FËMIJA
Fjalët hebraike dhe greke që i referohen pasardhësit të njeriut na japin një sërë hollësish të dobishme. Termi i zakonshëm në hebraisht për fëmijë është jéledh. (Zn 21:8) Termi jaldáh, që ka lidhje me të, i referohet një ‘vashe’ ose një ‘vajze’. (Jo 3:3; Zn 34:4; Za 8:5) Të dyja fjalët vijnë nga rrënja jaládh, që do të thotë «sjell në jetë; lind». Dy fjalë të tjera hebraike për fëmijën (ʽohlél dhe ʽohlál) vijnë nga folja ʽul, që do të thotë «ushqej me gji». (1Sa 22:19; Jr 6:11; Zn 33:13) Termi i zakonshëm hebraik për djalë apo djalosh është náʽar. (Zn 19:4; Gjy 8:20) Megjithatë, ky term është përdorur edhe për foshnjat, si në rastin e Moisiut tremuajsh. (Da 2:6; krahaso 2Sa 12:16.) Fjala hebraike taf (fëmijët; të vegjlit) përcjell idenë bazë të atyre që ecin «me hapa të zhdërvjellët». (Zn 43:8; 45:19; Is 3:16) Disa nga termat grekë janë téknon (fëmijë), tekníon (fëmijë i vogël), paidíon (fëmijë) dhe ársen (djalë). (Mt 10:21; Gjo 13:33; Mt 2:8; Zb 12:13) Edhe fjala greke népios i referohet një ‘fëmije’ (1Ko 13:11), kurse termi bréfos i referohet një ‘foshnje’. (Lu 1:41) Disa herë, fjalët hebraike dhe greke për «bir» janë përkthyer ‘fëmijë’.—Zn 3:16; Lu 20:34; shih BIRI.
Krijuesi, Jehovai, u dha njerëzve aftësinë të shtoheshin duke sjellë në jetë fëmijë, të cilët, me kalimin e kohës, do të rriteshin e do të bëheshin edhe vetë prindër. Urdhri për shtimin e njerëzve gjendet te Zanafilla 1:28. Për njerëzit është normale dëshira që të kenë fëmijë. Izraelitët e lashtë ishin veçanërisht të interesuar të lindnin fëmijë, ngaqë Perëndia u kishte premtuar se do t’i bënte një komb të fuqishëm dhe përmes tyre do të vinte fara e Abrahamit. Nëpërmjet kësaj fare do të merrnin bekime të gjitha kombet e tokës. (Zn 28:14) Lindja e shumë fëmijëve konsiderohej një bekim nga Perëndia. (Ps 127:3-5; 128:3-6) Shterpësia shihej si poshtërim.—Zn 30:23.
Në kohët biblike, lindja e një djali ishte, zakonisht, një rast më i gëzuar se lindja e një vajze, ndonëse prindërit i donin vajzat aq sa dhe djemtë. Djemtë parapëlqeheshin sepse siguronin vazhdimësinë e familjes dhe të emrit, si dhe mbajtjen e pronave të familjes. Përparësia e meshkujve duket edhe nga periudha e pastrimit, e cila sipas Ligjit zgjaste shtatë ditë nëse lindte djalë dhe dyfish nëse lindte vajzë. (Le 12:2-5) Djali i parëlindur i përkiste Jehovait dhe shpengohej nëpërmjet një blatimi.—Da 13:12, 13; Nu 18:15.
Në kohët e lashta, foshnjën e sapolindur së pari e lanin me ujë, pastaj e fërkonin me kripë. (Ezk 16:4) Kjo bëhej për të tharë lëkurën e për ta forcuar. Pastaj, e mbështillnin fort me fasha ose pelena. (Jb 38:9; Lu 2:12) E ëma e ushqente me gji për dy vjet e gjysmë ose tre, madje edhe më gjatë. Në rrethana të veçanta, si për shembull kur nëna vdiste apo s’kishte qumësht, foshnjave u jepnin gji mëndeshat.
