A ke «një qëndrim pritës»?
«Ç’lloj personash duhet të jeni ju në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devocionit hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait!»—2 PJETRIT 3:11, 12.
1, 2. Si mund ta ilustrojmë ‘qëndrimin pritës’ që duhet të kemi për ditën e Jehovait?
PËRFYTYRO një familje që po pret mysafirë për darkë. Koha e caktuar kur ata duhet të vijnë po afrohet me shpejtësi. Gruaja është e zënë me përgatitjet e fundit të ushqimit. Burri dhe fëmijët po ndihmojnë për t’u siguruar që gjithçka të jetë në rregull. Të gjithë janë entuziastë. Po, e gjithë familja mezi pret ardhjen e mysafirëve dhe mendon me entuziazëm për vaktin e shijshëm dhe për shoqërinë e shkëlqyer që e pret.
2 Si të krishterë, po presim diçka edhe më të rëndësishme. Çfarë? Të gjithë po presim ‘ditën e Jehovait’. Derisa të vijë ajo ditë, duhet të jemi si profeti Mikea, i cili tha: «Unë do t’i mbaj sytë te Jehovai. Do të tregoj një qëndrim pritës për Perëndinë e shpëtimit tim.» (Mikea 7:7, BR) A nënkupton kjo që të mos bëjmë asgjë? Jo. Ka shumë punë për të bërë.
3. Çfarë qëndrimi duhet të kenë të krishterët sipas 2 Pjetrit 3:11, 12?
3 Apostulli Pjetër na ndihmon të kemi qëndrimin e duhur ndërsa presim. Ai thotë: «Ç’lloj personash duhet të jeni ju në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devocionit [përkushtimit] hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait!» (2 Pjetrit 3:11, 12) Vërejmë se këtu Pjetri nuk po bënte një pyetje, por një thirrje. Në të dyja letrat e tij të frymëzuara nga Perëndia, Pjetri përshkroi se ç’lloj personash duhet të jenë të krishterët. Gjithashtu i këshilloi që të vazhdonin të kryenin ‘vepra të shenjta sjelljeje dhe veprime të përkushtimit hyjnor’. Edhe pse kishin kaluar rreth 30 vjet që kur Jezu Krishti u kishte treguar shenjën «e përfundimit të sistemit», të krishterët nuk duhej ta ulnin vigjilencën. (Mateu 24:3) Ata duhej ‘të pritnin dhe ta mbanin gjithnjë në mend’ praninë e ditës së Jehovait.
4. Çfarë përfshin ‘të mbajmë gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’?
4 Termi grek që këtu është përkthyer «duke e mbajtur gjithnjë në mend» fjalë për fjalë do të thotë «të shpejtosh». Patjetër që nuk mund ‘ta shpejtojmë’ në kuptimin e mirëfilltë ditën e Jehovait. Madje ne ‘nuk dimë as ditën, as orën’ kur do të vijë Jezu Krishti për të ekzekutuar gjykimin ndaj armiqve të Atit të tij. (Mateu 24:36; 25:13) Një vepër referimi shpjegon se rrënja e foljes «të shpejtosh» këtu ka kuptimin «‘të nxitosh’ e prandaj lidhet ngushtë me ‘të qenët të zellshëm, aktivë, të shqetësuar për diçka’». Kështu Pjetri po i nxiste bashkëbesimtarët të dëshironin me zjarr praninë e ditës së Jehovait. Mund ta bënin këtë duke e mbajtur vazhdimisht në mend këtë prani. (2 Pjetrit 3:12) Meqë «dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit [Jehovait, BR]» tani është kaq afër, edhe ne duhet të kemi të njëjtin qëndrim mendor.—Joeli 2:31.
Të presim duke bërë «vepra të shenjta sjelljeje»
5. Si mund ta tregojmë se dëshirojmë me zjarr të shohim ‘ditën e Jehovait’?
5 Në qoftë se dëshirojmë me zjarr të mbijetojmë në ditën e Jehovait, do ta bëjmë këtë gjë të dukshme duke bërë ‘vepra të shenjta sjelljeje dhe veprime të përkushtimit hyjnor’. Shprehja «vepra të shenjta sjelljeje» mund të na sjellë në mendje këshillën e Pjetrit: «Si fëmijë të bindur, mjaft u formuat sipas dëshirave që kishit më parë, në padijen tuaj, por në përputhje me të Shenjtin që ju thirri, bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: ‘Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.’»—1 Pjetrit 1:14-16.
