ARTIKULLI I STUDIMIT 48
«Duhet të jeni të shenjtë»
«Bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj.»—1 PJET. 1:15.
KËNGA 34 Do të jetoj me integritet!
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë këshille u dha apostulli Pjetër bashkëbesimtarëve, por pse duket e pamundur për t’u zbatuar?
PAVARËSISHT nëse kemi shpresë të jetojmë në qiell apo në tokë, mund të nxjerrim dobi nga këshilla që u dha apostulli Pjetër të krishterëve të mirosur në shekullin e parë. Pjetri shkroi: «Si i Shenjti që ju thirri, bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: ‘Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!’» (1 Pjet. 1:15, 16) Nga këto fjalë kuptojmë se është e mundur ta imitojmë Jehovain, shembullin suprem të shenjtërisë. Pra, mund të jemi të shenjtë dhe duhet të jemi të shenjtë në gjithë sjelljen tonë. Ndoshta kjo duket e pamundur, ngaqë jemi të papërsosur. Pjetri vetë bëri shumë gabime; megjithatë shembulli i tij na tregon se mund të ‘bëhemi të shenjtë’.
2. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Në këtë artikull do të shqyrtojmë pyetjet që vijojnë: Çfarë do të thotë të jesh i shenjtë? Çfarë na mëson Bibla për shenjtërinë e Jehovait? Si mund të bëhemi të shenjtë në gjithë sjelljen tonë? Ç’lidhje ka mes shenjtërisë dhe miqësisë sonë me Jehovain?
ÇFARË DO TË THOTË TË JESH I SHENJTË?
3. Si e përfytyrojnë shumë njerëz një njeri të shenjtë, por si mund të kemi një ide të saktë për shenjtërinë?
3 Shumë njerëz e përfytyrojnë një njeri të shenjtë si të veshur me petk fetar, me pamje të zymtë dhe që s’i qesh buza kurrë. Por nuk është aspak kështu. Jehovai që është i shenjtë, është edhe ‘Perëndia i lumtur’. (1 Tim. 1:11) E ata që e adhurojnë, janë ‘të lumtur’. (Psal. 144:15) Jezui i dënoi njerëzit që mbanin veshje të veçanta dhe bënin vepra të drejta sa për të rënë në sy. (Mat. 6:1; Mar. 12:38) Si shërbëtorë të Perëndisë, pikëpamja jonë për shenjtërinë bazohet tek ajo që thotë Bibla. Jemi të bindur se Perëndia ynë i shenjtë dhe i dashur nuk do të na jepte kurrë një urdhër që nuk do ta zbatonim dot. Ndaj, kur Jehovai thotë «duhet të jeni të shenjtë», s’kemi pikë dyshimi se kjo është e mundur. Por si fillim, duhet të dimë çfarë është shenjtëria.
4. Çfarë kuptimi kanë fjalët «i shenjtë» dhe «shenjtëri»?
4 Çfarë është shenjtëria? Në Bibël, fjalët «i shenjtë» dhe «shenjtëri» kanë të bëjnë me pastërtinë a shenjtërinë morale dhe fetare. Këto fjalë përcjellin edhe idenë që dikush ndahet veç për t’i shërbyer Perëndisë. Me fjalë të tjera, quhemi të shenjtë nëse jemi të pastër moralisht, nëse e adhurojmë Jehovain në mënyrë të pranueshme dhe nëse kemi miqësi të ngushtë me Të. Thjesht mendimi se mund të jemi miq me Perëndinë tonë të shenjtë na lë pa fjalë, sidomos kur mbajmë parasysh çfarë thotë Bibla për shenjtërinë e Jehovait.
«I SHENJTË, I SHENJTË, I SHENJTË ËSHTË JEHOVAI»
5. Çfarë mësojmë për Jehovain nga engjëjt besnikë?
