Mos harro dashamirësinë ndaj të huajve
«Mos harroni mikpritjen [domethënë, dashamirësinë ndaj të huajve].»—HEBR. 13:2.
1, 2. (a) Çfarë sfidash hasin shumë të huaj sot? (Shih figurën hapëse.) (b) Cilin përkujtues dha apostulli Pavël, dhe cilat pyetje lindin nga kjo?
MBI 30 vjet më parë, Osei,[1] që në atë kohë s’ishte Dëshmitar, shkoi nga Gana në Evropë. Ai kujton: «Shpejt e kuptova se shumicës së njerëzve nuk u bëhej vonë për mua. Edhe klima ishte një tronditje e vërtetë. Kur u largova nga aeroporti dhe provova për herë të parë në jetë të ftohtin, fillova të qaja.» Ngaqë kishte goxha vështirësi me gjuhën, për më shumë se një vit Osei nuk gjente dot një punë për së mbari. E meqë ishte larg familjes, ndihej i vetmuar dhe e mbyste malli për shtëpinë.
2 Mendo pak si do të doje të silleshin të tjerët me ty po të ishe në një situatë të ngjashme. A nuk do ta çmoje një mikpritje të ngrohtë në Sallën e Mbretërisë, pavarësisht nga kombësia ose ngjyra jote e lëkurës? Në fakt, Bibla i nxit të krishterët e vërtetë: «Mos harroni mikpritjen.» (Hebr. 13:2) Fjala e gjuhës origjinale që është përkthyer «mikpritje» do të thotë «dashamirësi ndaj të huajve». Prandaj le të shqyrtojmë këto pyetje: cila është pikëpamja e Jehovait për të huajt? Pse mund të duhet të ndreqim pikëpamjen tonë për të huajt? Dhe si mund t’i ndihmojmë ata me origjinë nga vende të tjera që të ndihen si në shtëpi në kongregacionin tonë?
PIKËPAMJA E JEHOVAIT PËR TË HUAJT
3, 4. Sipas Daljes 23:9, si pritej t’i trajtonte të huajt populli i lashtë i Perëndisë, dhe pse?
3 Pasi e çliroi popullin e tij nga Egjipti, Jehovai u dha një kod ligjor që tregonte konsideratë të veçantë për gjithë ata joizraelitë që ishin bashkuar me ta. (Dal. 12:38, 49; 22:21) Meqë të huajt shpesh janë në rrethana të pafavorshme, me dashuri Jehovai mori masa për ta. Një ndër këto masa ishte e drejta për të mbledhur prodhimet që mbeteshin.—Lev. 19:9, 10.
4 Jehovai nuk u dha thjesht një urdhër izraelitëve që t’i respektonin të huajt, por i bëri thirrje empatisë së tyre. (Lexo Daljen 23:9.) Ata e dinin vetë se ‘ç’do të thoshte të ishe i ardhur’. Që para se hebrenjtë të katandiseshin skllevër, ka shumë të ngjarë që egjiptianët i mënjanonin për shkak të krenarisë raciale ose paragjykimeve fetare. (Zan. 43:32; 46:34; Dal. 1:11-14) Jeta e izraelitëve në dhé të huaj kish qenë e hidhur, por Jehovai priste që ta trajtonin një të huaj «njësoj si vendësit».—Lev. 19:33, 34.
5. Ç’do të na ndihmojë të pasqyrojmë merakun e Jehovait për njerëzit nga vende të tjera?
5 Mund të jemi të sigurt se sot Jehovai ka të njëjtin merak për njerëzit nga vende të tjera që ndjekin mbledhjet në kongregacionin tonë. (Ligj. 10:17-19; Mal. 3:5, 6) Nëse ndalemi e mendojmë për sfidat që hasin ata, si diskriminimi ose pengesa e gjuhës, do të kërkojmë mënyra si t’u tregojmë dashamirësi dhe ndjenja të përbashkëta.—1 Pjet. 3:8.
