GJAKU
Një lëng vërtet i mrekullueshëm, që qarkullon në sistemin vaskular të njerëzve dhe të pjesës më të madhe të kafshëve shumëqelizore; në hebraisht dam, kurse në greqisht haíma. Gjaku siguron ushqim dhe oksigjen për të gjitha pjesët e trupit, heq tej lëndët mbeturinore dhe luan një rol kryesor për mbrojtjen e organizmit nga infeksionet. Përbërja kimike e gjakut është jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe shkencëtarët kanë ende shumë të panjohura në këtë fushë.
Në Bibël thuhet se shpirti i gjallesës është në gjak, ngaqë gjaku është i lidhur ngushtësisht me proceset e jetës. Fjala e Perëndisë thotë: «Sepse shpirti i gjallesës është në gjak, dhe unë e kam caktuar të vihet mbi altar për të bërë shlyerjen për shpirtrat tuaj, sepse gjaku bën shlyerjen, meqë shpirti është në të.» (Le 17:11) Për këtë arsye, por duke bërë një lidhje më të drejtpërdrejtë, Bibla thotë: «Shpirti i çdo gjallese është gjaku i saj.» (Le 17:14) Qartë, Fjala e Perëndisë e konsideron të shenjtë si jetën, ashtu edhe gjakun.
T’i marrësh jetën dikujt. Jehovai është burimi i jetës. (Ps 36:9) Njeriu s’mund t’ia kthejë më jetën dikujt. «Të gjithë shpirtrat janë të mitë»,—thotë Jehovai. (Ezk 18:4) Prandaj, t’ia marrësh jetën dikujt, do të thotë të marrësh pronën e Jehovait. Çdo gjë e gjallë ka qëllimin dhe vendin e vet në krijimin e Perëndisë. Askush s’ka të drejtë t’ia marrë jetën dikujt, veçse kur Perëndia e lejon dhe në mënyrën që ai udhëzon.
Pas Përmbytjes, Noeja dhe bijtë e tij, paraardhës të të gjithë njerëzve që jetojnë sot, morën urdhrin të tregonin respekt për jetën, ose gjakun, e njeriut. (Zn 9:1, 5, 6) Nga ana tjetër, me dashamirësi Perëndia u lejoi të shtonin në dietën e tyre edhe mishin e kafshëve. Megjithatë, duhej të pranonin se jeta e çdo kafshe që vritnin për ushqim i përkiste Jehovait, dhe duhej ta tregonin këtë duke derdhur përtokë si ujë gjakun e kafshës. Kjo ishte njësoj si t’ia kthenin Perëndisë, e jo ta përdornin për qëllimet e veta.—Lp 12:15, 16.
Njeriu kishte të drejtë të gëzonte jetën që Perëndia i kishte dhënë dhe kushdo që ia merrte këtë jetë, do t’i jepte llogari Perëndisë. Kjo u duk qartë kur ai i tha vrasësit Kain: «Gjaku i vëllait tënd po më thërret nga toka.» (Zn 4:10) Edhe dikush që e urrente vëllanë e vet, duke dëshiruar vdekjen e tij, ose që shpifte për të a jepte dëshmi të rreme kundër tij, duke i vënë në rrezik jetën, do të mbante fajin e gjakut për atë person.—Le 19:16; Lp 19:18-21; 1Gjo 3:15.
Për shkak të kësaj pikëpamjeje që kishte Perëndia për vlerën e gjakut, thuhej se gjaku i një të vrari e ndotte vendin, dhe kjo ndotje mund të pastrohej vetëm duke derdhur gjakun e vrasësit. Mbi këtë bazë, Bibla i autorizon autoritetet e vendosura në mënyrën e duhur të zbatojnë dënimin me vdekje për vrasjen. (Nu 35:33; Zn 9:5, 6) Në Izraelin e lashtë, nuk mund të merrej asnjë shpërblesë për të çliruar një vrasës të qëllimshëm nga dënimi me vdekje.—Nu 35:19-21, 31.
