NËNA
Ashtu si fjala hebraike ʼav (baba), edhe fjala ʼem (nënë) ka të ngjarë të jetë një fjalë tingullimituese, një nga tingujt e parë që del nga buzët e foshnjës. Përdoret për të treguar nënën e dikujt, ndoshta njerkën (Zn 37:10; krahaso Zn 30:22-24; 35:16-19), por edhe një paraardhëse, si në rastin e Evës, gruas së Adamit, e cila ishte «nëna e gjithë të gjallëve». (Zn 3:20; 1Mb 15:10) Fjala greke për «nënë» është méter. Si në gjuhën hebraike, ashtu edhe në atë greke, fjala nënë është përdorur edhe në shumë kuptime figurative.
Dëshira për familje të mëdha ishte e rrënjosur thellë, sidomos në zemrat e grave hebreje, nisur nga premtimi i Perëndisë se do ta bënte Izraelin një komb të madh dhe se nga ky popull do të vinte fara e premtuar. (Zn 18:18; 22:18; Da 19:5, 6) Një nga mynxyrat më të mëdha për një grua ishte të mos kishte fëmijë.—Zn 30:1.
Sipas besëlidhjes së Ligjit, kur lindte djalë, gruaja ishte «e papastër» në kuptimin fetar për 40 ditë (7 plus 33), kurse kur lindte vajzë, dyfishin e kësaj kohe, pra, 80 ditë (14 plus 66). (Le 12:2-5) Përkatësisht për 7 dhe 14 ditët e para, ajo ishte e papastër për të gjithë, përfshirë edhe të shoqin, kurse për 33 dhe 66 ditët e tjera ishte e papastër vetëm në lidhje me gjërat e shenjta dhe me ato që përdoreshin për shërbime fetare në shenjtërore.
Nënat hebreje i ushqenin me gji të vegjlit deri në moshën trevjeçare dhe, disa herë, deri në pesë vjeç ose më shumë, ngaqë besonin se sa më gjatë të ushqeheshin me qumësht gjiri, aq më të fortë do të rriteshin. (Shih HEQJA E GJIRIT, ZVJERDHJA.) Kur nëna vdiste ose nuk kishte mjaft qumësht, merrnin një tajë që t’u jepte gji të vegjëlve. Kështu, shprehja ‘fëmijët dhe foshnjat e gjirit’ që përdoret në Bibël, mund të përfshijë fëmijë në moshë për t’u zvjerdhur, mjaft të rritur sa të kishin njëfarë njohurie për t’i dhënë lavdi Jehovait e për t’u stërvitur në shenjtërore.—Mt 21:15, 16; 1Sa 1:23, 24; 2:11.
Mes nënës dhe fëmijëve ekzistonte një lidhje e veçantë, pasi ajo kujdesej drejtpërdrejt për nevojat e të vegjëlve derisa u hiqej gjiri; në këtë kohë, babai merrte në dorë në mënyrë më të drejtpërdrejtë arsimimin e fëmijëve. Në shtëpi njihej dhe pranohej roli i rëndësishëm i nënës. Ajo duhej respektuar edhe kur të ishte shumë e moshuar. (Da 20:12; 21:15, 17; Pr 23:22; Lp 5:16; 21:18-21; 27:16) Natyrisht, roli i saj ishte gjithnjë dytësor pas atij të të shoqit, të cilin ajo duhej ta respektonte e t’i bindej. Sa ishte fëmijë, Jezui iu nënshtrua babait birësues, Jozefit, dhe nënës, Marisë.—Lu 2:51, 52.
Në rastet kur babai kishte më shumë se një grua, bijtë e dallonin nënën e tyre të vërtetë nga gratë e tjera, duke e quajtur «nënë». Ata që ishin vëllezër me të njëjtën nënë e baba, dalloheshin nga gjysmëvëllezërit prej shprehjes «bij të nënës sime».—Gjy 8:19; Zn 43:29.
Nga nëna pritej t’u përçonte fëmijëve mësimet dhe urdhrat e babait, e të sigurohej që ata i zbatonin. (Pr 1:8; 6:20; 31:1) Nëna drejtonte shtëpinë nën kryesinë e të shoqit. Një grua që lindte dhe i rriste fëmijët siç duhej, ishte shumë e zënë dhe kjo e mbronte shumë që të mos merrej me thashetheme e të mos fuste hundët në punët e të tjerëve. Për sa kohë të mbetej në besim, ajo ishte mjaft e mbrojtur. (1Ti 5:9-14; 2:15) Një nënë e mirë përgatiste ushqim, endte dhe bënte rroba për fëmijët e për pjesëtarët e tjerë të shtëpisë. Kështu, burri dhe bijtë e saj mund ta lëvdonin me plot gojën para të tjerëve.—Pr 31:15, 19, 21, 28.
Përdorimi i figurshëm.
Fjala «nënë» është përdorur te Gjykatësit 5:7 për një grua që ndihmon të tjerët e kujdeset për ta. Pavli tha se ishte sjellë ëmbëlsisht me ata që u kishte dhënë të vërtetën e Perëndisë, me fëmijët e tij frymorë, si «nëna [që] mënd» fëmijët e saj.—1Se 2:7; shih ËMBËLSIA.
Meqë kanë një lidhje të ngushtë frymore me vëllezërit e krishterë, gratë e krishtere janë si nënat e motrat e tyre dhe duhen trajtuar me të njëjtin respekt e dëlirësi. (Mr 3:35; 1Ti 5:1, 2) Gratë e krishtere që ndjekin shembullin e mirë të Sarës, gruas së Abrahamit, janë quajtur «bija» të saj.—1Pj 3:6.
Meqë trupi i njeriut u formua «nga pluhuri i tokës», në kuptimin e figurshëm toka mund të quhet ‘nëna’ e tij. (Zn 2:7; Jb 1:21) Madje edhe një qytet është përshkruar si nënë, kurse banorët si bij e bija. Jerusalemi, qyteti që ishte selia e qeverisë, përfaqësonte gjithë kombin dhe izraelitët si individë, ishin fëmijët e tij. (Ga 4:25, 26; Ezk 23:4, 25; krahaso Ps 137:8, 9.) Një qytet i madh konsiderohej si nëna e ‘fshatrave’ të tij, ose fjalë për fjalë, e «bijave» të tij. (Ezk 16:46, 48, 53, 55; shih shën. te Ezk 16 vrg. 46, NW.) Babilonia e Madhe, ‘qyteti i madh’, është quajtur «nëna e prostitutave dhe e gjërave të neveritshme të tokës».—Zb 17:5, 18.