetëdijshëm se po fillon programi? Patjetër që këta nuk kanë ndenjur vigjilentë dhe s’e kanë kuptuar ç’kohë është e ç’po ndodh rreth tyre—pra që drejtuesi është në skenë, muzika ka nisur dhe auditori është ulur. Kjo situatë na ndihmon të mbajmë parasysh se ka nisur «numërimi i çasteve të fundit» që na ndajnë nga një ngjarje shumë më e madhe. Ajo kërkon nga ne të jemi syçelë për atë që presim në të ardhmen e afërt. Po për cilën ngjarje bëhet fjalë?
2. Pse Jezui u tha dishepujve ‘të qëndronin vigjilentë’?
2 Kur foli për ‘përfundimin e sistemit’, Jezu Krishti u dha këtë nxitje dishepujve të tij: «Mbani sytë hapur dhe rrini zgjuar, sepse nuk e dini se kur është koha e caktuar.» Pastaj i nxiti vazhdimisht: «Qëndroni vigjilentë.» (Mat. 24:3; lexo Markun 13:32-37.) Edhe nga tregimi paralel i Mateut del në pah se Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij të qëndronin syçelë. Ai u tha: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj. . . . Jini gati, sepse Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni.» Pastaj i paralajmëroi sërish: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini as ditën, as orën.»—Mat. 24:42-44; 25:13.
3. Pse i kushtojmë vëmendje paralajmërimit të Jezuit?
3 Si Dëshmitarë të Jehovait, e marrim seriozisht paralajmërimin e Jezuit. E dimë se po jetojmë thellë «në kohën e fundit» dhe se nuk ngelet shumë kohë para se të nisë ‘shtrëngimi i madh’. (Dan. 12:4; Mat. 24:21) Në mbarë botën shohim luftëra që sjellin vuajtje, imoralitet e paligjshmëri që shtohen, pështjellim fetar, zi buke, epidemi dhe tërmete. Shohim se populli i Jehovait anekënd botës po kryen një vepër predikimi të paparë. (Mat. 24:7, 11, 12, 14; Luka 21:11) Mezi e presim ardhjen e Zotërisë dhe gjithçka që do të nënkuptojë kjo për ne dhe për realizimin e qëllimit të Perëndisë.—Mar. 13:26, 27.
NUMËROHEN ÇASTET E FUNDIT
4. (a) Pse mund të themi se tani Jezui e di kur do të ndodhë Harmagedoni? (b) Ndonëse nuk e dimë kur do të nisë shtrëngimi i madh, për çfarë mund të jemi të sigurt?
4 E dimë se çdo sesion kongresi fillon në një orar fiks. Por, sado të përpiqemi, nuk e përcaktojmë dot vitin e saktë, e aq më pak ditën dhe orën, se kur do të fillojë shtrëngimi i madh. Kur ishte në tokë, Jezui tha: «Atë ditë dhe atë orë s’e di askush, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mat. 24:36) Mirëpo në qiell Krishtit i është dhënë autoritet e fuqi për të luftuar kundër botës së Satanait. (Zbul. 19:11-16) Prandaj është logjike të nxjerrim përfundimin se tani Jezui e di kur do të ndodhë Harmagedoni. Ama ne nuk e dimë, dhe është jetësore të qëndrojmë vigjilentë derisa të vijë shtrëngimi i madh. Sidoqoftë, Jehovai e ka pasur gjithmonë të qartë se në ç’kohë do të ndodhë kjo ngjarje. Ai e ka përcaktuar saktësisht kur do të vijë fundi. Po numëron çastet e fundit para se të fillojë shtrëngimi i madh, që «nuk do të vonojë». (Lexo Habakukun 2:1-3.) Pse mund të jemi të sigurt për këtë?
