MOISIU
[i nxjerrë (d.m.th. i shpëtuar nga uji)].
‘Njeri i Perëndisë së vërtetë’, udhëheqës i kombit të Izraelit, ndërmjetës i besëlidhjes së Ligjit, profet, gjykatës, komandant, historian dhe shkrimtar. (Ezd 3:2) Lindi në Egjipt në vitin 1593 p.e.s.; ishte biri i Amramit, nipi i Kehathit dhe stërnipi i Levit. E ëma, Jokebeda, ishte motra e Kehathit. (Megjithatë, shih JOKEBEDA.) Moisiu ishte tre vjet më i vogël se vëllai i tij, Aaroni. Miriami, motra e tyre, ishte disa vjet më e madhe se ata.—Da 6:16, 18, 20; 2:7.
Vitet e para të jetës në Egjipt. Moisiu, një fëmijë me «bukuri hyjnore», shpëtoi nga gjenocidi i dekretuar nga faraoni, i cili kishte urdhëruar të vritej çdo djalë i sapolindur hebre. Ai u mbajt fshehur nga e ëma për tre muaj, më pas, ajo e futi në një arkë papirusi mes kallamave buzë lumit Nil, ku e gjeti e bija e faraonit. Falë veprimit të mençur të së ëmës dhe së motrës, Moisiun e mëndi dhe e rriti vetë nëna e tij, që u punësua nga e bija e faraonit, e cila e adoptoi Moisiun si djalin e vet. Duke qenë pjesë e shtëpisë së faraonit, ai «mësoi gjithë mençurinë e egjiptianëve» dhe u bë «i fuqishëm në fjalë e në vepra», pa dyshim i fuqishëm në kuptimin mendor e fizik.—Da 2:1-10; Ve 7:20-22.
Pavarësisht nga pozita e privilegjuar që gëzonte dhe nga mundësitë që i ofroheshin në Egjipt, me zemër Moisiu ishte me popullin e skllavëruar të Perëndisë. Në fakt, ai shpresonte që Perëndia ta përdorte për t’i sjellë çlirimin. Në moshën 40-vjeçare, teksa shihte barrën e rëndë që mbanin mbi shpatulla vëllezërit e tij hebrenj, ai pa një egjiptian që po godiste një izraelit. Për të mbrojtur vëllanë e tij, ai e vrau egjiptianin dhe e groposi në rërë. Pikërisht atëherë, Moisiu mori vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij: «Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej biri i bijës së faraonit dhe zgjodhi të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend që të gëzonte kënaqësinë e përkohshme të mëkatit.» Kështu, ai hoqi dorë nga nderimi dhe pasuria që mund të kishte pasur si pjesë e familjes së faraonit të fuqishëm.—He 11:24, 25.
Ç’është e vërteta, Moisiu mendonte se kishte ardhur koha që të ndërhynte për t’u sjellë shpëtimin hebrenjve. Por ata nuk i vlerësuan përpjekjet e tij dhe Moisiu u detyrua t’ia mbathte nga Egjipti, kur faraoni mori vesh për vrasjen e egjiptianit.—Da 2:11-15; Ve 7:23-29.
Dyzet vjet në Midian. Pas një udhëtimi të gjatë përmes shkretëtirës, Moisiu arriti në Midian ku kërkoi strehë. Atje, pranë një pusi, doli përsëri në pah guximi i tij dhe gatishmëria për të vepruar me vendosmëri në ndihmë të atyre që ishin pre e padrejtësisë. Kur disa barinj dëbuan shtatë vajzat e Jetroit dhe kopetë e tyre nga vijat e ujit, Moisiu i ndihmoi ato dhe u dha për të pirë kopeve. Për pasojë, Jetroi e ftoi atë në shtëpinë e vet dhe e mori në punë si bari. Më vonë, ai u martua me njërën nga vajzat e tij, me Ziporën, që i lindi dy djem, Gershomin dhe Eliezerin.—Da 2:16-22; 18:2-4.
Stërvitet për shërbimin që e pret. Megjithëse Perëndia kishte si qëllim ta përdorte Moisiun për të çliruar hebrenjtë, nuk kishte ardhur ende koha e duhur sipas tij; as Moisiu nuk ishte akoma i kualifikuar të drejtonte popullin e Perëndisë. Ai duhej të kalonte edhe 40 vite të tjera duke u stërvitur për këtë gjë. Që të ishte personi i duhur për të drejtuar popullin e Perëndisë, ai duhej të zhvillonte në shkallë më të madhe durimin, zemërbutësinë, përulësinë, shpirtgjerësinë, butësinë e karakterit, vetëkontrollin dhe të dinte të priste drejtimin e Jehovait. Veç kësaj, duhej të arrinte formimin dhe përgatitjen e duhur për t’u bërë ballë shkurajimeve, zhgënjimeve dhe vështirësive që do të haste, si dhe të mësonte t’i trajtonte me dashamirësi, qetësi dhe vendosmëri problemet e shumta që do të paraqiste një komb i madh. Moisiu ishte një njeri me shumë dije dhe, pa dyshim, formimi që kishte marrë në shtëpinë e faraonit i kishte dhënë dinjitet, vetësiguri dhe ekuilibër, si dhe kishte përforcuar aftësinë e tij për të organizuar e drejtuar. Megjithatë, puna e përulur e bariut në Midian e stërviti siç duhet për të zhvilluar cilësi të shkëlqyera akoma më të rëndësishme për detyrën që e priste. Njësoj si ai, Davidi ndoqi një stërvitje të rreptë edhe pasi u miros nga Samueli. Gjithashtu, edhe Jezu Krishti u vu në provë vazhdimisht, që të përsosej si Mbret dhe Kryeprift përgjithmonë. «[Krishti] mësoi bindjen nga ato që vuajti dhe, pasi u bë i përsosur, u bë shkak për shpëtimin e përhershëm të të gjithë atyre që i binden.»—He 5:8, 9.
