Skribët e lashtë dhe Fjala e Perëndisë
SHKRIMET HEBRAIKE u përfunduan nga fundi i shekullit të pestë p.e.s. Gjatë shekujve pasues, dijetarët judaikë, veçanërisht soferimët e më vonë masoretët, treguan shumë kujdes për të mbrojtur tekstin hebraik. Mirëpo, librat më të vjetër të Biblës ishin shkruar në ditët e Moisiut dhe të Josiut, një mijë vjet para kohës së soferimëve. Materiali mbi të cilin ishin shkruar ata libra prishej, prandaj rrotullat duhet të jenë kopjuar shumë herë. Çfarë dihet për profesionin e skribit në atë periudhë më të hershme? A kishte kopistë të aftë në Izraelin e lashtë?
Dorëshkrimet më të vjetra biblike që ekzistojnë sot janë pjesë të rrotullave të Detit të Vdekur, disa prej të cilave datojnë në shekujt e tretë dhe të dytë p.e.s. «Nuk kemi në dispozicion kopje më të hershme të ndonjë pjese të Biblës»,—shpjegon profesori Alan R. Milard, studiues i gjuhëve dhe i arkeologjisë së Lindjes së Afërt. Ai shton: «Kulturat fqinje mund të tregojnë se si punonin skribët e lashtë, dhe kjo njohuri mund të ndihmojë për të bërë vlerësimin e tekstit hebraik dhe të historisë së tij.»
Profesioni i hershëm i skribit
Katër mijë vjet më parë, në Mesopotami shkruheshin tekste historike, fetare, ligjore, akademike dhe letrare. Shkollat e skribëve lulëzuan dhe një nga disiplinat që mësohej në to ishte kopjimi me besnikëri i teksteve ekzistuese. Studiuesit e sotëm gjejnë vetëm ndryshime të vogla në tekstet babilonase që ishin kopjuar shumë herë gjatë një mijëve vjetëve ose më tepër.
Profesioni i skribit nuk ishte kufizuar vetëm në Mesopotami. Në një enciklopedi thuhet: «Një skrib babilonas në gjysmën e mijëvjeçarit të dytë p.e.s. me siguri i njihte mirë metodat që përdoreshin në qendrat e skribëve anembanë Mesopotamisë, Sirisë, Kanaanit, e madje edhe të Egjiptit.»a—(The Oxford Encyclopedia of Archaeology in the Near East)
Profesioni i skribit ishte i një rangu të lartë në Egjiptin e ditëve të Moisiut. Skribët kopjonin vazhdimisht vepra letrare. Kjo veprimtari e tyre përshkruhet në zbukurimet e varreve egjiptiane me moshë më shumë se 4.000-vjeçare. Në enciklopedinë e lartpërmendur, për skribët e lashtë në këtë periudhë të hershme thuhet: «Aty nga mijëvjeçari i dytë p.e.s., ata kishin kopjuar e koleksionuar shumë vepra letrare që përshkruanin qytetërimet e mëdha të Mesopotamisë e të Egjiptit dhe kishin përcaktuar një kod pune për skribët profesionistë.»
Në këtë «kod pune» përfshihej përdorimi i kolofonëve që i shtoheshin tekstit kryesor. Kolofonët përmbanin emrin e skribit dhe të pronarit të pllakës, datën, burimin e origjinalit nga i cili ishte kopjuar pllaka, numrin e rreshtave etj. Shpesh skribi shtonte: «Kjo u shkrua dhe u kontrollua në përputhje me origjinalin.» Këto hollësi tregojnë se kopistët e lashtë i jepnin rëndësi saktësisë.
Profesor Milardi, i përmendur më parë, thotë: «Mund të dallohet një proces kopjimi që përfshinte kontrollin e korrigjimin dhe ky proces kishte teknika të përcaktuara për të parandaluar gabimet. Disa prej këtyre, sidomos numërimi i rreshtave ose i fjalëve, shfaqen në traditat e masoretëve në fillim të Mesjetës.» Prandaj, për sa i përket kohës së Moisiut dhe të Josiut, tashmë ekzistonte në Lindjen e Mesme një qëndrim që nxiste kujdesin dhe saktësinë në transmetimin e veprave të shkruara.
A kishin edhe izraelitët kopistë të kualifikuar? Çfarë tregojnë dëshmitë që përmban Bibla?
Skribët në Izraelin e lashtë
Moisiu u rrit si pjesëtar i shtëpisë së faraonit. (Dalja 2:10; Veprat 7:21, 22) Sipas egjiptologëve, në arsimimin e Moisiut duhet të jetë përfshirë zotërimi i gjuhës së shkruar egjiptiane dhe të paktën i disa prej aftësive të skribëve. Në librin e tij Izraeli në Egjipt (anglisht), profesori Xhejms K. Hofmajer thotë: «Ka arsye për ta besuar traditën biblike sipas së cilës Moisiu kishte aftësinë të dokumentonte ngjarjet, të përpilonte itineraret, si edhe kryente punë të tjera që zakonisht i bënin skribët.»b
Bibla përmend individë të tjerë në Izraelin e lashtë që kishin aftësi si skribë. Sipas botimit Historia e Biblës, sipas Kembrixhit (anglisht), Moisiu «emëroi të parë të arsimuar . . . që të hidhnin me shkrim vendimet dhe organizimin e njerëzve sipas rangjeve». Ky përfundim bazohet te Ligji i përtërirë 1:15, ku thuhet: «Kështu, [unë Moisiu] mora krerët e fiseve tuaja . . . e i vura si krerët tuaj, prijës të mijësheve, të qindësheve, të pesëdhjetësheve, të dhjetësheve dhe të parë të fiseve tuaja.» Cilët ishin këta zyrtarë?
