Cili është qëllimi i Perëndisë për njerëzimin?
1-4. (a) Cili ishte qëllimi fillestar i Perëndisë për njerëzimin? (b) Përse njeriu provoi të mos bindej? (Shiko kutinë, faqe 13.)
PREMTIMI për një botë pa luftë, siç zbulohet tek Isaia 2:2-4 dhe Mikea 4:1-4, jo vetëm që na jep një shpresë me baza për të ardhmen e afërt, por na tregon, gjithashtu, diçka shumë të rëndësishme mbi Krijuesin tonë. Ai është një Perëndi me qëllime. Profecia e Isaisë, kreu 2, është në të vërtetë pjesë e një vargu profecish që fillojnë nga faqet e para të Biblës deri tek faqja e fundit, duke na bërë të qartë se si Perëndia do të realizojë qëllimin e vet fillestar.
2 Kur Perëndia krijoi çiftin e parë njerëzor, u tha qartë se cili ishte qëllimi i tij për ta. Tek Zanafilla, kreu 1, rreshti 28, lexojmë: «Perëndia i bekoi dhe vetë Perëndia u tha: ‘Bëhuni të frytshëm dhe shumohuni, mbusheni tokën dhe nënshtrojeni atë; dhe sundoni mbi peshqit në det, zogjtë në qiell dhe të gjitha gjallesat që zvarriten nëpër tokë.’» Po ta lidhim këtë urdhër me atë çka u deklarua në kreun vijues të Zanafillës—«ZOTI Perëndia e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta punojë dhe të kujdeset për të»—na bëhet e qartë se Perëndia kishte ndër mend që çifti i parë, së bashku me pasardhësit e tij, ta zgjeronte Parajsën jashtë kufijve të kopshtit të Edenit, për të përfshirë më në fund gjithë globin tokësor.a—Zanafilla 2:15.
3 Për sa kohë do të jetonin ata në shtëpinë e tyre parajsore? Nga Shkrimet kuptohet se njeriu u krijua për të jetuar përgjithmonë në tokë. Vdekja do të shfaqej mbi njerëzimin vetëm nëse nuk do t’i bindej Krijuesit të vet, siç lexohet edhe tek Zanafilla kreu 2, vargjet 16 dhe 17: «ZOTI Perëndia e urdhëroi njeriun, duke i thënë: ‘Nga secila pemë në kopsht mund të hash lirisht; por, sa për pemën e njohjes të së mirës dhe së keqes, nga ajo nuk duhet të hash; sepse sapo të hash prej saj, do të vdesësh.’» Është e arsyeshme, pra, të mendojmë se një bindje e vazhdueshme, do të rezultonte me një jetë të vazhdueshme, në ato kushte parajsore.—Psalmi 37:29; Proverbat 2:21, 22.
4 Mirëpo një engjëll, i përmendur më vonë si Satanai (që do të thotë «Kundërshtar»), ndikoi mbi çiftin e parë, me qëllim që të keqpërdorte vullnetin e vet të lirë, duke zgjedhur padëgjueshmërinë ndaj Perëndisë. (Jobi 1:6-12; krahaso Ligji i përtërirë 30:19, 20.) Duke ngjallur iluzionin se po fliste një gjarpër, ky engjëll kryengritës e bindi Evën dhe përmes saj edhe Adamin, se ata do të bëheshin më të mençur dhe jeta e tyre do të bëhej më e plotë po të mos i nënshtroheshin Perëndisë, si Autoritetit më të Madhb. (Zanafilla 3:1-19) Për shkak të kryengritjes së tyre të hapur, u dënuan me vdekje. A do të thotë kjo se qëllimi i Perëndisë për njerëzimin doli i kotë apo dështoi? Jo, përkundrazi, kjo nënkuptoi se duhej një mjet tjetër për të plotësuar qëllimin fillestar të Perëndisë në lidhje me tokën parajsore, të mbushur me njerëz që do t’i gëzoheshin jetës së përhershme. Si do të ndodhte kjo?
Fara e premtuar
5, 6. (a) Çfarë premtoi Perëndia si zgjidhje të problemeve në tokë, të shkaktuara nga kryengritja e njeriut? (b) Çfarë i premtoi Perëndia Abrahamit?
5 Duke shpallur gjykimin mbi ata që morën pjesë në kryengritjen kundër autoritetit të tij, Perëndia Jehova deklaroi se do të ngrinte një «farë» apo «pasardhësin» që do zhdukte dëmet e shkaktuara nga nxitësi i kryengritjes. Me një gjuhë simbolike, Perëndia tha se koka e gjarprit që paraqiste Satanain, do të goditej apo do të shtypej nga Fara dhe kështu do t’i jepej fund ekzistencës dhe kryengritjes së Satanait. Nëpër vite, ky varg i Zanafillës është interpretuar në mënyra të ndryshme dhe kontradiktore. Por, pasi fjala «farë» është përdorur në shumë profeci, premtime të tjera që lidhen me të na zbulojnë domethënien e saj.—Zanafilla 3:15.
