Libri biblik numër 6—Josiu
Shkrimtari: Josiu
Vendi ku u shkrua: Kanaan
Shkrimi përfundoi: rr. 1450 p.e.s.
Periudha përkatëse: 1473 p.e.s.–rr. 1450 p.e.s.
1. Me cilën situatë përballet Izraeli në vitin 1473 p.e.s.?
ËSHTË viti 1473 p.e.s. Skena është tepër dramatike dhe emocionuese. Izraelitët, që kanë fushuar në Rrafshinat e Moabit, janë gati të hyjnë në Kanaan, në Tokën e Premtuar. Në territorin në anën tjetër të Jordanit shtrihen mbretëri të shumta të vogla, secila me ushtrinë e saj. Ato janë përçarë e dobësuar gjatë viteve të sundimit të korruptuar egjiptian. Gjithsesi, për kombin e Izraelit kundërshtari është i tmerrshëm. Që të pushtojë vendin, duhet të shtjerë në dorë qytete të shumta të fortifikuara me mure, si Jerikonë, Ain, Hazorin dhe Lakishin. Para tyre shtrihet një periudhë kritike. Duhet të bëjnë e të fitojnë disa beteja vendimtare, në të cilat vetë Jehovai duhet të ndërhyjë me mrekulli të fuqishme, që të plotësojë premtimin e tij për t’i vendosur në atë vend. Pa dyshim, këto ngjarje emocionuese, kaq të jashtëzakonshme për sa i përket marrëdhënies së Jehovait me popullin e tij, duhen dokumentuar, madje, nga një dëshmitar okular. Kush tjetër mund ta bëjë këtë më mirë se vetë Josiu, të cilin Jehovai e emëroi si pasues të Moisiut?!—Num. 27:15-23.
2. Përse ishte me vend që Josiu të zgjidhej qoftë si udhëheqës, qoftë si ai që do të dokumentonte ngjarjet?
2 Zgjedhja e Josiut, qoftë si udhëheqës, qoftë si ai që do të dokumentonte ngjarjet që do të ndodhnin, është me vend. Ai ishte një shok mjaft i ngushtë i Moisiut gjatë 40 viteve të kaluara në shkretëtirë. Ishte «shërbëtor i Moisiut që nga djalëria», dhe kjo tregonte se kualifikohej si udhëheqës frymor dhe ushtarak. (Num. 11:28; Dal. 24:13; 33:11; Jos. 1:1) Në vitin 1513 p.e.s., kur Izraeli u largua nga Egjipti, ai ishte komandanti i ushtrive të Izraelit në disfatën që u shkaktuan amalekitëve. (Dal. 17:9-14) Si shok besnik i Moisiut dhe komandant ushtarak sypatrembur, ishte e natyrshme që ai të zgjidhej për të përfaqësuar fisin e Efraimit kur nga çdo fis u zgjodh një burrë për misionin e rrezikshëm të vëzhgimit në Kanaan. Guximi dhe besnikëria që tregoi në atë rast, i siguruan hyrjen në Tokën e Premtuar. (Num. 13:8; 14:6-9, 30, 38) Pikërisht ky burrë, Josiu, biri i Nunit, ishte «një njeri plot gjallëri», një burrë që ‘iu bind Jehovait në çdo gjë’, një burrë «plot frymë mençurie». Nuk habitemi që «Izraeli i shërbeu Jehovait gjatë gjithë kohës që ishte gjallë Josiu».—Num. 27:18; 32:12; Ligj. 34:9; Jos. 24:31.
3. Ç’gjë provon se Josiu ka qenë një shërbëtor i Jehovait që ka jetuar realisht, si dhe shkrimtari i librit që mban emrin e tij?
3 Për sa i takon përvojës, stërvitjes dhe cilësive të sprovuara si një adhurues i vërtetë i Jehovait, Josiu ishte me siguri në pozitën e duhur për t’u përdorur si një nga shkrimtarët e ‘Shkrimit të frymëzuar nga Perëndia’. Josiu nuk është thjesht një figurë legjendare, por një shërbëtor i Jehovait që ka jetuar realisht. Ai përmendet me emër në Shkrimet e Krishtere Greke. (Vep. 7:45; Hebr. 4:8) Është logjike që, ashtu si Moisiu u përdor për të shkruar ngjarjet e jetës së vet, edhe pasuesi i tij, Josiu, të përdorej për të shkruar ngjarjet që i kishte përjetuar vetë. Që libri është shkruar nga dikush që i ka përjetuar ngjarjet, duket nga Josiu 6:25. Tradita judaike njeh Josiun si autor, dhe vetë libri thotë: «Pastaj Josiu i shkroi këto fjalë në librin e ligjit të Perëndisë.»—Jos. 24:26.