Edhe në ato raste kur vrasësi nuk zbulohej as nga hetimet, qyteti më pranë vendit ku gjendej trupi i të vrarit mbante fajin e gjakut. Që të hiqnin fajin e gjakut, pleqtë përgjegjës të atij qyteti duhej të ndiqnin procedurën që kërkonte Perëndia, të deklaronin se s’kishin asnjë faj apo dijeni për vrasjen e të luteshin për mëshirën e Perëndisë. (Lp 21:1-9) Nëse dikush vriste pa dashje një njeri, por nuk e merrte seriozisht këtë çështje dhe nuk ndiqte rregullin që kishte vendosur Perëndia që të ikte në qytetin e strehimit e të qëndronte atje, atëherë njeriu më i afërt i të ndjerit kishte të drejtën dhe detyrimin ta vriste që të hiqte fajin e gjakut nga vendi.—Nu 35:26, 27; shih GJAKMARRËS.
Përdorimi i duhur i gjakut. Perëndia miratoi vetëm një mënyrë për përdorimin e gjakut, domethënë, për flijim. Ai u dha urdhër atyre që ishin nën Ligjin e Moisiut që të paraqitnin flijime në kafshë për të shlyer mëkatet. (Le 17:10, 11) Po ashtu, në përputhje me vullnetin e Perëndisë, Biri i tij, Jezu Krishti, duhej të jepte jetën e vet të përsosur njerëzore si flijim për mëkatet.—He 10:5, 10.
Në Shkrimet Hebraike paraqitej paraprakisht në një sërë mënyrash se si përdorimi i gjakut të Krishtit ishte jetëshpëtues. Në kohën e Pashkës së parë në Egjipt, gjaku i spërkatur në pjesën e sipërme të hyrjes dhe në shtalkat e shtëpive izraelite, i mbrojti të parëlindurit e tyre nga vdekja prej dorës së engjëllit të Perëndisë. (Da 12:7, 22, 23; 1Ko 5:7) Besëlidhja e ligjit, e cila përmbante një aspekt tipik të heqjes së mëkatit, u shpall e vlefshme me anë të gjakut të kafshëve. (Da 24:5-8) Flijimet e shumta me gjak, sidomos ato që paraqiteshin në Ditën e Shlyerjes, simbolizonin shlyerjen e mëkatit dhe e drejtonin vëmendjen te heqja e vërtetë e mëkatit falë flijimit të Krishtit.—Le 16:11, 15-18.
Fuqia ligjore e gjakut në sytë e Perëndisë, i cili e pranonte për qëllime shlyerjeje, ilustrohej nga derdhja e gjakut në rrëzë ose në themel të altarit dhe nga vënia e tij në brirët e altarit. Kjo masë për shlyerjen kishte në themel të saj gjakun, dhe fuqia (e paraqitur nga brirët) e flijimit qëndronte pikërisht te gjaku.—Le 9:9; He 9:22; 1Ko 1:18.
Në kongregacionin e krishterë shenjtëria e gjakut u theksua edhe më fort. Të krishterët nuk paraqitnin më gjakun e kafshëve, pasi kafshët e flijuara ishin vetëm një hije e realitetit, Jezu Krishtit. (Kl 2:17; He 10:1-4, 8-10) Kryeprifti në Izrael çonte ca nga gjaku i flisë në Më të Shenjtën e shenjtërores. (Le 16:14) Si Kryeprifti i vërtetë, Jezu Krishti hyri në vetë qiellin, jo me gjakun e tij, i cili u derdh përtokë (Gjo 19:34), por me vlerën e jetës së tij të përsosur njerëzore që përfaqësohet nga gjaku. Ngaqë nuk mëkatoi, ai nuk e humbi kurrë të drejtën e kësaj jete, por e ruajti dhe ishte në gjendje ta përdorte për shlyerjen e mëkatit. (He 7:26; 8:3; 9:11, 12) Për këto arsye, gjaku i Krishtit flet për gjëra më të mira se gjaku i Abelit të drejtë. Vetëm gjaku i flijimit të përsosur të Birit të Perëndisë mund të thërrasë për mëshirë, kurse gjaku i Abelit dhe gjaku i martirëve të krishterë thërret për hakmarrje.—He 12:24; Zb 6:9-11.
Për kë zbatohet urdhri për të mos ngrënë gjak?
Pas Përmbytjes, Jehovai lejoi Noenë dhe bijtë e tij të shtonin në dietën e tyre edhe mishin e kafshëve, por, megjithatë atyre iu ndalua rreptësisht të hanin gjak. (Zn 9:1, 3, 4) Në këtë rast, Perëndia vendosi një rregull që nuk vlente vetëm për Noenë dhe familjen e tij, por për tërë njerëzimin nga ajo kohë e tutje, pasi të gjithë ata që kanë jetuar nga koha e Përmbytjes janë pasardhës të familjes së Noesë.
