FAMILJA
Termi hebraik mishpaħáh (familje) nuk u referohet vetëm atyre që jetojnë në të njëjtën shtëpi, por, në kuptimin më të gjerë, do të thotë edhe fis, popull ose komb. Edhe fjala greke patría ka një domethënie të gjerë. Perëndia Jehova është nismëtari i familjes. Ai është Ati i familjes së tij qiellore dhe personi ‘nga i cili merr emër çdo familje në tokë’. (Ef 3:14, 15) Mund ta themi këtë sepse Jehovai ngriti familjen e parë njerëzore dhe nëpërmjet saj pati si qëllim të mbushte tokën. Veç kësaj, Adamin, ndonëse mëkatar, e lejoi të kishte familje dhe të bënte fëmijë «në ngjashmëri me të, sipas shëmbëlltyrës së tij». (Zn 5:3) Që nga ajo kohë, Jehovai e ka bërë të qartë në Bibël se sa shumë rëndësi u jep aftësive riprodhuese që u ka dhënë njerëzve si mjeti përmes të cilit ata mund të ruajnë emrin dhe vazhdimësinë e familjes së tyre në tokë.—Zn 38:8-10; Lp 25:5, 6, 11, 12.
Struktura dhe mbrojtja e familjes. Familja përbënte bërthamën e shoqërisë së lashtë hebraike. Ajo ishte si një qeveri e vogël; babai ishte kreu dhe i jepte llogari Perëndisë, kurse nëna, nën drejtimin e tij, ishte përgjegjëse për fëmijët dhe për mbarëvajtjen e shtëpisë. (Ve 2:29; He 7:4) Në përmasa të vogla, familja tokësore pasqyronte familjen e madhe të Perëndisë. Në Bibël, Perëndia përshkruhet si një bashkëshort dhe «Jerusalemi lart» si nëna e fëmijëve të tij.—Ga 4:26; krahaso Is 54:5.
Familja në kohën e patriarkëve mund të krahasohet me një korporatë të ditëve tona. Secili pjesëtar i familjes kishte disa gjëra të vetat, por, në pjesën më të madhe, prona ishte e përbashkët dhe babai përcaktonte se si do të administrohej. Mëkati që kryente ndonjë pjesëtar i familjes konsiderohej si mëkat kundër vetë familjes, sidomos kundër kreut të saj. Ky ishte poshtërim për të, prandaj, si gjykatës i familjes, ai kishte përgjegjësinë të merrte masat e duhura.—Zn 31:32, 34; Le 21:9; Lp 22:21; Js 7:16-25.
Monogamia ishte norma që vendosi Jehovai për familjen që në fillim. Edhe pse më vonë u përhap poligamia, ajo ka qenë gjithnjë kundër parimit që kishte vendosur fillimisht Perëndia. Gjithsesi, ai e toleroi derisa të vinte koha e duhur që të rivendoste normën fillestare, dhe këtë e bëri në kongregacionin e krishterë. (1Ti 3:2; Ro 7:2, 3) Në besëlidhjen e Ligjit, Perëndia mori parasysh ekzistencën e poligamisë dhe e rregulloi në atë mënyrë që familja të mbetej ende e paprekur dhe funksionale. Megjithatë, vetë Jehovai kishte thënë: «Ja përse burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.» Biri i tij i citoi këto fjalë dhe shtoi: «Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Zn 2:24; Mt 19:4-6) Bibla tregon se Adami pati vetëm një grua, e cila u bë «nëna e gjithë të gjallëve». (Zn 3:20) Tre bijtë e Noesë, të cilët nisën të ripopullonin tokën pas Përmbytjes globale, ishin të gjithë bij të një ati e të një nëne, dhe secili prej tyre kishte vetëm një grua kur mbijetuan gjatë Përmbytjes.—Zn 8:18; 9:1; 1Pj 3:20.
Nën besëlidhjen e Ligjit. Kur i dha Izraelit Dhjetë Urdhërimet, Perëndia i kushtoi vëmendje unitetit të familjes. Urdhërimi i pestë, që është urdhërimi i parë me një premtim, thoshte: «Ndero atin dhe nënën tënde.» (Lp 5:16; Ef 6:2) Fëmija që rebelohej kundër prindërve, konsiderohej si të ishte rebeluar kundër formës së qeverisjes të vendosur nga Perëndia, madje kundër vetë Perëndisë. Në rast se rrihte a mallkonte babanë ose nënën, apo nëse ishte krejt i pandreqshëm, e vritnin. (Da 21:15, 17; Le 20:9; Lp 21:18-21) Fëmijët duhej të kishin frikën e duhur ndaj prindërve dhe atë që përçmonte babanë ose nënën, e mallkonin.—Le 19:3; Lp 27:16.