4. Si e vërtetojnë autenticitetin e librit të Josiut përmbushja e profecisë dhe dëshmitë e shkrimtarëve të mëvonshëm të Biblës?
4 Në kohën kur u shkatërrua Jerikoja, Josiu shpalli një mallkim profetik për rindërtimin e qytetit, i cili u përmbush në mënyrë të jashtëzakonshme në ditët e mbretit Akab të Izraelit, rreth 500 vjet më vonë. (Jos. 6:26; 1 Mbret. 16:33, 34) Autenticitetin e librit të Josiut e vërtetojnë edhe referimet e shumta që shkrimtarë të mëvonshëm të Biblës u bëjnë ngjarjeve të dokumentuara në këtë libër. Herë pas here, psalmistët përmendin referime të tilla (Psal. 44:1-3; 78:54, 55; 105:42-45; 135:10-12; 136:17-22), sikurse bën edhe Nehemia (Neh. 9:22-25), Isaia (Isa. 28:21), apostulli Pavël (Vep. 13:19; Hebr. 11:30, 31) dhe dishepulli Jakov (Jak. 2:25).
5. (a) Ç’periudhë përfshin libri i Josiut? (b) Përse është me vend emri Josi?
5 Libri i Josiut përfshin një periudhë prej më se 20 vjetësh, që nga hyrja në Kanaan më 1473 p.e.s., deri rreth vitit 1450 p.e.s., viti kur mund të ketë vdekur Josiu. Vetë emri i Josiut (hebraisht, Jehohshúaʽ), që do të thotë «Jehovai është shpëtim», është me vend kur shohim rolin e tij si udhëheqës i dukshëm i Izraelit gjatë pushtimit të vendit. Gjithë lavdinë si Çlirimtar ia dha Jehovait. Në versionin e Septuagintës libri titullohet Iesoús (barasvlerësi greqisht për Jehohshúaʽ). Emri Jezu ka ardhur nga kjo formë. Me cilësitë e tij të shkëlqyera, si guximi, bindja dhe integriteti, Josiu ishte vërtet një tipizim i shkëlqyer i «Zotërisë tonë Jezu Krisht».—Rom. 5:1.
PËRMBAJTJA E JOSIUT
6. Në sa pjesë ndahet natyrshëm libri i Josiut?
6 Libri ndahet natyrshëm në katër pjesë: (1) kalimi në Tokën e Premtuar, (2) pushtimi i Kanaanit, (3) ndarja e tokës, dhe (4) nxitjet e Josiut kur jep lamtumirën. Gjithë tregimi është përshkruar dhe përmbledhur me një dramë drithëruese.
7. Ç’inkurajim dhe këshillë i jep Jehovai Josiut?
7 Kalimi në Tokën e Premtuar (1:1–5:12). Duke i ditur sprovat që shtrihen para tyre, Jehovai e siguron Josiun dhe i jep këshilla që në fillim: «Ti veç ji shumë i fortë dhe guximtar . . . Ky libër i ligjit të mos ndahet nga goja jote. Lexoje nën zë ditë e natë, që të veprosh me kujdes në përputhje me atë që është shkruar aty, sepse atëherë do të kesh sukses në udhën tënde, atëherë do të veprosh me mençuri. A nuk të urdhërova të ishe i fortë dhe guximtar? Tani po të urdhëroj prapë: ji i fortë dhe guximtar . . . sepse unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty kudo që të shkosh.» (1:7-9) Josiu ia jep Jehovait meritën si Udhëheqësi e Komandanti i vërtetë dhe menjëherë nis të përgatitet që të kalojë Jordanin, ashtu si kishte marrë urdhër. Izraelitët e pranojnë si pasuesin e Moisiut, dhe premtojnë se do të jenë besnikë. Atëherë, oburra, përpara për të pushtuar Kanaanin!
8. (a) Si tregon besim Rahaba? (b) Si tregon Jehovai se është «një Perëndi i gjallë» në mes të Izraelit?