6 Termi «farë», lidhet shpesh me kryerjen e qëllimit të Perëndisë për njerëzimin në përgjithësi. Siç shkruhet tek Zanafilla 22:18, Perëndia ia bëri këtë premtim një hebreu besnik, Abrahamit: «Të gjitha kombet e tokës do të bekohen prej pasardhësve [farës, JP] të tu, sepse e ke dëgjuar urdhrin Tim.» (Kursivi është yni) Perëndia tregoi një interes të madh për Abrahamin, një njeri që e kërkonte Atë sipas së vërtetës. Por, edhe pse Perëndia e shpërbleu drejtpërdrejtë Abrahamin, ky varg tregon qartë se Perëndia nuk interesohej vetëm për Abrahamin dhe për pasardhësit e tij truporë. Perëndia mbante mirë në mendje, qëllimin e vet fillestar: një tokë parajsore për gjithë njerëzimin, «të gjitha kombet». Tani po i zbulonte Abrahamit, se për arsye të besnikërisë, ai do të kishte përparësinë për të prodhuar «farën», përmes së cilës do të bekoheshin të gjitha kombet.
7, 8. Në ç’mënyrë u lidh kjo Farë e premtuar me konceptet e mbretërisë dhe Mesisë?
7 Abrahami ishte ati i shumë kombeve të mëdha. (Zanafilla 17:4, 5) Por, Perëndia Jehova tregoi qartë se përmes cilës prej këtyre breznive të pasardhësve, do të vinte Fara e premtuar, duke i sjellë bekime gjithë njerëzimit. (Zanafilla 17:17, 21) Si biri i Abrahamit, Isaku, ashtu dhe nipi i tij Jakobi, u përmendën si pjesë e atij brezi që do të prodhonte «farën». Një prej kombeve që rrodhi nga Abrahami, ishte kombi izraelit, i përbërë nga 12 fise që vinin nga bijtë e Jakobit, nipit të Abrahamit. Në këtë komb më në fund duhej të paraqitej «fara» e premtuar.—Zanafilla 26:1, 4; 28:10, 13-15, JP.
8 Më vonë, profecia zbuloi se një farë e veçantë, apo qeveritar, do të vinte saktësisht prej fisit të Judës. Zanafilla 49:10 thotë: «Purteka s’do të ndahet nga Juda dhe as ligjdhënësi nga mesi i këmbëve të tij, derisa të vijë Shilo; dhe popujt do t’i binden atij.» Komentuesi biblik, Rashi, konstaton se fraza «derisa të vijë Shilo», do të thotë «derisa të vijë Mbreti Mesia, të cilit do t’i takojë mbretëria.» Si edhe Rashi, shumë komentues biblikë e kanë kuptuar këtë profeci në kuptimin mesianik.
9. (a) Çfarë i premtoi Perëndia mbretit David në lidhje me Farën? (b) Si lidhet premtimi i Zanafillës 49:10 me Psalmin 72:7, 8?
9 Qeveritari i parë nga brezi i Judës, mbreti David, mori këtë premtim nga Perëndia: «Shtëpia jote dhe . . . froni yt, do të vendosen përgjithmonë.» (2. Samuelit 7:16) Më tej, Perëndia premtoi: «Do ta ngre farën tënde pas teje, . . . dhe do ta vendos mbretërinë e tij. Ai do të më ndërtojë Mua shtëpinë dhe unë do ta vendos fronin e tij përgjithmonë.» (1. Kronikat 17:11, 12, JP) Biri dhe trashëgimtari i Davidit, mbreti Solomon, me të vërtetë ndërtoi shtëpinë apo tempullin e Jehovait, por siç e dimë ai nuk mbretëroi përgjithmonë. E megjithatë, dikush prej farës së Davidit do të ishte «Shilo» apo Mesia, i profetizuar tek Zanafilla 49:10. (JP) Duke folur në mënyrë profetizuese mbi të, mbreti David shkroi: «Le të përparojë i drejti në ditët e tij dhe bollëku i paqes, derisa të ekzistojë hëna. Le të sundojë, gjithashtu, nga deti në det dhe nga lumi deri në fund të tokës.»—Psalmi 72:7, 8, JP.
10. Çfarë duhet të arrinte Fara e premtuar tek Zanafilla 3:15 dhe si përputhet kjo me premtimin që iu dha Abrahamit?
10 Nëse ndjekim zbulimin gradual përmes profecisë, do të kuptojmë se bekimet që iu premtuan Abrahamit—«të gjitha kombet në tokë do të bekohen nga pasardhësit [fara, JP] e tu»—do të plotësohen në të vërtetë përmes po atij Qeveritari nga breznia e Davidit. (Zanafilla 22:18, JP) Në këtë mënyrë, profecitë mbi Farën janë të lidhura me shpresën e kombit hebre tek Mesia, gjatë sundimit të të cilit toka do të ketë paqe të përgjithshme. Në fakt, ai është «fara» e përmendur tek Zanafilla 3:15 dhe që do t’i japë fund kryengritjes së parë kundër sovranitetit të Perëndisë dhe do të zhdukë dëmin që shkaktoi ajo. (Psalmi 2:5, 8, 9) Pyetje dhe informata të tjera mbi Mesinë e premtuar trajtohen në faqet 24-31. Por, le të shqyrtojmë tani marrëdhëniet e mëtejshme të Perëndisë me pasardhësit e Abrahamit.
Qëllimi i besëlidhjes së Ligjit
11-13. Si përfitoi kombi prej besëlidhjes së Ligjit dhe a do të thotë kjo se besëlidhja do të qëndronte përgjithmonë?
11 Izraeli u bë një komb, disa qindra vjet pas kohës së Abrahamit. Perëndia i liroi këta pasardhës nga robëria në Egjipt dhe ndërsa ishin nën udhëheqjen e Moisiut, një njeri tjetër besnik i zgjedhur prej Tij, lidhi me ta një besëlidhje apo marrëveshje të veçantë. (Të Dalët 19:5, 6; Ligji i përtërirë 5:2, 3) Kjo besëlidhje e Ligjit i dha kombit udhëzime të qarta mbi mënyrën në të cilën Perëndia dëshiron të adhurohet. U organizuan për të bërë një adhurim të tillë, si komb.
