Drejtësia lartëson një komb
MBAS ditëve të tëra me shi, çfarë kënaqësie është të zgjohesh dhe të shohësh diellin që shkëlqen në një qiell pa re! Toka është e rifreskuar dhe tani bimët mund të rriten të harlisura. Perëndia Jehova përdori njëherë një përshkrim të tillë për të ilustruar bekimet e sundimit të drejtë. Ai i tha mbretit David: «Ai që mbretëron me drejtësi mbi njerëzit, ai që mbretëron në frikën e Perëndisë, është si drita e mëngjesit në të dalë të diellit, në një mëngjes pa re, ashtu si shkëlqimi mbas shiut, që bën të mbijë bari i njomë nga dheu.»—2. Samuelit 23:3, 4.
Fjalët e Perëndisë dolën të vërteta gjatë sundimit të drejtë të djalit të Davidit, Mbretit Solomon. Bibla tregon: «Juda dhe Izraeli, nga Dani deri në Beer-Sheba, jetuan të sigurtë, secili nën pjergullën dhe fikun e tij, tërë kohën që mbretëroi Salomoni.»—1. Mbretërve 4:25.
Izraeli i lashtë ishte kombi i zgjedhur i Perëndisë. Ai u dha atyre ligjet e tij dhe u tha se, nëse do t’i bindeshin zërit të tij ai «do të të lartësojë mbi të gjitha kombet e dheut». (Ligji i përtërirë 28:1) Nuk ishte drejtësia vetiake e Izraelit, por drejtësia e Jehovait ajo që i lartësoi ata. Urdhrat që Perëndia u dha atyre ishin shumë më të larta se sa ligjet e kombeve përreth. Si një popull, ata ishin po aq të papërsosur sa edhe gjithë ato kombe. Kështu, nga Ligji i lartë i Jehovait dhe nga lidhja e fortë me të, varej lartësimi i tyre mbi kombet. Kur iu bindën ligjit të Jehovait, ata gëzuan favorin dhe bekimet e tij. Mbreti Solomon e provoi këtë gjatë mbretërimit të tij. Ai mundi të thoshte: «Drejtësia e larton një komb, por,—paralajmëroi ai,—mëkati është turpi i popujve.»—Proverbat 14:34.
Me trishtim, si pasojë e veprimeve të vazhdueshme të mosbindjes, kombi i Izraelit u vu në një vend më të ulët. Ata vuajtën një poshtërim kombëtar. Kjo me sa duket çoi në hedhjen e tyre tej, në favor të një kombi të ri frymor.—Mateu 21:43.
Izraeli frymor
Në një mbledhje të trupit udhëheqës të krishterë në Jeruzalem, Jakovi, një jude i lindur, i frymëzuar tha se Perëndia «i ka vizituar për herë të parë . . . johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij». (Veprat 15:14) Apostulli Pavël e quajti këtë komb të ri të krishterë, «Izraeli i Perëndisë». (Galatasve 6:16) Në lidhje me qëllimin e thirrjes së tyre, Pjetri shkroi: «Ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme.» (1. Pjetrit 2:9) Si popull i zgjedhur i Perëndisë, ata duhej të shkëlqenin si ndriçues në botë. Drejtësia e Jehovait do t’i ngrinte ata lart.—Filipianëve 2:15.
Përzgjedhja e këtyre izraelitëve frymorë mund të krahasohet me kërkimin e diamanteve. Kur një xeheror, që përmban diamant të pasur, nxirret në sipërfaqe, mund të prodhojë vetëm 1 karat (0.007 ons = 200 mg) për çdo 3 ton dhè. Një metodë e përdorur dikur për të ndarë diamantet, përfshinte përzierjen e xeherorëve me ujë dhe derdhjen e përzierjes mbi tavolina me graso. Diamantet e zmbrapsnin ujin dhe ngjiteshin në graso, ndërsa materialet e padëshirueshme largoheshin. Në këtë fazë, diamantet ishin të ashpra. Sidoqoftë, pasi priteshin dhe pastroheshin, ata e reflektonin dritën në të gjitha drejtimet.
