«Shtëpi e lutjes për të gjitha kombet»
«Vallë nuk është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjitha kombet’?»—MARKU 11:17.
1. Çfarë marrëdhënieje kishin në fillim Adami dhe Eva me Perëndinë?
KUR u krijuan, Adami dhe Eva gëzonin një marrëdhënie të ngushtë me Atin e tyre qiellor. Perëndia Jehova komunikonte me ta dhe u paraqiti qëllimin e tij të mrekullueshëm për racën njerëzore. Me siguri që ata shpesh ishin të nxitur ta lavdëronin me zjarr Jehovain për veprat e tij të mrekullueshme të krijimit. Nëse Adami dhe Eva kishin nevojë për udhëheqje, ndërsa sillnin ndër mend rolin e tyre si babai dhe nëna e ardhshme e familjes njerëzore, ata mund t’i drejtoheshin Perëndisë nga çdo vend në shtëpinë e tyre parajsore. Atyre nuk u nevojiteshin shërbimet e priftit në tempull.—Zanafilla 1:28.
2. Çfarë ndryshimi ndodhi kur Adami dhe Eva mëkatuan?
2 Gjendja ndryshoi kur një engjëll rebel e mashtroi Evën që të mendonte se situata e saj në jetë do të përmirësohej, nëse hidhte poshtë sovranitetin e Jehovait, duke thënë se ajo do të bëhej «ngjashëm Perëndisë». Pas kësaj, Eva hëngri frutin e pemës, që Perëndia ua kishte ndaluar ta hanin. Më pas, Satanai përdori Evën për të joshur burrin e saj. Mjerisht, Adami e dëgjoi gruan e tij mëkatare, duke treguar në këtë mënyrë se çmonte si më të rëndësishme marrëdhënien e tij me të, sesa marrëdhënien me Perëndinë. (Zanafilla 3:4-7) Kështu, Adami dhe Eva zgjodhën Satanain si perëndinë e tyre.—Krahaso 2. Korintasve 4:4.
3. Cilat ishin pasojat e këqija të rebelimit të Adamit dhe Evës?
3 Me këtë veprim, çifti i parë njerëzor nuk humbi vetëm marrëdhënien e tij të çmuar me Perëndinë, por edhe perspektivën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. (Zanafilla 2:16, 17) Përfundimisht, trupat e tyre mëkatarë u keqësuan, derisa vdiqën. Këtë gjendje mëkatare e trashëguan edhe pasardhësit e tyre. «Po ashtu, vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit»,—shpjegon Bibla.—Romakëve 5:12.
4. Çfarë shprese i ofroi Perëndia njerëzimit mëkatar?
4 Për të pajtuar njerëzimin mëkatar me Krijuesin e tyre të shenjtë, nevojitej një gjë. Kur i dha dënimin Adamit dhe Evës, Perëndia u dha shpresë pasardhësve të tyre të ardhshëm, duke u premtuar një ‘farë’, e cila do ta shpëtonte njerëzimin nga pasojat e rebelimit të Satanait. (Zanafilla 3:15) Më vonë, Perëndia zbuloi se Fara e bekimit do të vinte përmes Abrahamit. (Zanafilla 22:18) Me këtë qëllim të dashur në mendje, Perëndia zgjodhi pasardhësit e Abrahamit, izraelitët, për t’u bërë kombi i tij i zgjedhur.