12 Mund të vërejmë se që në fillim kjo besëlidhje ishte e kushtëzuar. Para se t’i zbulonte kombit izraelit Dhjetë Urdhrat si dhe gjithë besëlidhjen ku ato bënin pjesë, Perëndia informoi: «Tani, pra, nëse do të Më bindeni me besnikëri dhe do të mbani besëlidhjen Time, do të jeni thesari Im në mes të të gjithë popujve. Në të vërtetë, e gjithë toka është Imja, por ju do të jeni për Mua mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.» (Të Dalët 19:5, 6) Që të përdoreshin vazhdimisht nga Perëndia si thesar, ata duhej t’i bindeshin me besnikëri. Këto ishin kushtet e besëlidhjes.
13 Shpërblimi i premtuar për besnikërinë e tyre—se do të shërbenin si mbretëri priftërinjsh—zbulon se besëlidhja e Ligjit nuk ishte vetë fundi, por më mirë të themi që ishte një hap kalimtar drejt përgatitjes së priftërisë që do t’u ndihmonte kombeve të tjera, për të njohur Perëndinë e vërtetë. Që nga fillimi, qëllimi i Perëndisë ishte që të bekohej mbarë njerëzimi dhe jo vetëm njerëzit e një kombi.—Zanafilla 22:18.
14. Çfarë përfitimesh të tjera rrodhën nga besëlidhja e Ligjit?
14 Pasi besëlidhja e Ligjit nuk ishte vetë fundi, cili ishte qëllimi i saj? Në mënyrë të qartë, ajo ekspozonte dhe tregonte të gjitha konceptet e rreme fetare që njeriu kishte filluar t’i zhvillonte në mënyrë të pavarur që nga koha e rebelimit në kopshtin e Edenit. (Ligji i përtërirë 18:9-13) Ajo e mbronte, gjithashtu, kombin izraelit nga veprat dhe adhurimi neveritës i kombeve përreth, duke zvogëluar çdo kontakt me ato kombe. (Ligji i përtërirë 7:1-6) Derisa ta mbante Ligjin, Izraeli do të ruhej në një gjendje të pastër fetare, në të cilën më në fund mund të identifikonte dhe të priste Farën e premtuar apo Mesinë.
15, 16. Cilat mësime të rëndësishme frymore, të përfshira në besëlidhjen e Ligjit, tregojnë gjithashtu natyrën e tij të përkohshme?
15 Besëlidhja e Ligjit nxori gjithashtu në pah nevojën për shlyerjen e fajit, sepse përfshinte një sistem flijimesh të shpjeguar mirë, gjë që ishte pjesë përbërëse e adhurimit hebre. (Levitiku 1:1-17; 3:1-17; 16:1-34; Numrat 15:22-29) Që nga koha e rebelimit të Adamit dhe Evës, njerëzimi humbi përsosmërinë që do t’i mundësonte një jetë të përhershme në shëndet të përsosur. (Zanafilla 2:17) Si rezultat i mëkatit të parë, pasardhësit e Adamit dhe Evës (të gjithë sa lindën pas rebelimit), trashëguan papërsosmërinë dhe prirjen e natyrshme për të mëkatuar. (Zanafilla 8:21; Psalmi 51:7 [Ps 51:5, NW]; Eklisiastiu 7:20) Papërsosmëria çoi në sëmundje, plakje dhe vdekje, si dhe krijoi një barrikadë ndërmjet njeriut dhe Perëndisë. (1. Mbretërit 8:46; krahaso Vajtimet 3:44.) Nevojiteshin disa baza për të zhdukur këtë dëm, si dhe për të tejkaluar dhe shlyer gjendjen e papërsosur të njeriut. Njerëzit besimtarë qenë gjithmonë të vetëdijshëm për këtë nevojë.—Jobi 1:4, 5; Psalmi 32:1-5.
16 Besëlidhja e Ligjit theksonte se Perëndia kishte rregulla ligjore që duheshin plotësuar. Jepte, gjithashtu, edhe bazën për të kuptuar se si duheshin plotësuar tërësisht rregullat e Perëndisë mbi drejtësinë.c Përgatitjet e flijimeve në besëlidhjen e Ligjit nuk mund të përtërinin kurrë qëllimin fillestar të Perëndisë për njerëzimin, pasi efekti i tyre ishte i përkohshëm dhe theksonte gjendjen mëkatare, por pa e zhdukur apo ndaluar atë. Prandaj, Ligji ishte një hap kalimtar, për të ndihmuar këtë komb të organizuar adhuruesish që të kuptonte në kohën e duhur, se si të identifikonte Farën dhe se si do të zhdukte ajo Farë dëmin e shkaktuar nga mëkati i Adamit. Ku e tregon Tora këtë?
Premtohet një profet si Moisiu
17, 18. Ç’domethënie ka premtimi i Perëndisë tek Ligji i përtërirë 18:15, 18, 19 mbi ngritjen e një profeti?
17 Në kreun 18 të Ligjit të përtërirë, vargu 15, Moisiu i tha kombit të Izraelit: «ZOTI, Perëndia juaj, do të ngrejë për ju një profet si unë, nga mesi i popullit tuaj; atë duhet të dëgjoni.» Në po atë kapitull, në vargjet 18 dhe 19, Jehovai i foli Moisiut, atij që Ai e kishte emëruar si ndërmjetës në mes tij dhe popullit të Tij, duke i thënë: «Do të ngre një profet për ta, nga mesi i po këtij populli, sikurse ti: Do të vë fjalët e Mia në gojën e tij dhe ai do t’ju flasë gjithë sa do t’i urdhëroj Unë; dhe nëse dikush nuk i dëgjon fjalët që do të thotë ai në emrin Tim, Unë vetë do t’i kërkoj llogari.» Si duhej kuptuar kjo profeci?
