Çfarë kujtonte Josiu?
«MOISIU, shërbëtori im, vdiq,—tha Jehovai,—prandaj çohu, kalo Jordanin, ti dhe gjithë ky popull dhe shko në atë vend që unë u jap atyre, bijve të Izraelit.» (Jozueu 1:2) Sa caktim i vështirë e priste Josiun! Ai kishte qenë ndihmësi i Moisiut për rreth 40 vjet. Tani po i thuhej të vihej në vend të zotërisë së tij dhe të udhëhiqte në Tokën e Premtuar bijtë e Izraelit që shpesh ishin kokëfortë.
Teksa Josiu mendonte për atë që e priste, ndoshta i kalonin në mendje sprovat që tashmë kishte përballuar dhe kapërcyer. Pa dyshim, ajo që kujtonte Josiu ishte për të një ndihmë shumë e çmuar në atë kohë dhe mund të jetë një ndihmë edhe për të krishterët sot.
Nga skllav në komandant
Në kujtesën e Josiut bënin pjesë vite të gjata skllavërie. (Eksodi 1:13, 14; 2:23) Ne vetëm mund të përpiqemi t’i përfytyrojmë se çfarë përvojash pati Josiu gjatë asaj periudhe, sepse në Bibël nuk flitet me hollësi për to. Ndoshta Josiu kishte mësuar të ishte një organizues i aftë kur shërbente në Egjipt dhe mund të ketë ndihmuar në organizimin e largimit nga ai vend të hebrenjve e ‘të një shoqërie të madhe të përzier’.—Eksodi [Dalja] 12:38, BR.
Josiu bënte pjesë në një familje të fisit të Efraimit. Gjyshi i tij, Elishami, ishte prijësi i fisit dhe me sa duket u printe 108.000 burrave të armatosur të njërës prej ndarjeve trifisëshe të Izraelit. (Numrat 1:4, 10, 16; 2:18-24; 1 Kronikave 7:20, 26, 27) Megjithatë, kur amalekitët sulmuan Izraelin menjëherë pas largimit nga Egjipti, për të organizuar mbrojtjen, Moisiu thirri Josiun. (Eksodi 17:8, 9a) Pse Josiun dhe jo, për shembull, gjyshin ose babanë e tij. Një mendim mund të jetë: «Si prijës i fisit të rëndësishëm të Efraimit, si dikush që njihej mirë tashmë për aftësitë e tij organizuese dhe si një person që gëzonte besimin e plotë të popullit, për Moisiun [Josiu] ishte udhëheqësi më i kualifikuar për të zgjedhur dhe për të organizuar luftëtarët.»
Sidoqoftë, kur Josiu u zgjodh, ai bëri pikërisht siç e urdhëroi Moisiu. Edhe pse Izraeli nuk kishte fare përvojë në luftë, Josiu ishte i bindur për ndihmën hyjnore. Prandaj, kur Moisiu i tha «nesër do të jem në majë të kodrës me shkopin e Perëndisë në dorë», kjo i mjaftoi. Josiu duhet të ketë sjellë në mendje se Jehovai sapo kishte asgjësuar fuqinë më të madhe ushtarake të asaj kohe. Të nesërmen, kur Moisiu ngriti duart dhe i mbajti lart deri në perëndim të diellit, asnjë armik nuk mundi t’i bënte qëndresë Izraelit dhe amalekitët u mposhtën. Pastaj Jehovai e urdhëroi Moisiun të shkruante një libër dhe ‘t’i njoftonte Jozueut [Josiut, BR]’ dekretin hyjnor: «Unë do ta fshij fare kujtimin e Amalekut nën qiellin.» (Eksodi 17:9b-14) Po, Jehovai do ta ekzekutonte këtë vendim në mënyrë të pashmangshme.