Emërohet çlirimtar. Aty nga fundi i qëndrimit të tij 40-vjeçar në Midian, Moisiu po kulloste kopenë e Jetroit afër malit të Horebit dhe u mrekullua tek shihte një kaçubë me gjemba në flakë, por që nuk digjej. Si u afrua për të parë më nga afër këtë dukuri të mahnitshme, nga mesi i flakëve i foli engjëlli i Jehovait. Ai i zbuloi se kishte ardhur koha që Perëndia ta çlironte Izraelin nga robëria dhe se e kishte ngarkuar Moisiun të prezantohej me emrin me të cilin do të kujtohej gjithmonë, Jehova. (Da 3:1-15) Kështu, Perëndia e emëroi profet dhe përfaqësues të tij, dhe Moisiu mund të quhej me të drejtë i mirosur ose mesi, ose ‘Krisht’ si te Hebrenjve 11:26. Nëpërmjet një engjëlli, Jehovai i dha fuqi Moisiut që t’u tregonte me prova pleqve të Izraelit se e kishte dërguar Perëndia; ishin tri mrekulli që do të shërbenin si shenjë. Kjo është hera e parë që Shkrimet flasin për një njeri që mori fuqi të kryente mrekulli.—Da 4:1-9.
Nuk skualifikohet nga mosbesimi te vetja. Megjithatë, Moisiu tregoi mosbesim te vetja duke paraqitur si arsye se nuk fliste dot rrjedhshëm. Ai kishte ndryshuar; ishte shumë ndryshe nga Moisiu që 40 vjet më parë ishte ofruar me kokën e vet të çlironte Izraelin. Ai vazhdoi të kundërshtonte, aq sa në fund i kërkoi Jehovait të mos ia ngarkonte këtë detyrë. Megjithëse kjo ia ndezi zemërimin Jehovait, ai nuk e hodhi poshtë Moisiun, por i dha si zëdhënës të vëllanë, Aaronin. Kështu, duke qenë përfaqësues i Perëndisë, Moisiu u bë në njëfarë mënyre si «Perëndi» për Aaronin që fliste në vend të tij. Gjatë mbledhjes që ata të dy patën më pas me pleqtë e Izraelit dhe gjatë takimeve të tyre me faraonin, duket se Perëndia ia jepte udhëzimet dhe urdhrat Moisiut e ai, nga ana e vet, ia përcillte Aaronit; kështu ishte Aaroni që fliste para faraonit (një pasues i faraonit nga i cili ia kishte mbathur Moisiu 40 vjet më parë). (Da 2:23; 4:10-17) Më vonë, Jehovai tha se Aaroni ishte «profeti» i Moisiut, në kuptimin që ashtu si Moisiu ishte profeti i Perëndisë, që drejtohej nga Ai, edhe Aaroni duhej të drejtohej nga Moisiu. Gjithashtu, Perëndia i tha Moisiut se e kishte bërë «Perëndi për faraonin», domethënë që Jehovai i kishte dhënë fuqi dhe autoritet mbi mbretin e Egjiptit, pra, nuk kishte asnjë arsye të kishte frikë nga ai.—Da 7:1, 2.
Perëndia e qortoi Moisiun ngaqë ngurroi të merrte përsipër detyrën tejet të vështirë të çliruesit të Izraelit, por nuk ia hoqi caktimin. Megjithëse 80-vjeçar, nuk ishte mosha e thyer që e bënte të ngurronte. Dyzet vjet më vonë, në moshën 120-vjeçare, Moisiu ishte akoma plot jetë e gjallëri. (Lp 34:7) Gjatë atyre 40 vjetëve në Midian, ai kishte pasur mjaft kohë për të medituar dhe kishte arritur të kuptonte gabimin që kishte bërë duke u përpjekur t’i çlironte hebrenjtë me kokën e vet. Tani ishte i vetëdijshëm për mangësitë e tij. Për më tepër, pas gjithë asaj kohe larg të gjitha çështjeve publike, duhet të ketë qenë patjetër një tronditje e vërtetë ftesa e papritur për një rol të tillë.
Më vonë, Bibla thotë: «Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë; ai ishte më zemërbuti ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut.» (Nu 12:3) Si zemërbutë që ishte, ai e pranonte se ishte thjesht njeri, i papërsosur dhe me dobësi. Ai nuk e nxori veten në pah si udhëheqës i pamposhtur i Izraelit. Tregoi se nuk kishte frikë nga faraoni, por se ishte shumë i vetëdijshëm për kufizimet e veta.
Para faraonit të Egjiptit. Moisiu dhe Aaroni tani ishin figura kyç në «betejën mes hyjnive». Nëpërmjet priftërinjve që merreshin me magji, krerët e të cilëve me sa duket quheshin Janes dhe Jambres (2Ti 3:8), faraoni i bëri thirrje fuqisë së të gjitha perëndive të Egjiptit t’i kundërviheshin fuqisë së Jehovait. Mrekullia e parë që kreu Aaroni para faraonit, nën drejtimin e Moisiut, tregoi epërsinë e Jehovait mbi perënditë e Egjiptit, edhe pse faraoni u bë edhe më kryeneç. (Da 7:8-13) Më vonë, pas plagës së tretë, edhe priftërinjtë u detyruan të pranonin: «Ky është gishti i Perëndisë!» Veç kësaj, plaga e çibanëve i goditi aq keq, sa nuk dilnin dot as para faraonit që t’i kundërviheshin Moisiut gjatë asaj plage.—Da 8:16-19; 9:10-12.