5. Përse duhet të jemi të interesuar për hollësitë e besëlidhjes së Ligjit të Perëndisë me Izraelin?
5 Në vitin 1513 p.e.s., izraelitët nisën një marrëdhënie besëlidhjeje me Perëndinë dhe pranuan t’u bindeshin ligjeve të tij. Ajo besëlidhje e Ligjit duhet të jetë me shumë interes për të gjithë ata që kanë dëshirë të adhurojnë Perëndinë sot, sepse ajo të drejton drejt Farës së premtuar. Pavli tha se ajo përmbante «hijen e të mirave që kishin për të ardhur». (Hebrenjve 10:1) Kur bëri këtë deklaratë, Pavli po trajtonte shërbimin e priftërinjve të Izraelit në një tabernakull të lëvizshëm ose në tendën e adhurimit. Ai quhej «tempulli i Jehovait» ose «shtëpia e Jehovait». (1. Samuelit 1:9, 24, BR) Duke shqyrtuar shërbimin e shenjtë të kryer në shtëpinë tokësore të Jehovait, mund të çmojmë në mënyrë më të plotë përgatitjen e mëshirshme, me anë të së cilës njerëzit e sotëm mëkatarë mund të pajtohen me Perëndinë.
Më e Shenjta
6. Çfarë ishte vendosur në dhomën Më të Shenjtë dhe si paraqitej prania e Perëndisë atje?
6 «Shumë i Larti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga dora e njeriut»,—thotë Bibla. (Veprat 7:48) Megjithatë, prania e Perëndisë në shtëpinë e tij tokësore paraqitej nga një re në pjesën më të brendshme të quajtur Më e Shenjta. (Levitiku 16:2) Siç duket, kjo re shndriste fuqishëm, duke i dhënë dritë dhomës Më të Shenjtë. Ajo qëndronte mbi një sënduk të shenjtëruar të quajtur «arka e dëshmisë», ku gjendeshin rrasa guri, në të cilat ishin skalitur disa nga urdhrat që Perëndia i dha Izraelit. Mbi kapakun e Arkës qëndronin dy kerubinë të florinjtë me krahë të shtrirë, të cilët përfytyronin krijesat frymore të rangut të lartë në organizatën qiellore të Perëndisë. Reja e mrekullueshme e dritës qëndronte mbi kapakun e arkës ndërmjet dy kerubinëve. (Dalja 25:22) Ajo përçonte idenë e Perëndisë së Gjithëpushtetshëm të ulur në fron mbi një karrocë qiellore të mbajtur nga kerubinët e gjallë. (1. Kronikave 28:18) Ky ilustrim shpjegon përse mbreti Ezekia u lut: «O Zot i ushtrive, Perëndi i Izraelit që ulesh midis kerubinëve.»—Isaia 37:16.
E Shenjta
7. Çfarë orendish kishte pjesa e Shenjtë?
7 Pjesa e dytë e tabernakullit quhej e Shenjta. Brenda kësaj pjese, në të majtë të hyrjes, gjendej një shandan i bukur me shtatë degëzime, ndërsa në të djathtë një tryezë me bukët e paraqitjes. Përballë gjendej një altar, nga i cili dilte aroma e temjanit të djegur. Ai ishte vendosur përballë një perdeje, që ndante të Shenjtën nga Më e Shenjta.
8. Çfarë detyrash kryenin rregullisht priftërinjtë në dhomën e Shenjtë?
8 Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, në tabernakull duhej të hynte një prift dhe të digjte temjan mbi altarin e temjanit. (Dalja 30:7, 8) Në mëngjes, ndërsa temjani digjej, shtatë llampat që qëndronin mbi shandanin e florinjtë, duhej të mbusheshin përsëri me vaj. Në mbrëmje, ndizeshin llampat për të bërë dritë për të Shenjtën. Çdo të shtunë, një prift duhej të vendoste 12 kuleçë të freskët në tryezën e bukës së paraqitjes.—Levitiku 24:4-8.
Oborri
9. Për ç’qëllim ishte legeni me ujë dhe çfarë mësimi mund të nxjerrim nga kjo?
9 Tabernakulli kishte edhe një oborr, të rrethuar nga një gardh me pëlhurë tende. Në oborr gjendej një legen i madh, ku priftërinjtë lanin duart dhe këmbët para se të hynin në dhomën e Shenjtë. Ata duhej të laheshin, gjithashtu, edhe para se të ofronin sakrificat në altarin që gjendej në oborr. (Dalja 30:18-21) Kjo kërkesë për pastërtinë është një kujtesë e fortë për shërbëtorët e Perëndisë sot se duhet të përpiqen për të mbajtur pastërti fizike, morale, mendore dhe frymore, nëse dëshirojnë që adhurimi i tyre të jetë i pranueshëm për Perëndinë. (2. Korintasve 7:1) Gjatë kohës, druri për zjarrin mbi altar dhe uji për legenin, siguroheshin nga skllevër joizraelitë të tempullit.—Josiu 9:27.
