Si t’i ndihmoj fëmijët e mi që të rriten mirë?
RRITJA e një fëmije mund të krahasohet me një udhëtim të këndshëm, por edhe të vështirë. Është një udhëtim që ti dhe fëmijët e tu e bëni bashkë. Ti u jep zemër dhe i drejton me dashuri, duke i ndihmuar të ecin përpara në shtegun e jetës. Sa shumë që kanë për të mësuar!
Që të kenë sukses e lumturi të vërtetë në jetë, fëmijët duhet të përvetësojnë vlera morale dhe frymore, duke mësuar të dallojnë të drejtën nga e gabuara. Nëse arrijnë ta njohin dhe ta duan Jehovain, rritja e tyre do të jetë vërtet një shpërblim dhe njohuria që marrin do t’u vlejë përgjithmonë. Si prind, ti ke një rol kryesor për të përcaktuar se çfarë mësojnë fëmijët e tu dhe si e shohin e si e interpretojnë atë që mësojnë.
Në këtë udhëtim ka disa vështirësi që duhen kapërcyer. Fëmijët ndikohen kollaj dhe nga mjedisi jashtë familjes mund të mësojnë shumë gjëra që s’janë aspak të mira. Jetojmë në një botë ku sundon Satana Djalli. (1 Gjonit 5:19) Edhe ai është i interesuar për mënyrën si rriten fëmijët e tu, ndonëse për arsye krejt të ndryshme nga të tuat. Satanai është një mësues i aftë e me shumë përvojë, por ama tepër i lig. Ndonëse hiqet si «engjëll drite», ndriçimi që ofron ai është një mashtrim dhe është në kundërshtim me Fjalën e me vullnetin e Jehovait. (2 Korintasve 4:4; 11:14; Jeremia 8:9) Si Djalli dhe demonët janë mjeshtra të mashtrimit dhe nxitin egoizmin, pandershmërinë e shthurjen morale.—1 Timoteut 4:1.
Ç’të bësh për t’i mbrojtur fëmijët e tu që të mos mashtrohen? Si t’u mësosh të pranojnë atë që është e vërtetë dhe që ia vlen? Një hap i rëndësishëm është të analizosh mirë veten. Ti duhet të lësh një shembull të mirë. Gjithashtu është jetësore të pranosh se e ke ti përgjegjësinë për t’i stërvitur fëmijët e tu dhe të gjesh kohën që duhet për këtë. Para se t’i shqyrtojmë këto pika, le të kuptojmë cili është themeli i një rritjeje të mirë.
Themeli i rritjes së mirë
Këtë mund ta mësojmë nga Solomoni, mbret i Izraelit dhe një nga njerëzit më të mençur që kanë jetuar. Bibla na thotë: «Perëndia i jepte Solomonit mençuri e kuptueshmëri mjaft të madhe, dhe gjykim të thellë zemrës së tij, aq shumë sa rëra që gjendet në breg të detit. Mençuria e Solomonit ia kalonte mençurisë së gjithë atyre që jetonin në Lindje dhe gjithë mençurisë së Egjiptit.» Solomoni «tha tre mijë proverba dhe bëri një mijë e pesë këngë». Kishte njohuri të thellë edhe për botanikën e për zoologjinë. (1 Mbretërve 4:29-34) Gjithashtu, mbreti Solomon mbikëqyri projektet e ndërtimit në Izrael, duke përfshirë edhe ndërtimin e tempullit madhështor të Jehovait në Jerusalem.
Shkrimet e Solomonit, si ato që gjejmë në librin e Eklisiastiut, tregojnë se ai kishte kuptueshmëri të thellë për natyrën njerëzore. Perëndia e frymëzoi që të theksonte themelin e rritjes së mirë. Solomoni tha: «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt njohurisë.» Gjithashtu, ky mbret i mençur pohoi: «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë dhe njohuria për Më të Shenjtin është kuptueshmëri.»—Proverbat 1:7; 9:10.