Ashtu si diamantet që refuzojnë ujin, të cilat nuk janë pjesë e lëndëve që i rrethojnë, populli i Jehovait ka qenë i ndarë nga bota. (Gjoni 17:16) Kur janë nxjerrë fillimisht në dritë, atyre ndoshta u mungonte shkëlqimi. Por Fjala dhe fryma e Jehovait krijoi brenda tyre një personalitet të ri dhe tani ata shkëlqejnë si ndriçues në këtë botë. Ata u lartësuan për shkak të drejtësisë së Jehovait dhe e reflektojnë dritën e lavdishme të Mbretërisë në të gjitha drejtimet, jo për shkak të drejtësisë së tyre personale.
Megjithatë, që nga pjesa e fundit e shekullit të parë të e.s., apostazia hyri nëpër kongregacione dhe preku shumë veta. Të ashtuquajturit të krishterë u bashkuan me kombet e botës dhe nuk mund të dalloheshin prej botës që i rrethonte.
Sot, një mbetje besnike e izraelitëve frymorë prehet në favorin e Jehovait. Ata e kanë ndarë veten e tyre nga bota dhe e kanë pastruar veten e tyre nga «çdo ndotje e mishit dhe e frymës». (2. Korintasve 7:1) Duke qenë të pastër dhe të ndershëm para Jehovait, ata e mbajnë lart drejtësinë e tij. Kjo i ka ngritur ata në një pozitë më të lartë favori sesa kombet e botës. Me anë të predikimit të tyre të zellshëm të lajmit të mirë të Mbretërisë, një shumicë e madhe ndërkombëtare ka dalë përpara Jehovait dhe është bërë pjesë e popullit të tij.—Zbulesa 7:9, 10.
Bota mund të shohë ndryshimin
Autoritetet botërore kohë pas kohe lavdërojnë sjelljen e shërbëtorëve të Perëndisë. Disa kohë më parë, shefi policisë i qendrës së shfaqjeve Pretoria Show Grounds, në Afrikën e Jugut, komentoi mbi sjelljen e Dëshmitarëve të Jehovait nga të gjitha racat, të cilët përdorin këto ambiente për mbledhjet e tyre vjetore. Midis të tjerave ai shkroi: «Çdonjëri ishte i sjellshëm, njerëz që flisnin shumë mirë me njëri-tjetrin, qëndrimi i shfaqur këto ditë të shkuara—e gjitha ajo dëshmon për nivelin e pjesëtarëve të shoqërisë suaj dhe që të gjithë jetojnë së bashku, tamam si një familje e lumtur.»
Populli i Jehovait mund të kontribuojë për drejtësinë e kombit të tij jo vetëm në grumbullime të tilla të mëdha, por edhe në jetën e tij private. Për shembull, dega e Shoqatës Watch Tower në Afrikën e Jugut mori një letër nga një zonjë në Johanesburg që thoshte: «Javën që shkoi unë po ngisja makinën dhe çantën e kisha lënë sipër saj. Çanta më ra në shëtitoren Jan Smuts dhe u gjet bashkë me ato që ishin brenda nga një pjesëtar i kongregacionit tuaj, zoti R., i cili më telefonoi dhe ma ktheu. . . . Unë e çmoj shumë këtë ndershmëri që është bërë një cilësi e rrallë në ditët e sotme dhe lavdëroj kongregacionin tuaj për vendosjen e parimeve që ndjekin anëtarët tuaj.»