Në fillimet e historisë njerëzore, kur lindnin, fëmijëve ua vinte emrin babai (Zn 5:29; 16:15; 21:3; 35:18) ose nëna (Zn 4:25; 29:32; 1Sa 1:20); më vonë, në Izrael djemve u vihej emri kur rrethpriteshin, pra, ditën e tetë. (Lu 1:59; 2:21) Në disa raste, djali mbante emrin e të atit, por, zakonisht, emri kishte lidhje me rrethanat para a gjatë lindjes, ose kishte në përbërje emrin e Jehovait. Me kalimin e kohës, disa emra u bënë thjesht tradicionalë dhe s’kishin të bënin fare me domethënien fillestare.
Nënat i mbanin fëmijët e vegjël në mënyra të ndryshme. Hera-herës, fëmijën e mbështillnin dhe e lidhnin në shpinë ose e mbanin mbi supe. Nëpërmjet Isaisë, Jehovai u referohet nënave që i mbanin fëmijët në gji, mbi supe ose në krahë, paksa mbi ijë. (Is 49:22; 66:12) Edhe fjalët e Moisiut tregojnë se fëmijët mbaheshin në gji.—Nu 11:12.
Deri rreth moshës pesëvjeçare, për djemtë kujdeseshin kryesisht nënat. Natyrisht, babai kishte përgjegjësinë kryesore për t’i mësuar fëmijës Shkrimet që nga foshnjëria, kurse nëna e ndihmonte. (Lp 6:7; Pr 1:8; Ef 6:4; 2Ti 3:15) Teksa fëmija rritej, babai i mësonte punët e bujqësisë e të blegtorisë, ose i jepte ndonjë zanat, si për shembull, zdrukthëtarinë. Kur ishin ende djelmosha, Jozefi dhe Davidi ishin barinj.—Zn 37:2; 1Sa 16:11.
Vajzat ishin nën kujdesin e drejtpërdrejtë të nënës, sigurisht nën drejtimin e babait. Për sa kohë ishin në shtëpi, mësonin të bënin punët e shtëpisë që do t’u vlenin kur të rriteshin. Rakela ishte bareshë. (Zn 29:6-9) Gjatë kohës së korrjes, vashat punonin në fusha (Ru 2:5-9), dhe vajza shulamite tha se vëllezërit e kishin caktuar të ruante vreshtat.—Kng 1:6.
Në Izrael, fëmijët e vegjël kënaqeshin me lojëra e argëtime të ndryshme, disa herë duke luajtur nëpër sheshet e pazarit, duke imituar gjërat që bënin të rriturit.—Mt 11:16, 17; Za 8:5.
Të rinjtë izraelitë të stërvitur më së miri, e kujtonin Krijuesin e tyre në ditët e djalërisë. Për shembull, kur ishte djalë, Samueli i shërbeu Jehovait në tabernakull. (1Sa 2:11) Që kur ishte 12 vjeç, Jezui e kishte shumë për zemër t’i shërbente Atit të tij dhe mësonte gjithçka që mundej duke folur me mësuesit në tempull. (Lu 2:41-49) Naamani shkoi tek Eliseu që të shërohej nga lebra falë një vajze të vogël hebreje që kishte besim të patundur te Jehovai dhe te profeti i tij, Eliseu. (2Mb 5:2, 3) Te Psalmi 148:12, 13 djemtë dhe vajzat urdhërohen të lëvdojnë Jehovain. Falë arsimimit biblik që kishin marrë, kur panë Jezuin në tempull, djemtë thërritën: «Shpëtoje, të lutemi, Birin e Davidit!» Dhe Jezui i lavdëroi për këtë.—Mt 21:15, 16.
Prindërit kishin përgjegjësinë t’i arsimonin e t’i stërvitnin fëmijët, pasi ishin mësuesit dhe udhërrëfyesit e tyre me fjalë e me vepra. Ja çfarë përfshinte programi i arsimimit: (1) t’u mësonin fëmijëve të kishin frikë nga Jehovai (Ps 34:11; Pr 9:10); (2) t’i këshillonin të nderonin atin dhe nënën (Da 20:12; Le 19:3; Lp 27:16); (3) të ngulitnin me zell në mendjet e njoma të të vegjëlve disiplinën ose udhëzimet e Ligjit, urdhërimet e mësimet e tij, si dhe t’u mësonin gjithçka kishte bërë Jehovai dhe të vërtetat e zbuluara prej tij (Lp 4:5, 9; 6:7-21; Ps 78:5); (4) t’u rrënjosnin respektin për të moshuarit (Le 19:32); (5) të skalitnin thellë në mendjet e të rinjve rëndësinë e bindjes (Pr 4:1; 19:20; 23:22-25); (6) t’i jepnin rëndësi stërvitjes praktike për jetën si të rritur, për shembull, t’u mësonin vajzave të mbanin shtëpinë dhe djemve zanatin e babait ose ndonjë zanat tjetër; (7) t’i mësonin të shkruanin e të lexonin.
