Sigurohu që përparësitë të jenë në vendin e duhur!
Është mbrëmja e mbledhjes, por ke punë për të bërë. Çfarë do të vendosësh në vend të parë?
JE BURRË dhe baba. Ndërsa afrohet fundi i një dite të gjatë e të lodhshme pune, mendja të shkon te mbledhja e kongregacionit e programuar për në mbrëmje. Nëse e lë punën menjëherë, do të kesh kohë vetëm sa për të bërë një dush, për t’u ndërruar dhe për të ngrënë shpejt e shpejt, përpara se të nisesh për në mbledhje. Papritur, të afrohet punëdhënësi dhe të kërkon të punosh jashtë orarit. Premton të të paguajë mirë. Ti ke nevojë për para.
Ose, je grua dhe nënë. Ndërsa je duke përgatitur darkën, vështrimi të ndesh një stivë me rroba të pahekurosura, disa prej të cilave do të duhen për ditën e nesërme. Ti pyet veten: «Nëse sot shkoj në mbledhje, kur do ta gjej kohën për të hekurosur?» Duke qenë se kohët e fundit ke filluar një punë në kohë të plotë, je duke mësuar se sa e vështirë është të kujdesesh për punët e shtëpisë, ndërkohë që siguron për të jetuar.
Ose, je student. Në dhomën tënde, tavolina është plot e përplot me detyra shtëpie. Prej tyre, shumica të ishin caktuar kohë më parë, por ti i ke zvarritur dhe tani të duhet të bësh disa detyra njëkohësisht. Tundohesh të marrësh leje nga prindërit për të mos shkuar në mbledhje, me qëllim që të përfundosh detyrat e shtëpisë.
Ti, çfarë do të vije në vend të parë: punën botërore jashtë orarit, hekurosjen, detyrat e shtëpisë apo mbledhjen e kongregacionit? Çfarë do të thotë në kuptimin frymor, që përparësitë të jenë në vendin e duhur? Cila është pikëpamja e Jehovait?
Çfarë duhet të jetë në vend të parë?
Pak kohë pasi izraelitët morën Dhjetë Urdhërimet, një njeri u gjet duke mbledhur dru ditën e Shtunë. Kjo ndalohej rreptësisht në Ligj. (Numrat 15:32-34; Ligji i përtërirë 5:12-15) Si do ta kishe gjykuar ti atë çështje? A do ta kishe justifikuar atë njeri, duke argumentuar se, në fund të fundit nuk po punonte për të bërë një jetë luksoze, por për të siguruar gjërat e nevojshme për familjen? A do të kishe arsyetuar se do të kishte shumë raste të tjera gjatë vitit për të mbajtur të Shtunën dhe se ai rast i humbur, ndoshta për shkak të mosplanifikimit të mëparshëm nga ai njeri, mund të falej lehtësisht?
Jehovai e mori çështjen më seriozisht. «Pastaj,—thotë Bibla,—Zoti i tha Moisiut: ‘Ky njeri duhet të vritet.’» (Numrat 15:35) Përse Jehovai e konsideroi kaq të rëndë atë që bëri ai njeri?
Populli kishte gjashtë ditë për të mbledhur dru si dhe për t’u marrë me nevojat në lidhje me ushqimin, veshjen dhe strehimin. Ditën e shtatë ata duhej t’ia kushtonin nevojave të tyre frymore. Ndërsa mbledhja e druve, në vetvete nuk ishte e gabuar, përdorimi i kohës që duhej rezervuar për adhurimin e Jehovait, për të bërë këtë gjë, ishte i gabuar. Ndonëse të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut, a nuk na jep kjo ngjarje një mësim mbi vendosjen si duhet të përparësive sot?—Filipianëve 1:10.
Pasi kishin kaluar 40 vjet në shkretëtirë, izraelitët u përgatitën për të hyrë në Tokën e Premtuar. Disa ishin lodhur së ngrëni manën e siguruar në mënyrë hyjnore, në shkretëtirë dhe, pa dyshim, mezi pritnin të ndryshonin dietë. Për t’i ndihmuar që të mbanin pikëpamjen e duhur, ndërsa hynin në tokën ‘ku rridhte qumësht dhe mjaltë’, Jehovai u kujtoi atyre: «Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit.»—Eksodi 3:8; Ligji i përtërirë 8:3.