A DUHET TË NDREQIM PIKËPAMJEN TONË PËR TË HUAJT?
6, 7. Cili rast tregon se të krishterët e shekullit të parë mësuan t’i mposhtnin paragjykimet e rrënjosura thellë?
6 Të krishterët e shekullit të parë mësuan të mposhtnin paragjykimet e rrënjosura thellë që mbizotëronin mes judenjve. Më 33 të e.s., në festën e Ditës së Pesëdhjetë, kush jetonte në Jerusalem u tregoi mikpritje atyre që sapo ishin bërë të krishterë e që vinin nga vende të ndryshme. (Vep. 2:5, 44-47) Meraku i dashur që shfaqën të krishterët judenj për bashkëbesimtarët nga vende të tjera tregoi se e kishin kapur kuptimin e fjalës «mikpritje».
7 Mirëpo, me rritjen e kongregacionit të hershëm, u krijua një situatë ku me sa duket përfshihej diskriminimi. Judenjtë që flitnin greqisht ankoheshin se vejushat e tyre nuk trajtoheshin me drejtësi. (Vep. 6:1) Për ta zgjidhur këtë çështje, apostujt emëruan shtatë burra që të siguroheshin se askush nuk po lihej pas dore. Të gjithë ata burra kishin emra grekë, e me sa duket kjo tregon se apostujt donin të zbutnin tensionet që mund të ekzistonin mes të krishterëve të hershëm për shkak të prejardhjes.—Vep. 6:2-6.
8, 9. (a) Nga mund ta kuptojmë nëse po ushqejmë paragjykime ose krenari raciale? (b) Çfarë duhet të shkulim me rrënjë nga zemra? (1 Pjet. 1:22)
8 E kuptojmë apo jo, të gjithë ndikohemi thellë nga kultura jonë. (Rom. 12:2) Veç kësaj, ka të ngjarë që dëgjojmë komshinjtë ose shokët e punës a të shkollës kur flasin me përçmim për njerëzit që kanë tjetër prejardhje, kombësi ose ngjyrë lëkure. Sa thellë ndikojnë te ne pikëpamje të tilla të njëanshme? Dhe si reagojmë kur dikush tallet me kombësinë tonë—mbase duke ekzagjeruar ndonjë veçori të kulturës sonë?
9 Për njëfarë kohe, apostulli Pjetër ushqeu paragjykime kundrejt jojudenjve, por dalëngadalë mësoi t’i çrrënjoste nga zemra pikëpamjet negative. (Vep. 10:28, 34, 35; Gal. 2:11-14) Edhe ne, nëse pikasim brenda vetes ndonjë gjurmë paragjykimi ose krenarie raciale, duhet të përpiqemi me tërë forcat ta shkulim me rrënjë nga zemra. (Lexo 1 Pjetrit 1:22.) Mund të meditojmë për faktin që askush nga ne nuk e meriton shpëtimin; pavarësisht nga kombësia që kemi, të gjithë jemi njerëz të papërsosur. (Rom. 3:9, 10, 21-24) Pse, atëherë, duhet të ndihemi më superiorë se dikush tjetër?! (1 Kor. 4:7) Duhet të kemi të njëjtën pikëpamje si apostulli Pavël, që u kujtoi të krishterëve të tjerë të mirosur se ‘nuk ishin më të huaj, as të ardhur, por . . . pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë’. (Efes. 2:19) Pa diskutim që përpjekjet me gjithë shpirt për të mposhtur paragjykimet ndaj njerëzve me prejardhje tjetër, do të na ndihmojnë të veshim personalitetin e ri.—Kolos. 3:10, 11.
SI T’U TREGOJMË DASHAMIRËSI TË HUAJVE
10, 11. Si e pasqyroi Boazi pikëpamjen e Jehovait për të huajt me mënyrën si trajtoi moabiten Ruthë?