Plagë që zbutën dhe ngurtësuan. Moisiu dhe Aaroni u përdorën për të njoftuar Dhjetë Plagët njëra pas tjetrës. Plagët ndodhnin ashtu si njoftonin ata, dhe kjo provonte se Moisiu ishte përfaqësuesi i Jehovait. Emri i Jehovait ishte shpallur dhe për të flitej shumë në Egjipt, e kjo ngjalli njëherazi dy reagime: zbutjen e izraelitëve e të disa egjiptianëve dhe ngurtësimin e faraonit, të këshilltarëve dhe të mbështetësve të tij. (Da 9:16; 11:10; 12:29-39) Egjiptianët nuk mendonin se kishin zemëruar perënditë e tyre, përkundrazi, e kuptuan se ato perëndi po gjykoheshin nga Jehovai. Pas nëntë plagëve, edhe Moisiu ishte bërë «njeri shumë i madh në vendin e Egjiptit, në sy të shërbëtorëve të faraonit dhe në sy të popullit».—Da 11:3.
Edhe te burrat e Izraelit kishte ndodhur një ndryshim i dukshëm. Në fillim ata e pranuan Moisiun si të dërguarin e Jehovait, por meqë faraoni ua rëndoi kushtet e punës, ata zunë të ankoheshin kundër Moisiut, aq sa, i shkurajuar, ai iu drejtua Jehovait. (Da 4:29-31; 5:19-23) Atëherë, Më i Larti e forcoi duke i zbuluar se kishte ardhur koha që Ai të përmbushte atë që kishte pritur Abrahami, Isaku dhe Jakobi, domethënë, të zbulonte plotësisht domethënien e emrit të tij Jehova, duke e çliruar Izraelin dhe duke e bërë një komb të madh në tokën e premtuar. (Da 6:1-8) Edhe atëherë burrat e Izraelit nuk ia vunë veshin Moisiut. Vetëm pas plagës së nëntë, u rreshtuan me vendosmëri përkrah tij. Ata bashkëpunuan aq mirë me Moisiun, sa pas plagës së dhjetë ai mundi t’i organizonte e t’i nxirrte nga Egjipti me rregull «në formacion luftimi».—Da 13:18.
Guxim dhe besim për t’u përballur me faraonin. Vetëm falë forcës së Jehovait dhe veprimit të frymës së tij, Moisiu dhe Aaroni qenë në lartësinë e detyrës që u ishte ngarkuar. Imagjino oborrin e faraonit, mbretit të një fuqie të padiskutueshme botërore për atë kohë. Me një madhështi të paparë, faraoni krenar që e quante veten perëndi, rrethohej nga këshilltarët, komandantët ushtarakë, rojat dhe skllevërit e tij. Veç tyre, ishin edhe krerët fetarë, priftërinjtë që merreshin me magji e që ishin kundërshtarët kryesorë të Moisiut. Pas faraonit, këta ishin njerëzit më të fuqishëm të mbretërisë. Gjithë kjo shpurë kishte për qëllim të mbështeste faraonin që do të dilte në mbrojtje të perëndive të Egjiptit. Moisiu dhe Aaroni dolën para faraonit jo një, por shumë herë, dhe zemra e tij ngurtësohej çdo herë e më tepër, pasi ishte i vendosur t’i mbante nën darën e tij skllevërit e çmuar hebrenj. Në fakt, pasi njoftuan plagën e tetë, Moisiun dhe Aaronin i dëbuan nga prania e faraonit dhe pas plagës së nëntë i urdhëruan të mos dilnin më përpara tij, përndryshe do të vdisnin.—Da 10:11, 28.
Me këto gjëra në mendje, e kemi më të lehtë të kuptojmë pse Moisiu i kërkoi shumë herë forcë dhe siguri Jehovait. Megjithatë, s’duhet të harrojmë se ai e zbatoi gjithmonë pikë për pikë atë që kishte urdhëruar Jehovai. Nuk ia zbehu forcën asnjërës prej fjalëve që Jehovai i kishte ngarkuar t’i thoshte faraonit dhe, falë drejtimit të tij, në kohën e plagës së dhjetë, «gjithë bijtë e Izraelit bënë ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun dhe Aaronin. Ata bënë pikërisht ashtu». (Da 12:50) Për të krishterët Moisiu është shembull i besimit të pazakontë. Ja çfarë tha apostulli Pavël për të: «Me anë të besimit ai la Egjiptin, por pa iu frikësuar zemërimit të mbretit, sepse qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm.»—He 11:27.
Para plagës së dhjetë, Moisiu pati privilegjin të ishte themeluesi i Pashkës. (Da 12:1-16) Kur ishin afër Detit të Kuq, atij iu desh të përballej përsëri me ankesat e popullit që dukej si i zënë në grackë dhe në prag të masakrës. Por ai tregoi besimin e një udhëheqësi të vërtetë që drejtohej nga dora e fuqishme e Jehovait, duke i dhënë zemër Izraelit se Jehovai do ta shkatërronte ushtrinë egjiptiane që e ndiqte. Me sa duket në këtë rrethanë kritike, ai i kërkoi ndihmë Jehovait, sepse Perëndia i tha: «Përse më thërret akoma?» Pastaj, Perëndia e urdhëroi Moisiun të ngrinte shkopin, të shtrinte dorën drejt detit dhe ta ndante. (Da 14:10-18) Shekuj më vonë, apostulli Pavël tha për kalimin e Detit të Kuq nga Izraeli: «Paraardhësit tanë ishin të gjithë nën renë, të gjithë kaluan përmes detit, të gjithë u pagëzuan në Moisiun, kur kaluan nën renë përmes detit.» (1Ko 10:1, 2) Në të vërtetë pagëzimin e bëri Jehovai. Për t’u shpëtuar ndjekësve të pamëshirshëm, paraardhësit e judenjve duhej të bashkoheshin me Moisiun, kreun e tyre, dhe të ndiqnin drejtimin e tij gjatë kohës që u printe nëpër det. Kështu, gjithë kongregacioni i Izraelit u pagëzua në njëfarë mënyre në Moisiun, çlirimtarin dhe udhëheqësin e tij.