Izraelitëve do t’u duhej të punonin shumë për të pasur ‘qumësht dhe mjaltë’. Kishin ushtri për të mundur, shtëpi për të ndërtuar dhe fusha për të mbjellë. E megjithatë, Jehovai e urdhëroi popullin të rezervonte kohë çdo ditë për të medituar mbi gjërat frymore. Veç kësaj, ata duhej të merrnin kohë për t’u mësuar udhët e Perëndisë fëmijëve të tyre. Jehovai tha: «Do t’ua mësosh [urdhërimet e mia] bijve të tu, duke u folur për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur rri shtrirë dhe kur çohesh.»—Ligji i përtërirë 11:19.
Tri herë në vit, çdo mashkull izraelit ose prozelit në vend ishte urdhëruar të paraqitej përpara Jehovait. Duke e kuptuar se nga këto raste mund të nxirrte dobi frymore e gjithë familja, shumë kryefamiljarë merrnin masa që të shoqëroheshin edhe nga gratë dhe fëmijët e tyre. Por, kush do t’i mbronte shtëpitë dhe fushat e tyre nga sulmet e armiqve, ndërsa familja ishte larg? Jehovai kishte premtuar: «Askush nuk do të dëshirojë vendin tënd, kur t’i të ngjitesh tri herë në vit, për të dalë para Zotit, Perëndisë tënd.» (Eksodi 34:24) Nevojitej besim nga ana e izraelitëve për të pranuar se, nëse i vendosnin interesat frymore në radhë të parë, nuk do të humbnin materialisht. A u tregua besnik Jehovai ndaj fjalës së tij? Sigurisht që po!
Vazhdoni të kërkoni më parë Mbretërinë
Jezui i mësoi ithtarët e tij që t’i vendosnin vlerat frymore përpara çdo gjëje tjetër. Në Predikimin në Mal, ai i këshilloi dëgjuesit e tij: «Mos u shqetësoni, pra duke thënë: ‘Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?’ Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra [të nevojshme materiale] do t’ju shtohen.» (Mateu 6:31, 33) Menjëherë pas vdekjes së Jezuit, të krishterët e sapopagëzuar e ndoqën këtë këshillë. Shumë prej tyre ishin hebrenj ose prozelitë hebrenj, të cilët kishin shkuar në Jerusalem për kremtimin e festës së Rrëshajëve të vitit 33 të e.s. Ndërsa gjendeshin atje, ndodhi diçka e papritur. Ata dëgjuan dhe pranuan lajmin e mirë mbi Jezu Krishtin. Të zellshëm për të mësuar edhe më shumë për besimin e tyre të sapogjetur, ata qëndruan në Jerusalem. Rezervat filluan t’u pakësoheshin, por të mirat materiale kishin një rëndësi të dorës së dytë. Ata kishin gjetur Mesinë! Vëllezërit e tyre të krishterë ndanë me ta çdo gjë materiale që kishin, kështu që të gjithë mundën të vazhdonin «t’i kushtoheshin mësimit të apostujve dhe . . . lutjeve».—Veprat 2:42, BR.
Me kalimin e kohës, disa të krishterë e nënvlerësuan nevojën e pjesëmarrjes së rregullt në mbledhje. (Hebrenjve 10:23-35) Ndoshta ishin bërë materialistë, duke lënë pas dore çështjet frymore, ndërsa përpiqeshin të krijonin siguri financiare për veten dhe familjet e tyre. Pasi i nxiti vëllezërit që të mos hiqnin dorë nga mbledhjet, apostulli Pavël shkroi: «Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: ‘Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.’»—Hebrenjve 13:5.