5 Jehovai është i pastër në çdo aspekt. Këtë e kuptojmë nga përshkrimi që i bënë serafinët—engjëj që shërbejnë pranë fronit të tij. Disa prej tyre shpallën: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai i ushtrive!» (Isa. 6:3) Sigurisht, që të kenë miqësi të ngushtë me Perëndinë e shenjtë, edhe engjëjt duhet të jenë të shenjtë, e në fakt kështu janë. Prania e një engjëlli të Jehovait mund ta bënte të shenjtë tokën ku qëndronte. Kështu ndodhi në rastin kur Moisiu pa shkurren që kishte marrë flakë por nuk digjej.—Eks. 3:2-5; Jos. 5:15.
6-7. (a) Sipas Eksodit 15:1, 11, si e theksoi Moisiu se Perëndia është i shenjtë? (b) Çfarë i ndihmonte izraelitët të mbanin parasysh se Perëndia është i shenjtë? (Shih figurën e kopertinës.)
6 Pasi u priu izraelitëve përmes Detit të Kuq, Moisiu theksoi se Jehovai është i shenjtë. (Lexo Eksodin 15:1, 11.) Sjellja e adhuruesve të perëndive të Egjiptit s’ishte aspak e shenjtë. As sjellja e atyre që adhuronin perënditë e Kananit nuk ishte e shenjtë. Adhurimi i tyre përfshinte flijimin e fëmijëve dhe praktika seksuale të degjeneruara. (Lev. 18:3, 4, 21-24; Ligj. 18:9, 10) Kurse Jehovai nuk do t’u kërkonte kurrë adhuruesve të tij të praktikonin gjëra të tilla të neveritshme. Ai është personifikimi i shenjtërisë. Që izraelitët ta kishin gjithnjë parasysh këtë, në një pllakë ari në çallmën e kryepriftit ishin skalitur fjalët: «Shenjtëria i përket Jehovait.»—Eks. 28:36-38.
7 Këto fjalë do t’i kujtonin çdokujt që shihte pllakën se Jehovai është i shenjtë. Por ç’të themi për një izraelit që nuk e shihte dot pllakën sepse nuk mund t’i afrohej kryepriftit? A do ta humbiste këtë të vërtetë jetësore? Jo! Çdo izraelit e dëgjonte këtë të vërtetë kur Ligji lexohej para burrave, grave dhe fëmijëve. (Ligj. 31:9-12) Po të ishe atje, edhe ti do të dëgjoje këto fjalë: «Unë jam Jehovai, Perëndia juaj . . . Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!» «Jini të shenjtë për mua, sepse unë, Jehovai, jam i shenjtë.»—Lev. 11:44, 45; 20:7, 26.
8. Çfarë mësojmë nga Levitiku 19:2 dhe 1 Pjetrit 1:14-16?
8 Le të përqendrohemi te fjalët e Levitikut 19:2, që Jehovai kërkoi të lexoheshin para të gjithëve. Ai i tha Moisiut: «Thuaji tërë asamblesë së izraelitëve: ‘Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë Jehovai, Perëndia juaj, jam i shenjtë.’» Ka gjasa që Pjetri po citonte këtë varg kur i nxiti të krishterët ‘të bëheshin të shenjtë’. (Lexo 1 Pjetrit 1:14-16.) Edhe pse sot nuk jemi nën Ligjin e Moisiut, fjalët e Pjetrit përforcojnë atë që mësojmë nga Levitiku 19:2—Jehovai është i shenjtë dhe adhuruesit e tij duhet të bëjnë çmos të jenë të shenjtë. Kjo vlen si për ata që shpresojnë të jetojnë në qiell, edhe për ata që shpresojnë të jetojnë në parajsë në tokë.—1 Pjet. 1:4; 2 Pjet. 3:13.