Po, duke u lidhur ngushtë pas parimeve të drejta të Jehovait, populli i tij veçohet si i ndryshëm nga bota. Për shkak të kësaj shfaqjeje të drejtësisë së Jehovait, njerëzit me zemër të ndershme janë tërhequr drejt kongregacionit të krishterë. Është e natyrshme të jemi të tërhequr ndaj diçkaje të pastër dhe të dëlirë. Për shembull, një i huaj erdhi në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait në Zyrih të Zvicrës dhe tha se dëshironte të bëhej një pjesëtar i kongregacionit. Ai shpjegoi që motra e tij ishte përjashtuar për imoralitet dhe shtoi se dëshironte të bashkohej me një organizatë e cila «nuk e toleron sjelljen e keqe». Madje edhe New Catholic Encyclopedia (Enciklopedia e re katolike) pranon se Dëshmitarët e Jehovait njihen si «një nga grupet me sjellje më të mirë në botë».
Ndërsa drejtësia lartësohet, mëkati mund të sjellë turp mbi emrin e mirë të dikujt, veçanërisht nëse sjellja serioze bëhet e njohur në komunitet. Kongregacioni i krishterë, me kohë, duhet të mbajë turpin e grumbulluar mbi të, kur anëtarët e tij individualisht kryejnë mëkate të rënda. Në mënyrë të kuptueshme, anëtarët besnikë të kongregacionit mund të kërkojnë ta mbrojnë emrin e mirë të kongregacionit, duke treguar që fajtori është disiplinuar në një mënyrë të mëshirshme, e cila është në harmoni me parimet që gjenden në Shkrime. Nëse dikush praktikon mëkatin dhe nuk pendohet, ai do të nxirret jashtë nga kongregacioni—i përjashtuar.—1. Korintasve 5:9-13.
Përse disa janë përjashtuar?
Megjithëse disa mijëra janë përjashtuar çdo vit nga kongregacioni i krishterë, kjo është vetëm një përqindje e vogël e rreth pesë milionë Dëshmitarëve në botë. Përse duhet të merret një hap kaq i prerë ndaj ndonjërit në kongregacionin e krishterë? Natyra e fajit është një nga faktorët përcaktues. Por një faktor shumë më i rëndësishëm është nëse fajtori është penduar me të vërtetë mbi fajin serioz të kryer. Nëse ai me të vërtetë është prekur në zemër, i është drejtuar Jehovait me lutje të ndjera nga zemra, duke kërkuar falje për mëkatin e kryer kundër Tij dhe ka kërkuar ndihmën e burrave përgjegjës në kongregacion, ai mund të ndihmohet për të rifituar favorin e Perëndisë dhe të mbetet një pjesë e kongregacionit.—Proverbat 28:13; Jakovi 5:14, 15.
Kur një fëmijë, i cili ka një marrëdhënie të mirë dhe të shëndetshme me babain e tij bën diçka që e pikëllon të atin, që të dy duhet të jenë të shpejtë në rivendosjen e kësaj marrëdhënieje të çmuar. Në mënyrë të ngjashme, kur ne i dedikojmë jetën tonë Jehovait, ne hyjmë në një marrëdhënie edhe më të çmuar me të. Kështu, kur ne bëjmë diçka që e pikëllon atë, duhet të veprojmë menjëherë duke kërkuar ta rivendosim atë marrëdhënie me Atin tonë Qiellor.
Lumturisht, disa, të cilët kanë qenë në një gjendje përjashtimi e kanë marrë për zemër ilustrimin e djalit plëngprishës. Jehovai aty krahasohet me një Atë të dashur, i gatshëm për të pritur sërish një mëkatar të penduar në qoftë se ky bën kthesë dhe kërkon faljen e Perëndisë. (Luka 15:11-24) Pendimi i vërtetë me zemër dhe një kthim nga ajo që është e keqe ka qenë një mënyrë për t’u kthyer në favorin e Jehovait dhe në kongregacionin e krishterë. Disa fajtorë të penduar, të cilët kanë ndjerë shtypjen nën barrën e fajit të tyre, janë shtyrë për t’u penduar dhe kanë ndërmarrë hapa për t’iu kthyer ambientit të dashur të kongregacionit të krishterë. Në këtë mënyrë, ata kanë ardhur për të vlerësuar fjalët e Jehovait tek Isaia 57:15.