Ndërmjetës i besëlidhjes së Ligjit. Muajin e tretë pasi Izraeli doli nga Egjipti, Jehovai tregoi para gjithë kombit sa autoritet dhe përgjegjësi të madhe i kishte besuar shërbëtorit të tij Moisi, si dhe lidhjen e ngushtë që gëzonte me të. Para gjithë Izraelit të mbledhur rrëzë malit të Horebit, Jehovai i tha Moisiut të ngjitej në mal, ku i foli nëpërmjet një engjëlli. Në një rast, ai pati privilegjin të përjetonte gjënë më të mrekullueshme që mund të ketë përjetuar një njeri deri para ardhjes së Jezu Krishtit. Lart në mal, ndërkohë që ishte vetëm, Jehovai i dha Moisiut një vegim të lavdisë së tij; ai e mbuloi Moisiun me ‘pëllëmbën’ e vet, duke e lejuar të shihte «shpinën» e tij, me sa duket shkëlqimin që mbeti pas shfaqjes së lavdisë së Tij hyjnore. Pastaj, si të thuash, foli personalisht me të.—Da 19:1-3; 33:18-23; 34:4-6.
Jehovai i tha Moisiut: «Ti s’mund ta shohësh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shohë e të jetojë.» (Da 33:20) Shekuj më vonë, apostulli Gjon shkroi: «Askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë.» (Gjo 1:18) Stefani, një martir i krishterë, u tha judenjve: «Ai [Moisiu] është njeriu që ndodhej mes kongregacionit, në shkretëtirë, bashkë me engjëllin që i foli në Malin e Sinait.» (Ve 7:38) Pra, në mal, Jehovain e kishte përfaqësuar një engjëll. Sidoqoftë, lavdia e Jehovait e paraqitur nga ky përfaqësues engjëllor ishte aq e madhe, sa më pas, lëkura e fytyrës së Moisiut rrezatonte aq fort, sa bijtë e Izraelit nuk e shihnin dot.—Da 34:29-35; 2Ko 3:7, 13.
Perëndia e vendosi Moisiun ndërmjetës të besëlidhjes së Ligjit me Izraelin, një pozitë shumë e besuar të cilën s’e ka pasur askush para Perëndisë përveç Jezu Krishtit, Ndërmjetësit të besëlidhjes së re. Moisiu spërkati me gjakun e kafshëve të flijuara librin e besëlidhjes, që përfaqësonte Jehovain si njëra «palë», dhe popullin (pa dyshim pleqtë që e përfaqësonin) si «pala» tjetër. Më pas, lexoi para popullit librin e besëlidhjes dhe ai përgjigjej: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që ka thënë Jehovai dhe të jemi të bindur.» (Da 24:3-8; He 9:19) Si ndërmjetës, Moisiu pati privilegjin të mbikëqyrte ndërtimin e tabernakullit, bërjen e pajisjeve sipas modelit që i kishte dhënë Perëndia, si dhe të themelonte priftërinë duke mirosur tabernakullin dhe kryepriftin Aaron me një vaj me përbërje të veçantë. Pastaj, mbikëqyri shërbesat e para që bënë zyrtarisht priftërinjtë e sapoemëruar.—Da kap. 25-29; Le kap. 8, 9.
Një ndërmjetës i denjë. Moisiu u ngjit disa herë në malin e Horebit. Dy herë qëndroi atje 40 ditë e 40 net. (Da 24:18; 34:28) Herën e parë u kthye me dy pllaka guri «të shkruara me gishtin e Perëndisë», ku paraqiteshin «Dhjetë Fjalët» ose Dhjetë Urdhërimet, ligjet bazë të besëlidhjes së Ligjit. (Da 31:18; Lp 4:13) Në këtë rast të parë, Moisiu tregoi se ishte në lartësinë e rolit të tij si ndërmjetës mes Jehovait e Izraelit dhe si udhëheqës i këtij kombi të madh të përbërë ndoshta nga tre milionë veta a më shumë. Kur ishte në mal, Jehovai e njoftoi Moisiun se populli i ishte kthyer idhujtarisë dhe i tha: «Lërmë të më ndizet zemërimi kundër tyre e t’i shfaros, dhe të të bëj ty një komb të madh.» Përgjigjja e menjëhershme e Moisiut tregoi se gjëja më e rëndësishme për të ishte shenjtërimi i emrit të Jehovait dhe se nuk ishte aspak egoist e nuk kërkonte famë. Nuk kërkoi asgjë për vete, përkundrazi ishte në merak për emrin e Jehovait, të cilin pak më parë vetë Ai e kishte lartësuar me mrekullinë e Detit të Kuq. Gjithashtu, tregoi sa për zemër e kishte premtimin që Perëndia i kishte bërë Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Jehovai e pranoi përgjërimin e Moisiut dhe e kurseu popullin. Kjo tregon se, në sytë e Jehovait, Moisiu e përmbushte në mënyrë të kënaqshme rolin e tij si ndërmjetës dhe se Ai vetë e respektonte masën që kishte marrë duke i besuar këtë detyrë. Kështu, Jehovait «nisi t’i vinte keq për atë që kishte thënë se do t’i bënte popullit të tij», domethënë për shkak të ndryshimit të rrethanave, Ai ndryshoi qëndrim dhe vendosi të mos i bënte keq.—Da 32:7-14.