Për të treguar se ky urdhër nuk ka ndryshuar, Xhozef Bensoni tha: «Duhet thënë se urdhri për të mos ngrënë gjak, që iu dha Noesë dhe gjithë pasardhësve të tij e që iu përsërit edhe izraelitëve në mënyrën më solemne nën sistemin e ligjit të Moisiut, nuk është anuluar kurrë. Përkundrazi, është konfirmuar edhe në Besëlidhjen e Re, te Veprat 15; pra, është bërë një detyrim i përhershëm.»—Notes, 1839, vëll. I, f. 43.
Në Ligjin e Moisiut. Në besëlidhjen e Ligjit që bëri me kombin e Izraelit, Jehovai përfshiu ligjin që i dha Noesë. Perëndia e bëri të qartë se kushdo që shpërfillte procedurën e vendosur nga ligji i tij, mund të quhej «fajtor gjaku» edhe në rast se vriste një kafshë. (Le 17:3, 4) Nëse thernin një kafshë për ta ngrënë, gjaku i saj duhej derdhur përtokë e duhej mbuluar me dhé. (Le 17:13, 14) Kushdo që hante gjakun e çfarëdolloj mishi, ‘do të shfarosej nga populli’. Shkelja e qëllimshme e ligjit për shenjtërinë e gjakut, nënkuptonte ‘shfarosje’, pra, vdekje.—Le 17:10; 7:26, 27; Nu 15:30, 31.
Në një koment për Levitikun 17:11, 12, enciklopedia e Meklintokut dhe Strongut thotë: «Ky urdhër i prerë zbatohej jo vetëm për izraelitët, por edhe për të huajt që banonin me ta. Ndëshkimi për ata që shkelnin këtë urdhër, ishte ‘të shfaroseshin nga populli’, dhe kjo, me sa duket, nënkuptonte dënimin me vdekje (krahaso He 10:28), edhe pse vështirë të përcaktohet nëse vriteshin me shpatë apo me gurë.»—Cyclopædia, 1882, vëll. I, f. 834.
Ligji i përtërirë 14:21 lejonte që një të ardhuri ose një të huaji t’i shitej një kafshë që kishte ngordhur vetiu ose që ishte shqyer nga një kafshë e egër. Pra, kishte dallim mes gjakut të këtyre kafshëve dhe atyre që njerëzit i thernin për të ngrënë. (Krahaso Le 17:14-16.) Izraelitët, si dhe të ardhurit që përqafonin adhurimin e vërtetë dhe i nënshtroheshin besëlidhjes së Ligjit, ishin të detyruar të jetonin në përputhje me kërkesat e larta të Ligjit. Njerëzit e të gjitha kombeve ishin të detyruar të zbatonin kërkesën e Zanafillës 9:3, 4, mirëpo nga ata që ishin nën Ligj, Perëndia kërkonte të mbanin një normë më të lartë se të huajt apo të ardhurit që nuk ishin adhurues të Jehovait.
Në kongregacionin e krishterë. Trupi udhëheqës i kongregacionit të krishterë të shekullit të parë, nën drejtimin e frymës së shenjtë, mori një vendim për çështjen e gjakut. Dekreti i tyre thoshte: «Sepse frymës së shenjtë dhe neve na u duk mirë të mos ju shtonim asnjë barrë tjetër, përveç këtyre gjërave të nevojshme: të vazhdoni të rrini larg nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga kafshët e mbytura dhe nga kurvëria. Nëse ruheni me kujdes nga këto, do t’ju vejë mbarë. Ju urojmë shëndet!» (Ve 15:22, 28, 29) Ky urdhër përfshinte të mos hanin mishin e kafshëve që nuk u ishte derdhur gjaku («kafshët e mbytura»).