Pas mërgimit në Babiloni, në pjesën më të madhe të qyteteve u shfaqën sinagogat, ku, në kohët e mëvonshme, djemtë arsimoheshin nga mësuesit. Veç kësaj, fëmijëve u jepej edhe mësim fetar kur prindërit i merrnin me vete në asambletë që mbaheshin për të adhuruar e lëvduar Jehovain. (Lp 31:12, 13; Ne 12:43) Prindërit e kishin marrë me vete Jezuin në Jerusalem për festën e Pashkës. Kur po ktheheshin, ata panë që Jezui nuk ishte me ta dhe më vonë e gjetën në tempull, «të ulur mes mësuesve, tek i dëgjonte dhe i pyeste».—Lu 2:41-50; shih ARSIMIMI.
Në rastet kur djali bëhej kryekëput rebel dhe i pakorrigjueshëm, ndonëse ishte paralajmëruar vazhdimisht dhe kishte marrë disiplinën e nevojshme, merrej një masë edhe më e ashpër. Atë e çonin para pleqve të qytetit, dhe pasi prindërit dëshmonin se ishte fajtor i pandreqshëm, keqbërësin e dënonin me vdekje dhe e vritnin me gurë. Është e qartë se në këto raste nuk bëhet fjalë për një djalë të vogël, pasi Bibla e përshkruan këtë person si «grykës dhe pijanec». (Lp 21:18-21) Kush rrihte babanë ose nënën, apo kush mallkonte prindërit, vritej. Këto masa të forta merreshin sepse kombi duhej të hiqte të keqen nga gjiri i vet dhe ‘gjithë Izraeli do të dëgjonte e do të frikësohej’. Kësisoj, ndëshkimi që merrnin këta keqbërës, frenonte goxha çdo prirje kriminale mes të miturve ose çdo mungesë respekti ndaj autoritetit prindëror.—Da 21:15, 17; Mt 15:4; Mr 7:10.
Një grup djemsh të vegjël treguan mungesë të thellë respekti ndaj Eliseut, profetit të caktuar nga Jehovai, duke e tallur e duke thirrur: «Ngjitu, o tullac! Ngjitu, o tullac!» Ata donin që Eliseu, i cili mbante veshur rrobën e njohur të Elijas, të vazhdonte të ngjitej në Bethel ose të largohej nga toka, sikurse mendohej se kishte bërë Elija. (2Mb 2:11) Nuk donin ta kishin nëpër këmbë. Në fund, Eliseu u kthye dhe i mallkoi në emër të Jehovait. «Pastaj nga pylli dolën dy arusha dhe shqyen dyzet e dy fëmijë.»—2Mb 2:23, 24.
Jezui profetizoi se fëmijët do të ngriheshin kundër prindërve dhe prindërit kundër fëmijëve, për shkak se do të bëheshin dishepuj të tij. (Mt 10:21; Mr 13:12) Apostulli Pavël paratha se ndër problemet e mëdha që do të karakterizonin «ditët e fundit», do të ishin edhe mosbindja e fëmijëve ndaj prindërve dhe mungesa e përzemërsisë së natyrshme.—2Ti 3:1-3.
Kur renditi kualifikimet e mbikëqyrësve dhe të shërbëtorëve ndihmës në kongregacionin e krishterë, apostulli Pavël specifikoi se burrat e zgjedhur për këto përgjegjësi duhej të kishin «fëmijë besimtarë, të paakuzuar si të shfrenuar ose të pashtruar» dhe të nënshtruar me plot seriozitet, sepse, siç tha Pavli, «nëse një njeri nuk di të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kongregacionin e Perëndisë»?!—Tit 1:6; 1Ti 3:4, 5, 12.