«BËHUNI . . . TË SHENJTË NË GJITHË SJELLJEN TUAJ»
9. Pse ia vlen të shqyrtojmë kapitullin 19 të Levitikut?
9 Meqë dëshirojmë me gjithë zemër ta kënaqim Perëndinë tonë të shenjtë, duam të dimë si të bëhemi të shenjtë. Jehovai na jep këshilla praktike që t’ia dalim, e një burim i shkëlqyer këshillash është kapitulli 19 i Levitikut. Një studiues hebre, Markus Kalish, shkroi: «Ky kapitull mbresëlënës është mbase më i gjithanshmi, më i larmishmi dhe, në njëfarë mënyre, më i rëndësishmi i Levitikut, në mos i të pestë librave të parë të Biblës.» Le të shohim disa vargje të këtij kapitulli që përmbajnë mësime të çmuara për aspekte të jetës së përditshme. Ndërkohë, le të mbajmë parasysh fjalët që paraprijnë secilin mësim: «Duhet të jeni të shenjtë.»
10-11. Çfarë duhet të bëjmë sipas Levitikut 19:3, dhe pse është e rëndësishme kjo?
10 Pasi tha se izraelitët duhej të ishin të shenjtë, Jehovai shtoi: «Të gjithë duhet të respektoni nënën e babanë . . . Unë jam Jehovai, Perëndia juaj!»—Lev. 19:2, 3.
11 Është e rëndësishme t’i bindemi drejtimit të Perëndisë që të nderojmë prindërit. Ndoshta të kujtohet rasti kur një burrë e pyeti Jezuin: «Ç’të mirë duhet të bëj që të fitoj jetën e përhershme?» Ndër të tjera, Jezui i tha se duhej të nderonte babanë dhe nënën. (Mat. 19:16-19) Jezui madje i demaskoi farisenjtë dhe skribët ngaqë gjenin marifete për t’i bërë bisht përgjegjësisë që të kujdeseshin për prindërit. Duke vepruar kështu, ata ‘e zhvleftësonin fjalën e Perëndisë’. (Mat. 15:3-6) ‘Fjala e Perëndisë’ përfshinte të pestin nga Dhjetë Urdhërimet, si edhe atë që thuhet te Levitiku 19:3. (Eks. 20:12) Të mbajmë parasysh se Levitiku 19:3—që na nxit të respektojmë nënën dhe babanë—vjen menjëherë pas fjalëve: «Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë Jehovai, Perëndia juaj, jam i shenjtë.»
12. Çfarë mund të na ndihmojë t’i bindemi asaj që thuhet te Levitiku 19:3?
12 Ndërsa mendon për urdhrin e Jehovait që të nderosh prindërit, pyet veten: «Si jam në këtë pikë?» Nëse kupton se në të kaluarën nuk ke bërë sa duhet, a mund të përmirësohesh? Të kaluarën nuk e ndryshon dot, por ji i vendosur që tani e tutje të kalosh më tepër kohë me prindërit ose t’i ndihmosh më shumë. Për shembull, mund t’i mbështetësh më shumë nga ana ekonomike ose emocionale. Mund t’i ndihmosh edhe që të ruajnë miqësinë me Jehovain. Kështu do t’i bindesh Levitikut 19:3.
13. (a) Çfarë urdhri tjetër gjejmë te Levitiku 19:3? (b) Sipas asaj që lexojmë te Luka 4:16-18, si mund ta imitojmë shembullin e Jezuit?
13 Levitiku 19:3 na tregon edhe një mënyrë tjetër si të bëhemi të shenjtë. Aty flitet për mbajtjen e Sabatit. Si të krishterë, nuk jemi nën Ligj, ndaj nuk kërkohet të mbajmë Sabatin çdo javë. Gjithsesi, mund të mësojmë shumë kur meditojmë si e mbanin Sabatin izraelitët dhe si nxirrnin dobi prej kësaj. Sabati ishte një kohë për të pushuar nga punët e përditshme dhe për t’u përqendruar tek adhurimi i Jehovait.b Ja pse Jezui shkonte në sinagogën e qytetit të tij në ditë sabati dhe lexonte nga Fjala e Perëndisë. (Eks. 31:12-15; lexo Lukën 4:16-18.) Urdhri i Perëndisë te Levitiku 19:3 ‘për të mbajtur sabatet’ duhet të na nxitë të lëmë kohë çdo ditë që të adhurojmë Jehovain. A ke nevojë të bësh ndryshime në këtë drejtim? Nëse lë kohë rregullisht për të adhuruar Jehovain, do ta forcosh miqësinë me të. Kjo është thelbësore për t’u bërë i shenjtë.