18 Është e qartë se profeti i përmendur këtu është një njeri i veçantë dhe specifik. Konteksti e bën të qartë se ky nuk është thjesht një rregull i përgjithshëm në përputhshmëri me qëllimin e Perëndisë për të vazhduar ngritjen e profetëve për kombin, sikurse kanë supozuar disa. Fjala hebreje për profet (naví’ʹ) është në njëjës, duke e krahasuar atë me Moisiun që ishte i veçantë në historinë e kombit. Përveç kësaj, fjalët përmbyllëse të të njëjtit libër, Ligji i përtërirë, konstatojnë: «Kurrë më në Izrael nuk është ngritur një profet si Moisiu—të cilin Perëndia e njohu ballë për ballë.» (Ligji i përtërirë 34:10-12) Ka shumë të ngjarë që këto fjalë t’i ketë shkruar Josiu, biri i Nunit që edhe vetë ishte udhëheqës i madh dhe profet i emëruar nga Perëndia. Por, siç duket edhe nga mënyra se si është shprehur, nuk ka dyshim se ai nuk e shihte tek vetja plotësimin e fjalëve të Moisiut në lidhje me profetin si Moisiu. Ç’ka dashur të thotë, pra, Perëndia kur premtoi se do të ngrinte një profet si Moisiu? Si ishte Moisiu?
Profetizohet një besëlidhje e re
19. (a) Në ç’kuptim Moisiu ishte i veçantë? (b) Për çfarë duhet të shërbente profeti si Moisiu?
19 Moisiu ishte një udhëheqës i madh; ishte ligjdhënës, profet, bënte mrekulli, ishte mësues dhe gjyqtar. Ishte, gjithashtu, një ndërmjetës, i vetmi profet që ndërmjetësoi një besëlidhje në mes të Perëndisë dhe njeriut (në këtë rast, kombit izraelit). Një profet me të vërtetë si ai, duhej të bënte diçka të ngjashme. A do të thotë kjo se Perëndia e kishte parashikuar se besëlidhja e Ligjit do të zëvendësohej nga një besëlidhje tjetër? Po. Përmes profetit Jeremia, Perëndia e shpalli qartë qëllimin e vet për të lidhur një besëlidhje të re. Dhe një besëlidhje e re, do të kërkonte një ndërmjetës të ri. Vetëm dikush si Moisiu mund të ishte i përshtatshëm për kërkesat e një emërimi të tillë. Nëse shqyrtojmë atë që kërkon besëlidhja e re, mund të kuptojmë më mirë rolin e ndërmjetësit.
20, 21. (a) Çfarë premtohet tek Jeremia 31:31-34? (b) Cili ishte qëllimi i shpallur i besëlidhjes së re? (c) Si pasojë, ç’do të bëhej me besëlidhjen e Ligjit?
20 Rreth 900 vjet pas Moisiut, Jeremia i njoftoi kombit izraelit fjalët e Perëndisë: «Shiko, po vjen koha—deklaron ZOTI—kur do të bëj një besëlidhje të re me Shtëpinë e Izraelit dhe Shtëpinë e Judës. Nuk do të jetë si besëlidhja që lidha me etërit e tyre, kur i mora për dore që t’i nxirrja nga toka e Egjiptit, besëlidhje të cilën ata e kanë thyer, . . .—deklaron ZOTI.—Por, kjo është besëlidhja që do të bëj me Shtëpinë e Izraelit pas këtyre ditëve . . . Do të fal padrejtësitë e tyre dhe kurrë më s’do t’i mbaj në mend mëkatet e tyre.»d—Jeremia 31:31-34.
21 Nëse profeti si Moisiu do të shërbente si ndërmjetës i ri i besëlidhjes së re, atëherë është e qartë se të gjitha hollësitë specifike të adhurimit, të kërkuara nga Ligji i Moisiut, nuk do të ishin në fuqi përgjithmonë, por vetëm derisa të themelohej besëlidhja e re. Pa dyshim, kur Perëndia të siguronte bazën për «të falur padrejtësitë e tyre dhe për të mos mbajtur më kurrë në mend mëkatet e tyre», nuk do të kishte më nevojë për gjithë atë sistem flijimesh që kërkohej nga rregullat e tempullit, sistem që sillte vetëm një falje të përkohshme. Me vendosjen e besëlidhjes së re, aspektet ceremoniale të besëlidhjes së Ligjit, si mbajtja e sabatit dhe festave, nuk do të kishin më po atë domethënie. Në kohën e duhur, Perëndia me siguri do të zbulonte se çfarë do të kërkohej nga ata që do të përfshiheshin në këtë rregullim të premtuar të besëlidhjes së re.—Amosi 3:7.
Bekime për të gjitha kombet
22, 23. (a) Cili ishte qëllimi i besëlidhjes së re, në lidhje me kombet? (b) Si tregojnë profecitë e tjera se cili ishte qëllimi i Perëndisë për të gjitha kombet?
