Pyetje nga lexuesit
Në Bibël thuhet se duhen të paktën dy dëshmitarë që të vendoset për një çështje. (Num. 35:30; Ligj. 17:6; 19:15; Mat. 18:16; 1 Tim. 5:19) Por sipas Ligjit, nëse një burrë përdhunonte një vajzë të fejuar «jashtë qytetit» dhe ajo bërtiste për ndihmë, ajo nuk ishte fajtore për kurorëshkelje, kurse ai po. Meqë nuk kishte dëshmitarë të tjerë okularë për përdhunimin, pse ajo ishte e pafajshme, kurse ai fajtor?
Ajo që thuhet te Ligji i përtërirë 22:25-27, nuk përqendrohet te fajësia e burrit, pasi tashmë kjo dihej. Ky ligj përqendrohet te pafajësia e gruas. Të shqyrtojmë kontekstin.
Vargjet pararendëse tregojnë për një burrë që pati marrëdhënie me një vajzë të fejuar «në qytet». Në këtë rast, ai ishte fajtor për kurorëshkelje meqë një vajzë e fejuar konsiderohej e martuar. Po vajza? Ajo «nuk bërtiti për ndihmë në qytet». Nëse do të kishte bërtitur, me siguri do ta kishin dëgjuar e do ta kishin mbrojtur. Por ajo nuk bërtiti. Kështu ishte bashkëfajtore për kurorëshkelje, prandaj të dy gjykoheshin si fajtorë.—Ligj. 22:23, 24.
Më pas Ligji flet për një situatë tjetër: «Por nëse burri e takon rastësisht vajzën e fejuar jashtë qytetit, e zë me forcë dhe fle me të, atëherë do të vdesë vetëm burri që fjeti me të, kurse vajzës nuk duhet t’i bësh gjë. Ajo nuk ka kryer ndonjë mëkat që meriton vdekjen. Ky rast është njësoj si rasti kur një burrë i sulet një tjetri dhe e vret. Ai e takoi rastësisht vajzën e fejuar jashtë qytetit dhe ajo bërtiti për ndihmë, por nuk kishte kush ta shpëtonte.»—Ligj. 22:25-27, nwt.
Në këtë rast, mbi gruan nuk binin dyshime. Pse? Supozohej se «ajo bërtiti për ndihmë, por nuk kishte kush ta shpëtonte». Prandaj ajo nuk kishte kryer kurorëshkelje. Megjithatë, burri ishte fajtor për përdhunim dhe kurorëshkelje, sepse ‘e zuri me forcë dhe fjeti me vajzën e fejuar’.
Kështu, edhe pse ky ligj përqendrohet te pafajësia e vajzës, me të drejtë Shkrimet e shpallin burrin fajtor për përdhunim dhe kurorëshkelje. Mund të jemi të sigurt se gjykatësit ‘do ta hetonin çështjen imtësisht’ dhe do të merrnin një vendim në përputhje me standardin e qartë që Perëndia e kishte përsëritur sa e sa herë.—Ligj. 13:14; 17:4; Eks. 20:14.