FORCO MIQËSINË ME JEHOVAIN
14. Cila e vërtetë e rëndësishme theksohet në gjithë kapitullin 19 të Levitikut?
14 Te kapitulli 19 i Levitikut përmendet shpesh një e vërtetë e rëndësishme që na ndihmon të jemi të shenjtë. Vargu 4 mbaron me fjalët: «Unë jam Jehovai, Perëndia juaj!» Kjo shprehje ose forma të ngjashme të saj dalin 16 herë në këtë kapitull. Ato na sjellin ndër mend urdhërimin e parë: «Unë jam Jehovai, Perëndia yt. . . . Mos ki perëndi të tjera përveç meje.» (Eks. 20:2, 3) Çdo shërbëtor i Jehovait që dëshiron të jetë i shenjtë nuk duhet të lejojë asgjë dhe askënd të bëhet më i rëndësishëm se miqësia e tij me Perëndinë. Meqë mbajmë emrin Dëshmitarë të Jehovait, bëjmë çmos të shmangim çdo veprim që do ta njolloste ose do ta përdhoste emrin e tij të shenjtë.—Lev. 19:12; Isa. 57:15.
15. Për çfarë na nxitin vargjet te kapitulli 19 i Levitikut që flasin për flijimet?
15 Kur u bindeshin ligjeve të Jehovait, izraelitët tregonin se e pranonin si Perëndinë e tyre. Levitiku 18:4 thotë: «Ndiqni dhe zbatoni ligjet dhe vendimet e mia gjyqësore. Unë jam Jehovai, Perëndia juaj!» Në kapitullin 19 gjejmë disa nga këto ‘ligje’. Për shembull, vargjet 5-8, 21, 22 flasin për flijimet në kafshë. Këto flijime duheshin bërë në atë mënyrë që të mos ‘përdhosnin një gjë të shenjtë të Jehovait’. Meditimi për këto vargje duhet të na ngjallë dëshirën ta kënaqim Jehovain dhe t’i paraqitim flijime lëvdimi të pranueshme, siç na nxit Hebrenjve 13:15.
16. Cili parim na sjell ndër mend dallimin mes atyre që i shërbejnë Perëndisë dhe atyre që nuk i shërbejnë?
16 Që të bëhemi të shenjtë, duhet të tregojmë se jemi ndryshe nga ata që s’i shërbejnë Perëndisë. Kjo mund të jetë e vështirë. Ndonjëherë shokët e shkollës a të punës ose të afërm që s’janë Dëshmitarë mund të na bëjnë presion të përfshihemi në aktivitete që na pengojnë të adhurojmë Jehovain. Në këto raste, jemi përballë një vendimi të rëndësishëm. Si të bëjmë zgjedhjen e duhur? Të shqyrtojmë një parim që gjendet te pjesa e fundit e Levitikut 19:19, ku thuhet: «Mos vishni një rrobë të endur me dy lloje fijesh.» Falë këtij ligji, izraelitët dallonin nga kombet përreth. Sot nuk na kërkohet të mos mbajmë veshje me materiale të përziera, si pambuk dhe poliestër ose lesh dhe akrilik. Ama nuk sillemi si njerëzit, bindjet dhe praktikat e të cilëve bien ndesh me mësimet e Biblës, qofshin këta shokë shkolle a pune ose të afërm. Patjetër, i duam të afërmit dhe njerëzit e tjerë. Por për aspekte të rëndësishme të jetës duam t’i bindemi Jehovait, edhe pse kjo na bën të ndryshëm. Mos harro se shenjtëria përfshin të qëndrosh i veçuar për t’i shërbyer Perëndisë. Kjo është jetësore për t’u bërë i shenjtë.—2 Kor. 6:14-16; 1 Pjet. 4:3, 4.
17-18. Çfarë mësimi të rëndësishëm mund të nxjerrim nga Levitiku 19:23-25?