22 Të kuptuarit se profeti si Moisiu dhe Fara e Abrahamit janë i njëjti person, na ndihmon të shohim një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm të besëlidhjes së re; ajo duhej të ishte mjeti ligjor, përmes të cilit njerëz prej të gjitha kombeve do të mund të adhuronin Perëndinë e vërtetë. Pasi Zanafilla 22:18 thotë se përmes kësaj «fare» (JP) «të gjitha kombet në tokë do të bekohen», është e qartë se në disa rrethana të historisë njerëzore, Perëndia nuk do t’i drejtohej më në mënyrë të veçantë vetëm një kombi, pasardhësve të Abrahamit. Pasi Izraeli të kryente këtë rol me kaq rëndësi jetësore, për sigurimin e Farës së premtuar dhe pas vendosjes së besëlidhjes së re, adhurimi i Perëndisë së vërtetë do të ishte i hapur për njerëz të të gjitha kombeve dhe racave.
23 Sigurisht, askush nuk mund ta kundërshtojë me arsye ndershmërinë e Perëndisë, për të lejuar që ta adhurojnë njerëz të sinqertë nga të gjitha kombet dhe racat. Ky ishte qëllimi i Perëndisë prej fillimit dhe në Bibël gjenden shumë profeci që vërtetojnë faktin se njerëz nga të gjitha kombet do të bekohen përmes farës së Abrahamit. (Zakaria 8:20-23) Një shembull mund ta gjejmë tek Zefania, kreu 3, vargu 9, ku Perëndia deklaron: «Sepse atëherë do ta pastroj të folurin e popujve, në mënyrë që të gjithë ta ftojnë ZOTIN me emër dhe t’i shërbejnë Atij njëzëri.» Vetë profecia e Isaisë, kreu 2, e përmendur në fillim të kësaj broshure, thekson këtë aspekt të veçantë të adhurimit të Perëndisë, që njerëz të të gjitha kombeve do të ktheheshin për t’i shërbyer atij në të vërtetë, duke mësuar rrugët e paqes; ajo thekson, gjithashtu, se kur do të ndodhë kjo: «Kjo duhet të ndodhë në fund të ditëve.» (Isaia 2:2, JP) Çfarë nënkupton shprehja «në fund të ditëve»?
24. (a) Ç’nënkupton shprehja «në fund të ditëve»? (b) Çfarë përshkruhet në kapitujt 38 dhe 39 të Ezekielit?
24 Shkrimet, gjithnjë e përsëri flasin për ditën kur Perëndia do t’i sjellë të gjitha kombet në gjyq. (Isaia 34:2, 8; Jeremia 25:31-35; Joeli 4:2 [Jo 3:2, NW], Abakuku 3:12; Zefania 1:18; 3:8) Që nga refuzimi i sovranitetit të Perëndisë në kopshtin e Edenit, dështimi i njerëzimit për të sunduar vetë në mënyrë të suksesshme është bërë gjithnjë e më i dukshëm. Qeveritë njerëzore kanë qenë një dështim i plotë, duke shkaktuar vuajtje të panumërta. Sikur t’u lejohej edhe shumë kohë në këtë shekull të armëve bërthamore dhe të ndotjes së ambientit në mbarë botën, njerëzit mund të shkatërronin veten dhe shtëpinë e tyre tokësore. Prandaj, Perëndia, duke përdorur Mesinë e vet të emëruar, Farën, do të ndërhyjë. (Psalmet 2:1-11; 110:1-6) Profeti Ezekiel parashikoi betejën finale të Perëndisë kundër qeverive njerëzore. Në Ezk kapitujt 38 dhe Ezk 39 të librit të tij, ai përshkruan luftën e Perëndisë kundër «Gogut nga vendi i Magogut». (Ezekieli 38:1) Kjo është pranuar gjerësisht si një profeci e ditëve të fundit. Një studim i kujdesshëm i Shkrimeve, zbulon se «Gogu» është një emër simbolik për po atë frymë rebele, Satanain, që udhëhoqi Adamin dhe Evën në rrugën e mosbindjes ndaj Perëndisë. Shkatërrimi i kësaj fryme dhe i forcave të saj, armiqtë e qëmoçëm të Perëndisë, është në të vërtetë pjesa e parë e plotësimit të premtimit fillestar se «fara», e thënë simbolikisht, do t’i shtypte kokën për vdekje «gjarprit», Satanait.—Zanafilla 3:15, JP.
25. Ç’do të ndodhë, sipas profecive, pas shkatërrimit të forcave të Satanait?
25 Pas shkatërrimit të fuqive të Satanait, do të ripërtërihen kushtet fillestare që ekzistonin në Eden. Por, kësaj radhe, nën rregullin e besëlidhjes së re, njerëzimi do t’i bindet Perëndisë. (Isaia 11:1-9; 35:1-10) Jo vetëm që do të harrohen mëkatet, por njerëzimi do të përtërihet plotësisht deri në përsosmëri. (Isaia 26:9) Si rezultat, atij do t’i dhurohet jeta e përhershme. (Psalmi 37:29; Isaia 25:8) Në atë kohë, madje, do të kthehen në jetë—do të ringjallen—qoftë ata që kanë vdekur besnikë të Perëndisë, qoftë edhe ata miliarda të tjerë që nuk kanë pasur kurrë mundësinë e plotë për të mësuar të vërtetën në lidhje me të! (Danieli 12:2, 12 [Dn 12:2, 13, NW, JP]; Isaia 26:19) A nuk na ofron një shpresë e tillë e mrekullueshme edhe më afër Perëndisë që ka konceptuar gjëra të tilla?
26. Çfarë kërkon prej nesh ardhja e profetit si Moisiu?