5. Jepni një shembull që tregon se profecitë e Jehovait janë përmbushur gjithnjë fiks në kohën e caktuar.
5 Profecitë e Jehovait gjithnjë janë përmbushur fiks në kohën e caktuar. Për shembull, të mendojmë për momentin kur i çliroi izraelitët nga Egjipti. Duke folur për 14 nisanin e vitit 1513 p.e.s., Moisiu tha: «Në fund të katërqind e tridhjetë vjetëve, pikërisht atë ditë, gjithë ushtritë e Jehovait dolën nga vendi i Egjiptit.» (Dal. 12:40-42) Ato ‘430 vite’ nisën më 1943 p.e.s. kur hyri në fuqi besëlidhja e Jehovait me Abrahamin. (Gal. 3:17, 18) Ca kohë më vonë, Jehovai i tha Abrahamit: «Dije mirë se ata që do të vijnë nga fara jote, do të jenë banorë të ardhur në një vend që s’është i tyre. Kanë për t’u bërë skllevër dhe do të mundohen për katërqind vjet.» (Zan. 15:13; Vep. 7:6) Ato ‘400 vite’ mundimi filluan më 1913 p.e.s., në kohën kur Isakut iu hoq gjiri e Ismaeli tallej me të, dhe përfunduan më 1513 p.e.s., kur izraelitët dolën nga Egjipti. (Zan. 21:8-10; Gal. 4:22-29) E pra, Jehovai e përcaktoi katër shekuj përpara kohën e saktë kur do ta çlironte popullin e tij.
6. Pse jemi të sigurt se Jehovai do ta shpëtojë popullin e tij?
6 Josiu, i cili ishte ndër ata që u çliruan nga Egjipti, i kujtoi mbarë Izraelit: «Ju e dini mirë me gjithë zemër e me gjithë shpirt se nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.» (Jos. 23:2, 14) Nuk kemi fije dyshimi se nuk do të mbetet pa u plotësuar as premtimi i Jehovait se do të na shpëtojë gjatë shtrëngimit të madh. Por, nëse duam të mbijetojmë kur të shkatërrohet ky sistem, duhet të qëndrojmë vigjilentë.
VIGJILENCA ËSHTË THELBËSORE PËR TË MBIJETUAR
7, 8. (a) Çfarë roli kishin rojat në kohët e lashta, dhe ç’mësim nxjerrim nga kjo? (b) Jepni një shembull që tregon se ç’mund të ndodhte kur rojat i zinte gjumi në detyrë.
7 Nga kohët e lashta mund të nxjerrim një mësim për rëndësinë e vigjilencës. Asokohe, shumë qytete të mëdha, siç ishte Jerusalemi, rrethoheshin me mure të larta. Muret siguronin mbrojtje nga pushtuesit dhe shërbenin si pika vrojtimi për të mbikëqyrur zonën përreth. Mbi mure dhe te portat qëndronin ditë e natë roja. Ata duhej t’i sinjalizonin banorët e qytetit po t’u kanosej ndonjë rrezik. (Isa. 62:6) Ishte çështje për jetë a vdekje që rojat të rrinin zgjuar dhe të vëmendshëm në detyrë.—Ezek. 33:6.
8 Historiani jude Jozef tregon se në vitin 70 të e.s., forcat romake arritën të merrnin Kullën e Antonias, ngjitur me murin e qytetit të Jerusalemit, ngaqë rojat te portat i kish zënë gjumi. Prej atje, romakët u turrën në tempull dhe i vunë zjarrin. Kjo çoi në kulmin e shtrëngimit më të madh që kishte parë ndonjëherë Jerusalemi dhe kombi jude.
9. Çfarë nuk di sot shumica e njerëzve?
9 Shumë kombe sot kanë si «roja» patrullat kufitare dhe sisteme vëzhgimi të teknologjisë së lartë. Këto vigjilojnë për të diktuar ndonjë shkelje të territorit të tyre dhe ndonjë armik që kërcënon sigurinë kombëtare. Megjithatë, këto «roja» mund të dallojnë vetëm kërcënimet që vijnë nga qeveritë njerëzore ose nga njerëzit. Ato nuk dinë gjë fare për ekzistencën dhe aktivitetet e qeverisë qiellore të Perëndisë me Krishtin në krye, as për rolin që do të luajë ajo në gjykimin e afërt kundër gjithë kombeve. (Isa. 9:6, 7; 56:10; Dan. 2:44) Nga ana tjetër, ne do të jemi gati kurdo që të vijë ajo ditë gjykimi, po të rrimë syçelë dhe vigjilentë.—Psal. 130:6.