10. Cilat ishin disa nga ofertat që bëheshin në altarin e sakrificave?
10 Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje digjej në altar një dash i ri sakrifice me drithë dhe me një ofertë në pije. (Dalja 29:38-41) Në ditë të veçanta bëheshin sakrifica të tjera. Nganjëherë duhej bërë një sakrificë, për shkak të ndonjë mëkati të veçantë personal. (Levitiku 5:5, 6) Tjetër herë, një izraelit mund të ofronte një sakrificë vullnetare në bashkësi, nga e cila haheshin disa pjesë prej priftërinjve dhe prej atij që bënte flijimin. Kjo lloj sakrifice do të thoshte në mënyrë figurative se njerëzit mëkatarë mund të kishin paqe me Perëndinë, duke ngrënë një vakt me të. Edhe banorët e huaj mund të bëheshin adhurues të Jehovait dhe të kishin privilegjin të paraqisnin oferta vullnetare në shtëpinë e Tij. Megjithatë, për të treguar nderimin e duhur për Jehovain, priftërinjtë mund të pranonin vetëm oferta të një cilësie të mirë. Mielli i ofertave të drithit duhej bluar imët dhe kafshët për sakrificë duhej të ishin pa asnjë të metë.—Levitiku 2:1; 22:18-20; Malakia 1:6-8.
11. (a) Çfarë bëhej me gjakun e sakrificave të kafshëve dhe çfarë tregonte kjo? (b) Cila është pikëpamja e Perëndisë për gjakun e kafshëve dhe të njeriut?
11 Gjaku i këtyre sakrificave çohej në altar. Ai shërbente për ta kujtuar kombin ditë pas dite se ishin mëkatarë, që kishin nevojë për një shpengues, gjaku i derdhur i të cilit mund t’i shlyente ata përgjithmonë nga mëkatet e tyre dhe t’i shpëtonte nga vdekja. (Romakëve 7:24, 25; Galatasve 3:24; krahaso Hebrenjve 10:3.) Gjithashtu, ky përdorim i shenjtë i gjakut i kujtonte izraelitët se gjaku përfaqëson jetën dhe se ajo i përket Perëndisë. Çdo përdorim tjetër i gjakut nga njerëzit, ka qenë gjithmonë i ndaluar nga Perëndia.—Zanafilla 9:4; Levitiku 17:10-12; Veprat 15:28, 29.
Dita e Shlyerjes
12, 13. (a) Çfarë ishte Dita e Shlyerjes? (b) Çfarë duhej të bënte kryeprifti, përpara se të sillte gjakun në dhomën Më të Shenjtë?
12 Një herë në vit, në atë që quhej Dita e Shlyerjes, i gjithë kombi i Izraelit, duke përfshirë edhe banorët e huaj që adhuronin Jehovain, duhej të linin të gjitha punët e të agjëronin. (Levitiku 16:29, 30) Në këtë ditë të rëndësishme, kombi pastrohej në mënyrë figurative nga mëkati, me qëllim që të gëzonte marrëdhënie paqësore me Perëndinë edhe gjatë vitit tjetër. Le të përfytyrojmë skenën dhe të shqyrtojmë disa nga gjërat më kryesore!