Autoriteti prindëror. Autoriteti i prindërve, sidomos i babait, ishte mjaft i madh. Për sa kohë që babai ishte gjallë e në gjendje të drejtonte shtëpinë, djemtë i nënshtroheshin atij. Sidoqoftë, nëse me kalimin e kohës një djalë ngrinte familje më vete, ai bëhej kreu i shtëpisë së tij. Që të paguante borxhet e marra, babai mund t’i shiste fëmijët në skllavëri të përkohshme. (Da 21:7; 2Mb 4:1; Mt 18:25) Babai kishte një autoritet të tillë mbi vajzën, saqë mund të prishte zotimet që merrte ajo. Megjithatë, ai nuk mund ta përdorte autoritetin që ta ndalonte vajzën të adhuronte Jehovain ose që ta pengonte t’u bindej urdhërimeve të Jehovait, pasi vetë ai, si pjesëtar i kombit të Izraelit, i ishte kushtuar Perëndisë dhe gjendej plotësisht nën Ligjin e Perëndisë. (Nu 30:3-5, 16) Autoriteti që kishin prindërit dukej edhe në martesat e fëmijëve, ku ata zgjidhnin gratë për djemtë ose organizonin gjithçka për martesën. (Zn 21:21; Da 21:8-11; Gjy 14:1-3) Një grua e ve ose e divorcuar mund të kthehej në shtëpinë e të atit e t’i nënshtrohej sërish atij.—Zn 38:11.
E drejta e trashëgimisë rridhte nga babai. Kur lindnin binjakë, tregohej kujdes i madh që të dallohej se cili fëmijë dilte i pari (Zn 38:28), sepse djali i parëlindur merrte dy pjesë nga trashëgimia e të atit, kurse djali tjetër vetëm një pjesë. (Lp 21:17; Zn 25:1-6) Zakonisht, djali më i madh merrte mbi vete përgjegjësinë që të kujdesej për gratë e familjes pas vdekjes së të atit. Djali që vinte në jetë nga një martesë me kunatin, rritej si djali i të vdekurit dhe trashëgonte pronat e tij.—Lp 25:6; Ru 4:10, 17.
Përdorimi i figurshëm. Në Bibël fjala «fëmijë» ka një kuptim të gjerë. Isaia i quan pasardhësit e Izraelit ‘fëmijë sipas mishit’ dhe «bij të shkeljes», për shkak të frymës së tyre rebele kundër Jehovait. (Ro 9:8; Is 57:4) Në ditët e apostujve, njerëzit e ligj u quajtën «fëmijë të mallkuar» dhe ‘fëmijë të Djallit’. (2Pj 2:14; 1Gjo 3:10) Kurse ata që tregojnë besim te Krishti dhe lindin nga fryma, quhen «fëmijë të Perëndisë». (Gjo 1:12; Ro 8:16) Shpesh, dishepujt janë quajtur fëmijë.—Gjo 13:33; He 2:13.
Individët që do të kenë privilegjin të ringjallen, janë quajtur «fëmijë të ringjalljes» (Lu 20:36); kurse bashkëtrashëgimtarët me Krishtin, janë ‘fëmijë sipas premtimit’ (Ro 9:8) ose fëmijë «të gruas së lirë». (Ga 4:31) Të gjithë ata që duan të fitojnë jetën në Mbretërinë qiellore duhet të shfaqin cilësi të ngjashme me fëmijët, si për shembull të jenë të përulur, me mendje të hapur dhe mosdyshues. (Mt 18:2-4) Burrat e gratë që përpiqen t’i binden Perëndisë duke pasqyruar në jetën e tyre dritën e së vërtetës, janë përshkruar si «fëmijë të bindur» dhe si «fëmijë të dritës».—1Pj 1:14; Ef 5:8.
Pavli i këshilloi si fëmijë pjesëtarët e kongregacionit të Korintit që ‘të zgjeroheshin’ në përzemërsi; më parë, ai i kishte inkurajuar të mos ishin fëmijë në lidhje me aftësinë për të kuptuar.—2Ko 6:13; 1Ko 14:20.