DETI I MADH
Hapësira e paanë ujore mes Evropës dhe Afrikës, që në lindje ka Azinë. Hebrenjtë e quanin Deti i Madh, kurse sot zakonisht njihet me emrin Mesdhe, pasi rrethohet thuajse nga të gjitha anët me tokë (në disa gjuhë, emri i këtij deti vjen nga fjala latine mediterraneus që do të thotë «në mes të tokës»). Për shkak të këtij pozicioni dhe të erërave të nxehta që fryjnë mbi të nga shkretëtira e Saharasë, avullimi është më i lartë se normalja, në përpjesëtim me madhësinë e detit, prandaj rritet pesha specifike e ujit. Kjo është arsyeja pse në ngushticën e Gjibraltarit, ujërat më të lehta të Atlantikut rrinë afër sipërfaqes, kurse ujërat më të rënda të Mesdheut shkojnë drejt fundit. Anijet oqeanike mund të hyjnë e të dalin nga ky det «i izoluar» vetëm nëpërmjet disa portave të ngushta—nëpërmjet ngushticës së Gjibraltarit në perëndim, nëpërmjet Dardaneleve e Bosforit në verilindje dhe, që nga shekulli i 19-të, nëpërmjet kanalit të Suezit në juglindje.
Edhe sot nuk është e gabuar që Mesdheu të quhet Deti i Madh, siç e quanin popujt e lashtë që nga koha e Moisiut, sepse pa dyshim që e meriton plotësisht këtë emër. (Nu 34:6, 7) Pa përfshirë mëngët e tij, që janë po ashtu dete, Mesdheu është rreth 3.700 km i gjatë, ka gjerësi maksimale mbi 970 km dhe zë një sipërfaqe rreth 2.510.000 km katrorë. Pika më e thellë është rreth 5.100 m.
Gadishulli i Italisë dhe ai i Greqisë që zgjaten nga veriu i detit, krijojnë detet Tirren, Jon, Adriatik dhe Egje, e kështu ia bëjnë edhe më të çrregullt formën dhe e rritin shumë gjatësinë e vijës bregdetare. Thuajse në gjysmë të distancës lindje-perëndim, mes Sicilisë dhe Afrikës Veriore deti ngushtohet aq sa arrin gjerësinë rreth 150 km, dhe atje ujërat janë relativisht të cekëta.
Profecia e Ezekielit tregon se në Detin e Madh kishte peshq «me shumicë». (Ezk 47:10) Në ujërat e tij gjen korale të shkëlqyera dhe sfungjerë me bollëk, përveç peshqve, që janë mbi 400 varietete.
Shkrimtarët e Biblës përdornin jo vetëm emrin «Deti i Madh» (Js 1:4; 9:1, 2; 15:12, 47; 23:4; Ezk 47:15, 19, 20; 48:28), por edhe emra të tjerë përgjithësues. Ky det ishte për ta «deti në perëndim», meqë përbënte kufirin perëndimor të vendit që u kishte dhënë Perëndia. (Lp 11:24; 34:1, 2) Nga Jerusalemi, ai konsiderohej si ‘deti perëndimor’, në dallim me ‘detin lindor’, domethënë Detin e Vdekur. (Jo 2:20; Za 14:8) Quhej edhe ‘deti i filistinëve’ (Da 23:31) ose thjesht ‘Deti’.—Nu 34:5.
Nga kohë që s’mbahen mend, fenikasit dhe detarë të tjerë sypatrembur përshkuan Detin e Madh, zbuluan disa ishuj të tij dhe zhvilluan tregtinë mes shumë qyteteve-port. Bibla përmend një sërë ishujsh, si: Arvadi, Kauda, Kiosi, Kosi, Kreta, Qiproja, Malta, Patmosi, Rodosi, Samoja dhe Samotraka. Veç kësaj, në Bibël shfaqen emrat e disa pikave dhe qyteteve bregdetare, që ndodheshin në këta ishuj e përgjatë brigjeve kontinentale në lindje të Detit të Madh, si: Akoja (Ptolemaida), Akzibi, Adramitia, Aleksandria, Amfipoli, Ashkeloni, Atalia, Knidi, Dori, Limanet e Mira, Gebali, Lasea, Patara, Feniksi, Puteoli, Regjiumi, Salamina, Salmoneja dhe Sirakuza.
Jezu Krishti shkoi në viset e portit të Tirit dhe të Sidonit (Mr 7:24, 31); Pjetri u ndal në Jopë dhe Cezare (Ve 10:5, 6, 24); Pavli shkoi në Pafo, Troadë, Neapoli, Kenkre, Efes, Asos, Mitilenë dhe Milet (Ve 13:13; 16:11; 18:18, 19; 20:14, 15). Deti i Madh njihet për stuhitë e tërbuara që kanë shkatërruar sa e sa anije dhe kanë marrë shumë jetë njerëzish. Ndër më fatlumët ishin ata që mbijetuan bashkë me Pavlin.—Ve 27:14, 15, 39-44.