13 Kryeprifti ndodhet në oborrin e tabernakullit. Pasi është larë në legenin me ujë, ai ther një dem për sakrificë. Gjaku i demit hidhet në një tas dhe do të përdoret në një mënyrë të veçantë si shlyerje për mëkatet e fisit priftëror të Levit. (Levitiku 16:4, 6, 11) Por në fillim, përpara se të shkojë më tej me sakrificën, kryeprifti duhet të bëjë diçka tjetër. Ai merr ca temjan të parfumuar (duke e hedhur mbase në një lloj garuzhdeje) dhe copa të përskuqura qymyri nga altari në një mbajtëse zjarri. Tani, ai hyn në pjesën e Shenjtë dhe shkon drejt perdes së pjesës Më të Shenjtë. Kalon me ngadalë rreth e qark perdes dhe qëndron para arkës së besëlidhjes. Më pas, larg syve të njerëzve të tjerë, ai hedh temjan mbi qymyret flakëruese dhe një shtëllungë me aromë të këndshme mbush pjesën Më të Shenjtë.—Levitiku 16:12, 13.
14. Përse kryeprifti duhej të hynte në dhomën Më të Shenjtë me gjakun e dy kafshëve të ndryshme?
14 Tani Perëndia është i gatshëm të tregojë mëshirë dhe në mënyrë figurative të pajtohet. Për këtë arsye, kapaku i Arkës është quajtur «ndenjëse mëshire» ose «kapak pajtues». (Hebrenjve 9:5, shënimi, BR) Kryeprifti del nga e Shenjta e të Shenjtëve, merr gjakun e demit dhe hyn përsëri në dhomën Më të Shenjtë. Siç urdhërohet në Ligj, ai zhyt gishtin në gjak dhe spërkat shtatë herë para kapakut të Arkës. (Levitiku 16:14) Pas kësaj, kthehet në oborr dhe ther një dhi, e cila është një ofertë për mëkatin ‘e popullit’. Merr me vete pak nga gjaku i dhisë dhe shkon në dhomën Më të Shenjtë e bën me të po ashtu siç bëri me gjakun e demit. (Levitiku 16:15) Në Ditën e Shlyerjes bëheshin edhe shërbime të tjera të rëndësishme. Për shembull, kryeprifti duhej të vinte duart e tij mbi kokën e një dhie tjetër dhe të rrëfente mbi të «tërë padrejtësitë e bijve të Izraelit». Pas kësaj, kjo dhi e gjallë lëshohej në shkretëtirë për të larguar në kuptim figurativ mëkatet e kombit. Në këtë mënyrë, çdo vit bëhej shlyerja «për priftërinjtë dhe për tërë popullin e asamblesë».—Levitiku 16:16, 21, 22, 33.
15. (a) Në ç’mënyrë tempulli i Solomonit ishte i ngjashëm me tabernakullin? (b) Çfarë thotë libri i Hebrenjve për shërbimin e shenjtë që kryhej si në tabernakull, ashtu edhe në tempull?
15 Për 486 vjetët e parë të historisë së Izraelit si popull i besëlidhjes me Perëndinë, tabernakulli i lëvizshëm u shërbeu atyre si vend për të adhuruar Jehovain, Perëndinë e tyre. Pastaj, Solomonit nga Izraeli iu dha privilegji për të ndërtuar një strukturë të qëndrueshme. Megjithëse ky tempull do të ishte më i madh dhe i punuar më me kujdes, plani i siguruar hyjnor ndoqi të njëjtin model si të tabernakullit. Ashtu si tabernakulli, ai ilustronte një përgatitje më të madhe dhe më të efektshme për adhurimin që «ngriti Perëndia e jo njeriu».—Hebrenjve 8:2, 5; 9:9, 11.
Tempulli i parë dhe i dytë
16. (a) Çfarë kërkese të dashur bëri Solomoni, kur dedikoi tempullin? (b) Si tregoi Jehovai se e pranoi lutjen e Solomonit?