26 Këto janë vetëm disa nga bekimet për njerëzit e të gjitha kombeve që njohin dhe dëgjojnë zërin e profetit si Moisiu, Farës që do të sundojë mbi fronin e Davidit «derisa të ekzistojë hëna», pra, përgjithmonë. (Psalmi 72:7) Në lidhje me këtë profet si Moisiu, Ligji i përtërirë 18:19 thotë gjithashtu: «Nëse ndokush nuk i dëgjon fjalët që thotë ai në emrin Tim, Unë vetë do t’i kërkoj atij llogari.» A do të gjesh kohë dhe a do të përpiqesh sa duhet, për të identifikuar këtë Profet si Moisiu, këtë Mesi, duke mësuar kështu çdo gjë që kërkon Perëndia? A do ta njohësh personalisht Perëndinë e vërtetë?
[Shënimet]
a Tregimi i librit të Zanafillës që përshkruan kopshtin e Edenit nuk është parabolë. Edeni ka ekzistuar me të vërtetë dhe ka qenë një vend shumë i gjerë. Vargu tregon një vend në veri të fushave të Mesopotamisë, në burimin e lumenjve Eufrat dhe Tigër. (Zanafilla 2:7-14) Ky do të shërbente si model, sipas të cilit njeriu do të mund të zbukuronte dhe punonte pjesën tjetër të tokës.
b Për të kuptuar më thellë pasojat e kësaj kryengritjeje, shiko artikujt në faqet 16-17.
c Kodifikimi i mëparshëm ligjor përmes Moisiut, në lidhje me mënyrën e dënimit për thyerjen e Ligjit—«jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb»—pasqyron kriterin udhëheqës të zbatuar nga vetë Perëndia për zgjidhjen e çështjes së shpëtimit të njeriut. (Ligji i përtërirë 19:21) Një njeri i përsosur, Adami, kishte përgjegjësi për dënimin e racës njerëzore, prandaj duhej që një njeri tjetër i përsosur ta kompensonte këtë humbje, duke dhënë jetën e vet. Kështu, vdekja e tij do të shlyente në mënyrë të përsosur mëkatin e Adamit dhe pasojat e tij për njerëzimin. Vetëm ardhja e «farës» së premtuar, jeta e të cilit do të ofrohej si shpërblim ligjor, do të mund të sillte plotësisht një lirim të tillë. (Zanafilla 3:15, JP) Për një trajtim më të plotë të këtij aspekti të Farës në qëllimin e Perëndisë, shiko faqet 28-29, paragrafët 17 deri 20.
d Një shpjegim standart nga judaizmi bashkëkohor, është se Jeremia thjesht po predikonte një përtëritje apo riformim të besëlidhjes së Ligjit me Izraelin, siç ndodhi pas kthimit të tyre nga mërgimi në Babiloni më 537 p.e.s. (Ezdra 10:1-14) Por, sërish vetë profecia e mohon një shpjegim të tillë. Perëndia deklaroi qartësisht se kjo do të ishte një «besëlidhje e re» dhe jo thjesht vetëm besëlidhje e përtërirë. Veç kësaj, ai thekson se kjo është ndryshe nga besëlidhja e bërë kur i nxori nga robëria egjiptase. Disa kanë thënë se ishte «e re» në kuptimin se tani do të mbanin besnikërisht të njëjtën besëlidhje, por historia tregon ndryshe. Në të vërtetë, mungesa e besnikërisë së tyre çoi në shkatërrimin e tempullit të dytë.—Ligji i përtërirë 18:19; 28:45-48.
[Kutia në faqen 13]
KUSH ËSHTË SATANAI?
BIBLA flet për Satanain, jo si për «prirjen e ligë» brenda njeriut, por përkundrazi, si për një krijesë të padukshme frymore, një engjëll. (Jobi 1:6) Si një nga engjëjt apo bijtë e Perëndisë, ai u krijua i përsosur, por më vonë ai vetë shkaktoi që të bëhej rebeli apo kundërshtari i parë, kundër Perëndisë. (Ligji i përtërirë 32:4; krahaso Ezekieli 28:12-17.) Si pjesë e rebelimit të tij ndaj sovranitetit të Perëndisë, ai ndër të tjera akuzon njerëzit se nuk janë besnikë, se veprojnë vetëm për dobinë e tyre. Vërej disa nga shkrimet që zbulojnë hapur përpjekjet dinake të Satanait për t’i çuar njerëzit në mosbindje dhe sjellje të gabuara:
1. Jobi 1:6-12; 2:1-7
[Kutia dhe figurat në faqet 16, 17]
PËRSE I LEJON PERËNDIA LIGËSITË?
NDONJËHERË në jetën tënde, ndoshta ke pyetur veten: «Nëse Perëndia ekziston, përse lejon vuajtje?» Apo: «Nëse vuajtjet lejohen prej Perëndisë, përse për një kohë kaq të gjatë?» Është e vështirë t’u përgjigjesh pyetjeve të tilla, sidomos kur lidhen me Olokaustin që ndoshta më tepër se ndonjë ngjarje tjetër e veçantë, është bërë simboli më i madh i vuajtjeve njerëzore. Në përpjekjet e tyre për të gjetur një shpjegim, disa mohojnë ekzistencën e Perëndisë, ndërsa të tjerë mohojnë ekzistencën e së ligës. Por a janë të vërteta këto konkluzione? A ekziston ndonjë përgjigje e kënaqshme?