6. Çfarë duhet të bëjmë për të qenë të shenjtë?
6 Për të qenë të shenjtë, duhet të mbahemi të pastër fizikisht, mendërisht, moralisht dhe frymësisht. A po përgatitemi për ‘ditën e Jehovait’ duke qenë gjithnjë të shenjtë si individë që mbajmë emrin e Jehovait? Sot nuk është e lehtë të mbahemi të pastër, sepse normat morale të botës po keqësohen gjithnjë e më shumë. (1 Korintasve 7:31; 2 Timoteut 3:13) A shohim të thellohet hendeku mes normave tona morale dhe atyre të botës? Nëse jo, atëherë kemi arsye për t’u shqetësuar. Mos vallë normat tona personale, megjithëse janë më të larta se ato të botës, po pësojnë rënie? Po qe se është kështu, duhet që me vendosmëri të ndërmarrim veprime për t’i ndrequr gjërat me qëllim që t’i pëlqejmë Perëndisë.
7, 8. (a) Si mund të na ndodhë që të harrojmë se sa e rëndësishme është që të jemi të angazhuar në «vepra të shenjta sjelljeje»? (b) Çfarë masash për t’u ndrequr mund të nevojiten?
7 Me futjen e pornografisë në Internet dhe meqenëse ajo mund të shihet pa u rënë në sy të tjerëve, disa që më parë nuk kishin mundësi të shihnin materiale të tilla imorale, tani kanë «një pafundësi mundësish seksuale», siç thotë një mjek. Nëse do të kërkonim faqe Interneti me materiale të tilla të papastra, patjetër që do të ishim duke shpërfillur urdhrin biblik për ‘të mos prekur asgjë të papastër’. (Isaia 52:11) A do të ishim vërtet «duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait»? Apo mos ndoshta në mendjen tonë do të ishim duke e shtyrë për më vonë atë ditë, duke arsyetuar që, ndonëse po e ndotim mendjen me material të ndyrë, prapëseprapë kemi kohë për t’u pastruar? Në rast se kemi një problem në këtë pikë, është urgjente që t’i kërkojmë Jehovait ‘t’i largojë sytë tanë për të mos parë atë që është e pavlerë dhe të na ruajë gjallë në udhët e tij’!—Psalmi 119:37, BR.
8 Shumica dërrmuese e Dëshmitarëve të Jehovait, të rinj e të moshuar, po u përmbahen fortësisht normave të larta morale të Perëndisë dhe po i shmangin joshjet imorale të kësaj bote. Të vetëdijshëm për urgjencën e kohëve tona dhe për paralajmërimin e Pjetrit se «dita e Jehovait do të vijë si një hajdut», ata vazhdojnë të kryejnë «vepra të shenjta sjelljeje». (2 Pjetrit 3:10) Me veprimet e tyre tregojnë se janë «duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait».a
Të presim duke bërë «veprime të përkushtimit hyjnor»
9. Për çfarë veprimesh duhet të na nxitë përkushtimi hyjnor?
9 Nëse duam ta mbajmë në mendje ditën e Jehovait, janë jetësore edhe ‘veprimet e përkushtimit hyjnor’. Përkushtimi hyjnor përfshin një nderim të thellë për Perëndinë që na nxit të bëjmë atë që është e pëlqyeshme në sytë e tij. Marrëdhënia besnike që kemi me Jehovain është forca motivuese që qëndron pas këtyre veprimeve të përkushtimit hyjnor. Vullneti i tij është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Timoteut 2:4) Perëndia «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim». (2 Pjetrit 3:9) Atëherë, a nuk duhet të na nxitë përkushtimi hyjnor që t’i shtojmë përpjekjet për t’i ndihmuar njerëzit që të mësojnë për Jehovain dhe ta imitojnë atë?—Efesianëve 5:1.