Si ndihmës i Moisiut
Përvoja me Amalekun duhet të ketë krijuar një lidhje edhe më të ngushtë midis Josiut dhe Moisiut. Josiu kishte nderin të ishte ndihmësi personal ose ‘shërbëtori’ i Moisiut, «që nga djalëria» e deri në vdekjen e Moisiut, një periudhë prej rreth 40 vjetësh.—Numrat 11:28, BR.
Kjo pozitë nënkuptonte privilegje dhe përgjegjësi. Për shembull, kur Moisiu, Aaroni, bijtë e Aaronit dhe 70 pleq të Izraelit u ngjitën në malin Sinai dhe panë një vegim të lavdisë së Jehovait, ndoshta Josiu ishte midis tyre. Si ndihmës i Moisiut, ai e shoqëroi atë më lart në mal dhe me sa duket qëndroi në njëfarë largësie, kur Moisiu hyri brenda resë e cila simbolizonte praninë e Jehovait. Vlen të përmendet që Josiu duket se qëndroi në mal për 40 ditë dhe 40 netë. Me besnikëri priti që zotëria i tij të kthehej, sepse kur Moisiu, me pllakat e Dëshmisë me vete, filloi të zbriste nga mali, Josiu ishte atje për ta takuar.—Eksodi 24:1, 2, 9-18; 32:15-17.
Pas ngjarjes kur Izraeli kreu idhujtari me viçin e artë, Josiu vazhdoi t’i shërbente Moisiut te tenda e mbledhjes jashtë kampit. Atje Jehovai i fliste Moisiut ballë për ballë. Por kur Moisiu kthehej në kamp, Josiu «nuk largohej nga çadra [tenda, BR]». Ndoshta duhej të qëndronte aty që të mos i lejonte të hynin në tendë izraelitët të cilët ishin të papastër. Sa me seriozitet që e mori këtë përgjegjësi Josiu!—Eksodi 33:7, 11.
Shoqëria me Moisiun, i cili, sipas historianit Jozef, ishte 35 vjet më i madh se Josiu, duhet ta ketë forcuar së tepërmi besimin e Josiut. Marrëdhënia e tyre është quajtur «lidhja mes pjekurisë dhe rinisë, mes mësuesit dhe nxënësit», ku përfundimi ishte se Josiu u bë «një burrë i vendosur dhe i besueshëm». Sot, mes nesh nuk kemi profetë si Moisiu, por brenda kongregacioneve të popullit të Jehovait ka vërtet pleq të cilët për shkak të përvojës dhe gjendjes së tyre frymore, përfaqësojnë një burim të vërtetë force dhe inkurajimi. A i çmoni? A po nxirrni dobi nga shoqëria e tyre?
Zbulues në Kanaan
Pak pasi Izraeli mori Ligjin, në jetën e Josiut ndodhi një ngjarje shumë e rëndësishme. Ai u zgjodh për të përfaqësuar fisin e tij në vëzhgimin e Tokës së Premtuar. Historia është shumë e njohur. Të 12 zbuluesit ishin të një mendjeje se vërtet në atë vend ‘rridhte qumësht dhe mjaltë’, pikërisht siç kishte premtuar Jehovai. Megjithatë, dhjetë prej tyre, duke mos pasur besim, kishin frikë se Izraeli nuk do të mund t’i shpronësonte banorët e vendit. Vetëm Josiu dhe Kalebi e nxitën popullin që të mos rebelohej për shkak të frikës, sepse Jehovai do të ishte patjetër me ta. Atëherë, tërë asambleja protestoi dhe foli për t’i goditur pareshtur me gurë ata të dy. Ndoshta do ta kishin bërë këtë, nëse Jehovai nuk do të kishte ndërhyrë me një shfaqje të lavdisë së tij. Për shkak të mungesës së besimit, Perëndia shpalli se askush prej të regjistruarve në Izrael nga mosha 20 vjeç e lart, nuk do të jetonte për të hyrë në Kanaan. Nga këta, mbijetuan vetëm Josiu, Kalebi dhe levitët.—Numrat 13:1-16, 25-29; 14:6-10, 26-30.