Zelli për adhurimin e vërtetë me të cilin Moisiu i shërbeu Perëndisë, u tregua kur zbriti nga mali. Sa pa idhujtarët që dëfrenin të shfrenuar, ai i hodhi pllakat, i theu dhe u bëri thirrje atyre që donin të ishin në anën e Jehovait. Fisi i Levit u bashkua me Moisiun dhe ai i urdhëroi të vritnin ata që ishin përfshirë në adhurimin e rremë. E gjithë kjo përfundoi në vrasjen e rreth 3.000 burrave. Pastaj, Moisiu u kthye te Jehovai, pranoi mëkatin e rëndë të popullit dhe iu përgjërua me këto fjalë: «Megjithatë, nëse ua fal mëkatin, . . . përndryshe, të lutem, më fshi nga libri që ke shkruar.» Përgjërimi i Moisiut si ndërmjetës nuk i solli pakënaqësi Perëndisë, përkundrazi Ai u përgjigj: «Këdo që ka mëkatuar kundër meje, do ta fshij nga libri im.»—Da 32:19-33.
Në shumë raste, Moisiu përfaqësoi anën e Jehovait në besëlidhje, duke nxitur adhurimin e pastër e të vërtetë dhe duke ekzekutuar gjykimin për të pabindurit. Gjithashtu, më shumë se një herë ai ndërmjetësoi për kombin ose individë të veçantë që të mos shkatërroheshin nga dora e Jehovait.—Nu 12; 14:11-21; 16:20-22, 43-50; 21:7; Lp 9:18-20.
Altruizëm, përulësi, zemërbutësi. Interesat kryesore të Moisiut ishin emri i Jehovait dhe populli i Tij. Prandaj, ai nuk ishte nga ata njerëz që kërkonte lavdi ose pozitë. Kur fryma e Jehovait zbriti mbi disa burra në kamp dhe ata filluan të vepronin si profetë, ndihmësi i Moisiut, Josiu, donte t’i ndalonte, me sa duket sepse mendonte se kjo ia ulte lavdinë ose autoritetin zotërisë së tij. Por Moisiu ia ktheu: «Mos je gjë xheloz për mua? Mos ji, sepse unë do të doja që tërë populli i Jehovait të ishin profetë, pasi Jehovai do ta vinte frymën e tij mbi ta!»—Nu 11:24-29.
Megjithëse Jehovai e kishte vënë në krye të kombit të madh të Izraelit, Moisiu ishte gati të pranonte këshilla nga të tjerët, sidomos nëse ishin në të mirë të kombit. Pak pasi izraelitët dolën nga Egjipti, atë vajti ta takonte Jetroi, i cili kishte marrë me vete edhe gruan dhe djemtë e Moisiut. Ai pa sa e rëndë ishte puna e Moisiut dhe sa rraskapitej duke zgjidhur problemet e të gjithë atyre që shkonin tek ai. Me mençuri i sugjeroi një mënyrë për t’u deleguar përgjegjësi të tjerëve, që të lehtësonte barrën e vet. Moisiu e dëgjoi këshillën e Jetroit, e pranoi dhe e organizoi popullin në grupe me një mijë veta, njëqind, pesëdhjetë dhe dhjetë veta, si dhe vuri mbi ta një të parë si gjykatës. Moisiut i parashtroheshin vetëm çështjet e vështira. Gjithashtu, s’duhet harruar se kur i shpjegoi Jetroit atë që bënte, Moisiu tha: «Populli vjen tek unë për të pyetur Perëndinë. Në rast se lind ndonjë çështje mes tyre, dalin para meje dhe unë gjykoj mes palëve, si dhe u bëj të njohura vendimet e Perëndisë së vërtetë dhe ligjet e tij.» Me këtë tregoi se ishte i vetëdijshëm që nga ai pritej të gjykonte jo sipas mendimit të tij, por sipas vendimeve të Jehovait dhe se përveç kësaj, kishte përgjegjësinë ta ndihmonte popullin të njihte dhe të pranonte ligjet e Perëndisë.—Da 18:5-7, 13-27.
Moisiu tregoi vazhdimisht se Udhëheqësi i vërtetë ishte Jehovai, jo ai. Kur populli filloi të ankohej për ushqimin, Moisiu tha: «Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh [Moisiut dhe Aaronit], por kundër Jehovait.» (Da 16:3, 6-8) Ndoshta nga frika se mos prania e gruas së Moisiut e linte në hije, Miriami, e mbështetur nga Aaroni, filloi të fliste kundër vëllait të saj dhe autoritetit të tij në një mënyrë që tregonte xhelozi dhe mungesë respekti. Fakti që pikërisht në këtë pikë Bibla thotë se «Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë; ai ishte më zemërbuti ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut», tregon edhe më shumë se fjalët e tyre ishin vërtet të ulëta. Me sa duket, Moisiu ngurronte ta ushtronte autoritetin, duke i duruar me zemërbutësi fyerjet. Mirëpo, Jehovait iu ndez zemërimi, sepse në të vërtetë kjo ishte një fyerje kundër vetë Atij. Ai e mori vetë në dorë çështjen dhe e ndëshkoi rëndë Miriamin. Dashuria për të motrën e nxiti Moisiun të ndërhynte për të, duke thirrur me zë të lartë: «Të lutem, o Perëndi, të lutem shëroje!»—Nu 12:1-15.
Bindej dhe priste drejtimin e Jehovait. Moisiu priste drejtimin e Jehovait. Megjithëse është quajtur ligjdhënësi i Izraelit, ai e pranonte se ligjet nuk vinin prej tij. Nuk ishte arbitrar, pra nuk i vendoste gjërat sipas asaj që dinte vetë. Në rastet gjyqësore që nuk kishin precedent ose që ai nuk e kuptonte me saktësi si ta zbatonte ligjin, ia paraqiste çështjen Jehovait që Ai të përcaktonte një vendim gjyqësor. (Le 24:10-16, 23; Nu 15:32-36; 27:1-11) I ndiqte udhëzimet me kujdes. Moisiu e mbikëqyri nga afër punën e ndërlikuar për ndërtimin e tabernakullit dhe për bërjen e pajisjeve të tij e të veshjeve të priftërinjve. Tregimi thotë: «Moisiu veproi në përputhje me gjithçka që i urdhëroi Jehovai. Ai bëri pikërisht ashtu.» (Da 40:16; krahaso Nu 17:11.) Tregimi thekson shpeshherë se gjërat bëheshin «ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun». (Da 39:1, 5, 21, 29, 31, 42; 40:19, 21, 23, 25, 27, 29) Të krishterët nxjerrin dobi nga kjo, pasi apostulli Pavël tha se këto gjëra ishin një «hije» dhe një ilustrim i gjërave qiellore.—He 8:5.