Urdhërimi i shtatë, «mos kryej kurorëshkelje», tregonte se çdo marrëdhënie seksuale mes një të martuari dhe një tjetri jashtë lidhjes martesore, ishte kundër ligjit. (Da 20:14) Të gjithë fëmijët duhej të lindnin brenda familjes. Asnjë bir i paligjshëm nuk njihej dhe pasardhësit e tij nuk lejoheshin të bëheshin pjesë e kongregacionit të Izraelit deri në brezin e dhjetë.—Lp 23:2.
Urdhërimi i shtatë që ndalonte kurorëshkeljen, shërbente për të mbrojtur lidhjen familjare, kurse urdhërimi i dhjetë që ndalonte dëshirat e gabuara, mbronte edhe më tej qoftë unitetin e familjes së vetë individit, qoftë shtëpinë e familjen e tjetrit. Ky urdhërim mbronte gjërat më të zakonshme të jetës familjare, domethënë, shtëpinë, gruan, shërbëtorët, kafshët dhe zotërimet e tjera.—Da 20:17.
Në kohën e Ligjit, mbahej një regjistrim i kujdesshëm i gjenealogjive. Rëndësia e unitetit të familjes dilte edhe më shumë në pah kur bëhej fjalë për trashëgiminë e tokës së të parëve. Gjenealogjitë ishin veçanërisht të rëndësishme për trungun familjar të Judës dhe, më vonë, për atë të pasardhësit të tij, Davidit. Për shkak të premtimit se Mesia, Mbreti, do të vinte nëpërmjet këtyre familjeve, regjistri i lidhjeve familjare ruhej me xhelozi. Edhe pse Ligji nuk e kishte shfuqizuar poligaminë, ligjet e rrepta që kishin lidhje me të, mbronin unitetin e familjes dhe ruanin të paprekur gjenealogjinë e saj. Ligji nuk toleronte në asnjë mënyrë shthurjen dhe përzierjen seksuale. Djemtë që lindnin nga poligamia ose nga konkubinat ishin të ligjshëm dhe njiheshin si bij të babait me të drejta të plota.—Shih KONKUBINA.
Ligji ndalonte shprehimisht krushqitë me shtatë kombet kananite që duheshin dëbuar nga vendi. (Lp 7:1-4) Ngaqë nuk iu bind këtij urdhri, kombi i Izraelit ra në grackën e adhurimit të perëndive të rreme dhe, përfundimisht, e robëruan armiqtë. Solomoni është një shembull i qartë i personit që mëkatoi në këtë aspekt. (Ne 13:26) Ezdra dhe Nehemia bënë reforma energjike mes izraelitëve të rikthyer në atdhe, por që kishin ndotur familjet e tyre dhe vetë Izraelin duke u martuar me gra të huaja.—Ezd 9:1, 2; 10:11; Ne 13:23-27.
Kur e dërgoi Birin e vetëmlindur në tokë, Perëndia bëri që të lindte në një familje njerëzore. Mori masat që të kishte një baba birësues me frikë Perëndie dhe një nënë të dashur. Kur ishte fëmijë, Jezui u nënshtrohej prindërve, i respektonte dhe u bindej atyre. (Lu 2:40, 51) Edhe kur po vdiste në shtyllën e torturës, ai tregoi respekt për të ëmën dhe me dashuri u kujdes për të, meqë, me sa duket, asokohe ishte e ve. Ai iu drejtua asaj: «Grua, ja, biri yt!» Kurse dishepullit që donte më shumë i tha: «Ja, nëna jote!» Është e qartë se në këtë mënyrë po e nxiste dishepullin që të kujdesej për të e ta merrte në shtëpinë e vet.—Gjo 19:26, 27.
Si e tregon Bibla rëndësinë e familjes në kongregacionin e krishterë?
Në kongregacionin e krishterë familja shihet si bërthama e shoqërisë së krishterë. Udhëzimet që lidhen me marrëdhëniet familjare, zënë një vend të rëndësishëm në Shkrimet e Krishtere Greke. Edhe ato i japin burrit një vend të nderuar si kreu i familjes, kurse gruaja i nënshtrohet atij dhe drejton shtëpinë nën mbikëqyrjen e burrit. (1Ko 11:3; 1Ti 2:11-15; 5:14) Duke folur për Jezuin si për burrin dhe kreun e ‘gruas’ së tij, kongregacionit, Pavli i nxit bashkëshortët ta ushtrojnë kryesinë me dashuri, dhe gratë i këshillon të respektojnë burrat e t’u nënshtrohen atyre. (Ef 5:21-33) Fëmijët urdhërohen t’u binden prindërve, dhe etërit, në veçanti, kanë përgjegjësinë t’i rritin fëmijët në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.—Ef 6:1-4.