A nuk i kishte parë tërë populli veprat e fuqishme të Jehovait në Egjipt? Atëherë, çfarë i dha mundësi Josiut të kishte besim në ndihmën e Perëndisë, ndërsa shumica dyshuan? Josiu duhet të ketë mbajtur qartë në mendje gjithçka që Jehovai kishte premtuar dhe kishte bërë, si dhe duhet të ketë medituar për to. Vite më vonë mundi të thoshte se ‘nuk kishte rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti [Jehovai, BR] kishte thënë lidhur me Izraelin; të tëra u vërtetuan’. (Jozueu 23:14) Pra, Josiu kishte besim se të gjitha premtimet për të ardhmen që kishte bërë Jehovai, do të përmbusheshin patjetër. (Hebrenjve 11:6) Kjo gjë duhet ta bëjë një person të pyesë veten: ‘Po unë? A më kanë bindur përpjekjet që kam përkushtuar në studimin dhe në meditimin mbi premtimet e Jehovait, se këto premtime janë të besueshme? A besoj se Perëndia mund të më mbrojë bashkë me popullin e tij gjatë shtrëngimit të madh që po vjen?’
Josiu jo vetëm që ushtroi besim, por edhe shfaqi guxim për të bërë atë që ishte e drejtë. Vetëm ai dhe Kalebi mbajtën qëndrimin e duhur, kurse tërë asambleja foli për t’i vrarë me gurë. Si do të ishit ndier? Të frikësuar? Josiu nuk u ndie i frikësuar. Ai dhe Kalebi pa u lëkundur thanë atë që besonin. Besnikëria ndaj Jehovait mund të kërkojë që një ditë edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë.
Historia e zbuluesve na tregon edhe se emri i Josiut u ndryshua. Emrit të tij fillestar, Hoshea, që do të thotë «shpëtim», Moisiu i shtoi rrokjen që përshkruan emrin e Perëndisë dhe e quajti Jehosi ose Josi, pra «Jehovai është shpëtim». Septuaginta e përkthen emrin e tij «Jezu». (Numrat 13:8, 16) Në vërtetësi të këtij emri të madh, Josiu shpalli me guxim se Jehovai është shpëtim. Ndryshimi i emrit të Josiut nuk mund të jetë bërë rastësisht. Ai pasqyronte vlerësimin e Moisiut për karakterin e Josiut dhe përputhej me rolin e privilegjuar që do të përmbushte Josiu për të udhëhequr një brez të ri drejt Tokës së Premtuar.
Teksa baballarët e tyre vdiqën njëri pas tjetrit, izraelitët u sorollatën nëpër shkretëtirë për 40 vite të lodhshme. Nuk dimë asgjë për Josiun gjatë kësaj periudhe. Sidoqoftë, ai duhet të ketë mësuar shumë nga kjo përvojë. Ka të ngjarë që të ketë qenë dëshmitar i gjykimit të Perëndisë ndaj rebelëve Kore, Datan dhe Abiram e ndaj ndjekësve të tyre, si dhe ndaj atyre që u zhytën në adhurimin degradues të Baalit të Peorit. Pa dyshim me trishtim të madh, Josiu mësoi që, meqenëse nuk e shenjtëroi emrin e Jehovait, lidhur me ujërat e Meribës, edhe Moisiu nuk do të hynte në vendin e premtuar.—Numrat 16:1-50; 20:9-13; 25:1-9.