10 Pa dyshim që Boazi pasqyroi pikëpamjen e Jehovait për të huajt me mënyrën si trajtoi moabiten Ruthë. Kur vajti të kontrollonte arat e tij gjatë korrjes, Boazit i ra në sy një grua e huaj e papërtuar, e cila mblidhte çfarë linin pas korrësit. Pasi mori vesh se ajo kishte kërkuar leje për të mbledhur kallëzat e mbetura—ndonëse i takonte plotësisht e drejta ta bënte këtë—me bujari Boazi e lejoi të mblidhte edhe mes duajve të drithit.—Lexo Ruthën 2:5-7, 15, 16.
11 Biseda që pasoi, tregon qartë se Boazi ishte në merak për Ruthën dhe për situatën delikate e të vështirë ku ndodhej si e huaj. Në fakt, ai e ftoi të rrinte me grupin e shërbëtoreve të tij, që të mos e ngacmonin burrat që punonin në arë. Madje u sigurua që ajo të kishte mjaft ushqim dhe ujë, njësoj si punëtorët e tij me mëditje. Gjithashtu, Boazi nuk i foli asaj gruaje të huaj e të varfër sikur qëndronte më lart se ajo, por, përkundrazi, i dha siguri.—Rutha 2:8-10, 13, 14.
12. Si mund të ndikojë për mirë dashamirësia te të sapoardhurit nga vende të tjera?
12 Boazi jo vetëm u prek nga dashuria altruiste e Ruthës për të vjehrrën, Naomin, por edhe i la mbresa fakti që ajo ishte bërë adhuruese e Jehovait. Dashamirësia e Boazit në të vërtetë ishte shprehje e dashurisë besnike të Jehovait ndaj një gruaje që kishte shkuar ‘të kërkonte strehë nën krahët e Perëndisë së Izraelit’. (Rutha 2:12, 20; Prov. 19:17) Edhe sot, sjellja jonë dashamirëse mund t’i ndihmojë «njerëz të çdo lloji» të dallojnë tingullin e së vërtetës dhe të ndiejnë sa shumë i do Jehovai.—1 Tim. 2:3, 4.
13, 14. (a) Pse duhet të bëjmë çmos t’i përshëndetim të huajt në Sallën e Mbretërisë? (b) Si mund ta kapërcesh sikletin për të folur me dikë nga një kulturë tjetër?
13 Mund t’u tregojmë dashamirësi të sapoardhurve nga vende të tjera duke i përshëndetur ngrohtësisht në Sallën e Mbretërisë. Ndoshta e kemi vërejtur se emigrantët e rinj nganjëherë janë të ndrojtur dhe rrinë mënjanë. Për shkak të mënyrës si janë rritur ose të pozitës shoqërore, mund të ndihen inferiorë ndaj njerëzve të një race a kombësie tjetër. Prandaj duhet të marrim iniciativën që t’u tregojmë interes të ngrohtë e të sinqertë. Me anë të aplikacionit JW Language në një gjuhë që e kupton, mund të mësosh si t’i përshëndetësh të sapoardhurit në gjuhën e tyre amtare.—Lexo Filipianëve 2:3, 4.
14 Mbase ndihesh në siklet të shkosh e të flasësh me dikë nga një kulturë tjetër. Që t’i kapërcesh këto ndjenja, pse të mos i tregosh diçka për veten? Shpejt mund të kuptosh se keni më tepër gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin sesa ndryshime—reale a të imagjinuara—dhe se çdo kulturë ka pikat e veta të forta e të dobëta.
NDIHMOJI TË GJITHË TË NDIHEN SI NË SHTËPI
15. Ç’do të na ndihmojë të jemi më mirëkuptues ndaj atyre që po përshtaten me një vend të ri?