KUJDES SE MOS HUMB VIGJILENCËN NGA SHPËRQENDRIMET
10, 11. (a) Për çfarë duhet të bëjmë kujdes, dhe pse? (b) Çfarë të bind se Djalli ka ndikuar te njerëzit që të shpërfillin profecitë e Biblës?
10 Imagjino një rojë që ka ndenjur zgjuar gjithë natën në vendin e tij. Ai ndihet më i rraskapitur dhe rrezikon më tepër ta zërë gjumi pak para se të mbarojë rojën. Po njësoj, sa më shumë afrohet fundi i këtij sistemi, aq më e vështirë bëhet të rrimë zgjuar. Sa tragjike do të ishte sikur të mos arrinim të qëndronim vigjilentë! Le të shohim tri ndikime negative që mund të na e dobësojnë vigjilencën po të mos jemi të kujdesshëm.
11 Djalli i nanurit njerëzit që të bien në indiferentizëm. Pak para se të vdiste, Jezui i paralajmëroi tri herë dishepujt e tij për ‘sundimtarin e kësaj bote’. (Gjoni 12:31; 14:30; 16:11) Ai e dinte se Djalli do t’i mbante njerëzit në errësirë mendore, për t’u fikur ndjenjën e urgjencës që përcjellin gjithë profecitë e Perëndisë për të ardhmen. (Sof. 1:14) Satanai ua verbon mendjen njerëzve nëpërmjet perandorisë botërore të fesë së rreme. Çfarë të bie në sy kur bisedon me njerëzit? A nuk ‘ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve’ Djalli kur është fjala për fundin e afërt të këtij sistemi dhe për faktin që Krishti tani po qeveris në Mbretërinë e Perëndisë? (2 Kor. 4:3-6) Sa shpesh i dëgjon fjalët «s’më intereson»? Shumica janë indiferentë kur përpiqemi t’u tregojmë se ku po shkon kjo botë.
12. Pse s’duhet të lejojmë që Djalli të na mashtrojë?
12 Mos lejo që indiferentizmi i të tjerëve të të shkurajojë ose të ta prishë mendjen që të mos rrish vigjilent. Ti s’ke pse bie në këtë grackë. Pavli u shkroi bashkëbesimtarëve: ‘Ju e dini fort mirë se dita e Jehovait po vjen’, dhe shtoi «tamam si një hajdut natën». (Lexo 1 Selanikasve 5:1-6.) Jezui na paralajmëroi: «Rrini gati, sepse ka të ngjarë që Biri i njeriut të vijë në një orë që nuk e mendoni.» (Luka 12:39, 40) Së shpejti, Satanai do t’i mashtrojë masat e gjera që të kenë një ndjenjë të rreme ‘paqeje dhe sigurie’. Me dinakëri do t’i shtyjë të mendojnë se gjithçka shkon për bukuri në skenën botërore. Po ç’të themi për ne? Ajo ditë gjykimi s’ka pse ‘të na zërë si hajdutët’ në rast se ‘rrimë zgjuar dhe ruajmë gjykimin’. Ja pse duhet ta lexojmë çdo ditë Fjalën e shkruar të Jehovait dhe të meditojmë për atë që na thotë Ai.
13. Si po ndikon te njerëzimi fryma e botës, dhe si mund ta shmangim këtë ndikim të rrezikshëm?
13 Fryma e botës ndjell gjumë. Shumë veta janë kaq të zhytur në gjërat e jetës së përditshme, sa nuk janë «të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë». (Mat. 5:3) Janë të marrosur pas joshjeve materiale të botës që ushqejnë «dëshirat e mishit» dhe «dëshirat e syve». (1 Gjon. 2:16) Gjithashtu, industria e zbavitjes i ka dehur njerëzit me ‘dashurinë për kënaqësi’, dhe tundimet shtohen vit pas viti. (2 Tim. 3:4) Prandaj Pavli u tha të krishterëve ‘të mos bënin që më përpara plane për dëshirat e mishit’, të cilat të vënë në gjumë.—Rom. 13:11-14.