16 Në dedikimin e atij tempulli të lavdishëm, Solomoni përfshiu edhe këtë kërkesë të frymëzuar: «Kur i huaji, që nuk i përket popullit të Izraelit, do të vijë nga një vend i largët, për shkak të emrit tënd të madh, . . . kur do të vijë të të lutet, duke u kthyer nga ky tempull, ti dëgjo nga qielli, nga vendi i banesës sate dhe jepi të huajit ato që të kërkon, me qëllim që tërë popujt e tokës të njohin emrin tënd dhe të kenë frikë nga ti, ashtu si bën populli yt i Izraelit dhe të dinë që emri yt përmendet në këtë tempull që kam ndërtuar.» (2. Kronikave 6:32, 33) Perëndia tregoi në mënyrë të qartë se e pranoi lutjen e dedikimit të bërë nga Solomoni. Një vetëtimë zjarri ra nga qielli e përpiu sakrificat e kafshëve, që ishin mbi altar dhe lavdia e Jehovait mbushi tempullin.—2. Kronikave 7:1-3.
17. Çfarë ndodhi përfundimisht me tempullin që ndërtoi Solomoni dhe përse?
17 Mjerisht, izraelitët e humbën frikën e tyre të shëndetshme ndaj Jehovait. Me kalimin e kohës, ata e përdhosën emrin e tij të madh përmes gjakderdhjes, idhujtarisë, tradhtisë bashkëshortore, gjaktrazimit dhe përmes keqtrajtimit të jetimëve, të vejushave dhe të të huajve. (Ezekieli 22:2, 3, 7, 11, 12, 26, 29) Kështu, në vitin 607 p.e.s., Perëndia dha gjykimin, duke çuar ushtritë babilonase për të shkatërruar tempullin. Izraelitët që mbijetuan u morën robër në Babiloni.
18. Cilat privilegje u shpalosën në tempullin e dytë për disa burra joizraelitë, të cilët e mbështetën me gjithë zemër adhurimin e Jehovait?
18 70 vjet më vonë, mbetja e hebrenjve të penduar u kthye në Jerusalem dhe pati privilegjin për të rindërtuar tempullin e Jehovait. Është interesante se për shërbimin në këtë tempull të dytë, priftërinjtë dhe levitët ishin me pakicë. Si rezultat, nethinimët, të cilët vinin nga skllevërit joizraelitë të tempullit, morën privilegje më të mëdha si shërbëtorë në shtëpinë e Perëndisë. Megjithatë, ata nuk u bënë asnjëherë të barabartë me priftërinjtë dhe levitët.—Ezdra 7:24; 8:17, 20.
19. Çfarë premtimi bëri Perëndia në lidhje me tempullin e dytë dhe si u bënë të vërteta këto fjalë?
19 Në fillim, u duk se tempulli i dytë nuk do të ishte asgjë në krahasim me të parin. (Hageu 2:3) Por Jehovai premtoi: «Do t’i bëj të dridhen gjithë kombet; dëshira e gjithë kombeve do të vijë dhe unë do ta mbush këtë tempull me lavdi, . . . Lavdia e këtij tempulli të fundit do të jetë më e madhe nga ajo e të mëparshmit.» (Hageu 2:7, 9) Siç ishte parathënë, tempulli i dytë mori lavdi më të madhe. Ai qëndroi 164 vjet më shumë dhe shumë më tepër adhurues nga shumë më tepër vende u grumbulluan në oborret e tij. (Krahaso Veprat 2:5-11.) Restaurimi i tempullit të dytë filloi në ditët e mbretit Herod dhe oborret e tij u zgjeruan. I ngritur në një platformë masive prej guri dhe i rrethuar nga kolona të bukura, ai konkuronte në madhësi me tempullin origjinal të ndërtuar nga Solomoni. Ai përfshinte edhe një oborr të jashtëm të madh për njerëzit e kombeve, që dëshironin të adhuronin Jehovain. Një pengesë guri e ndante këtë oborr, të quajtur Oborri i Paganëve nga oborret e brendshme të rezervuara vetëm për izraelitët.
20. (a) Ç’dallim i qartë shënonte rindërtimin e tempullit? (b) Ç’gjë tregoi se hebrenjtë kishin një pikëpamje të shtrembër për tempullin dhe çfarë bëri Jezui në përgjigje të kësaj?