Moisiu gabon. Moisiu bëri një gabim të rëndë gjatë kohës që Izraeli kishte fushuar në Kadesh, ka të ngjarë vitin e 40-të që endej nëpër shkretëtirë. Shqyrtimi i kësaj ndodhie nxjerr në pah se Moisiu jo vetëm kishte një pozitë shumë të privilegjuar, por kishte edhe përgjegjësinë e rëndë para Jehovait si udhëheqësi dhe ndërmjetësi i kombit. Për shkak të mungesës së ujit, populli filloi të grindej keq me Moisiun, duke ia hedhur fajin atij pse e kishte nxjerrë nga Egjipti dhe e kishte çuar në një shkretëtirë shterpë. Moisiu kishte duruar shumë, duke u përballur me mbrapshtësinë dhe kryeneçësinë e izraelitëve, duke vuajtur bashkë me ta dhe duke ndërmjetësuar për ta kur mëkatonin, por këtë herë, ai e humbi për një moment zemërbutësinë dhe butësinë e karakterit. Të acaruar e të hidhëruar, Moisiu dhe Aaroni qëndruan para popullit siç i kishte urdhëruar Jehovai. Mirëpo, në vend që ta drejtonin vëmendjen e popullit te Jehovai, Siguruesi i gjithçkaje, ata i folën ashpër popullit dhe e drejtuan vëmendjen te vetja. Në fakt, Moisiu tha: «Dëgjoni, tani, o rebelë! A të nxjerrim ujë nga ky shkrep për ju?» Sakaq, Moisiu goditi shkëmbin dhe Jehovai nxori ujë për gjithë popullin dhe kopetë. Mirëpo, Perëndisë nuk i pëlqeu sjellja e Moisiut dhe e Aaronit, sepse nuk kishin përmbushur përgjegjësinë e tyre kryesore, domethënë nuk kishin lartësuar emrin e Jehovait. Ata ‘nuk vepruan me Jehovain siç e kishin për detyrë’ dhe Moisiu ‘foli pa menduar me buzët e tij’. Më vonë, Jehovai dekretoi: «Meqenëse nuk treguat besim tek unë që të më shenjtëronit para syve të bijve të Izraelit, ju nuk do ta çoni këtë kongregacion në vendin që unë do t’u jap.»—Nu 20:1-13; Lp 32:50-52; Ps 106:32, 33.
Shkrimtar. Moisiu ishte shkrimtari i Pentateukut, domethënë i pesë librave të parë të Biblës, ku futen Zanafilla, Dalja, Levitiku, Numrat dhe Ligji i përtërirë. Judenjtë e kanë pranuar gjithmonë se ai ishte shkrimtari i këtyre librave të Biblës, që ata e quajnë Tora ose Ligji. Shpeshherë Jezui dhe shkrimtarët e Shkrimeve të krishtere ia atribuojnë Ligjin Moisiut. Në përgjithësi, mendohet se Moisiu është shkrimtari i librit të Jobit, i Psalmit 90 e ndoshta edhe i Psalmit 91.—Mt 8:4; Lu 16:29; 24:27; Ro 10:5; 1Ko 9:9; 2Ko 3:15; He 10:28.
Vdekja dhe varrosja e tij. Muajin e pestë të vitit të 40-të të udhëtimit, gjatë kohës kur Izraeli fushonte afër malit të Horit në kufi me Edomin, vëllai i Moisiut, Aaroni, vdiq në moshën 123-vjeçare. Moisiu e çoi të vëllanë në mal, i hoqi rrobën priftërore dhe ia veshi pasuesit të Aaronit, Eleazarit, djalit më të madh nga fëmijët që i kishin mbetur gjallë. (Nu 20:22-29; 33:37-39) Rreth gjashtë muaj më vonë, Izraeli arriti në rrafshinat e Moabit. Atje, me një varg fjalimesh, Moisiu i shpjegoi kombit të mbledhur ligjin, duke u ndalur më hollësisht te rregullimet që do të nevojiteshin kur Izraeli të linte jetën endacake nëpër kampe dhe të vendosej me banim në vendin e vet. Muajin e 12-të të vitit të 40-të (në pranverë të vitit 1473 p.e.s.), ai e njoftoi popullin se ishte vullneti i Jehovait që Josiu ta pasonte në rolin e udhëheqësit. Në këtë kohë, Josiu nisi detyrën e re dhe u inkurajua të ishte guximtar. (Lp 31:1-3, 23) Në fund, pasi recitoi fjalët e një kënge dhe pasi bekoi popullin, Moisiu u ngjit në malin e Nebos, siç e kishte urdhëruar Jehovai, së pari që të shihte Tokën e Premtuar nga ajo pikë e lartë, e pastaj të vdiste.—Lp 32:48-51; 34:1-6.
Moisiu ishte 120 vjeç kur vdiq. Bibla dëshmon për forcën e tij fizike, kur thotë: «Nuk e kishin lënë as sytë dhe as fuqitë.» Ai u varros nga Jehovai në një vend që nuk u zbulua kurrë. (Lp 34:5-7) Ka mundësi që Perëndia e bëri këtë që izraelitët të mos binin në kurthin e adhurimit të rremë duke e kthyer varrin e tij në faltore. Me sa duket, Djalli donte ta përdorte trupin e Moisiut për një qëllim të tillë, sepse Juda, dishepull dhe gjysmëvëlla i Jezu Krishtit, shkroi: «Kur kryeengjëlli Mikael pati një mosmarrëveshje me Djallin dhe bëri fjalë me të për trupin e Moisiut, nuk guxoi të jepte kundër tij një gjykim me fjalë sharëse, por tha: ‘Jehovai të qortoftë!’» (Jd 9) Para se të hynte në Kanaan nën drejtimin e Josiut, Izraeli mbajti 30 ditë zi për Moisiun.—Lp 34:8.