8 Dy burra dërgohen që të vëzhgojnë Jerikonë. Rahaba, prostituta, shfrytëzon mundësinë për të treguar besimin e saj te Jehovai dhe i fsheh vëzhguesit, duke vënë në rrezik jetën. Në këmbim, vëzhguesit betohen se do t’ia kursejnë jetën kur të shkatërrohet Jerikoja. Vëzhguesit raportojnë se të gjithë banorët e vendit i ka lëshuar zemra për shkak të izraelitëve. Pas këtij raporti pozitiv, Josiu lëviz menjëherë drejt lumit Jordan që po vërshon. Tani Jehovai jep një provë të dukshme se po e mbështet Josiun dhe se «ka një Perëndi të gjallë» në mes të Izraelit, ashtu si në kohën e Moisiut. (3:10) Kur priftërinjtë që mbajnë arkën e besëlidhjes futin këmbët në Jordan, ujërat që vijnë nga pjesa sipër lumit ndalen e ngrihen lart, duke u dhënë mundësi izraelitëve të kalojnë në anën tjetër nëpër tokë të thatë. Josiu merr nga mesi i lumit 12 gurë si kujtim dhe çon 12 të tjerë në lumë, aty ku janë priftërinjtë. Pastaj, priftërinjtë kalojnë matanë dhe ujërat nisin të vërshojnë.
9. Ç’ndodh më pas në Gilgal?
9 Pasi ka kaluar matanë, populli e ngre kampin në Gilgal, mes Jordanit dhe Jerikosë. Këtu Josiu vendos gurët që mori si kujtim si një dëshmi për brezat e ardhshëm dhe «me qëllim që të gjithë popujt e tokës ta njohin dorën e Jehovait e ta dinë që është e fortë dhe që t’i frikësoheni vërtet Jehovait, Perëndisë tuaj, përgjithmonë». (4:24) (Josiu 10:15 tregon se paskëtaj, Gilgali mund të ketë shërbyer për disa kohë edhe si një kamp bazë.) Këtu bijtë e Izraelit rrethpriten, meqë askush nuk ishte rrethprerë gjatë udhëtimit nëpër shkretëtirë. Kremtohet Pashka, nuk ka më manë, dhe më në fund izraelitët nisin të hanë nga prodhimet e tokës.
10. Ç’udhëzime i jep Jehovai Josiut për pushtimin e Jerikosë, dhe cili veprim dramatik vjen më pas?
10 Pushtimi i Kanaanit (5:13–12:24). Tani objektivi i parë është brenda rrezes së goditjes. Por, si ta pushtojnë Jerikonë, këtë qytet ‘krejtësisht të mbyllur’ me mure? (6:1) Vetë Jehovai përcakton me hollësi se ç’duhet të bëjnë, dhe dërgon ‘princin e ushtrisë së Jehovait’ që të udhëzojë Josiun. (5:14) Një herë në ditë, për gjashtë ditë me radhë, ushtritë e Izraelit duhet të marshojnë përreth qytetit. Në ballë do të prijnë luftëtarët, të ndjekur nga vargani i priftërinjve që u bien brirëve dhe të tjerët që mbajnë arkën e besëlidhjes. Ditën e shtatë do të marshojnë përreth qytetit shtatë herë. Josiu ia përcjell besnikërisht urdhrat popullit. Pikërisht siç kanë marrë urdhër, ushtritë marshojnë përreth Jerikosë. Nuk dëgjohet asnjë zë. Asnjë zhurmë, përveç përplasjes së këmbëve dhe brirëve që u bien priftërinjtë. Ditën e fundit, pasi përfundon xhiroja e shtatë, Josiu jep sinjalin që të bërtasin. Sakaq, ata lëshojnë «një britmë të madhe për luftë», dhe muret e Jerikosë zënë të rrafshohen. (6:20) Si një trup i vetëm, turren në qytet, i vënë flakën dhe e bëjnë shkrumb e hi. Vetëm Rahaba besnike dhe ata të shtëpisë së saj shpëtojnë.