Këshilla e Pavlit doli se qe dhënë në kohën e duhur. Afërsisht pesë vjet pasi Pavli shkroi letrën e tij drejtuar hebrenjve, ushtria romake e Cest Galit rrethoi Jerusalemin. Të krishterët besimplotë kujtuan paralajmërimin e Jezuit: «Dhe kur të shihni [këtë] . . . , ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet. Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet.» (Marku 13:14-16) Ata e dinin se mbijetesa e tyre nuk varej nga stabiliteti në punë ose nga vlera e zotërimeve materiale, por nga bindja ndaj udhëzimeve të Jezuit. Ata që i zbatuan këshillat e Pavlit dhe vendosën interesat frymore në radhë të parë, pa dyshim, e patën më të lehtë të linin shtëpinë, punën, rrobat e gjërat e çmuara personale dhe të largoheshin në male, në krahasim me ata që nuk ishin çliruar nga dashuria për para.
Si i vënë disa, përparësitë në vendin e duhur sot?
Të krishterët besimplotë sot, e çmojnë shoqërimin e rregullt me vëllezërit e tyre dhe bëjnë shumë sakrifica për të marrë pjesë në mbledhje. Në disa vende, e vetmja punë në dispozicion është ajo me turne. Një vëlla ofrohet të zëvendësojë shokët e tij të punës të shtunën në darkë, të cilën shumica e njerëzve në komunitetin e tij preferojnë ta përdorin për t’u çlodhur, nëse ata nga ana e tyre punojnë në turnin e tij gjatë mbrëmjeve kur ka mbledhje. Vëllezër të tjerë që punojnë me turne marrin pjesë në mbledhjet e një kongregacioni të afërt, nëse puna i pengon të marrin pjesë në të tyren. Në këtë mënyrë, ata nuk humbasin pothuajse asnjë mbledhje. Një e sapointeresuar në Kanada e kuptoi menjëherë rëndësinë e Shkollës së Shërbimit Teokratik dhe të Mbledhjes së Shërbimit, por programi i saj në punë e pengonte të merrte pjesë. Kështu, ajo pagoi një koleg pune që të punonte në turnin e saj, në mënyrë që të mund të merrte pjesë në këto mbledhje të rëndësishme.
Shumë persona që vuajnë nga sëmundje kronike, rrallë humbin ndonjë mbledhje. Kur nuk kanë mundësi të jenë të pranishëm në Sallën e Mbretërisë, ata e dëgjojnë programin në shtëpi me anë të një sistemi telefonik apo me anë të një regjistrimi në magnetofon. Ata shfaqin një çmueshmëri të lavdërueshme për furnizimet frymore të Jehovait përmes «skllavit të besueshëm e të matur» të tij. (Mateu 24:45) Të krishterët që kujdesen për prindërit e tyre të moshuar e çmojnë me të vërtetë kur një vëlla ose motër ofrohet të qëndrojë me prindërit, në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në një mbledhje kongregacioni.
Planifikoni përpara!
Prindërit që janë të vetëdijshëm për nevojat e veta frymore i ndihmojnë fëmijët që t’i vlerësojnë mbledhjet e krishtere. Në përgjithësi, ata presin nga fëmijët e tyre që t’i bëjnë detyrat e shtëpisë sapo jepen, në vend se të lejojnë që ato të grumbullohen. Në mbrëmjet kur ka mbledhje, fëmijët i bëjnë detyrat e shtëpisë menjëherë sapo kthehen nga shkolla. Zbavitjet dhe aktivitetet e tjera nuk lejohen që të ndërhyjnë në mbledhjet e kongregacionit.
Si burrë dhe baba, a i jep përparësi pjesëmarrjes në mbledhje? Si grua dhe nënë, a përpiqesh t’i planifikosh përgjegjësitë e tua që të lësh kohë për mbledhjet? Si adoleshent, a programon detyrat e shtëpisë në varësi të mbledhjeve apo mbledhjet në varësi të detyrave?
Një mbledhje kongregacioni është një sigurim i dashur nga Jehovai. Duhet bërë çdo përpjekje për të marrë pjesë në këtë rregullim. Nëse i vendos përparësitë në vendin e duhur, Jehovai do të të bekojë në mënyrë të pasur!