Profet me të cilin Jehovai foli «sy për sy». Kur Miriami dhe Aaroni kundërshtuan autoritetin e Moisiut, Jehovai u tha: «Po të kishte mes jush ndonjë profet për Jehovain, unë do t’i shfaqesha atij në vegim; do t’i flitja në një ëndërr. Por nuk është kështu me Moisiun, shërbëtorin tim! Atij i është besuar gjithë shtëpia ime. Unë flas me të gojë më gojë, duke ia thënë gjërat qartë e jo me gjëegjëza. Ai sheh pamjen e Jehovait. Si nuk patët frikë të flitnit kundër Moisiut, shërbëtorit tim?» (Nu 12:6-8) Vargjet e fundit të Ligjit të përtërirë flasin për pozitën e privilegjuar që gëzonte Moisiu para Jehovait. Aty thuhet: «Gjithsesi në Izrael nuk pati më kurrë profet si Moisiu, me të cilin Jehovai foli sy për sy. Po, nuk pati si ai për sa u përket të gjitha shenjave dhe mrekullive që Jehovai e dërgoi të bënte para faraonit në Egjipt, para gjithë shërbëtorëve dhe para tërë vendit të tij, për sa i përket dorës së fortë dhe tërë bëmave të mëdha e të hatashme që bëri Moisiu para syve të gjithë Izraelit.»—Lp 34:10-12.
Sipas fjalëve të Jehovait, megjithëse Moisiu nuk e pa kurrë me sytë e tij vetë Jehovain, siç përmendëm edhe në fillim, ai pati një lidhje më të ngushtë, më të drejtpërdrejtë dhe më të qëndrueshme me Të se të gjithë profetët e tjerë para Jezu Krishtit. Duke thënë «flas me të gojë më gojë», Jehovai tregoi se Moisiu komunikonte personalisht me të (nëpërmjet engjëjve të cilët mund të paraqiten kurdoherë para Perëndisë; Mt 18:10). (Nu 12:8) Si ndërmjetësi i Izraelit, Moisiu mund të komunikonte vazhdimisht me Perëndinë. Në çdo moment, ai mund t’i paraqiste problemet që ishin me rëndësi kombëtare dhe të merrte përgjigje nga Perëndia. Jehovai i besoi Moisiut ‘tërë shtëpinë e Tij’, duke e përdorur si përfaqësuesin e vet më të ngushtë për të organizuar kombin. (Nu 12:7; He 3:2, 5) Profetët e mëvonshëm thjesht vazhduan të ndërtonin mbi themelet që ishin hedhur nëpërmjet Moisiut.
Mënyra si komunikonte Jehovai me Moisiun ishte shumë mbresëlënëse. Për Moisiun ishte sikur ta shihte Perëndinë me sytë e vet dhe jo thjesht nëpërmjet një vegimi ose ëndrre ku e dëgjonte të fliste, mënyrë që përdorte zakonisht Perëndia për të komunikuar me profetët e tjerë. Lidhja e Jehovait me Moisiun ishte kaq reale, sa ai reagonte sikur të kish parë «Atë që është i padukshëm». (He 11:27) Përshtypja që i bëri Moisiut duhet të ketë qenë e ngjashme me atë që përjetoi Pjetri në vegimin e shpërfytyrimit disa shekuj më vonë. Vegimi ishte kaq real për Pjetrin, sa filloi ta vinte veten në vegim duke folur pa kuptuar çfarë thoshte. (Lu 9:28-36) Edhe apostulli Pavël pati një vegim kaq real, sa më vonë tha: «A në trup, a veçmas trupit, nuk e di, Perëndia e di.»—2Ko 12:1-4.
Pa dyshim, suksesi i jashtëzakonshëm i Josiut kur vendosi Izraelin në Tokën e Premtuar erdhi në njëfarë mase falë cilësive të shkëlqyera që kishte ngulitur tek ai mësimi dhe shembulli i Moisiut. Josiu kishte qenë shërbëtor i Moisiut «që nga djalëria». (Nu 11:28) Me sa duket, ai kishte qenë komandant i ushtrisë nën drejtimin e Moisiut (Da 17:9, 10) dhe, në shumë raste, i kishte qëndruar afër si shërbëtor i tij.—Da 24:13; 33:11; Lp 3:21.
Portretizonte Jezu Krishtin. Jezu Krishti e bëri të qartë se Moisiu kishte shkruar për të, sepse në një rast u tha kundërshtarëve të tij: «Po t’i besonit Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai shkroi për mua.» (Gjo 5:46) Kur ishte me dishepujt e vet, Jezui «u shpjegoi në të gjitha Shkrimet gjërat që kishin të bënin me të», «duke nisur nga Moisiu deri te gjithë profetët».—Lu 24:27, 44; shih edhe Gjo 1:45.
Mes gjërave që shkroi Moisiu për Jezu Krishtin janë edhe fjalët e Jehovait: «Unë do t’u jap një profet si ti nga gjiri i vëllezërve të tyre, do t’ia vë fjalët e mia në gojë dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj.» (Lp 18:18, 19) Kur citoi këtë profeci, apostulli Pjetër nuk la asnjë hije dyshimi se ajo i referohej Jezu Krishtit.—Ve 3:19-23.