11. Si ndreqet dëmi që pësuan nga sprapsja e parë në Ai?
11 Më pas, oburra drejt Ait! Por besimi te një tjetër fitore e lehtë shndërrohet në tmerr, pasi burrat e Ait u japin dërrmën 3.000 ushtarëve izraelitë që u dërguan për të pushtuar qytetin. Ç’ka ndodhur? A i ka braktisur Jehovai? Me ankth, Josiu pyet Jehovain. Jehovai i përgjigjet se, në kundërshtim me urdhrin e tij për të shkatërruar gjithçka në Jeriko, dikush në kamp nuk është bindur, por ka vjedhur diçka dhe e ka fshehur. Kjo papastërti duhet fshirë nga kampi, që Izraeli të vazhdojë të ketë mbarësi me bekimin e Jehovait. Nën drejtimin hyjnor zbulohet keqbërësi, Akani, dhe bashkë me ata të shtëpisë së tij qëllohen me gurë për vdekje. Tash që pëlqimi i Jehovait është kthyer, izraelitët i sulen përsëri Ait. Edhe një herë Jehovai u tregon strategjinë që duhet të përdorin. Burrat e Ait tërhiqen jashtë mureve të qytetit, dhe përfundojnë të zënë në grackë në një pritë. Qyteti pushtohet dhe shkatërrohet bashkë me gjithë banorët e tij. (8:26-28) S’ka kompromis me armikun!
12. Cilin urdhër hyjnor përmbush më pas Josiu?
12 Që t’i bindet urdhrit që dha Jehovai nëpërmjet Moisiut, Josiu ndërton një altar në malin Ebal dhe shkruan në të «një kopje të ligjit». (8:32) Pastaj lexon fjalët e Ligjit, bashkë me bekimet dhe mallkimet, para gjithë asamblesë së kombit, teksa qëndrojnë në këmbë, gjysma përballë malit Gerizim dhe gjysma përballë malit Ebal.—Ligj. 11:29; 27:1-13.
13. Çfarë ndodh me gibeonitët meqë «u treguan mendjehollë»?
13 Të alarmuara nga përparimi i shpejtë i pushtimit, disa mbretëri të vogla kananite bashkohen dhe përpiqen të ndalin përparimin e Josiut. Megjithatë, kur ‘banorët e Gibeonit dëgjojnë se çfarë i ka bërë Josiu Jerikosë dhe Ait, tregohen mendjehollë’. (Jos. 9:3, 4) Ata hiqen sikur vijnë nga një vend larg Kanaanit dhe bëjnë një besëlidhje me Josiun, sipas së cilës «ai do t’i linte gjallë». Kur dinakëria zbulohet, izraelitët i përmbahen besëlidhjes, por megjithatë i caktojnë gibeonitët «të bënin dru e të nxirrnin ujë», si «skllavi më i ulët», duke plotësuar kështu pjesërisht mallkimin e frymëzuar që i bëri Noeja Kanaanit, birit të Kamit.—Jos. 9:15, 27; Zan. 9:25.
14. Si e tregoi Jehovai në Gibeon se po luftonte për Izraelin?
14 Dezertimi i gibeonitëve s’është gjë e vogël, pasi «Gibeoni ishte një qytet i madh . . . më i madh se Ai dhe të gjithë burrat i kishte të fuqishëm». (Jos. 10:2) Adon-Zedeku, mbreti i Jerusalemit, e shikon këtë si një rrezik për veten dhe për mbretëritë e tjera kananite. Dikush duhet bërë shembull që të frenohen dezertime të tjera para armikut. Kësisoj, Adon-Zedeku, bashkë me katër mbretër të tjerë (të qytet-mbretërive të Hebronit, Jarmuthit, Lakishit dhe Eglonit), organizohen dhe luftojnë kundër Gibeonit. Për hir të besëlidhjes që ka bërë me gibeonitët, Josiu marshon gjithë natën që t’u shkojë në ndihmë, dhe i dërrmon ushtritë e pesë mbretërve. Edhe një herë Jehovai merr pjesë në betejë, duke përdorur fuqi mbinjerëzore dhe shenja me pasoja shkatërrimtare. Kokrra të mëdha breshri bien nga qielli dhe vrasin më shumë armiq se shpatat e ushtrisë izraelite. Më pas, ndodh çudia e çudirave, ‘dielli ndalet në mes të qiellit dhe nuk ngutet të perëndojë pothuajse një ditë të tërë’! (10:13) Kështu, armiqve u jepet goditja e fundit. Të zgjuarit sipas botës mund ta shpërfillim këtë ngjarje të mrekullueshme, por njerëzit me besim e pranojnë tregimin hyjnor, plotësisht të vetëdijshëm se Jehovai ka fuqi t’i kontrollojë forcat e universit dhe t’i drejtojë sipas vullnetit të tij. Vërtet, «Jehovai luftonte për Izraelin».—10:14.