15 Për t’i ndihmuar të tjerët të ndihen si në shtëpinë e tyre në kongregacion, pyet veten: «Po të isha në një vend të huaj, si do të doja të më trajtonin?» (Mat. 7:12) Ji i duruar me ata që po përshtaten me një vend të ri. Në fillim mund të mos e kuptojmë tamam mënyrën si mendojnë ose si reagojnë. Por, në vend që të presim të përqafojnë kulturën tonë, pse të mos ‘i mikpresim’, pra t’i pranojmë, ashtu siç janë?—Lexo Romakëve 15:7 (shën., NWT, botimi 2013).
16, 17. (a) Çfarë iniciativash mund të ndërmarrim që të ndihemi më afër atyre që vijnë nga një kulturë tjetër? (b) Në cilat mënyra praktike mund t’i ndihmojmë emigrantët në kongregacionin tonë?
16 Po të mësojmë diçka për atdheun dhe kulturën e atyre që vijnë nga vende të tjera, mund ta kemi më të lehtë të komunikojmë me ta. Mund të lëmë ca kohë nga adhurimi familjar që të bëjmë kërkime për ato kombësi në kongregacionin ose territorin tonë që nuk i njohim mirë. Një mënyrë tjetër si të afrohemi më shumë me ata që kanë prejardhje tjetër është t’i ftojmë në shtëpinë tonë për një vakt. Përderisa Jehovai ‘u ka hapur kombeve derën e besimit’, a nuk mund t’ua hapim edhe ne derën të huajve që janë «të lidhur me ne në besim»?—Vep. 14:27; Gal. 6:10; Jobi 31:32.
17 Po të kalojmë kohë me një familje emigrante, do ta kuptojmë më mirë se sa përpjekje po bëjnë që të përshtaten me kulturën tonë. Gjithsesi, mund të vërejmë se u duhet ndihmë praktike për të mësuar gjuhën. Veç kësaj, a mund t’i drejtojmë tek agjenci të ndryshme në vendin tonë që mund t’i ndihmojnë të gjejnë punë ose shtëpi të përshtatshme? Iniciativa të tilla mund të ndikojnë goxha në jetën e një bashkëbesimtari.—Prov. 3:27.
18. Cilin shembull respekti e mirënjohjeje mund të imitojnë emigrantët sot?
18 Patjetër që emigrantët duan të bëjnë çmos që të përshtaten me kulturën e vendit të ri. Rutha la një shembull të shkëlqyer në këtë drejtim. Së pari, ajo tregoi respekt për zakonet e vendit ku shkoi duke kërkuar leje që të mblidhte kallinjtë e mbetur. (Rutha 2:7) Nuk e pa si diçka të zakonshme këtë të drejtë, sikur të tjerët t’i kishin ndonjë borxh. Së dyti, shprehte pa ngurruar mirënjohje për dashamirësinë që i tregonin. (Rutha 2:13) Kur emigrantët shfaqin një qëndrim të tillë të shkëlqyer, ka më shumë të ngjarë të fitojnë respektin e vendalinjve dhe të bashkëbesimtarëve.
19. Ç’arsye kemi që t’i mirëpresim të huajt mes nesh?
19 Sa gëzojmë që me dashamirësinë e tij të pamerituar, Jehovai ka lejuar që njerëz nga të gjitha prejardhjet ta dëgjojnë lajmin e mirë! Ndoshta në vendlindje ata s’kishin mundësi të përfitonin nga një studim biblik ose të shoqëroheshin lirisht me popullin e Jehovait. Por tani që kanë mundësinë të shoqërohen me ne, a nuk duhet t’i ndihmojmë që të mos ndihen më si të huaj në gjirin tonë? Edhe pse ndoshta ndihma materiale dhe praktike që mund t’u japim është e kufizuar, dashamirësia që u tregojmë pasqyron dashurinë e Jehovait për ta. Prandaj, si «imitues të Perëndisë», le të bëjmë çmos t’i mirëpresim të huajt që janë mes nesh.—Efes. 5:1, 2.
^ [1] (paragrafi 1) Emri është ndryshuar.