20 Ky tempull i dytë kishte një dallim të madh, pasi kishte Birin e Perëndisë, Jezu Krishtin, që mësonte brenda oborreve të tij. Por, ashtu si me tempullin e parë, hebrenjtë në përgjithësi nuk kishin një pikëpamje të përshtatshme për privilegjin e tyre për të qenë kujdestarë të shtëpisë së Perëndisë. Në fakt, ata lejuan edhe tregtarët të bënin tregti në oborrin e paganëve. Për më tepër, njerëzit lejoheshin ta përdornin tempullin si një rrugë për shkurt, kur transportonin sende nëpër Jerusalem. Katër ditë para vdekjes së tij, Jezui pastroi tempullin nga këto praktika botërore, ndërsa vazhdonte të thoshte: «Vallë nuk është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjitha kombet’? Ju, përkundrazi, e keni bërë shpellë kusarësh!»—Marku 11:15-17.
Perëndia e braktis njëherë e përgjithmonë shtëpinë e tij tokësore
21. Çfarë tregoi Jezui në lidhje me tempullin e Jerusalemit?
21 Për shkak të veprimit të guximshëm të Jezuit në mbrojtje të adhurimit të pastër të Perëndisë, udhëheqësit fetarë hebrenj kishin vendosur ta vrisnin. (Marku 11:18) Duke ditur se së shpejti do të vritej, Jezui u tha udhëheqësve fetarë hebrenj: «Shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.» (Mateu 23:37, 38) Me anë të kësaj, ai tregoi se së shpejti Perëndia nuk do ta pranonte më mënyrën e adhurimit të praktikuar në tempullin fizik në Jerusalem. Ai nuk do të ishte më «shtëpi e lutjes për të gjitha kombet». Kur dishepujt i treguan Jezuit ndërtesat e mrekullueshme të tempullit, ai tha: «A nuk i shikoni ju të gjitha këto? . . . Këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet.»—Mateu 24:1, 2.
22. (a) Si u përmbushën fjalët e Jezuit mbi tempullin? (b) Çfarë kërkuan të krishterët e hershëm, në vend të përqendrimit të shpresave të tyre në një qytet tokësor?
22 Profecia e Jezuit u përmbush 37 vjet më vonë, në vitin 70 të e.s., kur ushtritë romake shkatërruan Jerusalemin dhe tempullin e tij. Kjo gjë siguroi një provë të dukshme se Perëndia me të vërtetë e kishte braktisur shtëpinë e tij fizike. Jezui asnjëherë nuk paratha rindërtimin e një tempulli tjetër në Jerusalem. Në lidhje me atë qytet tokësor, apostulli Pavël u shkroi të krishterëve hebrenj: «Nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.» (Hebrenjve 13:14) Të krishterët e hershëm shikonin përpara për t’u bërë pjesë e ‘Jerusalemit qiellor’, që është Mbretëria e Perëndisë ngjashëm një qyteti. (Hebrenjve 12:22) Në këtë mënyrë, adhurimi i vërtetë i Jehovait nuk përqendrohet më në ndonjë tempull fizik në tokë. Në artikullin vijues, do të shqyrtojmë përgatitjen më të madhe që ka bërë Perëndia, për të gjithë ata që dëshirojnë ta adhurojnë «me frymë dhe në të vërtetën».—Gjoni 4:21, 24.
Pyetje për rishikim
◻ Çfarë marrëdhënieje humbën Adami dhe Eva me Perëndinë?
◻ Përse duhet të na interesojnë veçoritë e tabernakullit?
◻ Çfarë mësojmë nga aktiviteti në oborrin e tabernakullit?
◻ Përse Perëndia lejoi që tempulli i tij të shkatërrohej?
[Figurat në faqet 10, 11]
Tempull i rindërtuar nga Herodi
1. Më e Shenjta
2. E Shenjta
3. Altari i flijimeve të djegura
4. Deti i shkrirë
5. Oborri i priftërinjve
6. Oborri i Izraelit
7. Oborri i grave