15. Përshkruaj vazhdimin e pushtimit dhe kulmin e tij në Hazor.
15 Pasi vret pesë mbretërit, Josiu shkatërron Makedahun. Pastaj kalon vetëtimthi në jug dhe shkatërron krejtësisht Libnahun, Lakishin, Eglonin, Hebronin dhe Debirin, qytete që ndodhen në kodrat mes Detit të Kripur dhe Detit të Madh. Tanimë, lajmi për pushtimet është përhapur në gjithë Kanaanin. Atje lart në veri, Jabini, mbreti i Hazorit, lëshon kushtrimin. Lart e poshtë, në të dyja anët e Jordanit, ai lëshon thirrjen që të mblidhen e të veprojnë bashkërisht kundër izraelitëve. Kur e ngrenë kampin pranë ujërave të Meromit, forcat e përbashkëta të armikut janë ‘aq të shumta sa kokrrizat e rërës në breg të detit’. (11:4) Sërish, Jehovai e siguron Josiun se do të fitojë, dhe i paraqit strategjinë e betejës. Rezultati? Armiqtë e popullit të Jehovait dërrmohen prapë! Hazorit i vihet flaka, kurse qytetet aleate dhe mbretërit e tyre shkatërrohen. Kështu, Josiu e shtrin zonën e sundimit të izraelitëve gjatë e gjerë Kanaanit. Tridhjetë e një mbretër gjunjëzohen.
16. Si ndahet toka?
16 Ndarja e tokës (13:1–22:34). Pavarësisht nga fitoret e shumta, shkatërrimit të mjaft qyteteve kryesore të fortifikuara dhe thyerjes së përkohshme të rezistencës së organizuar, «mbetet ende një pjesë shumë e madhe toke për t’u shtënë në dorë». (13:1) Sidoqoftë, tani Josiu është rreth 90 vjeç dhe ka ende një tjetër punë të madhe për të bërë: ndarjen e tokës si trashëgimi për nëntë fise të plota dhe për gjysmën e fisit të Manaseut. Rubeni, Gadi dhe gjysma e fisit të Manaseut, e kanë marrë tashmë trashëgiminë e tyre në lindje të Jordanit, kurse fisi i Levit s’ka për të marrë fare, pasi trashëgimia e tyre është «Jehovai, Perëndia i Izraelit». (13:33) Me ndihmën e priftit Eleazar, Josiu bën caktimet në perëndim të Jordanit. Kalebi 85-vjeçar, plot zjarr për të luftuar deri në fund kundër armiqve të Jehovait, kërkon dhe merr si caktim rajonin e Hebronit, ku gëlojnë anakimët. (14:12-15) Pasi fiset marrin me short trashëgiminë e tyre, Josiu kërkon qytetin e Timnah-Serahut në malësinë e Efraimit, dhe ata ia japin «sipas urdhrit të Jehovait». (19:50) Tenda e mbledhjes ngrihet në Shiloh, i cili po ashtu gjendet në rajonin malor të Efraimit.
17. Ç’masa merren për qytetet e strehimit, si edhe për qytetet e banimit për levitët?
17 Për ata që kryejnë një vrasje të paqëllimshme caktohen gjashtë qytete, tre në secilën anë të Jordanit. Në perëndim të Jordanit janë Kedeshi në Galile, Sikemi në Efraim, dhe Hebroni në zonën kodrinore të Judës. Në lindje janë Bezeri në territorin e Rubenit, Ramoti në Galaad dhe Golani në Bashan. Këto qytete ‘shpallen të shenjta’. (20:7) Nga pjesa që morën fiset, dyzet e tetë qytete bashkë me kullotat e tyre caktohen si qytete banimi për levitët. Këtu përfshihen edhe gjashtë qytetet e strehimit. Kështu, izraelitët «e morën [tokën] e banuan atje». Ashtu si kishte premtuar Jehovai, «të gjitha dolën të vërteta».—21:43, 45.