I caktuar si pasues i Moisiut
Kur po i afrohej vdekja, Moisiu i kërkoi Perëndisë të caktonte pasuesin e tij në mënyrë që Izraeli të mos bëhej «si një kope pa bari». Cila ishte përgjigjja e Jehovait? Josiu, ‘njeriu brenda të cilit është fryma’, do të caktohej përpara tërë asamblesë. Ata duhej ta dëgjonin. Çfarë rekomandimi! Jehovai kishte parë besimin dhe aftësitë e Josiut. Udhëheqja e Izraelit nuk mund të ishte lënë në duar më të mira. (Numrat 27:15-20) Po ashtu, Moisiu e dinte se Josiu kishte përballuar sfida tepër të mëdha. Prandaj, Moisiu e nxiti pasuesin e tij që të ishte «i fortë dhe trim», sepse Jehovai do të vazhdonte të ishte me të.—Ligji i përtërirë 31:7, 8.
Perëndia vetë i përsëriti Josiut të njëjtin inkurajim dhe shtoi: ‘Vepro sipas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh. A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh.’—Jozueu 1:7-9.
Si mund të dyshonte Josiu duke pasur fjalët e Jehovait që i kumbonin në vesh dhe përvojën që kishte mbledhur tashmë? Pushtimi i vendit iu garantua. Sigurisht që do të shfaqeshin vështirësi, sidomos kalimi i lumit Jordan në kohën që ai vërshonte, do ishte pikërisht sfida e parë. Gjithsesi, vetë Jehovai kishte urdhëruar: «Çohu, kalo Jordanin!» Prandaj, çfarë problemi mund të kishte?—Jozueu 1:2.
Ngjarjet e mëpasshme gjatë jetës së Josiut, si pushtimi i Jerikosë, nënshtrimi hap pas hapi i armiqve dhe ndarja e vendit, zbuluan se ai kurrë nuk i humbi nga sytë premtimet e Perëndisë. Kur ishte në fund të jetës, në kohën kur Jehovai i kishte dhënë Izraelit prehje nga armiqtë e tij, Josiu mblodhi popullin për t’i folur për marrëdhënien që kishin me Jehovain dhe për t’i nxitur që t’i shërbenin Atij me gjithë zemër. Si rrjedhojë, Izraeli e përtëriu në mënyrë solemne besëlidhjen me Jehovain dhe pa dyshim, i frymëzuar nga shembulli i udhëheqësit të tij, «Izraeli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut [Josiut, BR]».—Jozueu 24:16, 31.
Josiu na siguron një shembull të shkëlqyer. Sot, të krishterët hasin prova të shumta besimi. T’i përballojmë ato me sukses është jetësore për të pasur vazhdimisht miratimin e Jehovait dhe për të trashëguar në fund premtimet e tij. Suksesi i Josiut varej nga besimi i tij i fortë. Është e vërtetë se ne nuk kemi parë vepra të fuqishme të Perëndisë ashtu si Josiu, por nëse dikush do të dyshonte, libri biblik që mban emrin e Josiut siguron dëshmi të një dëshmitari okular se fjala e Jehovait është e besueshme. Ashtu si Josiu, edhe neve na garantohet mençuri e sukses nëse lexojmë çdo ditë Fjalën e Perëndisë dhe nëse tregojmë kujdes për ta vënë në praktikë.
A jeni lënduar ndonjëherë nga sjellja e ndonjë të bashkëkrishteri? Mendoni për qëndrueshmërinë e Josiut gjatë 40 viteve kur iu desh, pa pasur asnjë faj ai vetë, të sorollatej në shkretëtirë bashkë me shokët e tij që nuk kishin besim. A ju duket e vështirë të mbroni besimin tuaj? Kujtoni se çfarë bënë Josiu dhe Kalebi. Për besimin dhe bindjen e tyre, ata morën një shpërblim të shkëlqyer. Po, Josiu kishte vërtet besim se Jehovai do t’i përmbushte të gjitha premtimet. Qoftë e vërtetë kjo edhe për ne!—Jozueu 23:14.
[Figura në faqen 10]
Shoqëria me Moisiun ia forcoi besimin Josiut
[Figura në faqen 10]
Josiu dhe Kalebi kishin siguri në fuqinë e Jehovait
[Figura në faqen 10]
Udhëheqja e Josiut e frymëzoi popullin të qëndronte fort pas Jehovait