Të kemi frikë nga Perëndia do të thotë ta nderojmë e të kemi respekt të thellë për të dhe të bëjmë kujdes që të mos i shkaktojmë pakënaqësi. Ne e pranojmë se ai është Më i Larti dhe se do t’i japim llogari atij. Ndoshta ata që shpërfillin personin nga i cili varet jeta jonë, shihen si të mençur nga njerëzit, por kjo mençuri është «marrëzi në sytë e Perëndisë». (1 Korintasve 3:19) Fëmijët e tu kanë nevojë për një edukim të bazuar në ‘mençurinë që zbret nga lart’.—Jakovi 3:15, 17.
Frika se mos i shkaktojmë pakënaqësi Jehovait është shumë e lidhur me dashurinë që ndiejmë për të. Jehovai dëshiron që shërbëtorët e tij edhe ta kenë frikë, edhe ta duan. Moisiu tha: «O Izrael, çfarë po kërkon nga ti Jehovai, Perëndia yt, veçse t’i frikësohesh Jehovait, Perëndisë tënd, që të ecësh në tërë udhët e tij, ta duash e t’i shërbesh Jehovait, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, të mbash për të mirën tënde urdhërimet dhe ligjet e Jehovait, që po të jap sot?»—Ligji i përtërirë 10:12, 13.
Nëse ngulitim te fëmijët tanë frikën me nderim për Jehovain, do të hedhim themelin për një rritje të mirë, që do t’i bëjë vërtet të mençur. Ndërsa ndërtojnë mbi këtë themel, ata do ta shtojnë çmueshmërinë për Krijuesin e tyre, Burimin e gjithë njohurisë së vërtetë. Kjo do t’i ndihmojë fëmijët tanë që ta shohin në këndvështrimin e duhur atë që mësojnë e të mos nxjerrin përfundime të gabuara. Do të zhvillojnë aftësinë «për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Ky themel do t’i ndihmojë, gjithashtu, të mbeten të përulur e të mos bëjnë të keqen.—Proverbat 8:13; 16:6.
Fëmijët të vëzhgojnë!
Por, si t’i ndihmojmë fëmijët tanë që ta duan Jehovain dhe t’i frikësohen atij? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në Ligjin që i dha Jehovai popullit të Izraelit me anë të profetit Moisi. Prindërve izraelitë iu tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde. Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Ngulitua ato bijve të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.»—Ligji i përtërirë 6:5-7.
Në këtë pjesë të Biblës ka mësime të rëndësishme për prindërit. Një mësim është: Ti si prind, duhet të lësh një shembull të mirë. Që t’u mësosh fëmijëve të duan Jehovain, ti vetë duhet ta duash Perëndinë dhe fjalët e tij duhet të jenë në zemrën tënde. Pse është kaq e rëndësishme kjo? Sepse ti je mësuesi kryesor i fëmijëve të tu. Tek ata do të ndikojë shumë ajo që mësojnë nga shembulli yt. Asgjë nuk ndikon më shumë në jetën e fëmijës, sesa shembulli i prindërve të tij.
Ëndrrat, idealet, vlerat dhe interesat e tua shfaqen jo vetëm në atë që thua, por edhe në atë që bën. (Romakëve 2:21, 22) Që nga foshnjëria, fëmijët mësojnë duke vëzhguar me vëmendje prindërit e tyre. Fëmijët arrijnë të kapin çfarë është e rëndësishme për prindërit, dhe këto gjëra shpesh bëhen të rëndësishme edhe për ta. Nëse ti e do vërtet Jehovain, fëmijët e tu do ta dallojnë këtë. Për shembull, do ta shohin se për ty janë të rëndësishme leximi dhe studimi i Biblës. Do të arrijnë të kuptojnë se ti vë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë. (Mateu 6:33) Nëse je i pranishëm rregullisht në mbledhjet e krishtere dhe merr pjesë në veprën e predikimit të Mbretërisë, do të shohin se për ty ka rëndësi parësore t’i bësh shërbim të shenjtë Jehovait.—Mateu 28:19, 20; Hebrenjve 10:24, 25.