14. Cilin paralajmërim gjejmë te Luka 21:34, 35?
14 Ne duam me gjithë zemër që në jetën tonë të ndikojë fryma e Perëndisë, jo fryma e botës. Nëpërmjet frymës së tij, Jehovai na ka ndihmuar të kuptojmë qartë ngjarjet që na presin.[1] (1 Kor. 2:12) Sidoqoftë, e dimë mirë se nuk duhet ndonjë gjë e jashtëzakonshme që të fillojmë të dremitim. Për këtë mjaftojnë edhe gjërat e zakonshme të jetës, nëse lejojmë që ato të mos lënë më vend për aktivitetet teokratike. (Lexo Lukën 21:34, 35.) Ndonëse mund të na tallin që rrimë vigjilentë, nuk ka pse ta humbim ndjenjën e urgjencës. (2 Pjet. 3:3-7) Në vend të kësaj, të shoqërohemi rregullisht me bashkëbesimtarët në mbledhje, atje ku është fryma e Perëndisë.
15. Ç’u ndodhi Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit, dhe si mund të na ndodhë e njëjta gjë edhe ne?
15 Papërsosmëria mund të na e dobësojë vendosmërinë që të rrimë syçelë. Jezui e dinte se njerëzit e papërsosur kanë prirjen të bien para dobësive të mishit. Të shohim ç’ndodhi natën para se ta ekzekutonin. Që të mbante integritetin, ai kishte nevojë t’i lutej për forcë Atit të tij qiellor. Jezui u kërkoi Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit ‘të qëndronin vigjilentë’ ndërsa lutej. Mirëpo ata nuk e kuptuan sa serioze ishte ajo që do të ndodhte. Në vend që të vigjilonin për Zotërinë e tyre, i vuri poshtë dobësia dhe ranë në gjumë. Edhe Jezui ndihej i lodhur si ata, ama ishte plotësisht zgjuar dhe iu lut me zjarr Atit. Kështu duhej të kishin bërë edhe shokët e tij.—Mar. 14:32-41.
16. Ç’duhet të bëjmë që ‘të rrimë zgjuar’ sipas asaj që tha Jezui te Luka 21:36?
16 Që ‘të rrimë zgjuar’ nuk mjaftojnë vetëm qëllimet e mira. Pak ditë para ngjarjes në kopshtin e Getsemanisë, Jezui u kishte thënë po atyre dishepujve që t’i përgjëroheshin Jehovait. (Lexo Lukën 21:36.) Pra, nëse duam të rrimë vigjilentë, edhe ne duhet të qëndrojmë syçelë në lidhje me lutjet.—1 Pjet. 4:7.
QËNDRO PËRHERË VIGJILENT
17. Si mund të sigurohemi se jemi gati për atë që do të ndodhë në të ardhmen e afërt?
17 Meqë Jezui tha se fundi do të vijë ‘në një orë që s’e mendojmë’, kjo nuk është aspak koha të dremitim. Nuk është koha të shkojmë pas iluzioneve e fantazive që na vënë para Satanai dhe bota e tij e që dëshiron me etje mishi ynë i papërsosur. (Mat. 24:44) Përmes faqeve të Biblës, Perëndia dhe Krishti na tregojnë çfarë kanë ndër mend për ne në të ardhmen e afërt dhe si të qëndrojmë vigjilentë. Duhet t’i kushtojmë vëmendje marrëdhënies sonë me Jehovain dhe të mbajmë në vend të parë Mbretërinë. Duhet të jemi të vetëdijshëm për kohën që jetojmë dhe për çfarë ndodh rreth nesh, që të jemi gati për çka na pret. (Zbul. 22:20) Është në lojë jeta jonë!
^ [1] (paragrafi 14) Shih kapitullin 21 të librit Mbretëria e Perëndisë qeveris!