HORMAHU
[të caktosh për t’u shkatërruar].
Qytet në viset jugore të territorit të Judës (1Kr 4:30). Por ka mundësi që ky emër të përdorej për më shumë se një vend, ndoshta edhe për një rajon.
Pas kthimit të 12 vëzhguesve në Kadesh (Nu 13:26), izraelitët në fillim nuk pranuan ta pushtonin Kanaanin. Pastaj, pasi Jehovai dënoi qëndrimin e tyre rebel dhe mungesën e besimit, izraelitët vendosën të sulmonin, në kundërshtim me udhëzimet e tij. Ata «u çuan herët në mëngjes» që të ngjiteshin atje ku tha Jehovai. Sipas tregimit, u orvatën ‘të ngjiteshin në majë të malit’. (Nu 14:40) Megjithatë, shprehja e tyre «atje ku tha Jehovai» mund të mos tregojë një mal në veçanti, por «rajonin malor të amoritëve», që Moisiu e përmendi kur rikujtoi ato ngjarje. (Lp 1:19-21, 41-43) Në Bibël nuk thuhet sa larg shkuan dhe nuk tregohet nëse veprimet e përshkruara ndodhën brenda një dite a më shumë; megjithatë, nga vargjet duket se ngjarjet ndodhën brenda një periudhe relativisht të shkurtër.
Sido që të ketë qenë, Shkrimet thonë se atyre u dolën përpara amalekitët dhe kananitët (te Lp 1:44, «amoritët», term i përdorur për të treguar popullsinë e Kanaanit në përgjithësi; krahaso Zn 48:22; Js 24:15). Ata i mundën izraelitët dhe i shpërndanë «deri në Hormah». (Nu 14:45) Te Ligji i përtërirë 1:44 thuhet se u shpërndanë «në Seir, deri në Hormah». Seiri ishte territori i edomitëve dhe në atë kohë zotërimet e tyre duket se shtriheshin në perëndim të Vadi-Arabahut deri sa përfshinin rajonin e Negebit. (Krahaso Nu 20:14, 16; Js 11:17.) Pas asaj disfate izraelitët u kthyen në Kadesh.—Lp 1:45, 46.
Kur mbaroi periudha e endjes në shkretëtirë, izraelitët u orvatën të përparonin sërish drejt Kanaanit dhe mbreti kananit i Aradit i sulmoi. (Shih ARADI nr. 2.) Edhe në këtë rast nuk e dimë sa në jug përparoi mbreti i Aradit para se të luftonte kundër izraelitëve, por këta, pasi u zotuan para Jehovait, e mundën atë mbret dhe ‘ia shkatërruan plotësisht qytetet’, prandaj vendin e quajtën «Hormah». (Nu 21:1-3; shih GJË E CAKTUAR.) Moisiu e kishte përmendur këtë emër më parë, kur kishte folur për fitoren e kananitëve kundër Izraelit. Por ka mundësi të ketë vepruar kështu që t’i paraprinte rastit tjetër, kur do ta përmendte në tregim dhe do të shpjegonte origjinën e emrit. (Nu 14:45) Asokohe izraelitët nuk u vendosën në atë rajon, por i ranë rreth e përqark Edomit, u kthyen drejt veriut dhe, pasi kaluan Jordanin në veri të Detit të Vdekur, më në fund u futën në Kanaan.—Nu 21:4; 22:1.
Te Josiu 12:14 «mbreti i Hormahut» renditet pranë mbretit të Aradit, mes 31 mbretërve që mundi Josiu. Duket e pamundur të bëhet fjalë për një fitore të korrur më parë, ndërkohë që Moisiu ishte ende gjallë dhe Josiu shërbente si komandant ushtarak, sepse këto renditen si fitore që u korrën pasi Izraeli kishte kaluar Jordanin e kishte hyrë në Kanaan. (Js 12:7, 8) Edhe pse kjo fitore e Josiut nuk përmendet specifikisht, ajo mund të përfshihet te fjalët e Josiut 10:40-42. Kjo do të tregonte se pasi Izraeli ishte larguar nga ai rajon që t’i binte përqark Edomit, kananitët ishin vendosur përsëri në atë territor. Ndonëse Bibla tregon se Josiu mundi mbretin e Hormahut, nuk thotë se izraelitët e pushtuan qytetin e Hormahut në atë kohë.—Krahaso rastin e Gezerit te Js 12:12; Gjy 1:29.
Hormahu u përfshi në listën e qyteteve që ishin «në skajin e territorit të fisit të bijve të Judës, në drejtim të kufirit me Edomin në jug». (Js 15:21, 30) Megjithatë, iu caktua fisit të Simeonit si qytet-enklavë brenda territorit të Judës. (Js 19:1, 2, 4; krahaso 16:9.) Tregimi thotë thjesht se Josiu mundi mbretin e Hormahut (por nuk përmend ndonjë pushtim të qytetit), prandaj më pas fisi i Judës dhe i Simeonit u bashkuan që ‘të sulmonin kananitët që banonin në Zefat. Ata e shkatërruan atë, prandaj qyteti u quajt Hormah.’ (Gjy 1:17) Emri që i vunë qytetit në atë rast mund të ketë qenë thjesht konfirmim ose përsëritje e emrit që i ishte vënë më parë. Disa mendojnë se në kohën e Moisiut, emri Hormah nuk tregonte vetëm qytetin e Zefatit, por gjithë krahinën ose rajonin. Kjo nënkuptonte se e gjithë krahina ishte caktuar për t’u shkatërruar, pavarësisht se kur do të ndodhte shkatërrimi.—Krahaso Commentary on the Old Testament, nga K. F. Kajli dhe F. Deliçi, 1973, vëll. II, Josiu, Gjykatësit, Rutha, f. 256; shih ZEFATI.
Vendndodhja e Hormahut nuk dihet me saktësi. Ka supozime të ndryshme, por meqë të gjitha vendet e sugjeruara janë mbi 60 km në veri të Kadesh-Barneas, nga ku izraelitët fillimisht u nisën «herët në mëngjes» (Nu 14:40), dhe meqë thuhet se Hormahu ishte vendi deri ku u shpërndanë të mundur e prej nga u kthyen në Kadesh, vështirë se vendndodhje të tilla kaq në veri të përkojnë me tregimin biblik.
Edhe pse në kohën e Davidit ishte ende qytet simeonit, Hormahu ishte një nga vendet ku shkoi Davidi gjatë periudhës së arratisë dhe një nga qytetet që më vonë u dërgoi dhurata.—1Sa 30:26-31; 1Kr 4:24, 28-31.