Për të mbajtur individët larg kujdesit të dashur të Jehovait, Satanait do t’i pëlqente të pretendonte se nuk ka falje për mëkatet e kryera. Por sakrifica shpërblerëse e Jezu Krishtit është e përshtatshme për të mbuluar mëkatet e çdo të penduari—po, madje edhe «ato të të gjithë botës». (1. Gjoni 2:1, 2) I vetmi mëkat që nuk mbulohet nga shpërblerja është mëkati kundër frymës së shenjtë të Perëndisë, mëkat i cili është baraz me rebelimin e paramenduar kundër veprimit të frymës së Perëndisë, i tillë si edhe mëkatet e rënda të Judë Iskariotit dhe i shumë skribëve dhe farisenjve.—Mateu 12:24, 31, 32; 23:13, 33; Gjoni 17:12.
Duke mbajtur lart drejtësinë e Jehovait
Qëkurse mbetja e izraelitëve frymorë u rivendos në favorin e Jehovait në 1919, ata janë lartësuar gjithnjë e më shumë nga bota që i rrethon. Kjo nuk ndodh për shkak të ndonjë mirësie nga ana e tyre, por për shkak të nënshtrimit të vullnetshëm ndaj ligjeve dhe normave të Jehovait. Si rezultat, miliona «dele të tjera» të Krishtit janë tërhequr brenda shoqërisë, me Izraelin frymor si shokë besnikë. (Gjoni 10:16) Këta njerëz i sjellin lavdi dhe nder Jehovait në një botë që është shumë larg normave të drejta të Perëndisë. Kjo është ashtu si revista jugafrikane Personality vërejti njëherë: «Dëshmitarët e Jehovait duket se janë të mbushur plot me cilësi të mira dhe janë pothuajse të çliruar nga e keqja.»
Për të mbajtur këtë pozitë të lartë në një botë të paperëndishme, çdo pjesëtar i kongregacionit duhet të jetojë një jetë të pastër dhe të ndershme para Jehovait. Në Bibël, organizata qiellore e Jehovait përshkruhet me gjëra të pastra. Ajo shihet si një grua e mrekullueshme e stolisur me diell dhe që ka hënë nën këmbët e saj. (Zbulesa 12:1) Jeruzalemi i ri paraqitet si një qytet i shenjtë, i mrekullueshëm në pamje. (Zbulesa 21:2) Pjesëtarët besnikë të nuses së Krishtit jepen si të veshur me «li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm». (Zbulesa 19:8) Ata që bëjnë pjesë në shumicën e madhe shihen «të veshur me rroba të bardha». (Zbulesa 7:9) Njerëzit tërhiqen drejt një organizate të pastër. Në dallim me këtë, organizata e Satanait është e papastër. Sistemi i tij fetar përfytyrohet si një prostitutë dhe ata që janë jashtë qytetit të shenjtë përshkruhen si të pistë, të papastër.—Zbulesa 17:1; 22:15.
Jeta e përhershme u është premtuar të drejtëve. Njerëzit e mbledhur, duke mbajtur lart drejtësinë e Jehovait, kanë perspektivën të mbijetojnë fundin e këtij sistemi të lig. «Ai që më dëgjon do të banojë në një vend të sigurt dhe do të jetë . . . i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe», premton Perëndia në Proverbat 1:33.
Sa gjallëruese do të jetë kur Solomoni i Madh, Jezu Krishti, të sundojë mbi botën e re në drejtësi, në frikën e Jehovait! (2. Pjetrit 3:13) Do të jetë si drita e mëngjesit kur dielli shkëlqen deri tej, një mëngjes pa re. Të gjithë banorët e tokës do të banojnë në siguri, secili i ulur, si të thuash, nën vreshtin dhe nën fikun e tij. Shoqëria e drejtë njerëzore do të zbukurojë tokën dhe do të zërë vendin që i takon asaj në univers, për një lavdërim të përjetshëm të Perëndisë tonë, Jehova.—Mikea 4:3, 4; shiko gjithashtu Isaia 65:17-19, 25.
[Burimi i figurës në faqen 26]
Garo Nalbandian