17 Shprehja «unë jam Jehovai, Perëndia juaj» duhet t’i ketë ndihmuar izraelitët t’i jepnin përparësi miqësisë me Jehovain. Si? Një mënyrë tregohet te Levitiku 19:23-25. (Lexoje.) Mendo ç’domethënie kishin këto fjalë për izraelitët kur hynë në Tokën e Premtuar. Nëse dikush mbillte pemë frutore, nuk duhej të hante prej saj për tre vjet. Në vitin e katërt, frytet hiqeshin mënjanë për t’u çuar në shenjtëroren e Perëndisë. Ai mund të fillonte të hante nga frytet e saj në vitin e pestë. Ky ligj duhet t’i ketë ndihmuar izraelitët të kuptonin se interesat e tyre nuk duhet të vinin të parat. Duhet të kishin besim se Jehovai do t’u siguronte gjithçka që u nevojitej dhe ta vinin adhurimin e tij në vend të parë. Ai nuk do t’u linte asgjë mangët. Prandaj i nxiti izraelitët të çonin dhurata pa u kursyer në shenjtërore, ku adhurohej Jehovai.
18 Ligji që gjejmë te Levitiku 19:23-25 na kujton fjalët e Jezuit në Predikimin në Mal. Ai tha: «Mos jini më në ankth . . . se ç’do të hani ose ç’do të pini.» Pastaj shtoi: «Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.» Perëndia do të na sigurojë gjërat e nevojshme, siç ua siguron edhe zogjve. (Mat. 6:25, 26, 32) Kemi besim se Jehovai do të kujdeset për ne. Gjithashtu u bëjmë «dhurata» pa rënë në sy atyre që janë në nevojë. Dhurojmë edhe për të mbuluar shpenzimet e kongregacionit. Bujaria jonë nuk kalon pa u vënë re nga Jehovai, dhe ai na shpërblen. (Mat. 6:2-4) Kur tregohemi bujarë, po zbatojmë atë që mësojmë nga Levitiku 19:23-25.
19. Si ke nxjerrë dobi nga vargjet e Levitikut që kemi shqyrtuar në këtë artikull?
19 Kemi shqyrtuar vetëm disa vargje nga kapitulli 19 i Levitikut dhe kemi mësuar si të jemi të shenjtë si Perëndia ynë. Po ta imitojmë Atë, do të bëjmë çmos ‘të bëhemi të shenjtë në gjithë sjelljen tonë’. (1 Pjet. 1:15) Shumë nga ata që nuk i shërbejnë Jehovait janë dëshmitarë okularë të sjelljes së shkëlqyer të popullit të Perëndisë. Si rezultat, i kanë dhënë lavdi Jehovait. (1 Pjet. 2:12) Por nga kapitulli 19 i Levitikut mund të nxjerrim akoma më shumë mësime. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë disa vargje të tjera nga ky kapitull, që do të na ndihmojnë ‘të bëhemi të shenjtë’ në aspekte të tjera të jetës.
KËNGA 80 ‘Shijojeni vetë sa i mirë është Jehovai’
a E duam shumë Jehovain, ndaj dëshirojmë ta kënaqim. Jehovai është i shenjtë dhe pret që edhe adhuruesit e tij të jenë të shenjtë. Por, a mund të jenë të shenjtë njerëzit e papërsosur? Po, mund të jenë. Ndërsa shqyrtojmë këshillën që u dha apostulli Pjetër bashkëbesimtarëve dhe udhëzimet që i dha Jehovai Izraelit të lashtë, do të mësojmë si të bëhemi të shenjtë në gjithë sjelljen tonë.
b Për të kuptuar më mirë mësimet që nxjerrim nga Sabati, shih artikullin «‘Ka një kohë të caktuar’ për të punuar e për të pushuar» te Kulla e Rojës e dhjetorit 2019.
c PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Djali po kalon kohë me prindërit, ka marrë gruan dhe vajzën me vete për t’i takuar, dhe flet rregullisht me ta.
d PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një bujk izraelit sheh frutat e pemës që ka mbjellë.