18. Cila krizë lind mes fiseve të lindjes e perëndimit, dhe si zgjidhet?
18 Luftëtarët nga fiset e Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut, që e kishin ndjekur Josiun gjatë gjithë kohës, tani kthehen në trashëgiminë e tyre përtej Jordanit, duke marrë me vete nxitjen e Josiut për të qenë besnikë, si edhe bekimin e tij. Rrugës, kur afrohen pranë Jordanit, ata ndërtojnë një altar të madh. Ky veprim shkakton një krizë. Meqë vendi i caktuar për adhurimin e Jehovait është tenda e mbledhjes në Shiloh, fiset që banojnë në perëndim tremben se mos kanë të bëjnë me tradhti dhe mungesë besnikërie, prandaj përgatiten për të luftuar kundër atyre që duken si rebelë. Gjithsesi, gjakderdhja arrin të shmanget kur shpjegohet se altari nuk shërben për flijime, por vetëm si «një dëshmi mes nesh [Izraeli në lindje e në perëndim të Jordanit] që Jehovai është Perëndia i vërtetë».—22:34.
19, 20. (a) Për çfarë i nxit Josiu në lamtumirën e tij? (b) Cilën çështje shtron ai para Izraelit, dhe si u thekson se duhet të bëjnë zgjedhjen e drejtë?
19 Nxitjet e Josiut kur jep lamtumirën (23:1–24:33). «Shumë kohë pasi Jehovai i kishte dhënë Izraelit prehje nga tërë armiqtë e tij rreth e qark, kur ishte i shkuar në moshë», Josiu thërret gjithë Izraelin, që t’i japë nxitjet frymëzuese të lamtumirës. (23:1) I përulur deri në fund, ai i jep Jehovait gjithë meritën për fitoret madhështore mbi kombet. Tani, të gjithë le të vazhdojnë të qëndrojnë besnikë! «Të jeni shumë guximtarë që të mbani dhe të bëni gjithçka që është shkruar në librin e ligjit të Moisiut, pa u kthyer kurrë prej tij as djathtas, as majtas.» (23:6) Ata duhet të shmangin perënditë e rreme, dhe ‘të ruajnë vazhdimisht shpirtrat e tyre, duke e dashur Jehovain, Perëndinë e tyre’. (23:11) S’duhet të bëjnë kompromise me kananitët që kanë mbetur, as martesa, as aleanca ndërfetare, sepse këto do të sillnin zemërimin e zjarrtë të Jehovait.
20 Josiu i mbledh të gjitha fiset në Sikem dhe thërret para Jehovait të gjithë përfaqësuesit e tyre zyrtarë. Pastaj nis të tregojë raportin e vetë Jehovait për marrëdhënien e Tij me popullin e vet që nga koha kur thirri Abrahamin dhe e çoi në Kanaan, e deri në pushtimin e shtënien në dorë të Tokës së Premtuar. Josiu i paralajmëron sërish kundër fesë së rreme, duke e ftuar Izraelin ‘t’i frikësohet Jehovait dhe t’i shërbejë atij në mënyrë të patëmetë e me besnikëri’. Po, «shërbejini Jehovait»! Pastaj, e shtron çështjen hapur fare: «Zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni: o perëndive, të cilave u shërbyen paraardhësit tuaj . . . o perëndive të amoritëve, në vendin e të cilëve po banoni. Por sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.» Me një bindje që të sjell ndër mend Moisiun, u kujton izraelitëve se Jehovai është «një Perëndi i shenjtë; është një Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij». Prandaj, larg perëndive të huaja! Në këtë mënyrë populli ndihet i shtyrë të shpallë si një njeri i vetëm: «Do t’i shërbejmë Jehovait, Perëndisë tonë, dhe do ta dëgjojmë zërin e tij!» (24:14, 15, 19, 24) Përpara se t’i lërë të shkojnë, Josiu bën një besëlidhje me ta, i shkruan këto fjalë në librin e ligjit të Perëndisë, dhe vë një gur të madh që do të shërbejë si dëshmitar. Josiu vdes i ngopur me ditë, në moshën 110-vjeçare, dhe varroset në Timnat-Serah.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