10. Pse duhet të ruhemi nga «fuqia mashtruese e pasurisë»?
10 Jeta jonë do të jetë e mbushur me veprime të përkushtimit hyjnor po qe se kërkojmë më parë Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 6:33) Kjo gjë përfshin që të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për gjërat materiale. Jezui paralajmëroi: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka bollëk, jeta e tij nuk vjen nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Edhe pse ndoshta s’arrijmë ta përfytyrojmë që të na verbojë dashuria për para, bëjmë mirë të mbajmë parasysh se «ankthi i këtij sistemi dhe fuqia mashtruese e pasurisë» mund ‘ta mbytin fjalën’ e Perëndisë. (Mateu 13:22) Mbase nuk është e lehtë të sigurojmë mjetet e jetesës. Prandaj, në disa vende të botës, shumë veta arsyetojnë se për të pasur një jetë më të mirë duhet të shkojnë në një vend më të pasur, ndoshta duke jetuar larg familjes për disa vjet. Madje edhe disa nga populli i Perëndisë kanë arsyetuar në këtë mënyrë. Duke shkuar në një vend tjetër ata mund të arrijnë t’i sigurojnë familjes pajisje moderne dhe kushte të rehatshme jetese. Megjithatë, çfarë mund t’i ndodhë gjendjes frymore të njerëzve të tyre të dashur që kanë lënë në shtëpi? A do të kenë gjendjen frymore që nevojitet për të mbijetuar në ditën e Jehovait, në qoftë se nuk ushtrohet kryesia e duhur në shtëpi?
11. Si e tregoi një emigrant se veprimet e përkushtimit hyjnor janë më të rëndësishme se pasuria?
11 Një emigrant filipinas e mësoi të vërtetën biblike prej Dëshmitarëve të Jehovait në Japoni. Sapo mësoi në Bibël përgjegjësitë që ka kreu i shtëpisë, e kuptoi se duhej të ndihmonte pjesëtarët e familjes së tij që të bëheshin adhurues të Jehovait. (1 Korintasve 11:3) Gruaja që ndodhej në Filipine, e kundërshtoi shumë besimin e tij të sapogjetur. Ajo donte që ai të vazhdonte t’u dërgonte para, në vend që të kthehej në shtëpi për t’i mësuar familjes bindjet e tij të bazuara në Bibël. Por i nxitur nga urgjenca e kohëve dhe nga shqetësimi për njerëzit e tij të dashur, ai u kthye në shtëpi. Durimi që shfaqi duke i trajtuar me dashuri pjesëtarët e familjes u shpërblye. Me kalimin e kohës, familja e tij u bashkua në adhurimin e vërtetë dhe gruaja filloi shërbimin në kohë të plotë.
12. Pse duhet të vëmë në vend të parë në jetë interesat frymore?
12 Gjendja jonë është e ngjashme me atë të individëve që ndodhen në një ndërtesë që ka marrë zjarr. A do të ishte e mençur të vraponim me rrëmbim andej-këtej, me qëllim që të nxirrnim gjëra materiale nga ndërtesa që po digjet e është gati të shembet? Në vend të kësaj, a nuk do të ishte më e rëndësishme të shpëtonim jetë njerëzish—jetën tonë, të familjes e të njerëzve të tjerë që ndodhen në ndërtesë? E pra, ky sistem i lig po shkon me shpejtësi drejt shkatërrimit dhe njerëzit rrezikojnë të humbin jetën. Duke e kuptuar këtë, patjetër që duhet të vëmë në vend të parë interesat frymore dhe të përqendrohemi me zell në veprën jetëshpëtuese të predikimit të Mbretërisë.—1 Timoteut 4:16.
Duhet të jemi «të panjollë»
13. Në ç’gjendje duhet të jemi kur të vijë dita e Jehovait?
13 Pjetri vazhdon të theksojë se është e rëndësishme që të mbajmë një qëndrim pritës dhe thotë: «O të dashur, meqenëse pritni këto gjëra, bëni çmos që së fundi të gjendeni prej [Perëndisë] të panjollë, të patëmetë dhe në paqe.» (2 Pjetrit 3:14) Përveç këshillës për të qenë të angazhuar në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor, Pjetri thekson se është e rëndësishme që në fund Jehovai të na gjejë individë të pastruar nga gjaku i çmuar i Jezuit. (Zbulesa 7:9, 14) Kjo kërkon që individi të tregojë besim në flijimin e Jezuit dhe të bëhet një shërbëtor i kushtuar e i pagëzuar i Jehovait.