Në skenën e shpërfytyrimit që Pjetri, Jakovi dhe Gjoni patën privilegjin të shihnin, Moisiu dhe Elija po flisnin me Jezuin. Për tre apostujt, Moisiu përfaqësonte besëlidhjen e Ligjit, rregullimin teokratik të kongregacionit, çlirimin e Izraelit dhe shpërnguljen e kombit shëndoshë e mirë në Tokën e Premtuar. Pra, vegimi tregonte se Jezu Krishti do të përmbushte një vepër të ngjashme me atë të Moisiut, por më të madhe; gjithashtu, shfaqja e Elijas në vegim tregonte se Jezui do të përmbushte një vepër të ngjashme me atë të Elijas, por në një shkallë më të madhe. Domethënë, ky vegim tregoi qartë se Biri i Perëndisë ishte vërtet ‘profet më i madh se Moisiu’ dhe i denjë për titullin Mesi. Për më tepër, si Moisiu, edhe Elija, përfaqësojnë të krishterët e mirosur me frymën e shenjtë që, si të tillë, kanë shpresë ‘të marrin lavdi’ bashkë me Jezuin.—Mt 17:1-3; Ro 8:17; Zb 11:1-6; shih SHPËRFYTYRIMI.
Në shumë aspekte, mes Moisiut dhe Jezu Krishtit, këtyre dy profetëve të mëdhenj, kishte mjaft pika të përbashkëta. Që të dy shpëtuan në fëmijërinë e hershme nga masakra e urdhëruar nga sundimtarët e kohës së tyre. (Da 1:22; 2:1-10; Mt 2:13-18) Moisiu u thirr të dilte nga Egjipti bashkë me ‘të parëlindurin’ e Jehovait, kombin e Izraelit, të cilin ai e udhëhiqte. Jezui u thirr të dilte nga Egjipti si Biri i parëlindur i Perëndisë. (Da 4:22, 23; Ho 11:1; Mt 2:15, 19-21) Të dy agjëruan për 40 ditë në vende të shkreta. (Da 34:28; Mt 4:1, 2) Të dy erdhën në emër të Jehovait dhe, veç kësaj, vetë emri i Jezuit do të thotë «Jehovai është shpëtim». (Da 3:13-16; Mt 1:21; Gjo 5:43) Jezui, njësoj si Moisiu, ‘shpalli emrin e Jehovait’. (Lp 32:3; Gjo 17:6, 26) Të dy kishin një zemërbutësi dhe përulësi të jashtëzakonshme. (Nu 12:3; Mt 11:28-30) Të dy treguan me prova nga më bindëset se ishin dërguar nga Perëndia: bënë lloj-lloj mrekullish mahnitëse; madje Jezu Krishti shkoi më tej se Moisiu duke ringjallur të vdekur.—Da 14:21-31; Ps 78:12-54; Mt 11:5; Mr 5:38-43; Lu 7:11-15, 18-23.
Moisiu ishte ndërmjetës i besëlidhjes së Ligjit mes Perëndisë dhe kombit të Izraelit. Jezui ishte Ndërmjetësi i besëlidhjes së re mes Perëndisë dhe ‘kombit të shenjtë’, ‘Izraelit [frymor] të Perëndisë’. (1Pj 2:9; Ga 6:16; Da 19:3-9; Lu 22:20; He 8:6; 9:15) Të dy shërbyen si gjykatës, ligjdhënës dhe udhëheqës. (Da 18:13; 32:34; Dn 9:25; Ma 4:4; Mt 23:10; Gjo 5:22, 23; 13:34; 15:10) Moisiut iu besua kujdesi për shtëpinë e Perëndisë, domethënë për kombin ose kongregacionin e Izraelit, dhe ai e përmbushi këtë detyrë me besnikëri. Jezui u tregua besnik me shtëpinë e Perëndisë që ndërtoi si Biri i Perëndisë, domethënë, me kombin ose me kongregacionin e Izraelit frymor. (Nu 12:7; He 3:2-6) Edhe vdekja e tyre pati një pikë të përbashkët, pasi Perëndia ia zhduku trupin edhe Moisiut, edhe Jezuit.—Lp 34:5, 6; Ve 2:31; Jd 9.
Afër fundit të qëndrimit 40-vjeçar në shkretëtirë, tek kulloste kopenë e të vjehrrit, Moisiut iu shfaq engjëlli i Perëndisë në një mrekulli në flakën e një kaçube me gjemba rrëzë malit të Horebit. Atje Jehovai e ngarkoi të çlironte popullin e Tij nga Egjipti. (Da 3:1-15) Kështu, Perëndia e emëroi profetin dhe përfaqësuesin e tij dhe tani Moisiu mund të quhej me të drejtë i mirosur ose ‘Krisht’. Për të pasur këtë privilegj, Moisiut iu desh të hiqte dorë nga «thesaret e Egjiptit» dhe «të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë», e kështu të poshtërohej. Por, për të, ky ‘poshtërim i Krishtit’ ishte pasuri më e madhe se të gjitha pasuritë e Egjiptit.—He 11:24-26.
E gjithë kjo përkon me Jezu Krishtin. Siç njoftoi engjëlli kur lindi Jezui në Betlehem, ai do të bëhej «një Shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria». Ai u bë Krisht ose i Mirosur pasi e pagëzoi profeti Gjon në lumin Jordan. (Lu 2:10, 11; 3:21-23; 4:16-21) Që nga ai moment e më pas, ai e pranoi se ishte «Krishti» ose Mesia. (Mt 16:16, 17; Mr 14:61, 62; Gjo 4:25, 26) Gjithashtu, njësoj si Moisiu, edhe Jezu Krishti i mbajti sytë te çmimi dhe e përbuzi turpin me të cilin e përbaltën njerëzit. (Fi 2:8, 9; He 12:2) Kongregacioni i krishterë pagëzohet te ky Moisi Më i Madh, domethënë te Jezu Krishti—Profeti, Çlirimtari dhe Udhëheqësi i parathënë.—1Ko 10:1, 2.