21. Cila këshillë e mençur nga libri i Josiut sjell dobi të pakrahasueshme sot?
21 A nuk ta çojnë zemrën peshë këto fjalë të Josiut, teksa lexon fjalët e tij kur jep lamtumirën? A nuk je dakord me fjalët e thëna prej tij më shumë se 3.400 vjet më parë: «Sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.» Apo, nëse po i shërben Jehovait në rrethana sprovuese ose i izoluar nga pjesa tjetër e shërbëtorëve besnikë, a nuk të frymëzojnë fjalët që tha Josiu në fillim të marshimit për në Tokën e Premtuar: «Ti veç ji shumë i fortë dhe guximtar.» A nuk të duket me një vlerë të pashoqe të ndjekësh këshillën e Perëndisë ‘për të lexuar [Biblën] nën zë ditë e natë, që të kesh sukses në udhën tënde’? Sigurisht, të gjithë ata që e ndjekin këtë këshillë të mençur, do të nxjerrin dobi të pakrahasueshme prej saj.—24:15; 1:7-9.
22. Cilat cilësi thelbësore për adhurimin e vërtetë theksohen?
22 Ngjarjet që përshkruhen me kaq gjallëri në librin e Josiut, janë shumë më tepër se thjesht histori e lashtë. Ato nxjerrin në pah parime hyjnore, e mbi të gjitha theksojnë se besimi dhe bindja pa asnjë rezervë ndaj Jehovait janë të domosdoshme për të pasur bekimin e tij. Apostulli Pavël shkruan se «me anë të besimit, muret e Jerikosë u rrëzuan, pasi ishin qarkuar për shtatë ditë», dhe se me anë të besimit «Rahaba, prostituta, nuk mori fund bashkë me ata që vepruan me mosbindje». (Hebr. 11:30, 31) Po njësoj, edhe Jakovi e përmend Rahabën si një shembull të vlefshëm për të krishterët që të prodhojnë vepra besimi.—Jak. 2:24-26.
23. Cilët përkujtues të fuqishëm përmban libri i Josiut?
23 Ngjarjet e pazakonta të mbinatyrshme që gjejmë te Josiu 10:10-14, ku tregohet se dielli u ndal dhe hëna qëndroi pa lëvizur, si dhe mrekullitë e tjera të shumta që kreu Jehovai për popullin e tij, janë përkujtues të fuqishëm të aftësisë së Jehovait e të qëllimit që ka ai për të sjellë shfarosjen përfundimtare të të gjithë kundërshtarëve të ligj të Perëndisë. Isaia e lidh Gibeonin, skenën e betejës në kohën e Josiut e të Davidit, me kohën kur Jehovai do të ngrihet e do të ndizet për të bërë këtë shfarosje, «që të kryejë veprën e tij, veprën e tij të çuditshme, dhe punën e tij, punën e tij të pazakontë».—Isa. 28:21, 22.
24. Si lidhet libri i Josiut me premtimet e Mbretërisë, dhe çfarë sigurie na jep ai se ato ‘do të dalin të gjitha të vërteta’?
24 A na drejtojnë vëmendjen nga Mbretëria e Perëndisë ngjarjet e Josiut? Patjetër! Pushtimi dhe vendosja në Tokën e Premtuar lidhen me diçka shumë të madhe, sikurse tregon apostulli Pavël: «Sepse, sikur Josiu t’i kishte çuar drejt një vendi pushimi, Perëndia nuk do të kishte folur më pas për një tjetër ditë. Prandaj, mbetet një pushim sabati për popullin e Perëndisë.» (Hebr. 4:1, 8, 9) Ky popull përpiqet fuqimisht të sigurojë «një hyrje në mbretërinë e përjetshme të Zotërisë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht». (2 Pjet. 1:10, 11) Si tregon Mateu 1:5, Rahaba u bë një paraardhëse e Jezu Krishtit. Në këtë mënyrë, libri i Josiut siguron një tjetër lidhje jetësore në dokumentimin që çon deri në ardhjen e Farës së Mbretërisë. Ky libër na jep shumë siguri se premtimet e Mbretërisë së Jehovait do të përmbushen patjetër. Duke folur për premtimin që Perëndia i bëri Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, e që ua përsëriti edhe izraelitëve, pasardhësve të tyre, tregimi thotë për ditët e Josiut: «Asnjë nga të gjitha gjërat e mira që i premtoi Jehovai shtëpisë së Izraelit nuk mbeti pa u plotësuar; të gjitha dolën të vërteta.» (Jos. 21:45; Zan. 13:14-17) Njësoj është edhe me ‘premtimin e mirë’ për Mbretërinë e drejtë qiellore: do të dalë plotësisht e vërtetë!