Fjala hebraike e përkthyer «të parë» shfaqet shumë herë në vargjet biblike që i referohen kohës së Moisiut dhe të Josiut. Studiues të ndryshëm shpjegojnë se kjo fjalë ka kuptimin «sekretar për të dokumentuar», «dikush që ‘shkruan’ ose ‘dokumenton’» dhe «zyrtar që ndihmonte gjykatësin me punë sekretarie». Shfaqja e herëpashershme e kësaj fjale hebraike tregon se në Izrael kishte një numër të madh sekretarësh të tillë dhe se ata kishin përgjegjësi të mëdha në administrimin e hershëm të kombit.
Shembulli i tretë lidhet me priftërinjtë e Izraelit. Encyclopaedia Judaica thotë se «për shkak të funksioneve fetare dhe shekullare, ata duhej të ishin të arsimuar». Për shembull, Moisiu i urdhëroi bijtë e Levit: «Në fund të çdo shtatë vjetëve, . . . do ta lexoni këtë ligj para tërë Izraelit.» Priftërinjtë u bënë kujdestarë të kopjes zyrtare të Ligjit. Ata autorizonin dhe mbikëqyrnin shkrimin e kopjeve të tjera.—Ligji i përtërirë 17:18, 19; 31:10, 11.
Shqyrtoni se si u bë kopja e parë e Ligjit. Gjatë muajit të fundit të jetës, Moisiu u tha izraelitëve: «Kur të kaloni Jordanin për të shkuar drejt vendit që po ju jep Jehovai, Perëndia juaj, ngrini gurë të mëdhenj e zbardhini me gëlqere. . . . Shkruaj në ta të gjitha fjalët e këtij ligji.» (Ligji i përtërirë 27:1-4) Pas shkatërrimit të Jerikosë dhe të Ait, izraelitët u mblodhën në malin e Ebalit, i cili ndodhej në qendër të Tokës së Premtuar. Atje Josiu shkroi vërtet mbi gurët e një altari «një kopje të ligjit të Moisiut». (Josiu 8:30-32) Këto mbishkrime nënkuptojnë se kishte njerëz që mund të shkruanin e të lexonin. Kjo tregon se izraelitët e hershëm kishin njohurinë gjuhësore dhe aftësinë e nevojshme për t’i ruajtur saktë tekstet e tyre të shenjta.
Saktësia e Shkrimeve
Pas kohës së Moisiut dhe të Josiut, pati rrotulla të tjera hebraike dhe u bënë kopje të tyre me dorë. Meqë vjetroheshin ose prisheshin nga lagështira e myku, këto kopje duheshin zëvendësuar. Ky proces kopjimi vazhdoi për shekuj.
Me gjithë kujdesin e treguar nga kopistët e Biblës, disa gabime ishin të pashmangshme. Por, a e ndryshuan në mënyrë thelbësore tekstin e Biblës gabimet e kopistëve? Jo. Në përgjithësi këto gabime janë të parëndësishme dhe nuk ndikojnë në saktësinë e përgjithshme të Biblës, siç provohet nga krahasimi kritik i dorëshkrimeve të lashta.
Për të krishterët, pikëpamja që kishte Jezu Krishti për librat e hershëm të Biblës vërteton saktësinë e tekstit të Shkrimeve të Shenjta. Shprehje të tilla, si: «A nuk keni lexuar në librin e Moisiut» dhe «A nuk jua dha Moisiu Ligjin?», tregojnë se Jezui i konsideronte të besueshme kopjet e shkruara me dorë që ekzistonin kur ai ishte në tokë. (Marku 12:26; Gjoni 7:19) Për më tepër, Jezui e vërtetoi saktësinë e tërë Shkrimeve Hebraike kur tha: «Të gjitha gjërat e shkruara për mua te ligji i Moisiut, te Profetët dhe te Psalmet do të përmbusheshin.»—Luka 24:44.
Pra, kemi arsye për të qenë të sigurt se Shkrimet e Shenjta janë transmetuar saktësisht që nga lashtësia. Është pikërisht ashtu si tha nën frymëzim profeti Isaia: «Bari thahet, lulja vyshket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë.»—Isaia 40:8.
[Shënimet]
a Josiu, i cili jetoi në gjysmën e mijëvjeçarit të dytë p.e.s., përmend një qytet kananit që quhej Kiriat-Sefer, që do të thotë «Qyteti i librit» ose «Qyteti i skribit».—Josiu 15:15, 16.
b Referime për dokumentimin me shkrim të çështjeve ligjore nga Moisiu mund të gjenden te Dalja 24:4, 7; 34:27, 28 dhe Ligji i përtërirë 31:24-26. Moisiu hodhi me shkrim një këngë, siç përmendet te Ligji i përtërirë 31:22, dhe mbajti shënim itinerarin e udhëtimit në shkretëtirë, që përmendet te Numrat 33:2.
[Figura në faqen 18]
Një skrib egjiptian duke punuar
[Figura në faqen 19]
Librat më të vjetër të Biblës u shkruan në ditët e Moisiut