2 Sipas disave, pyetje të tilla as që duhen bërë. Megjithatë, profetë besnikë, si p.sh. Habakuku, nuk e panë si të papërshtatshëm shtrimin e pyetjeve të tilla. Habakuku e pyeti Perëndinë: «Deri kur, o ZOT, do të thërras e Ti nuk do dëgjosh; të bërtas: ‘Dhunë!’ dhe Ti të mos sjellësh shpëtim? Përse më bën të shoh padrejtësi, përse shikon mbi të keqen?»—Habakuku 1:2, 3.
3 Mjerisht, ka edhe nga ata që nuk arrijnë të pranojnë asnjë lloj përgjigjeje, pa marrë parasysh nëse është e drejtë apo e gabuar. Disa ngjarje mizore dhe brutaliteti i njeriut, e kanë penguar aftësinë e tyre për një analizë të paanshme. Prandaj, kush kërkon një përgjigje, duhet të vlerësojë me ndershmëri sjelljen e vet, si dhe arsyeshmërinë e shpjegimit të dhënë.
T’ia vëmë fajin atij që i takon
4 Perëndia nuk është dhe s’ka qenë kurrë pjesëmarrës në krimet e njeriut. Megjithatë, disa mësime fetare shprehin këtë ide, duke e ndërlikuar edhe më tepër këtë çështje. Për shembull, besimet që pohojnë se kjo botë është vend prove për jetën e ardhshme dhe se nëpërmjet vdekjes Perëndia «merr» të dashurit tanë, madje edhe fëmijët e vegjël, të lënë përshtypjen se ai është personalisht përgjegjës për aksidentet, krimet dhe shkatërrimet. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për doktrinat e paracaktimit dhe fatit. Ka pastaj edhe nga ata që përpiqen ta shpjegojnë Olokaustin, me shprehje të tilla si «ndëshkim hyjnor për shkak se hebrenjtë evropianë ishin një me këtë botë» apo si «mënyra e zgjedhur prej Perëndisë, për t’i bërë botës të kuptojë nevojën e një shteti hebre.» Shumëkush mund t’i shohë këto justifikime jo vetëm si të papranueshme, por edhe fyese.
5 A nuk e njollosin Perëndinë besime të tilla? A nuk është njeriu dhe jo Perëndia, përgjegjës për të gjitha padrejtësitë e bëra gjatë shekujve? (Eklisiastiu 8:9) Është ashtu siç ka konstatuar historiani Arnold Toynbee: «Njerëzit janë të veçantë në aftësinë për të qenë të ligj, sepse janë të veçantë në kryerjen me vetëdije të asaj që bëjnë dhe në zgjidhjet e qëllimshme.»e Prandaj, duke shpërdoruar vullnetin të tij të lirë, njeriu ka shkaktuar si pasojë vuajtje të panumërta. Përse atëherë, Perëndia nuk e krijoi në atë mënyrë që të mos mundë ta dëmtonte të afërmin e vet?
6 Njeriu u krijua sipas «shëmbëlltyrës» së Perëndisë dhe me dhuratën e vullnetit të lirë. (Zanafilla 1:26) Sikur të mos ishte kështu, njeriu s’do të mund të provonte kënaqësinë dhe gëzimin që rrjedh, duke u bërë mirë në mënyrë spontane të tjerëve. Ndërgjegjja s’do të kishte asnjë kuptim dhe ekzistenca e njeriut do të ishte e ngjashme me atë të formave më të ulëta të jetës. Vullneti i lirë është një bekim për njeriun dhe e bën atë të ndryshëm nga një robot. Por, vullneti i lirë nënkupton lirinë e zgjedhjes, duke përfshirë edhe një zgjedhje të gabuar apo të dëmshme. Megjithatë, duke pranuar faktin se Perëndia nuk është përgjegjës për të ligat, nuk u jemi përgjigjur pyetjeve: Përse i lejon? Përse nuk u dha menjëherë fund vuajtjeve?
Si është e mundur që Perëndia t’i lejojë?
7 Përse ekziston e liga, kur ekzistoka një fuqi që mund ta ndalë atë? Përgjigjja e Biblës për këtë pyetje, gjendet në rradhë të parë në raportin që lidhet me burrin dhe gruan e parë, Adamin dhe Evën. Kapitujt 2 dhe 3 të Zanafillës tregojnë se ata zgjodhën mosbindjen ndaj Perëndisë, duke ngrënë nga «pema e njohjes të së mirës e së keqes». Nga mosbindja e tyre lindën çështje të rëndësishme për t’u zgjidhur. Ai që i nxiti për të kundërshtuar (shiko kutinë, faqe 13), e bëri këtë duke u thënë: «Ju s’do të vdisni», duke vënë në dyshim vërtetësinë e Perëndisë, sepse Perëndia kishte deklaruar qartë, se mosbindja do të ndëshkohej me vdekje. (Zanafilla 2:17; 3:4) Tunduesi vazhdoi, duke thënë: «Perëndia e di se sapo të hani nga kjo, sytë tuaj do të hapen dhe ju do të jeni si qenie hyjnore që e dinë të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:5) Lihet, pra, qartë të nënkuptohet se Perëndia padrejtësisht po ruante prej tyre diçka në fshehtësi. Kështu u hodh dyshimi mbi vlefshmërinë e ligjeve të Perëndisë dhe mbi mënyrën e tij të qeverisjes. Kjo përbënte një sulm mbi sovranitetin e Perëndisë, mbi vetë të drejtën e tij për të qenë Qeveritari i vetëm dhe absolut i njerëzimit.
