A po i plotëson feja nevojat e tua?
AJRI, uji, ushqimi, strehimi—këto janë botërisht të njohura si nevojat e njerëzimit. Pa to, do të vuaje dhe do të vdisje. Por kohë më parë, udhëheqësi i Izraelit, Moisiu, tërhoqi vëmendjen në një tjetër nevojë, më të rëndësishme se buka apo uji. Moisiu tha: «Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit [Jehovait, BR].»—Ligji i përtërirë 8:3.
Me këto fjalë të thella, Moisiu tregoi rëndësinë e përmbushjes së nevojave tona fetare ose frymore. Ai tregoi se jeta jonë varet nga plotësimi i tyre! Gjatë endjes së tyre 40 vjet nëpër shkretëtirë, izraelitët në kuptimin e drejtpërdrejtë jetuan nga «fjala e dalë nga goja e Jehovait». Mbijetuan, ndryshe do të kishte qenë një provë fatale. Perëndia bëri që nga qiejt të zbriste një ushqim i mrekullueshëm i quajtur mana. Uji doli nga shkëmbinjtë për të shuar etjen e tyre. Por Perëndia nuk kujdesej vetëm për nevojat e tyre fizike. Moisiu tha: «Ashtu si njeriu korigjon birin e vet, ashtu Zoti Perëndia, yt, të korigjon ty.»—Ligji i përtërirë 8:4, 5; Të Dalët 16:31, 32; 17:5, 6.
Izraelitët nuk ishin lënë të kujdeseshin për veten e tyre, për të zbuluar çfarë ishte e drejtë apo e gabuar, morale ose fetare. Ata drejtoheshin nga vetë Perëndia. Ai u dha atyre Ligjin e Moisiut, një kod të jashtëzakonshëm ligjor, që përshkruante një dietë të shëndetshme, një kod të rreptë sanitar, një moral të shëndoshë dhe parimet fetare. Kështu, Perëndia e rriti mirëqenien fizike dhe frymore të Izraelit. Ata jetonin nga «fjala e dalë nga goja e Jehovait».
Izraeli qëndroi kështu në një kontrast të plotë me kombet e tjera. Në ditët e Moisiut, Egjipti sundonte si fuqia kryesore botërore. Ishte një vend shumë fetar. World Book Encyclopedia thotë: «Egjiptianët e lashtë besonin se hyjnitë e ndryshme (perëndi dhe perëndesha) ndikonin në çdo aspekt të natyrës dhe të aktiviteteve njerëzore. Prandaj, ata adhuronin shumë hyjni. . . . Përveç hyjnive më të rëndësishme, në çdo qytet egjiptian populli adhuronte perëndinë e tij të veçantë.»
A i plotësonte ky adhurim politeist nevojat e egjiptianëve? Jo. Egjipti u bë një vend i zhytur në bestytnira dhe në degradim praktikash seksuale. Duke qenë larg nga jeta dhe shëndeti, udha e jetës së Egjiptit çoi në «të keqen vdekjeprurëse». (Ligji i përtërirë 7:15) Nuk është për t’u habitur që Bibla flet për perënditë e Egjiptit me përbuzje, duke i quajtur ato «idhuj të neveritshëm».—Ezekieli 20:7, 8.
Një situatë e ngjashme ekziston edhe sot. Shumica e njerëzve kanë të paktën disa lloje besimesh fetare; disa veten e quajnë Perëndi. Por, është e qartë se feja në përgjithësi nuk i ka plotësuar nevojat frymore të njerëzimit. A do të ekzistonin probleme të tilla si lufta, racizmi, uria dhe varfëria nëse njerëzit me të vërtetë do të jetonin «nga çdo fjalë e dalë nga goja e Jehovait»? Natyrisht që jo! Madje, pak njerëz do të ishin të gatshëm për të ndryshuar fenë e tyre. Disa nuk duan as edhe të flasin për fenë e tyre, apo të bëjnë përpjekje për të marrë në konsideratë ide të reja fetare!
Për shembull, një burrë në Gana, në Afrikën e Jugut, i tha një shërbëtori të krishterë: «Unë besoj se Perëndia na e ka zbuluar veten e tij ne afrikanëve, nëpërmjet priftërinjve dhe priftëreshave tona të fuqishme, tamam siç u ishte zbuluar hebrenjve nëpërmjet profetëve të tyre. Është mëkat që disa nga afrikanët nuk i njohin priftërinjtë tanë, por flasin për Jezuin, Muhamedin dhe të tjerë.»
Në shumë shoqëri afrikane tradicionale, krishterimi është parë si një fe e të bardhëve—një sistem i rëndësishëm që ka bërë më shumë keq sesa mirë. Por, a do të të ndihmonte një mentalitet i mbyllur, apo do të të pengonte për t’i përmbushur nevojat e tua frymore? Një proverb afrikan thotë: «Nuk zhyten të dyja duart në tas, vetëm sepse je i uritur.» Ngrënia në këtë mënyrë është si e pasjellshme ashtu edhe e rrezikshme—sidomos kur nuk e di se ç’ka në tas! Akoma, shumë njerëz nuk i zgjedhin fetë e tyre në bazë të një shqyrtimi të kujdesshëm, por në bazë të ndjenjave apo traditave familjare.
Adhurimi që plotëson nevojat e tua frymore, duhet të jetë «një shërbim i shenjtë me fuqinë tënde të arsyes». (Romakët 12:1, BR) Duhet të jetë një zgjedhje inteligjente dhe e informuar. Le të shqyrtojmë problemin e zgjedhjes së fesë nga një pikëpamje afrikane. Megjithatë, çfarë është në vijim do të jetë me interes për të gjithë lexuesit, pavarësisht ku jetojnë.
[Figura në faqen 3]
Moisiu tregoi rëndësinë e plotësimit të nevojave tona frymore
[Figura në faqen 4]
Përvojat afrikane me misionarët e të ashtuquajturit krishterim, ua kanë mbyllur mendjen disave për Biblën