14. Çfarë do të thotë të jemi «të panjollë»?
14 Pjetri na nxit të bëjmë çmos që të gjendemi «të panjollë». A po i mbajmë të panjolla ose të pandotura nga bota veshjet tona të sjelljes dhe të personalitetit të krishterë? Kur vëmë re një njollë te rrobat tona menjëherë përpiqemi që ta heqim. Nëse njolla është te një veshje që na pëlqen shumë, tregojmë kujdes të veçantë për ta pastruar. A ndihemi njësoj në qoftë se veshjet tona të krishtere ndoten, si të thuash, për shkak të ndonjë të mete në personalitetin ose në sjelljen tonë?
15. (a) Pse izraelitët duhej të bënin thekë në cepat e rrobave të tyre? (b) Pse shërbëtorët e Jehovait në ditët e sotme dallohen si të ndryshëm?
15 Izraelitët duhej të bënin «thekë në cepat e rrobave të tyre» dhe ‘të vinin në çdo cep një kordon me ngjyrë manushaqeje [blu, BR]’. Përse? Në këtë mënyrë do të kujtonin urdhërimet e Jehovait, do t’u bindeshin atyre dhe ‘do të ishin të shenjtë’ për Perëndinë e tyre. (Numrat 15:38-40) Si shërbëtorë të Jehovait në ditët e sotme dallohemi si të ndryshëm nga bota, sepse zbatojmë ligjet dhe parimet hyjnore. Për shembull, mbahemi të pastër moralisht, respektojmë shenjtërinë e gjakut dhe shmangim idhujtarinë e çdo lloji. (Veprat 15:28, 29) Shumë veta na respektojnë për vendosmërinë që kemi për t’u mbajtur të pandotur.—Jakovit 1:27.
Duhet të jemi «të patëmetë»
16. Çfarë nënkupton që të qëndrojmë «të patëmetë»?
16 Pjetri thotë edhe se duhet të gjendemi «të patëmetë». Si mund të arrihet kjo? Në përgjithësi një njollë mund të hiqet ose të pastrohet, por të kesh ‘të meta’ nënkupton një gjë më të rëndë. Ajo tregon se diçka përbrenda nuk shkon, është e gabuar. Apostulli Pavël i këshilloi të bashkëkrishterët në Filipi: «Vazhdoni të bëni çdo gjë pa murmuritje dhe pa debate, që të jeni të paqortueshëm dhe të pafaj, fëmijë të Perëndisë pa asnjë të metë mes një brezi dredharak e të shtrembër, mes të cilit ju po shkëlqeni si ndriçues në botë.» (Filipianëve 2:14, 15) Në rast se e ndjekim këtë këshillë do t’i shmangim murmuritjet e debatet dhe do t’i shërbejmë Perëndisë me një motiv të pastër. Do ta predikojmë ‘këtë lajm të mirë të mbretërisë’ të nxitur nga dashuria për Jehovain dhe për të afërmin. (Mateu 22:35-40; 24:14) Për më tepër do të vazhdojmë ta shpallim lajmin e mirë edhe pse njerëzit në përgjithësi mund të mos e kuptojnë përse vullnetarisht harxhojmë kohën dhe përpjekjet për të ndihmuar të tjerët që të mësojnë për Perëndinë dhe për Fjalën e tij, Biblën.
17. Cili duhet të jetë motivi ynë kur synojmë për privilegje në kongregacionin e krishterë?
17 Duke qenë se dëshirojmë të gjendemi «të patëmetë», duhet të shqyrtojmë motivet që kemi në çdo gjë që bëjmë. Nuk i bëjmë më gjërat si bota për arsye egoiste, siç janë përpjekjet për të fituar pasuri ose pushtet. Në qoftë se synojmë për privilegje në kongregacionin e krishterë, le të vazhdojmë të kemi motive të pastra dhe gjithnjë le të nxitemi nga dashuria për Jehovain dhe për të tjerët! Është inkurajuese të shohësh burra frymorë ‘që synojnë detyrën e mbikëqyrësit’ me gëzim e me dëshirën e përulur për t’i shërbyer Jehovait dhe bashkëbesimtarëve. (1 Timoteut 3:1; 2 Korintasve 1:24) Në fakt ata që janë të kualifikuar për të shërbyer si pleq e ‘kullotin kopenë e Perëndisë . . . vullnetarisht; as nga dashuria për fitim të pandershëm, por me gatishmëri; as duke u sjellë si padronë me ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por duke u bërë shembuj për kopenë’.—1 Pjetrit 5:1-4.