Burri që shërben si mbikëqyrës në kongregacionin e krishterë, nëse është i martuar, duhet të shfaqë norma të larta si kreu i familjes, të drejtojë siç duhet, si dhe t’i ketë fëmijët të nënshtruar e të paakuzuar si të shfrenuar ose të pashtruar. Përndryshe, si tha Pavli, «nëse një njeri nuk di të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kongregacionin e Perëndisë», që ngjan me një familje? (1Ti 3:2-5; Tit 1:6) Gratë nxiten t’i duan burrat dhe fëmijët, të jenë punëtore në shtëpi e të nënshtruara ndaj bashkëshortëve.—Tit 2:4, 5.
Jezui paratha se kundërshtimi ndaj së vërtetës së Perëndisë do t’i ndante familjet. (Mt 10:32-37; Lu 12:51-53) Sidoqoftë, apostulli Pavël i këshilloi fuqimisht besimtarët të mos i prishnin lidhjet martesore, për të mirën e bashkëshortëve jobesimtarë e të fëmijëve. Ai nënvizoi vlerën e madhe të marrëdhënieve familjare kur theksoi se Perëndia i sheh fëmijët si të shenjtë, ndonëse bashkëshorti jobesimtar nuk është pastruar nga mëkatet e veta përmes besimit te Krishti. Faktikisht, jobesimtari mund të praktikojë gjëra që, si tha Pavli, i kishin praktikuar edhe disa të krishterë para se të pranonin lajmin e mirë për Krishtin. (1Ko 7:10-16; 6:9-11) Po ashtu, apostulli e mbron unitetin e familjes së krishterë duke i udhëzuar burrat e gratë e martuara të plotësojnë detyrimin martesor.—1Ko 7:3-5.
Lidhje familjare me një të krishterë sollën bekime, sepse në Shkrime thuhet: «Ku e di ti, o grua, që s’do ta shpëtosh burrin? Apo ku e di ti, o burrë, që s’do ta shpëtosh gruan?» (1Ko 7:16) Këtë e dëshmojnë edhe përshëndetjet që apostulli Pavël u dërgoi familjeve të ndryshme. Disa besimtarë patën privilegjin të përdornin shtëpitë e tyre për mbledhjet e kongregacionit. (Ro 16:1-15) Filipi, misionar i krishterë, ishte familjar dhe kishte katër vajza të krishtere besnike. Për njëfarë kohe, ai pati privilegjin të mikpriste në shtëpinë e vet në Cezare apostullin Pavël dhe bashkëpunëtorët e tij. (Ve 21:8-10) Vetë kongregacioni i krishterë është quajtur ‘shtëpi e Perëndisë’. Pjesëtari kryesor dhe kreu i saj është Jezu Krishti, dhe kjo ‘shtëpi’ e pranon atë si Farën me anë të së cilës do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet ose familjet e tokës.—1Ti 3:15; Ef 2:19; Kl 1:17, 18; Zn 22:18; 28:14.
Shkrimet e frymëzuara kanë parathënë se institucioni i familjes do të bëhej pre e një sulmi të egër, i cili do të shkaktonte prishjen e moralit e të shoqërisë njerëzore jashtë kongregacionit të krishterë. Ndër doktrinat e frymëzuara nga demonët që do të shfaqeshin «në të ardhmen», Pavli renditi edhe ato «që ndalojnë martesën». Ai paratha se «në ditët e fundit» do të mbizotëronin mosbindja ndaj prindërve, pabesia dhe mungesa e ‘përzemërsisë së natyrshme’, madje edhe mes atyre «që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor». Ai i paralajmëroi të krishterët të largoheshin nga këta njerëz.—1Ti 4:1-3; 2Ti 3:1-5.
Babilonia e Madhe, armikja e «gruas» së Perëndisë (Zn 3:15; Ga 4:27) dhe e ‘nuses’ së Qengjit (Zb 21:9), është një organizatë e përshkruar si ‘prostitutë e madhe’ që kryen kurvëri me mbretërit e tokës. Përderisa është «nëna e prostitutave dhe e gjërave të neveritshme të tokës», edhe «bijat» e saj janë prostituta; për shkak të saj përbuzen institucionet dhe urdhërimet e Perëndisë Jehova, përfshirë edhe kërkesat e tij për forcimin e unitetit të familjes. (Zb 17:1-6) Ajo është orvatur të shtyjë edhe të tjerë në kurvëri dhe ia ka dalë mbanë të bëjë shumë bija ‘prostituta’, që Krishti të mos ketë një ‘nuse’ të pastër. Gjithsesi, ‘nusja’ e tij del fitimtare, e pastër, e drejtë dhe e denjë të jetë pjesë e ‘familjes’ së Jehovait si ‘nusja’ e Jezu Krishtit, si një bekim e gëzim për gjithë universin.—2Ko 11:2, 3; Zb 19:2, 6-8; shih MARTESA dhe lidhje të tjera familjare sipas zërave përkatës.