Në fund të fundit, ky dekret bazohej në urdhrin e Perëndisë që të mos hanin gjak, i cili iu dha Noesë dhe bijve të tij, pra, gjithë njerëzimit. Ja çfarë shkruante për këtë Isak Njutoni: «Ky ligj [që të rrinin larg nga gjaku] ishte edhe më i lashtë se koha e Moisiut, pasi iu dha Noesë dhe bijve të tij, shumë kohë para Abrahamit. Prandaj, kur apostujt dhe pleqtë në këshillin e Jerusalemit vendosën që johebrenjtë nuk ishin të detyruar të rrethpriteshin e të mbanin ligjin e Moisiut, ata përjashtuan ligjin e ndenjjes larg nga gjaku dhe kafshët e mbytura, pasi ishte një ligj më i hershëm i Perëndisë, i cili nuk iu dha vetëm bijve të Abrahamit, por të gjitha kombeve, teksa jetonin së bashku në Shinar nën sundimin e Noesë. Njësoj është edhe ligji që të mos hanin mishin që u paraqitej si flijim idhujve dhe perëndive të rreme, si dhe që të rrinin larg nga kurvëria.»—The Chronology of Antient Kingdoms Amended, nga Isak Njutoni, Dublin, 1728, f. 184 (kursivi është i autorit).
Zbatohet që nga koha e apostujve. Këshilli i Jerusalemit ua dërgoi vendimin kongregacioneve të krishtere që ta zbatonin. (Ve 16:4) Rreth shtatë vjet pasi këshilli i Jerusalemit kishte nxjerrë atë dekret, të krishterët vazhdonin të zbatonin ‘vendimin që të ruheshin nga gjërat që u flijoheshin idhujve, nga gjaku, nga kafshët e mbytura dhe nga kurvëria’. (Ve 21:25) Më shumë se njëqind vjet më pas, në vitin 177 të e.s., në Lion (tani në Francë), kur armiqtë fetarë i akuzuan në mënyrë të rreme të krishterët se hanin fëmijët, një grua e quajtur Biblis tha: «E si mund të hanë fëmijët këta njerëz kur nuk u lejohet as të hanë gjakun e kafshëve pa arsye?!»—Histori kishtare, nga Eusebi, V, I, 26.
Të krishterët e hershëm bënin kujdes të mos hanin asnjë lloj gjaku. Në lidhje me këtë, Tertuliani (rreth 155 deri pas 220 të e.s.) theksonte në një vepër të tij: «T’ju vijë turp nga ne të krishterët për mashtrimin tuaj, sepse as gjakun e kafshëve nuk e përdorim si ushqim. Për këtë arsye, ne u rrimë larg edhe kafshëve të mbytura ose që ngordhin vetiu, që të mos ndotemi në ndonjë mënyrë nga gjaku, edhe në qoftë i fshehur në mish. Së fundi, për t’i sprovuar të krishterët u ofroni sallam me gjak, sepse e dini që për ta është një ushqim i ndaluar, mirëpo doni që të shkelin ligjin.» (Apologji, IX, 13, 14) Minukius Feliksi, avokat romak që jetoi deri rreth vitit 250 të e.s., theksoi të njëjtën gjë: «Ne nuk na lejohet as të shohim, as të marrim vesh për ndonjë vrasje. Aq shumë tutemi ne nga gjaku i njeriut, saqë në ushqimin tonë nuk përdorim as gjakun e kafshëve të ngrënshme.»—Oktaviani, XXX, 6.
Lidhet me integritetin. Që nga koha kur besëlidhja e re u përurua me gjakun e Jezu Krishtit, të krishterët e kanë kuptuar vlerën jetëshpëtuese të këtij gjaku falë masës së Jehovait dhe Jezu Krishtit, si Kryeprifti më i madh, i cili «jo me gjakun e cjepve dhe të demave të rinj, por me gjakun e vet, . . . hyri një herë e mirë në vendin e shenjtë dhe siguroi për ne një çlirim të përhershëm». Falë besimit në gjakun e Krishtit, të krishterët e kanë pastruar ndërgjegjen nga veprat e vdekura, që t’i bëjnë shërbim të shenjtë Perëndisë së gjallë. Ata kujdesen për shëndetin fizik, mirëpo, para së gjithash, e me më shumë seriozitet, kujdesen për shëndetin frymor dhe për qëndrimin e tyre para Krijuesit. Duan të mbajnë integritetin para Perëndisë së gjallë, pa mohuar flijimin e Jezuit, pa e quajtur si të pavlerë dhe pa e shkelur me këmbë, sepse nuk kërkojnë një jetë kalimtare, por jetën e përhershme.—He 9:12, 14, 15; 10:28, 29.