Duhet të jemi «në paqe»
18. Për cilat cilësi njihen mirë Dëshmitarët e Jehovait?
18 Së fundi Pjetri na thotë që të gjendemi «në paqe». Që të jetojmë sipas kësaj kërkese duhet të jemi në paqe me Jehovain dhe me të afërmin. Pjetri thekson se është e rëndësishme që të kemi «dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin» dhe të ruajmë paqen me të bashkëkrishterët. (1 Pjetrit 2:17; 3:10, 11; 4:8; 2 Pjetrit 1:5-7) Për të ruajtur paqen duhet të kemi dashuri mes nesh. (Gjoni 13:34, 35; Efesianëve 4:1, 2) Dashuria dhe paqja që kemi janë të dukshme sidomos kur mbahen kongreset ndërkombëtare. Në një kongres në Kosta-Rikë në vitin 1999, një shitës në aeroport u mërzit, sepse Dëshmitarët vendës, të cilët po u jepnin mirëseardhjen delegatëve që vinin, padashur ia zunë pamjen vendit të tij të punës. Megjithatë, ditën e dytë, ai vuri re dashurinë dhe paqen që Dëshmitarët vendës shfaqën gjatë mirëseardhjes entuziaste që u dhanë delegatëve, ndonëse nuk i njihnin individualisht. Ditën e fundit edhe shitësi u dha mirëseardhjen delegatëve dhe kërkoi një studim biblik.
19. Pse është jetësore të ndjekim udhën e paqes me bashkëbesimtarët?
19 Sinqeriteti me të cilin ndjekim udhën e paqes me vëllezërit frymorë dhe motrat frymore mund të tregojë në njëfarë mase me sa gatishmëri po e presim ditën e Jehovait dhe botën e re që ka premtuar. (Psalmi 37:11; 2 Pjetrit 3:13) Ta zëmë se e kemi të vështirë të ruajmë paqen me një bashkëbesimtar. A mund ta përfytyrojmë veten duke banuar me të paqësisht në Parajsë? Në rast se një vëlla ka diçka kundër nesh, duhet që menjëherë ‘të bëjmë paqe me të’. (Mateu 5:23, 24) Është jetësore të veprojmë kështu po qe se duam të jemi në paqe me Jehovain.—Psalmi 35:27; 1 Gjonit 4:20.
20. Në cilat mënyra duhet të tregojmë «një qëndrim pritës»?
20 Individualisht, a ‘po e presim dhe a po e mbajmë gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’? Dëshirën e zjarrtë për të parë fundin e ligësisë e tregojmë duke qëndruar të shenjtë në këtë botë imorale. Për më tepër, dëshira e flaktë për ardhjen e ditës së Jehovait dhe për jetën nën sundimin e Mbretërisë bëhet e dukshme nga veprimet e përkushtimit hyjnor. Gjithashtu, pritjen për të jetuar në botën e re paqësore e pasqyrojmë duke ndjekur paqen sot me bashkadhuruesit tanë. Nëpërmjet këtyre mënyrave tregojmë se kemi «një qëndrim pritës» dhe jemi «duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait».
[Shënimi]
a Për shembuj të tillë, shih Kullën e Rojës, 1 janar 2000, faqja 16 dhe Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1997, faqja 51, anglisht.
A ju kujtohet?
• Çfarë do të thotë ta mbajmë «gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait»?
• Si shfaqim «një qëndrim pritës» me sjelljen tonë?
• Pse ‘veprimet e përkushtimit hyjnor’ janë jetësore?
• Çfarë duhet të bëjmë që të gjendemi nga Jehovai «të panjollë, të patëmetë dhe në paqe»?
[Figura në faqen 11]
«Një qëndrim pritës» pasqyrohet në veprat e shenjta të sjelljes
[Figurat në faqen 12]
Vepra e predikimit të Mbretërisë është jetëshpëtuese
[Figura në faqen 14]
Ndërsa presim ditën e Jehovait, le të ndjekim udhën e paqes me të tjerët