Merr përsipër përgjegjësinë tënde
Një mësim tjetër që nxjerrin prindërit nga Ligji i përtërirë 6:5-7 është ky: E ke ti përgjegjësinë të stërvitësh fëmijët e tu. Ndër shërbëtorët e Jehovait në kohët e lashta, ishin prindërit që kujdeseshin për rritjen e fëmijëve të tyre. Ndër të krishterët e shekullit të parë, prindërit vazhduan të luanin një rol jetësor për rritjen e mirë të fëmijëve. (2 Timoteut 1:5; 3:14, 15) Kur u shkroi të bashkëkrishterëve, apostulli Pavël tregoi se në veçanti etërit duhej ‘t’i rritnin fëmijët në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait’.—Efesianëve 6:4.
Nën presionin e kërkesave të sotme, të punës dhe të gjërave të tjera që kërkojnë kohë dhe energji, prindërit mund të tundohen që t’ua lënë të tjerëve t’i rritin fëmijët e tyre, si për shembull edukatorëve ose mësuesve. Por askush nuk mund të zërë vendin e një prindi të dashur që kujdeset për fëmijën. Mos e nënvlerëso kurrë rëndësinë dhe ndikimin që ke te fëmijët e tu. Nëse të duhet ndihmë, zgjidhe me mençuri, por mos ia dorëzo kurrë një tjetri detyrën e shenjtë që të është dhënë.
Kalo kohë duke stërvitur fëmijët
Një mësim i tretë që nxjerrin prindërit nga Ligji i përtërirë 6:5-7 është ky: Stërvitja e fëmijëve kërkon kohë dhe përpjekje. Prindërit izraelitë duhet ‘t’ua ngulitnin’ të vërtetën e Perëndisë fëmijëve të tyre. Fjala hebraike e përkthyer «ngulit» ka kuptimin «përsërit», «them vazhdimisht». Kjo duhej bërë gjatë gjithë ditës, po, që nga mëngjesi deri në darkë, «në shtëpi» dhe «rrugës». Duhet kohë dhe përpjekje për t’i mësuar fëmijët e për t’i dhënë formë qëndrimit e sjelljes së tyre, që t’i pëlqejnë Perëndisë.
Atëherë, çfarë mund të bësh për t’i ndihmuar fëmijët e tu që të rriten mirë? Mund të bësh vërtet shumë. Mësoji të duan Jehovain dhe t’i frikësohen atij. Lër një shembull të mirë. Merr përsipër përgjegjësinë tënde për të mësuar fëmijët dhe gjej kohën e duhur për t’i stërvitur. Kuptohet, nuk je i përsosur dhe do të bësh gabime hera-herës. Por, nëse përpiqesh sinqerisht të bësh vullnetin e Perëndisë, ka shumë mundësi që fëmijët t’i vlerësojnë përpjekjet e tua dhe të nxjerrin dobi prej tyre. Te Proverbat 22:6 thuhet: «Stërvite djalin në udhën e drejtë. Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.» I njëjti parim zbatohet për vajzat.
Rritja jonë si individë është një udhëtim që zgjat gjithë jetën. Nëse ti dhe fëmijët e tu e doni Perëndinë, atëherë do të jetë një udhëtim që do ta vazhdoni gjithë përjetësinë. Kjo sepse do të ketë gjithmonë diçka për të mësuar rreth Jehovait dhe se si të jetojmë në përputhje me qëllimin e tij.—Eklisiastiu 3:10, 11.
[Figura në faqen 15]
A ua lexon Biblën fëmijëve të tu?
[Figura në faqen 16]
Gjej kohë për t’u mësuar fëmijëve të tu rreth Krijuesit