8 Kishin lindur çështje të thella për t’u zgjidhur: A ka njeriu me të vërtetë nevojë për udhëheqjen e Perëndisë në qeverisjen me sukses të vetvetes dhe mbarë tokës? Nëse jo, atëherë Perëndia ndoshta ishte i padrejtë që kërkonte bindje ndaj tij. Nëse njeriu është i aftë për të qeverisur vetë, përse duhet të vendosë Perëndia se ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar për njeriun? Ekzekutimi i shkelësve të ligjit nuk do të siguronte një përgjigje për këto pyetje. Vetëm me kalimin e kohës njeriu do të tregonte paaftësinë e vet për t’u vetëqeverisur në mënyrë efektive.
Kush ka të drejtë të vendosë?
9 Ndoshta pyetja kryesore, së cilës çdonjëri prej nesh duhet t’i përgjigjet personalisht, është: A s’ka të drejtë Perëndia për të vendosur se cilat çështje janë me rëndësi primare dhe se kur duhet të zgjidhen ato? Shumica e ka të vështirë të pranojë sugjerimin, se një çështje apo një problem moral mund të jetë aq i rëndësishëm, sa të justifikojë lejimin e vuajtjeve njerëzore. Por, a s’është e arsyeshme të pranohet se largpamësia e Perëndisë ka bërë të mundur që ai të veprojë sipas interesave më të mira të të gjitha krijesave të veta?
10 Profeti Isaia shkroi: «Sepse mendimet e Mia nuk janë mendimet tuaja, as rrugët tuaja nuk janë rrugët e Mia,—tha ZOTI.» (Isaia 55:8, JP) Sigurisht që Perëndia nuk është indiferent ndaj vuajtjeve njerëzore, por duke qenë i gjithëditur dhe i përjetshëm, ai është në një gjendje më të mirë për të përcaktuar jo vetëm të gjithë faktorët që lidhen me çështjet e ndërlikuara, por edhe për të përcaktuar se si dhe kur duhen zgjidhur, me qëllim që të gjithë sa përfshihen në to, të përfitojnë në mënyrën më të mirë.
11 Duke lënë mjaft kohë për zgjidhjen e çështjeve të shtruara, Perëndia ka vendosur një precedent të përhershëm. Nëse në të ardhmen ushtrimi i sovranitetit të Perëndisë do të sfidohej përsëri, nuk do të ketë nevojë që rebelit t’i lihet kohë për të provuar pretendimin e vet. (Naumi 1:9) Çdo gjë që do të ketë nevojë të provohet, është provuar tashmë më parë. Ndërkohë, ne kemi privilegjin që të rreshtohemi në anën e Perëndisë në këtë çështje, sikurse bënë edhe shumë besnikë në kohën e vjetër. Për shembull, Jobi, edhe pse nuk ishte fare në dijeni të shkakut të vuajtjeve të veta, vendosi t’i mbetej besnik Perëndisë. (Jobi 2:9, 10) A nuk e meriton Perëndia, Krijuesi i njeriut, një besnikëri të tillë?
Cila është zgjidhja e Perëndisë
12 Periudha kohore e lejuar nga Perëndia, për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme, po i afrohet fundit. E liga, si dhe të gjithë ata që e shkaktojnë atë, së shpejti do të zhduken. (Proverbat 2:21, 22; Danieli 2:44) Vetë Perëndia do të sigurojë paqe të përhershme dhe lumturi për njerëzimin, në një tokë parajsore. (Isaia 14:7) Si Perëndi i drejtësisë, Jehovai nuk do t’i harrojë ata që kanë vuajtur dhe vdekur padrejtësisht. Ata do të ringjallen, do të kthehen në jetë pikërisht këtu në tokë. (Jobi 14:14, 15; Isaia 25:6-8) Sipas premtimit të vetë Perëndisë «gjërat e kaluara nuk do të kujtohen më, ato kurrë më nuk do të sillen ndër mend.» Jeta e përhershme do t’u japë njerëzve mundësi të gjera për të kuptuar plotësisht arsyet që kishte Perëndia për lejimin e ligësisë. Askush nga ata që do të marrin këto bekime, nuk do të mërzitet prej vuajtjeve të kaluara, të tijave apo edhe të të tjerëve. «Gëzohuni përgjithmonë për atë që po krijoj»—ky do të jetë një shpërblim mëse i mjaftueshëm.—Isaia 65:17, 18.
13 Përmes Biblës, Perëndia na tregon qartë se përse ekzistojnë vuajtjet. Megjithatë, një artikull i shkurtër nuk mund t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve që lidhen me një çështje kaq të thellë.f Përgjigjja e plotë mund të gjendet vetëm nëpërmjet një shqyrtimi rrënjësor të Biblës, në të gjitha aspektet e saj. Do ta pranosh sfidën, duke u treguar i gatshëm që t’i kushtosh kohën e duhur këtij shqyrtimi? Ia vlen, për të zgjidhur çështjet që përfshihen në të.
[Shënimet]
e Cituar nga Mankind and Mother Earth, 1976, faqe 13.
f Për një trajtim më të plotë të kësaj teme, shiko librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? (angl.), kreu 16, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
1-3. Si janë përpjekur ta zgjidhin disa pyetjen, se përse ekzistojnë vuajtjet?
4, 5. Cilat janë disa besime që e njollosin Perëndinë?
6. Çfarë përfshin vullneti i lirë i njerëzimit?
7, 8. Cilat çështje lindën qysh me fillimet e historisë njerëzore?
9-11. Përse Perëndia i ka lejuar kaq gjatë vuajtjet?
12, 13. Si do ta ripërtërijë Perëndia së shpejti drejtësinë mbi tokë?
[Figura në faqen 15]
Përse Perëndia kërkonte flijime si pjesë e besëlidhjes së Ligjit?