ABIRAMI
[ati është i lartë (i lartësuar)].
1. Rubenit, biri i Eliabit; vëllai i Datanit dhe i Nemuelit. Ai ishte kreu i një prej familjeve të Rubenit dhe një nga njerëzit e rëndësishëm në Izrael në kohën e Daljes nga Egjipti.—Nu 26:5-9.
Abirami dhe vëllai i tij, Datani, mbështetën levitin Korah kur ngriti krye kundër autoritetit të Moisiut dhe të Aaronit. Në hapat e parë të rebelimit përmendet edhe një rubenit i tretë me emrin On, por më pas ai nuk përmendet më. (Nu 16:1) Ata mblodhën një grup prej 250 krerësh të asamblesë, «burra me emër», dhe akuzuan Moisiun e Aaronin se dilnin padrejtësisht mbi kongregacionin. (Nu 16:1-3) Nga fjalët e Moisiut drejtuar Korahut duket qartë se ky i fundit dhe përkrahësit e tij nga radhët e levitëve lakmonin priftërinë që i ishte besuar Aaronit (Nu 16:4-11); kurse me Abiramin dhe Datanin, që ishin rubenitë, ishte ndryshe. Moisiu iu drejtua atyre veçmas, dhe mospranimi për të shkuar tek ai përfshinte akuza që lidheshin vetëm me të dhe aspak me Aaronin. Ata kritikonin mënyrën si e drejtonte Moisiu kombin dhe thanë se ai donte ‘të hiqej si princi i tyre, aq sa ishte bërë i padurueshëm’ e që nuk e kishte mbajtur premtimin se do t’i çonte në një vend ku rridhte qumësht e mjaltë. Edhe në lutjen drejtuar Jehovait për t’iu përgjigjur këtyre akuzave, Moisiu mbrohet lidhur me veprimet e veta, jo ato të Aaronit.—Nu 16:12-15.
Nisur nga këto, duket që rebelimi kishte një qëllim të dyfishtë: ai kishte si synim jo vetëm priftërinë aaronike, por edhe pozitën e Moisiut si ai që kujdesej për zbatimin e udhëzimeve të Perëndisë. (Ps 106:16) Ky mund t’u jetë dukur çasti i volitshëm për të ngjallur mes popullit dëshirën për ndryshim, meqë pak më parë e kishin kritikuar ashpër Moisiun dhe ishin shprehur se do të zgjidhnin në krye dikë tjetër që t’i kthente përsëri në Egjipt; madje arritën deri aty sa kërcënuan Josiun dhe Kalebin se do t’i vritnin me gurë pse mbështetnin Moisiun dhe Aaronin. (Nu 14:1-10) Rubeni ishte djali i parëlindur i Jakobit, por e humbi të drejtën e trashëgimisë si i tillë për shkak të një veprimi të gabuar. (1Kr 5:1) Kështu, me atë që bënë Datani dhe Abirami mund të kenë shprehur mërinë kundër autoritetit që kishte mbi ta leviti Moisi, pasi donin të rifitonin epërsinë e humbur nga stërgjyshi i tyre. Megjithatë, te Numrat 26:9, tregohet se ata nuk po luftonin vetëm kundër Moisiut dhe Aaronit, por edhe «kundër Jehovait», që e kishte vënë Moisiun dhe Aaronin në këto pozita autoriteti.
Përderisa kehathitët (ku bënte pjesë familja e Korahut) fushonin në jug të tabernakullit, në të njëjtin krah ku fushonin edhe rubenitët, ka mundësi që tenda e Korahut të ishte afër tendave të Datanit dhe të Abiramit. (Nu 2:10; 3:29) Në kohën kur Perëndia bëri të ditur gjykimin e tij, Datani dhe Abirami qëndronin në hyrje të tendave të tyre, kurse Korahu me 250 rebelët që e përkrahnin ishin mbledhur në hyrje të tendës së takimit me mbajtëset e temjanit në dorë. Kështu, menjëherë pasi Moisiu i tha pjesës tjetër të popullit të largohej nga tendat e tri nxitësve të rebelimit, Perëndia tregoi se e dënonte qëndrimin e tyre pa respekt, duke bërë që toka të çahej poshtë tendave të tyre. Atëherë toka gëlltiti Datanin dhe Abiramin, si dhe njerëzit e shtëpisë së tre rebelëve. (Nu 16:16-35; Lp 11:6; Ps 106:17) Vdiqën të gjithë edhe nga familja e Korahut, me përjashtim të bijve të tij. Korahu dhe 250 rebelët i përpiu zjarri para tabernakullit. (Nu 16:35; 26:10, 11) Kështu iu dha fund shpejt rebelimit kundër autoritetit të vendosur nga Perëndia dhe, meqenëse Abirami kishte marrë pjesë në të, emri i tij u fshi nga Izraeli.
2. Djali i parëlindur i bethelitit Hiel. Josiu 6:26 flet për betimin e Josiut për qytetin e shkatërruar të Jerikosë, ku parathoshte se kushdo që do ta rindërtonte, do ta paguante me jetën e të parëlindurit të tij. Hieli, i ati i Abiramit, e shpërfilli këtë betim dhe, gjatë mbretërimit të Akabit (rr. 940-920 p.e.s.), pak a shumë pesë shekuj pas kohës së Josiut, hodhi themelet e Jerikosë. Djali i tij, Abirami, me sa duket pati një vdekje të parakohshme dhe dokumentimi historik dëshmon për përmbushjen e profecisë.—1Mb 16:34.